Shfaqja e parë e luajtur në Prishtinë dhe fuqia e disa aktoreve (FOTO)

Në Prishtinë, teatri profesional (sot Teatri Kombëtar) është themeluar përfundimisht më 1948, ndërsa me 1949 ka filluar programi i rregullt, me dy-tri premiera shqip e serbisht.

Shfaqja e parë e luajtur në teatrin e Prishtinës është “Personi i dyshimtë” i Nushiqit, e përkthyer. Nushiqi nënën e ka pasur shqiptare, të grabitur prej një serbi të Maqedonisë. Serbët thonë se është serb, maqedonasit se është maqedonas, ne themi se e ka marrë mbiemrin e së ëmës – Nushës, një bareshë e bukur, e re, e rrëmbyer nga kaçakët, – rrëfen Vehap Shita, kritiku më i njohur i teatrit, që nga ditët e para të themelimit të tij, gazetar shumëvjeçar dhe përkthyes.


Lajde Sopi, Meli, Meribane Shala, Katarina Josipi

– Unë, kur kam shkruar për zhvillimin e teatrit, e kam marrë vitin 1930. Edhe atëherë janë dhënë shfaqje teatrale në gjuhën shqipe nëpër shtëpi nëpër oborre, kopshte.. Teatro amatore ka pasur edhe gjatë okupacionit. Në Prizren, për shembull, kanë qenë Tajar Hatipi, Mysafere Gjinali, Nuhi Sherifi, Xhemil Doda…

Në Prishtinë, rolin e parë kryesor e ka luajtur Shani Pallaska, amator i thjeshtë i ardhur nga Gjakova. Shaniu ka kënduar bukur dhe i ka rënë kitarës. Aktorët Abdurrahman Shala e Muharrem Qena kanë ndjekur Shkollën e Teatrit në Beograd, me profesorë shumë të zotët. Fillimisht regjisorët vinin nga Beograd. Muharrem Qena, në fakt, aktrimit ia ka nisur në Mitrovicë, mandej ka ardhur në gjimnazin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

E para aktore e Teatrit të Prishtinës ka qenë Meriban Shala, mandej Katarina Josipi, Melihate Ajeti, Musherefe Preka. / KultPlus.com

Burimi: Sanije Gashi – “Prishtina e fëmijërisë sime”

Leze Qenës i dhemb zemra për Katarinën dhe Meribanin

Leze Qena, një prej aktoreve më simpatike e të lezetshme shqiptare, tregimin e saj në skenë e ka të pafund.

Rolet e saj në televizion e në teatër, ndër vite, me personazhe të ndryshme, e kanë formësuar në një grua e cila ka buzëqeshjen në rend të parë dhe humorin në rend të dytë. Vuajtja sikur nuk zë vend brenda saj, ose është kaq mirë e fshehur.

“Katarina Josipi dhe Meriban Shala kanë qenë dy shoqe dhe dy kolege që rrallë mund të gjenden! Se, aktorët janë si fëmijët, janë edhe xhelozë, edhe.. Unë nuk kam parë njerëz të jenë pa fije smire mes tyre, por, thjesht, të vuajnë njëra për tjetrën. Kur ka vdekur Meribani, shumë e re, 24 vjeçe, Kati vuante për të dhe shpesh qante. Unë dhe Xhevati shkonim, e dinim pse ishte e mërzitur. Meribanin unë e kam parë te shfaqja “Besa” e Sami Frashërit, o Zot ai aktronte, e kam parë edhe te “Mirandolina”, ndërsa në shfaqjen “Nuk martohem më parë” kam aktruar me të” tregon rrëfimin e saj aktorja Leze Qena përballë Sanije Gashit.

Leze Qena duket se me këto dy aktore ka pasur shoqëri përtej aktrimit. Tri aktore me të njëjtin shpirt, vështirë se mund ti ndajë diçka, qoftë këtu edhe vdekja.

“Me Katin, ndërkaq, më ka rënë të luaj më shpesh. Kati është e pazëvendësueshme! Kush e ka parë në shfaqje, e di, kush nuk e ka parë – gjynah” tregon Leze Qena.

Lezja edhe sot është personazh i dashur për ata që e duan artin e kulturën. E lindur në Prizren, ka luajtur në “Shkolla e fshatit”, “Familja moderne”, “Macja”, “I ikuri” e projekte të tjera. Lezes duhet ti jemi mirënjohjes dhe ti përulemi për këto vite hare, teatër hyjnor dhe emocione të cilat na i dha neve dhe ne i pranuam pa pyetur më shumë. / KultPlus.com