Inxhinierët kanë gjetur një mesazh 132-vjeçar të fshehur thellë në muret e një fari të vjetër në jug të Skocisë.
I shkruar në lëkurë me bojë, letra daton 4 shtator 1892 dhe tregon emrat e tre inxhinerëve që instaluan një tip të ri drite në kullën 30m të lartë.
Shishja 20cm e gjatë u gjet nga Ross Russell, i bordit të mekanikëve të farit, gjatë një inspektimi të strukturës.
Ata e zbuluan atë pas çmontimit të paneleve të një rafti, por pritën deri në ardhjen e kujdestarit të farit Barry Miller, para se ta hapnin.
Shishja kishte një fund të pazakontë të harkuar dhe kjo e bënte të mos qëndronte dot në këmbë, shkruan rrjeti BBC.
Ajo ishte mbyllur me një tapë që koha e gjatë ishte zgjeruar dhe ngjitur me xhamin.
Pasi e nxorrën tapën burrat morën dhe shënimin e lënë brenda.
77 vjeçari Miller, tha për rrjetin BBC Scotland se “duart po i dridheshin nga emocionet” teksa hapte shënimin.
“Ishte shumë emocionuese të lexoja nga kolegët tanë të së shkuarës, ishte sikur të ishe aty me ta. Grupi i tyre kishte qenë aty, siç po punonim dhe ne”, thote ai.
“Ata e kishin fshehur në një vend të tillë që të mos gjendej për shume kohë.”
Russell gjeti shishen e vjetër bashkë me kolegët Morgan Dennison e Neil Armstrong, teksa inpektonin farin 209-vjeçar për të kontrolluar mekanizmin e rrotullimit të lenteve të ndriçimit.
Letra shkruante:
“Pika e sinjalizimit Corsewall, 4 shtator 1892.
“Ky ndriçues është ngritur nga inxhinierët James Wells Engineer, John Westwood Millwright, James Brodie Engineer, David Scott Labourer, nga maji deri në shtator 1892.
Kujdestarët e pikës janë John Wilson Principal, John B Henderson ndërsa makineria është prodhuar nga James Dove &Co Engineers Greenside Edinburgh.”
Inxhinierët thanë se kishin në plan ta zëvendësonin letrën me një mesazh të tyrin, teksa aktualisht ajo po mbahet në selinë qendrore të kompanisë Northern Lighthouse në Edinburgh.
Ndërkohë një nga pasardhësit e një prej punonjësve është njoftuar për zbulimin.
Euan Murray, i rritur 16km larg farit në Stranraer, është stërnipi i Murray, i cili punonte asokohe me John Wilson e Corsewall.
Pas njoftimit 32-vjeçari kishte thënë: “Është e mrekullueshme të mendosh sesi ata kanë punuar asokohe për gjëra që vljenë edhe sot”.
“Anijet i përdorin edhe sot këto sisteme navigimi. Është bukur të shikosh farin nga anijet që nisen ose mbërrijnë nga pjesë të ndryshme të botës”, shtoi ai./BBC/ KultPlus.com
Papa Françesku ka përdorur mesazhin e tij tradicional të Pashkëve për të bërë thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për kthimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.
Papa 87-vjeçar udhëhoqi meshën e Pashkëve në Vatikan përpara mijëra njerëzve, pavarësisht shqetësimeve për shëndetin e tij.
Duke iu referuar konflikteve në mbarë botën, Papa u lut që të mos “i nënshtrohen logjikës së armëve dhe riarmatimit”, transmeton Klankosova.tv.
“Paqja nuk bëhet kurrë me krahë, por me duar të shtrira dhe me zemër të hapur”, tha ai.
Dhjetëra mijëra besimtarë u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit për të dëgjuar Papën.
Ndërsa negociatat e reja të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit do të fillonin, Papa Françesku tha: “Unë bëj thirrje edhe një herë që të sigurohet qasja në ndihmat humanitare në Gaza dhe bëj thirrje edhe një herë për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të kapur më 7 tetor dhe për një armëpushim i menjëhershëm në Rripin e Gazës.
Duke iu referuar ndikimit të luftës tek civilët, duke filluar nga fëmijët, ai tha: “Sa vuajtje shohim në sytë e tyre! Me ata sy na pyesin: Pse? Pse gjithë këto vdekje? Pse gjithë ky shkatërrim? Lufta është gjithmonë një absurditet dhe një disfatë”.
