Shpërthen “Amantia” nga Agron Peni, tetë krijime eksperimentale në stilin flamenko që ngërthejnë bukuritë e natyrës së Kosovës

Era Berisha

Meloditë e një kitare përherë dinë të vijnë si vargje të shtruara nëpër faqet e një libri. Të marrin me vete, si një valle e ashpër dhe e lehtë, duke krijuar një ndjenjë që hidhet drejtë zjarrit si një kërcitje e gishtave. Çdo akord ka një histori të vetën që nisë nga një pasion, një rrahje zemre apo thjesht nga një dhimbje. Tingujt kanë folenë e tyre dhe aty nuk mund të futesh dot po nuk pate ndonjë guxim të mprehtë për t’i shkuar pas. Nëpërmjet notave të ndryshme muzikore, gjithsecili ndjen një dridhje rrotulluese të pulsit që natyrshëm rrjedh në vena sikurse lumenjtë në shtratin e tyre. E ngrohtë, e pamëshirshme, e lirë, e veçantë dhe e rrallë është muzika që krijon kitaristi Agron Peni, i cili së fundi ka publikuar albumin më të ri “Amantia”, nëpërmjet së cilit zgjon të gjitha emocionet e lartpërmendura, shkruan KultPlus.

Emërtimi “Amantia” rrjedh nga qyteti antik ilir në Epirin e Veriut apo Ilirinë e Jugut. Sot ky vend identifikohet me fshatin Ploç, në qarkun e Vlorës në Shqipëri dhe është i njohur për pozitën, rezistencën dhe kulturën që ka. Por, emri gjithashtu vjen si frymëzim nga krijimi i instrumentalit me po të njëjtin emër që ai e pati realizuar në vitin 2020. Ky është albumi i katërt personal mirëpo vjen pak më ndryshe nga të tjerët. Krijimtaria dhe kreativiteti në muzikë, sipas Penit, është dhunti, e frymëzimi duket se i është gjendur kudo nga bota. Pra, secili krijim i tij e ka kohën e posaçme për të dalë në pah.

Dallimi i këtij albumi nga tre të tjerët qëndron tek stili i krijimtarisë dhe aranzhimi. Dy albumet e mëhershme  “Solo” me krijime origjinale dhe “Home” me përpunime të këngëve shqipe, janë albume që vijnë vetëm me solo kitarë, pra nuk ka asnjë tjetër instrument përcjellës, ndërkaq tek “Mirage” veprat janë origjinale por ka edhe përcjellje nga disa instrumentistë të tjerë. Por, tek “Amantia”, aranzhimet janë të mbushura me kitarë, me harqe, perkusione e të tjera. Përpos kësaj, tendenca këtu ka qenë që meloditë të jenë shumë më depërtuese tek publiku i gjerë, pa e ngarkuar shumë nga ana teknike (virtuoze).

Fatlind Ferati (basist) është instrumentisti me të cilin kitaristi Peni bashkëpunon vazhdimisht dhe ka shumë koncerte bashkë me të. Meriton Ferizi në fagot konsiderohet të jetë një instrumentist deficit, Gent Hoxha në fyell, konsiderohet shumë i rrallë dhe Kaltrina Berisha në violonçel e cila dallohet si shumë muzikale dhe bashkëpunuese. Këta janë artistët me të cilët ka bashkëpunuar Peni për këtë album.

Albumi më i ri ka gjithsej tetë krijime origjinale që vijnë të kompozuara nga kitaristi Agron Peni. Të titulluara si: “Many questions”, “Longing”, “Downpour”, “Passion”, “Into the fog”, “Path of nostalgjia”, “Elegia” dhe “Amantia”, veprat vijnë në një frymë më eksperimentale se zakonisht. Ky album ka pasur fillin qysh tri vite më herët dhe brenda kësaj periudhe, kanë qenë të panumërta netët që kitaristi Peni dhe producenti Shpejtim Gashi, i kanë përjetuar.

