Meriton Maloku sjell sonte “Ma shumë se balancë dhe fërkim”

Meriton Maloku do të prezantojë sonte ekspozitën e tij personale të titulluar “Ma shumë se balancë dhe fërkim”, në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e cila vjen e kuruar nga Vala Osmani dhe Donjetë Murati do të hapet sonte në ora 19:00, për t’i paraprirë bisedës me artistin që do të zhvillohet nesër në ora 19:00, po ashtu te Klubi i Boksit.

Ekspozita “Ma shumë se balancë dhe fërkim” fillon me shpalosjen e një veprimi. Kjo kohë e lojës në veçanti kalon nëpër një kontinuitet kohor dhe hapësinor, përtej vetëm një kalimi kohe, në mënyrë që një dialog të ndodhë mes dy dimensioneve të posaqme përbrenda dhe ndërmjet dy agjentëve. Në tërësi, një forcë rrotullullimi është konstante, siç është edhe përfundimi i veprimit si një fund i lojës. Gjestet, dialogu qëndrojnë në këtë parametër, ndrrimi i roleve ndodhë, dhe me të mund të përhapet dhe realiteti i një ndryshimi kohë dhe në hapësirë. Ajo që duket si një ndryshim i lehtë që shihet me sy, përmban qëndrueshmëri, krahas mundësive për të shqyrtuar shumëllojshmërinë e konfigurimeve që veprojnë ndryshe në çdo kohë të caktuar.

Për të kuptuar këtë veçanti, njeriu duket të afrohet dhe largohet prej vendit ku loja është duke ndodhë, dhe të kuptoj nëse një ndërrim i roleve paraqet një përmbysje të ‘një’ rendi të caktuar. Në një aks të pushtetit, që nuk vërehet lehtë në strukturë, me këtë ndërmarrje “Ma shumë se balancë dhe fërkim” përpiqet të përcaktoj dhe të bëjë të dukshme një përplasje mes asaj që konsiderohet personale, shoqërore dhe politike. Në këtë nyje, marrëdhëniet shpalosen si interakcione të zakonshme, dite pas dite, duke vë në pyetje ku qëndron pushteti, dhe në çfarë forme operon në socializim, pasi që “pushteti është i fuqishëm, për shkak se […] prodhon ndikim në nivel të dëshirës – dhe po ashtu në nivel të diturisë.” (Foucault, 1972: 59). Çfarë bëhet e dukshme përmes këtyre marrëdhënieve është që ato krijojnë hapësirën për të negociuar procese të ndërtimit të botëkuptimeve, përbrendësimin dhe mbase narracione konkurruese, dhe të shumëfishta.



Meriton Maloku (Kosovë) jeton dhe punon në Antwerp dhe Prishtinë. Ai ka kryer studimet për artet e bukura në Akademinë Royal të Arteve të Bukura në Antwerp dhe ka MA në grafikë.

Hulumtimi i tij kryesisht përqendrohet në politikë, filozofi dhe historinë e vetë artit. Kryesisht punon me përsëritjen, lojën dhe shfaqje humori kohë pas kohe. Ai punon përmes disiplinave të ndryshme, brenga kryesore është hapësira mes shikuesit dhe punës.


“Ma shumë se Balancë dhe Fërkim” me Meriton Maloku është pjesë e programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe modul i çmimit “Artistët e së nesërmes”. Meriton Maloku është fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2017.



Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të arteve pamore nën moshën 35 vjeçare mundësinë të krijojnë vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi specifik edukativ, të kenë takime dhe prezentime për një juri ndërkombëtare, mundësi që të marrin pjesë një ekspozitë të përbashkët me finalistët e tjerë në Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë, por edhe të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të Nju Jork-ut, për dy muaj qëndimi në Residency Unlimited, dhe pas kthimit nga SHBA të kenë ekspozitë personale në Stacion- Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë./ KultPlus.com

Meriton Maloku, fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes 2017”

Meriton Maloku është shpallur sonte fitues i çmimit “Artistët e së nesërmes 2017” gjatë ceremonisë që është mbajtur sonte ne në Klubin e Boksit në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Ky çmimi është vendim i jurisë së përbërë nga: Charles Esche, drejtori i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Nataša Petrešin-Bachelez, kritike e artit dhe kuratore e pavarur, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Renaud Proch, drejtor Ekzekutiv i Independent Curators International.
Çmimi Artistët e së Nesërmes është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e rinj në fushën e arteve vizuele – YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjajshme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashëkohor dhe shoqërisë civile.
Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetet nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork, Raiffeisen Bank Kosovë dhe Ambasada e SHBA-sw në Kosovë
/KultPlus.com

Prezantohen para publikut punët e tre finalistëve të çmimit ‘Artistët e së nesërmes 2017’ (FOTO)

Gili Hoxhaj

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë ka bërë mbrëmë hapjen e ekspozitës së finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes 2017”, e cila erdhi e kuruar nga Vala Osmani dhe Albert Heta, shkruan KultPlus.