Papa Françesku paralajmëroi gjithashtu vendet që të mos riarmatosen dhe foli për konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë pak më shumë se dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të fqinjit të saj.
Ludwig van Beethoven (1770 – 1827), kompozitor, pianist dhe dirigjent gjerman. Franz Gerhard Wegeler (1765 –1848), mjek gjerman, mik i ngushtë i kompozitorit në rininë e tij.
Për Gerhard Wegeler
Vienë, 29 korrik 1801
I dashuri im i mirë Wegeler,
Të falënderoj bash nga zemra që ma kujtove, gjë që e kam merituar aq pak, as nuk jam munduar kurrë ta meritoj prej teje. Megjithatë ti je aq i mirë, nuk e lejon veten të shkurajohesh nga asgjë, as nga harresa ime e pafalshme; dhe mbetesh gjithmonë mik i besueshëm, i mirë, lojal. – Po se mund të të harroj ty dhe të gjithë juve2, që keni qenë aq të dashur dhe të shtrenjtë për mua, jo, s’duhet ta mendosh një gjë të tillë. Ka momente kur më hedh për toke malli që ndiej për ju dhe do të doja, simqerisht, të kaloj më shumë kohë me ju. – Atdheu im, regjioni i magjishëm ku kam ardhur në dritë, është ende aq i bukur dhe i pastër në sytë e mi, siç ishte kur ju kam lënë. Me një fjalë, e konsideroj njërën prej ditëve të mia më të lume të jetës sime atë kur do të mudn t’ju shoh përsëri dhe ta përshëndes babanë tonë, Renin. – Kur do të vijë ajo ditë, s’mund ta them dot. Po nga ana tjetër mund të të siguroj se, kur të takohemi, do të shohësh patjetër se jam bërë njeri i klasit të parë. Do të më gjesh më të mirë dhe më të pjekur si artist, po edhe si njeri. E nëse toka jonë mëmë atëherë do të jetë në gjendje më të prosperuar, do ta ushtroj artin tim vetëm për të mirën e të varfërve. O moment i bekuar, sa i lumtur e quaj veten që të mund të kontribuoj të kuptosh se jam unë ai që po të krijon. – Ti po dëshiron të dish diçka për gjendjen time. Mirë pra, në përgjithësi nuk është aspak e keqe. – Ngase qysh nga viti i kaluar Lichnowsky që, sado e pabesueshme që të të duket, qe dhe ka mbetur miku im më i dashur (natyrisht kemi pasur ca divergjenca të vockla, që sidoqoftë kanë shërbyer vetëm për ta përforcuar miqësinë tonë), ma ka ndarë një shumë fikse prej 600 guldenësh – prej së cilës mund të ngjëroj derisa të gjej një punë të përshtatshme për mua3. Kompozimet e mia më japin goxha dhe mund të them se kam më shumë porosi se sa që jam në gjendje t’i plotësoj. Nga ana tjetër, për çdo kompozim mund të llogaris në gjashtë a shtatë botues, madje edhe më shumë, po të doja. Me mua nuk shtyhen më, paguajnë aaq sa kërkoj. – Siç e sheh gjendem në një situatë të këndshme. Nëse, për shembull, shoh një mik në nevojë dhe qesja ime pikërisht në atë moment nuk ma mundëson ta ndihmoj menjëherë, mjafton të ulem në tavolinë të kompozoj dhe për pak kohë kam mundësinë t’i dal në ndihmë. – Jam edhe kursimtar se dikur; po m’u desh të mbetem në Vjenë përgjithmonë, pa dyshim do të arrij të siguroj një ditë në vit të jap një koncert: tashmë i kam dhënë disa sish. Vetëm një demon ziliqar, shëndeti im i lig, ma ka vënë bastunin nën rrotë; e kjo do të thotë, në thelb, se dëgjimi im që tri vjet është bërë gjithnjë e më i dobët. Duket se shkaku i parë i kësaj të keqeje është në gjendjen e barkut tim, që, ti e di, veç e kishte marrë teposhtëzen para se të nisesha nga Boni, por në Vjenë është përkeqësuar, sepse kam qenë i prekur vazhdimisht nga diarea dhe për pasojë kam pasur një ligështim të paparë. Frank