“Fillimi ka qenë pak eksperimental rreth idesë në orkestrim. Perkusionet i kam luajtur unë tek ky album edhe ishte pikëpyetje se si kanë me tingëllu, mandej kur hyjnë disa kitare në orkestrim plus violonçela  dhe instrumente të tjera, shumë lehtë mundet me u ngarku dhe me pasë konflikt tek instrumentet mes vete. Përshtatja e orarit për instrumentistët pjesëmarrës, disponimi si dhe miksimi i instrumenteve të tyre e shumë faktorë të tjerë dinë me qenë elemente sfiduese sepse marrin shumë kohë dhe energji por dëshira ime, e Shpejtimit dhe e të gjithë instrumentistëve për me sjellë diçka të bukur ishte më e madhe sesa krejt të tjerat. Titujt e veprave janë në gjuhën angleze për shkak se edhe ky është album ndërkombëtar dhe nga përvojat e kaluara e kam kuptuar që titujt kanë shumë rëndësi nëse janë vetëm shqip apo në gjuhën angleze apo ndërkombëtare. Si gjithmonë, titujve iu kushtoj rëndësi të veçantë që të jenë poetik dhe përmes tyre të merr kuptimin krijimi”, thotë Peni për KultPlus.

Sikurse edhe në albumet e tij të mëhershme, edhe tek “Amantia” shkrihen rryma të ndryshme muzikore, duke dominuar gjithmonë flamenkoja. Nuancat etnike të pasura këtë herë vijnë me melodi melankolike që plotësohen nga një aranzhim i butë dhe modern duke e bërë lehtësisht të pranueshëm dhe të pëlqyer nga dëgjuesi. Në anën tjetër, albumi vjen me mjeshtëri i incizuar nga Shpejtim Gashi. Pas disa incizimeve të mëparshme të tij, kitaristi Peni e ka parë seriozitetin, përkushtimin dhe punën e tij, andaj dhe ka vendosur që ta realizojë një album të tillë dhe e vetmja mundësi ka qenë bashkëpunimi me Gashin.

Punën me Gashin, kitaristi Peni e vlerëson si diçka të bukur, marr parasysh faktin që derën tek producenti e ka pasur të hapur pas asnjë lloj interesi material, vazhdimisht duke i dëgjuar kërkesat e tij dhe duke e përkrahur shumë në këtë lloj muzike, në një kohë jo aq të lehtë.

Albumi është publikuar nga kompania spanjolle “Publimaster” në të gjitha adresat (dyqanet) online dhe ky fakt për kitaristin Peni është tejet i rëndësishëm.

“Është një kompani shumë serioze që ka kriter në përzgjedhjen e artistëve bashkëpunues. Përmes tyre muzika ime që 10 vite depërton jashtë shtetit, ruhet e drejta e autorit atje dhe ka mundësi të shumta për koncerte dhe përfitimi material përmes tyre është shumë më i lehtë”, tregon ai.

Në videon e publikuar në kanalin e tij në YouTube të këngës “Elegia” na shfaqet Peni duke sjellë tinguj të magjishëm me kitarën e tij, të kombinuara me pamjet mbresëlënëse të Kosovës. Bjeshkë e male shfaqen në video për të na bindur se e bukura është arti dhe e tillë është vet natyra. Gishtat i “kërcejnë” në kitarë, janë të pamëshirshëm, të lirë e të pushtuar nga lutja e flamenkos. Telat nxjerrin britmën e tyre dhe fluturojnë të kompozuara si melodi që digjen shkëlqyeshëm.

Të gjitha këngët e tjera në album, po ashtu janë të shoqëruara me video dhe kitaristi Peni për këtë pjesë ka thënë se këtë gjë e ka bërë për shkak se bukuritë natyrore të vendit tonë duhet të prezantohen sa më shumë dhe kjo për të është një akt patriotizmi.

“Bukuritë natyrore të vendit tonë sa ma shumë duhet të ruhen dhe të prezantohen. Me e prezentu bukurinë, muzikën dhe kulturën e vendit tënd është një formë e mirë e patriotizmit. Kjo më së miri mund të bëhet përmes videove të bashkuara me muzikë instrumentale e që në këtë rast unë e kisha këtë mundësi. Në këtë rast, jam shumë falënderues ndaj Elbasan Kryeziut i cili më ka përkrahë në realizimin e shtatë videove dhe Blerdi Malushit në realizimin e instrumentalit Amantia.”