Veprat e finalistëve Meriton Maloku, Enesa Xheladini dhe Jetullah Sylejmani, mbrëmë zunë vend në Klubin e Boksit në kryeqytet. Brenda mureve të vjetra të kësaj hapësire, veprat e tyre shprehnin një frymë bashkëkohore të artit.

Përgjatë korridorit jo dhe aq të gjatë në hyrje të kësaj ndërtese, vërehej një derë që hapej e mbyllej duke zbuluar kështu disa nga veprat e finalistit të parë, Meriton Malokut. Një mini-dhomë brenda mbante shumë dhoma të tjera, që vinin përmes pikturave të tij dhe pasqyronin vizionin e ndërthurjes së tematikave më aktuale të përditshmërisë. Këto piktura nuk ngjajnë në një madhësi strikte me njëra-tjetrën dhe pse në esencë përmbajnë të njëjtin koncept. Ai këtë punë e ka ndarë në dy pjesë, në dhoma dhe portrete.

“Koncepti është pak më i gjatë por teknikisht puna ndahet në dy pjesë, janë punë brenda dhe ajo jashtë. Jashtë kësaj dhome, e kam dizajnuar dhe punuar këtë dhomë këtu në hapësirë për t’iu përshtatur pjesës së jashtme. Është njëfarë zvogëlimi i dhomës dhe ndahet në dy pjesë: janë dhomat dhe janë portretet. Dhomat janë përsëritje të dhomave, dhomë në një dhomë. Në secilën janë një portret, një personazh që shfaqet por realisht nuk ka dritare në to. Ka lojë, përzgjedhje vizuale me balancu atë ndjenjën, ka absurditet. Mandej është përballja me portretin jashtë që shihet prej këtu e që rrin subtil dhe kush don e sheh, kush nuk don s’e sheh”, tha Maloku për KultPlus.

Në hapësirën më të madhe të Klubit të Boksit, sytë e të pranishmëve parakalonin para dy pikturave me një madhësi më të madhe, e që ishin ekspozim i punës së Jetullah Sylejmanit. Veprën e tij artisti e ka titulluar “Socekpresionizm” dhe ishte kolazh me pjesë të pikturave soc-realiste, përmes të cilave ai hulumton pyetjet civilizuese mbi burimet, luftën dhe demokracinë në një mënyrë të theksuar ambicioze vizuale.

“Në mesin e problemeve që mundohem t’i trajtoj unë është edhe problemi i socrealizmit, që ka qenë një art zyrtar i shteteve komuniste dhe i cili nuk u ka dhënë hapësirë artistëve që të punojnë jashtë këtij drejtimi, do të thotë nuk kanë pasur mundësi të punojnë në të gjitha drejtimet e artit të shekullit njëzet, siç është shembull ekspresionizmi, kubizmi etj. Kështu unë marr disa segmente, pjesë e copëza të veprave dhe mundohem të krijoj një vepër të frymës bashkëkohore, siç është ekspresionizmi”, tha Jetullah Sylejmani për KultPlus.

Në një mënyrë tejet të veçantë shfaqet edhe puna e arkitektes Enesa Xheladini. Vepra e saj e titulluar ‘…vijë, pikë, çarje!’, vjen e shtrirë përmes vizatimeve në fletore, ndërsa ajo që e ka intriguar në këto vepra është përkthimi i një imazhi minimal dy dimensional në një ndjenjë të caktuar.

“Konceptet e mia janë multidimensionale prandaj edhe po i quaj koncepte dhe jo vizatime sepse mund të përkthehen në forma të ndryshme: për shembull mund të përkthehet në skulptura me përmasa monumentale, apo në dizajn të bizhuterive apo dizajn të produksionit, shembull ndriçimet etj. Mund të përdoren sepse këto janë vetëm koncepte. Si të vizatohet muzika, frymëmarrja, ndjenja të cilat përjetohen nuk shihen, kjo ka qenë si sfidë si të përkthehen në vizatime diçka që është e brendshme, veç ndjenjë”, tregoi Enesa Xheladini për KultPlus.

Ekspozita do të vazhdojë të jetë e hapur deri më 4 dhjetor, atëherë edhe kur shpallet fituesi i këtij çmimi, në Klubin e Boksit në kryeqytet./ KultPlus.com