është munduar ta kthejë në formë organizmin tim me ilaçe përforcuese dhe dëgjimin tim me vaj bajameje, po sa mirë më ka bërë! Kurimi nuk ia ka vlejtur fare, shurdhërimi im kashkuar duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë dhe barku im ka mbetur në gjendjen e mëparshme. E gjithë kjo ka vazhduar deri në vjeshtën e vitit të kaluar, duke më lënë shpesh viktimë të dëshpërimit. Atëherë një mjek “asinus” më këshilloi banja të fohta për ta përmirësuar gjendjen time. Një tjetër, më i arsyeshëm, m’i përshkroi banjat e zakonshme të vakëta në Danub. Kjo ka bërë mrekulli: barku im është përmirësuar. Megjithatë shurdhëria vazhdon dhe madje do të thosha se është përkeqësuar. Këtë dimër kam qenë njëmend shumë keq; kam pasur të prera vërtet tmerrshme dhe kam rënë krejtësisht në gjendjen time të mëparshme. Gjërat kanë vazhduar kështu deri rreth katër javë më parë, kur, i bindur se gjendja ime kërkonte ekzaminimin edhe të një kirurgu, kam shkuar ta takoj Veringun4. Nga ana tjetër kisha besim tek ai. Mirë, ai ia ka dalë ta ndalojë pothuajse plotësisht këtë diarre të dhunshme. Më ka përshkruar banja të vakëta në Danub, të cilave çdo herë duhej t’ua shtoja një bocë përbërësish fuqizues. Nuk më ka dhënë të marr kurrfarë ilaçesh deri para katër ditësh, kur më përshkroi pilula për bark dhe një infuzion për vesh. Me këto kura mund të them se po ndihem më mirë dhe më i fortë; veçse veshët e mi vazhdojnë të fishkëllejnë dhe të gumëzhijnë natë e ditë. Duhet të pranoj se jeta ime po kalon mjerueshëm. Prej dy vitesh kam reshtur së marri pjesë në çfarëdo aktiviteti shoqëror, pikrëisht ngase e kam të pamundur t’u them njerëzve: jam i shurdhër. Cilido që të kishte qenë profesioni im tjetër, do të mund t‘i kisha bërë ballë sëmundjes ime, por në rastin tim ky është një disfavor i tmerrshëm. Po ta dinin armiqtë e mi, që natyrisht nuk janë pak, çfarë do të thoshin? – Për të ta dhënë një ide të kësaj shurdhërie të çuditshme, po të them se në teatër më duhet të jem afër orkestrës për ta kuptuar atë që thotë aktori dhe se tingujt e mprehtë të instrumenteve dhe zërave, nëse rri pak më larg, nuk i dëgjoj fare. Sa i përket kuvendimit, është befasuese se si disa persona nuk i kanë rënë në të kurrë shurdhërisë sime; po meqë prore kam qenë pre e krizave të përhumbjes, ia atribuojnë kësaj dobësinë time në të dëgjuar. Nga ana tjetër, nganjëherë e dëgjoj me shumë vështirësi atë që flet ngadalë. I dëgjoj tingujt por nuk i shquaj fjalët; ndërsa nëse dikush bërtet sado pak, s’e duroj dot. Veç qielli e di si do të më vejë halli. Veringu më thotë se dëgjimi do të përmirësohet sigurisht, edhe pse shurdhëria s’do të mund të shërohet krejtësisht. – Shumë herë tashmë e kam mallkuar Krijuesin dhe ekzistencën time. Plutarku ma ka treguar rrugën time të nënshtrimit. Dua, po qe e mundshme, ta sfidoj shortin tim, edhe pse, sa të jem gjallë, do të ketë momente kur do të ndihem krijesa më fatkeqe e Zotit. – Të lutem mos i thuaj gjë kujt për gjendjen time, as Lorchenit5; po ta besoj veç ty këtë sekret; dhe do të më pëlqente të kesh me Veringun një letërkëmbim rreth kësaj gjëje. Po vazhdoi kështu, pranverën e ardhshme do të vij te ti. Do të ma gjesh me qira ndonjë shtëpi në ndonjë anë të bukur të fshatit dhe për gjashtë muaj do të çoj jetë fshatari. Mbase kjo do t’i ndryshojë gjërat. Nënshtrim, burim i mjerë! E megjithatë është e vetmja gjë që më ka mbetur.