Teksa arrijmë tek fundi i kësaj interviste për KultPlus, kitaristi Peni na thotë se ka marr komente nga më të bukurat e që kanë qenë shumë motivuese. Ai beson se publiku që dëgjon muzikë instrumentale nuk është i madh në numër, por shija e tyre është shumë e rafinuar.

“Nuk është e lehtë me e impresionu një publik të tillë. Ata që e kanë pasë mundësinë deri tash me e dëgju të gjithë albumin edhe pse është shumë herët, duket që janë impresionu, të paktën kështu shprehen dhe unë shpresoj që ashtu është. Gjithmonë mendoj që diçka që rrjedh natyrshëm dhe paraqitet si e tillë, është shumë më e afërt tek ta dhe është shumë origjinale, e njerëzit gjithmonë e duan origjinalitetin e një artisti. Nëse ky origjinalitet është i mbështjellë me profesionalizëm atëherë edhe arrin deri te impresionizmi”, përfundon Peni.

Më poshtë KultPlus ua sjell videon e këngës “Elegia” të albumit më të ri “Amantia”, të cilën e keni rastin ta shijoni e ta përjetoni./ KultPlus.com

Filharmonia sjell koncert të rrallë artistik përmes solistit Meriton Ferizi, reagimi i publikut i hap dyert programeve të instrumentit të ‘Fagotit’

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Një koncert i rrallë i cili në qendër pati instrumentin e “Fagotit” u dhurua të shtunën mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë, nga solisti Meriton Ferizi dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Chris McCraken, shkruan KultPlus.

Mbrëmja artistike filloi rreth orës 20:00, në sallën tashmë të improvizuar për mbajtjen e koncerteve të Filhamonisë, me një numë të madh të të pranishmëve, të cilët e shijuan pafund koncertin me program të instrumentit të “Fagotit” që në historinë e Filhamonisë u soll vetëm për të dytën herë.

Me Koncert për fagot Nr.2 në F-dur, P.237, nga Fanz Danzi me  “Allegro”, “Andante”, “Polacca: Allegretto” u paraqit për herë të parë si solist në skenë fagotisti Meriton Ferizi, të cilin interpretim e pritën shumë mirë audienca, të cilën gjë e tregoi edhe  reagimi i publikut duke e detyruar të ri-luaj përsëri edhe një pjesë të programit.

Tingujt e ndjerë, të butë, klasikë e të fuqishëm që u interpretuan në sallë nga ky instrument i cili rrallë paraqitet në program të Filhamoinsë, si dhe përshtatja  që “Fagoti” pati me veshin e dëgjuesve në sallë, si duket i shtroi rrugën edhe për koncerte të tjera të tilla në të ardhmen.

Në pjesën e dytë të koncertit u luajt Simfonia Nr.8 në G-dur, Op. 88, B. 163 e Antonin Dvorak, me “Allegro con brio”, “Adagio”, “Allegretto grazioso- Molta vivace”, “Allegro ma non troppo” nga Orkestra e Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Chris McCraken.

Në këtë pjesë u emetuan tinguj me frekuencë më të lartë. Interpretimi bëhej më serioz, pasi ndodhte një ulje rapide e tingujve, qetësia e të cilëve jepte kuptim në zbërthimin e përmbajtjes së veprës. Sigurisht ishte përvoja e dirigjentit dhe përputhja në plotni me anëtarët e Orkestës Filharmonike ajo që e mundësoi një program të tillë.

Pas pjesës artistike, në një prononcim për KultPlus solisti Meriton Ferizi ka thënë se përvoja e mbrëmshme ishte e jashtëzakonshme pas mirëpritjes që i bëri publiku në sallë.

