Në kuadër të projektit për restaurimin dhe muzealizimin e ish-banesës së Toptanasve/Libohovitëve, e njohur si “Muzeu Besa”, është zhvilluar një dëgjesë publike ku specialistët dhe grupe interesi diskutuan ide të reja për këtë monument kulture.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, thekson se diskutimet u përqendruan në restaurimin, ruajtjen e peizazheve kulturore dhe pasurimin e narrativave që lidhen me këtë trashëgimi të veçantë.
“Në dëgjesën publike për Projektin e Restaurimit dhe Muzealizimit të ish-banesës së Toptanasve/Libohovitëve “Muzeu Besa”, patëm mundësinë të diskutojmë ide të reja me specialistë të fushës dhe grupe interesi, duke u përqendruar në restaurimin, ruajtjen e peizazheve kulturore dhe pasurimin e narrativave që lidhen me këtë trashëgimi të veçantë”, shkruan Gonxhja.
Ky projekt, sipas ministrit, synon të ndërtojë një hapësirë që përçon mesazhin e unitetit dhe të traditës kulturore shqiptare.
“Ky projekt lindi nga konkursi i zhvilluar në vitin 2023, me synimin për ta shndërruar këtë monument kulture në një muze që pasqyron një nga vlerat themelore të identitetit shqiptar: Besën. Përmes këtij projekti, synohet të ndërtohet një hapësirë që përçon mesazhin e unitetit dhe të traditës kulturore shqiptare”, shkruan ministri.
Gonxhja shtoi se përfshirja e komunitetit, konsultimi me ekspertët dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë elemente kyçe për realizimin e suksesit të këtij projekti.
“Përfshirja e komunitetit, konsultimi me ekspertët dhe bashkëpunimi ndërinstitucional mbeten gurë themelorë për suksesin e këtij projekti”, shkruan Gonxhja. /atsh/ KultPlus.com