Sigurisht do të më falësh nëse ta kërkoj ty, që tashmë duhet të përballesh me aq mundime, të interesohesh për ndeshtrashat e mikut tënd. – Steffen Breuning është tash këtu në Vjenë dhe jemi bashkë pothuajse për çdo ditë; më bën shumë mirë t’i kujtoj ndjenjat e dikurshme të miqësisë. Është bërë djalosh njëmend i mirë, i shkëlqyeshëm, bukur i përgatitur dhe ka zemër të mirë, pak a shumë si të gjithë ne. Tash e kam një strehë shumë të mirë që sheh kah Bastei dhe përfitim i skajshëm për shëndetin tim. Bash besoj se do të gjej mënyrën që Breuning të vijë të banojë me mua. – Do të ta nis Antiokun tënd dhe shumë kompozime të miat, gjithmonë nëse ti nuk konsidieron se dërgimi i tyre po të rëndon xhepin. Sinqerisht, dashuria jote për artin ende më jep një gëzim të madh. Nëse më shkruan se si mund t’ia bëjmë, do të t’i nis të gjitha veprat e mia, që natyrisht tashmë janë goxha në numër dhe po shtohen dita-ditës. – Në këmbim të portretit të gjyshit tim, që të lutem të ma dëgosh me postë sa më shpejt që të jetë e mundur, po ta nis atë të nipit të tij, të Beethovenit tënd gjithmonë lojal dhe të dashur. Ky portret botohet këtu nga Artaria6 që, siç bëjnë shumë dyqane të tjera të artit edhe të huaja, ma ka kërkuar një me shumë insistim. – Do t’i shkruaj sa më parë Stoffelit, për t’i predikuar rreth inatçillëkut të tij. Do t’ia mbush veshët, duke ia kujtuar miqësinë tonë të vjetër derisa të më premtojë solemnisht se s’do të të bezdis më ty që, në të vërtetë, tashmë duhet të përballesh me shumë halle. – Do t’i shkruaj edhe Lorchenës sonë të mirë. Kurrë s’e kam harruar askënd nga ju, miq të dashur, edhe pse s’jua kam dhënë kurrë lajme nga unë; por të shkruarit, siç e di mirë ti, nuk është ana ime e fortë. Edhe miqtë më të dashur nuk kanë marrë letra prej meje prej vitesh. Jetoj plotësisht në muzikën time; dhe mund të thuhet se ende pa e përfunduar një kompozim, e nis një tjetër. Me ritmin me të cilin po kompozoj aktualisht, shpesh realizoj tri a katër punë në të njëjtën kohë. – Tash më shkruaj më shpesh, të lutem; e edhe unë do të gjej kohë herë pas here. Përshëndeti të gjithë, posaçërisht zonjën tonë të mirë Hofratin dhe thuaji se nganjëherë ende vuaj nga raptusi. Sa u përket Kochëve, nuk habitem fare që gjendja e tyre ka pësuar ndryshim. Fati e ka formën e një sfere, prandaj, është rasti ta them, jo gjithmonë u bie njerëzve më të mirë dhe më të fismë. Në lidhje me Riesin7, të cilit ia dërgoj përshëndetjet më të zjarrta, do të të shkruaj më gjatë përkitazi me djalin e tij, edhe pse unë mendoj se do të mund të fitonte më lehtë në Paris se sa në Vjenë. Vjena është dëng me muzikantë, prandaj edhe ata më të meritueshmit hasin në vështirësi ta shkojnë përpara. Në vjeshtë ose në dimër, kur të gjithë nxitojnë të kthehen në qytet, do të shoh çka mund të bëj për të. – Lamtumirë, i miri, i dashuri Wegeler, mos e vër në dyshim dashurinë dhe miqësinë e tëndit
BEETHOVEN
Shënime:
Franz Gerhard Wegeler, mik i rinisë së Beethovenit, autor i njërit prej studimeve të para që dokumentojnë jetën e kompozitorit.
Aludon në familjen Breuning, vajza e të cilëve, Eleonora, u martua me Wegelerin.
Princi Karl Lichnonvsky, duke filluar nga viti 1800, i ndau Beethovenit një ndihmë financiare për disa vete me radhë.