“Ka qenë një koncert shumë i veçantë për mua sepse për herë të parë kam performuar me Filharmoninë si solist. Unë jam pjesë e Filharmonisë që nga viti 2003, fillimisht si korist, pastaj prej vitit 2009 edhe si instrumentist, dhe sot mu dha rasti për të cilën gjë e falënderoj menaxhmentin që më dha kohë dhe hapsirë që të performoj, në mënyrë që edhe instrumenti i fagotit të promovohet te ne dhe të shijohen veprat e bukura.

Solisti Ferizi më tej ka thënë se reagimi i publikut e kishte pajisur me motivim të madh, të cilin beson se mund të shpalos në programe të tjera në të ardhmen e Filharmonisë.

“Kur interpreton për herë të parë dhe publiku të pret shumë mirë të motivojnë për të sjellë performanca të tilla përsëri. Pritshmëritë për interpretime të tilla janë të mira, ka shumë program për instrumentin e fagotit, dhe besoj që edhe viteve në vijim do të gjendet ndonjë hapësirë tjetër dhe të ofrohet një koncert më i mirë ose i këtij rangu për publikun” ka thënë Ferizi i cili një pjesë të konsiderushme të meritës për një koncert të tillë ia dedikoi dhe dirigjentit McCraken.

“Jam gëzuar kur kuptova që do të jetë Chris McCraken dirigjenti i cili do ta udhëhiqte këtë koncert. E pata më të lehtë, në njëfarë forme u çlirova sepse ka raste kur provat nuk shkojnë mirë me dirigjentin dhe mund të jenë me karakter tjetër. McCraken është shumë bashkëpunues, i kupton dëshirat e instrumentistit kur dëshiron të ndryshoj diçka. Komplet procesi ka shkuar me një frymë pozitive që gjithçka të shkojë me rregull”, ka përfunduar fagotisti Ferizi.

Edhe vetë dirigjenti Chris McCraken e kishte shijuar koncertin me instrumentin e “Fagotit” nga ku tha se mbrëmja ishte një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën.

“E kemi zgjedhur Danzin që është luajtur nga Meriton Ferizi, një instrumentist i mrekullueshëm, ku sonte e pati rastin të shkëlqejë së bashku me kolegët e tij. Vepra e Danzit është zgjedhja e duhur për të shfaqur instrumentin e “Fagotit”. Ishte një simfoni me shumë kontraste. Janë tinguj shumë të këndshëm, klasikë, elegantë, të fuqishëm dhe sjellin shumë emocione. Është një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën”, ka thënë dirigjenti McCraken.

Ndërsa Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se ndihet i kënaqur nga performanca e Filharmonisë për këtë koncert, siç tha ai mjaft rrallë të dhuruar për audiencën.

“Fillimisht jam shumë i lumtur që e kemi pasur në program një vepër për program edhe orkestër sepse në të gjithë historinë e Filharmonisë së Kosovës, kjo është vetëm hera e dytë që ne e kemi programu një vepër për instrumentin e fagotit. Edhe për publikun besoj që ka qenë një mundësi e mirë sepse jo shpesh paraqiten vepra të shkruara për këtë instrument” ka thënë Selimaj.

Drejtori Selimaj duke folur për programin e koncertit shprehu keqardhje që vepra e autorit Andre Jolivet nuk u dha sonte nga flautistja Erëmira Çitaku si shkak i një lëndimi  që kishte pësuar solistja, duke bërë të ditur se kjo performancë është shtyrë për një rast tjetër.

“Simfonia e 8 e Dvorak është një vepër të cilën nuk e kemi interpretuar prej vitit 2010 në atë kohë me dirigjentin Bahri Çela në shënim të 10 vjetorit të Filhamonisë së Kosovës. Kështu që kemi konsideruar që ka qenë një moment për të rikthyer një prej kompozitorëve më të rëndësishëm siç është Dvorak-u. 

Drejtori Selimaj krejt në fund ka bërë të ditur se në muajin maj Filharmonia e Kosovës do të prezantohet edhe me dy koncerte të tjera, për të cilët beson se publiku do të ndahet i kënaqur poashtu. / KultPlus.com

Bashkëdyzimi i dy botave të ndryshme shpalosen në një “Ditë Vere” të (jashtë)zakonshme

Uranik Emini

Një shfaqje që në shikim të parë mund të duket asgjë tjetër sikurse vetëm një “Ditë Vere” e zakonshme, së fundmi u shfaq në qendër të skenës, por me një mesazh të veçantë prapa vetes. Ky prodhim me një ekip të madhe mbrapa vetes, u shkëput nga skena tradicionale e teatrit, duke u shpalosur në një mjedis të hapur dhe duke ofruar një përvojë të freskët dhe me të vërtet të “ftohtë” për shikuesit e teatrit. “Ditë Vere” prezantoi tre personazhe intriguese, duke personifikuar temat e fatit, fatkeqësisë dhe zonjës, të mishëruara nga aktorë të rinj e të talentuar, që patin fatin edhe të debutojnë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në thelbin e tij, “Ditë Vere” është një eksplorim i përplasjes së fateve të ndryshme, ku dy personazhe nga fusha krejtësisht të ndryshme të jetës e gjejnë veten në një pikë të njëjtë, atë të vetëvrasjes. Në një botë ku njëri ishte bekuar me të gjitha privilegjet dhe komoditetet që mund t’i ofronte jeta, dhe tjetri kishte njohur vetëm vështirësi dhe zhgënjim, rrugët e tyre u bashkuan me qëllimin e përbashkët për t’i dhënë fund jetës së tyre.

Fat-miri, mishëronte thelbin e mungesës së shpresës dhe dëshirave në jetë. Edhe pse për të çdo aspiratë, çdo ëndërr, çdo synim nuk ishte thjesht i arritshëm, por i pashmangshëm, ai kishte çdo gjë që dëshironte dhe jetonte pa shpresën se diçka e re mund të ndodhte, por e dinte se realizimi i të gjitha dëshirave të tij, ishte i paevitueshëm. Duke pas gjithçka në jetë dhe aftësi për çdo gjë, atij i mungonte diçka shumë e thjeshtë, shpresa për të përjetuar diçka ndryshe.

Ndërkaq, Fat-keqi, jeta e të cilit kishte qenë e mbushur me fatkeqësi, ai ishte tanimë i familjarizuar me një seri zhgënjimesh të pafundme. Që nga dështimi për të mësuar aftësi të reja deri te të qenit i paaftë për të krijuar lidhje domethënëse, ekzistenca e tij dukej pa qëllim. Në sytë e Fat-keqit, jeta ishte bërë një luftë e pamëshirshme, një udhëtim i shkretë pa asnjë rezultat të sukesit, por çdo veprim, fjali, bisedë e tij kishte të njëjtin rezultat, atë të dështimit.

Udhëtimet e tyre të kundërta, njëri i zhytur në dëshpërim dhe tjetri i mbushur me shpresë, përbëjnë thelbin e “Ditë Vere”. Ky prodhim unik paraqet shkrirjen e këtyre dy jetëve në dukje të ndryshme, duke i çuar ato në një takim fatal, ose edhe jo…

Në shfaqje gjithashtu paraqitet edhe pjesa e “mrekullive” duke lënë një pikëpyetje në qoftë se ato ekzistojnë me të vërtetë. E pikërisht, përmes një shalli paraqitet edhe një kthesë e papritur e fatit, Zonja, e cila ndalon tragjedinë, i jep krejtësisht një kuptim tjetër rrjedhës së shfaqjes. E gjitha skena në ambient të hapur u pasurua edhe me kompozimin e Memli Kelmendit që kishte ndikim të madh në kalimin nga njëra skenë në tjetrën.

Derisa personazhet takohen në këtë mjedis të ri, ata fillojnë të kalojnë kohë me Zonjën dhe njëkohësisht të bëjnë një “garë” mes veti se kush do ta fitojë atë në fund.

Ndërkaq, Regjisori i shfaqjes, Kaltërim Balaj, tha për KultPlus se ndjehet shumë falënderues për të gjithë ata që dhanë kontribut që kjo shfaqje të shkojë sa më mirë, duke dhënë edhe disa detaje nga prapaskenat.