Kirurg i njohur vjenez.
Nënkupton Eleonora von Breuning.
Një ndërmarrje e njohur botuesish muzikorë dhe tregtarë arti.
Franz Anton Ries, mësues violine i Beethovenit.
/Marrë nga Beethoven, “Autobiografia di un genio – Lettere, pensieri, diari”, Mondadori, 1996
Shfaqja “Qorri”, u përcoll mes duartrokitjesh nga publiku artdashës shkodran i cili përjetoj një mbrëmje të veçantë në Qendra Rinore “Arka”.
Me regji të Gert Palali, interpretuar mjeshtërisht nga të rinj të talentuar, “Qorri” është një protestë përmes artit, që shoqëria shqiptare të reagojë ndaj fenomenit të dhunës që prek çdo ditë nënat, motrat, gratë dhe vajzat dhe një nevojë që ne kemi për të ngritur zërin në shenjë ndërgjegjësimi.
Titulli i shfaqjes është vendosur si simbolikë e verbërisë që shoqëria shfaq çdo ditë ndaj fenomeneve të dhunës, shtypjes, margjinalizimit etj.
“Qorri” është një produksion i fondit të teatrit për të rinj 2023, mundësuar nga Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Ky aktivitet ishte një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku./atsh/KultPlus.com
Grupi britanik i telekomunikacionit, Vodafone, do të ofrojë për shitje SMS-në e parë në botë në një ankand online.
SMS-ja u dërgua në vitin 1992 në të cilin urohen Krishtlindjet.
Sipas mediave të huaja, blerësi do të marrë një kopje unike të protokollit origjinal të komunikimit. E gjithë kjo po mbahet në kuadër të një ankandi bamirësie online që do të organizohet nga shtëpia franceze e ankandeve “Aguttes” më 21 dhjetor. Vodafone i dhuron të ardhurat Kombeve të Bashkuara.
SMS-ja historike ku lexonte “Gëzuar Krishtlindjet” u dërgua më 3 dhjetor 1992 dhe pranuesi ishte Richard Jarvis, punonjës i kompanisë në atë kohë.
Pjesëmarrësit në ankand do të jenë në gjendje të bëjnë oferta duke përdorur kriptomonedhën ethereum (ETH), dhe oferta më e madhe do t’i sjellë dikujt pronësinë ekskluzive të protokollit të komunikimit të përdorur për të transmetuar SMS-në e parë në botë. /KultPlus.com
SMS-ja historike ku lexonte “Gëzuar Krishtlindjet” u dërgua më 3 dhjetor 1992
Remiksi i këngës “Kthema kohen” bëri që të gjithë t’i kthejnë edhe njëherë sytë nga producenti i njohur Cricket i cili edhe njëherë vulosi që krijimet e tij kanë një veçanti që nuk do kohë që të marrin me vete, shkruan KultPlus.
Projektet e tij po vijnë një pas një por i fundit i cili erdhi mbrëmë është remiksi i këngës “Mesazhi”, këngë kjo e cila edhe sot dëgjohet me shumë nostalgji nga të gjithë.
Kjo këngë e cila para shumë vitesh është kënduar nga West
Side Family atë kohë kur mori zemrat e publikut, sot ajo ka ardhur në jetë edhe
njëherë përmes Cricket dhe Numen.
Donat Prelvukaj i njohur si Cricket, është shprehur i emocionuar
për këtë projekt të cilin e ka vlerësuar pasi ai është shprehur se më këtë këngë
është rritur, madje e cilëson si kryevepër.
“Ky nuk është një projekt i radhës për mua, është më shumë se kaq. Kjo këngë më ka shoqëruar që kur isha i vogël me moshë. Tani jam shumë krenarë dhe e kam me shumë emocion ta ndajë me ju këtë kryevepër. Kjo mundësi më është dhënë falë familjes së të ndjerit DR.FLORI i cili jeton mes nesh me veprat e tij. Dua të shpreh falënderim të sinqertë për familjarët e Dr. Florit dhe dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për Alban Kondi-n dhe Flori Mumajes-in për lejen e dhënë për të bërë remix këtë këngë. Shpresoj të përcjell ndjenjat e përjetuara nga unë. Shijojeni!”, ka shkruar Cricket ne momentin e lansimit të këngës. / KultPlus.com