“Këtu jashtë nuk ka pas prapaskena hiç. Kemi punuar në sy të të gjithë publikut, nga skena në skenë. Na kanë pa duke përparuar çdo ditë. Realisht, shfaqja është “Ditë Vere” dhe e shkruar për një ditë të bukur vere me fate të ndryshme dhe me dramën që e ka, ku në një ditë të bukur vere është një ditë shumë e trishtë për personazhet. Shfaqja ka qenë e planifikuar për 18 tetor, mirëpo Teatri e ka përcjellë motin dhe ka vendosur që ta bëjë më 15 tetor, megjithatë pa pas mundësi që të parashikojmë në tërësi motin, që ka qenë shumë i ftohtë sot”.

Balaj u shpreh mirënjohës edhe për aktorët, që përkundër të ftohtit, nuk u dorëzuan dhe nuk u ndalën së punuari.

“Jam shumë falënderues për aktorët që në këtë të ftohtë, jo vetëm që nuk janë dorëzuar, por s’ka pasur që i ndalë as fryma as i ftohti. E falënderoj publikun që qëndroi deri në fund dhe teatrin që na ka qëndru mbrapa me mbështetje të plotë”, tha ai.

Potenciali i aktorëve në Kosovë, qoftë atyre të rinj apo rezidentë të teatrit, është shumë i madh sipas Balajt.

“Mendoj që në këtë shfaqje kemi pas potencial të jashtëzakonshëm, e besoj që në Kosovë nuk mungon aspak. Si zgjedhje regjisoriale ka qenë që personazhet kryesore të jenë moshat më të reja. Aktorët e ansamblit kanë qenë shkollë për ne, ndërsa të rinjtë kanë qenë një motor i pandalshëm për ne. Një inspirim që të vazhdoj tutje, por sigurisht e kemi pas edhe një siguri dhe mbështetje në përvojën dhe shkollën e ansamblit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të cilin jam shumë falënderues”, përfundon regjisori i shfaqjes “Ditë Vere”.

Njëri ndër protagonistët kryesor të shfaqjes, Andi Bajgora, foli për KultPlus rreth rolit të tij dhe se sa shumë ia vlejti që e gjithë kjo shfaqje, përkundër ftohtit, të realizohet në këtë mënyrë.

“Në këtë shfaqje janë tri karaktere, Fatmiri, Fatkeqi edhe Dama (Zonja), më shumë paraqiten sikurse koncepte sesa personazhe reale. Po, është diçka nëpër të cilën kalojmë të gjithë ne nëpër to. Thjesht janë të ndara nëpër dy ekstreme, se si dikujt në jetë i shkon gjithçka mirë, dhe dikujt tjetër çdo gjë keq. Kjo është një mundësi absolutisht shumë e madhe për mu dhe ia ka vlejte deri në pikë të fundit që ta realizojmë këtë shfaqje edhe në ditën më të ftohtë nga të gjitha provat që i kemi bo”, thotë Bajgora.

Zonja, e luajtur nga aktorja e re dhe debutuese Era Balaj, u shpreh për KultPlus se i gjithë procesi ishte shumë i veçantë.

“Kjo shfaqje ia ka vlejte jashtëzakonisht shumë. Procesi për mu ka qenë shumë i veçantë, për mu është hera e parë me një shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe është një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë. Ekipa ka qenë fantastike dhe teatri, stafi gjithçka shkoi shumë mirë. Filmi e ka emocionin e vet, mirëpo mendoj që nuk janë të krahasueshme për mendimin tem. Me u paraqit përpara publikut në mënyrë të drejtpërdrejt, është diçka të cilën kur e mendoj, nuk e di nëse e boj qysh duhet. Rolin të cilin e kom bo është një zonjë, një damë që jo domosdoshmërisht duhet me qenë dama të cilat i imagjinojmë ne. Me e tregu anën tjetër të një zonje që e din çka don, e din ku qëndron dhe me i marr të gjitha senet që ajo i don në fund”, përfundon ajo.

Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, tregoi se merita kryesore për kalimin e teatrit në skenë alternative, është e gjithë ekipit që punoi për realizimin e kësaj shfaqje.

“Nëse më pyet 100 herë, unë 98 herë e zgjedhi skenën alternative. Kjo nuk është meritë e imja, shfaqja e sotshme, por meritë e të gjithë bordit dhe personave të përfshirë në këtë shfaqje. Planifikimi ka qenë që kjo shfaqje të mbahet në shtator, megjithatë kanë ndodhur disa ndryshime të cilat në skenën alternative nuk shkojnë ashtu qysh ti i planifikon, kemi arrit që ta realizojmë me 15 tetor. Kjo shfaqje do t’i ketë edhe disa repriza në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit, e pastaj shfaqja do të “paketohet” për stinën e pranverës dhe verës në mënyrë që të jetë tamam siç duhet”.

Sipas Mehmetit, teatri është teatër aty ku ndodhë.

“Teatri është teatër aty ku është. Në realitet nëse e shohim si skenë me madhësi, gjerësi dhe madhësi, as ndërtesa kryesore e Teatrit Kombëtar të Kosovës aktualisht, nuk ka skenë në Kosovë që i plotëson në plotni kërkesat e regjisorit. Mendoj që secila skenë i plotëson kushtet, megjithatë duhet ta kesh parasysh se ku je duke punu. Nuk jemi duke punuar në gjende të zakonshme, por megjithatë po arrijmë të krijojmë diçka që, unë e them çdo herë që renovimi i Teatrit Kombëtar, ka sjellë një fat në fatkeqësi për të gjetur skena alternative. Tani do ta kemi edhe një skenë tjetër në hapësirat e ish-RTV21, ku do t’i kemi 3 skena për zhvillim minimalisht normal të teatrit klasik”, thotë ai.

Në rolet kryesore luajtën artistët Andi Bajgora, Art Pasha, Era Balaj, Lumnije Sopi, Veton Osmani, Adhurim Demi dhe Naim Berisha, të shoqëruar nga instrumentistët nga Filharmonia e Kosovës, Meriton Ferizi dhe Aurora Kabashi.

“Ditë Vere” na sfidon të marrim parasysh fuqinë transformuese të shpresës, edhe në momentet më të errëta, dhe të pyesim nëse fati me të vërtetë i jep formë jetës sonë apo nëse, në fund, janë zgjedhjet tona ato që përcaktojnë udhëtimin e së ardhmes.

Ky produksion ka nxitur publikun të përqafojë pasiguritë e jetës dhe të gjej shpresën edhe në vendet më të vështira, ose qoftë edhe në raste të tilla kur vetëm një ndodhi më normale mund t’i dhurojë kuptim të ri jetës tënde. /KultPlus.com

Meriton Ferizi emërohet Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës

Janë marrë dy vendime shumë të rëndësishme për Institucionin e Operës së Kosovës.

Meriton Ferizi është emëruar Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Operës ushtron të gjitha të drejtat dhe obligimet e përcaktuara për pozitën e Drejtorit të Operës së Kosovës, veçanërisht inicion, zhvillon dhe administron të gjitha procedurat për krijimin e kushteve të nevojshme të të punësuarve në institucionin e Operës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu është emëruar Këshilli përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës.

Këshilli ka këtë përbërje:

Merita Juniku,
Inva Mula,
Dardan Selimaj,
Rreze Kryeziu Breznica,
Besa Luzha,
Edon Ramadani,
Mehdi Uka.

Këshilli përgatitor është i mandatuar të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë për funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës, duke përfshirë organizmin e brendshëm, hartimin e akteve nënligjore të nevojshme, krijimin e kushteve adekuate infrastrukturore për punë, planin vjetor të punës etj.

Bashkangjitur gjeni dy vendimet e plota:

https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Vendimi-ud_drejtor-opere.pdf?fbclid=IwAR204icXlJ1V7HG2Jsa8d8n3lcPiNbPlXBqecdsNnvu601D19-shUSIJhbM

https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Vendim-Keshilli-operes.pdf?fbclid=IwAR2G6HmNLV3vedliK1sqTiMOIWOEYPkqwWvvWptPya790fgkRze1TgWgWQs / KultPlus.com