Adem Demaçi i është bashkuar një atdheu të ri e që është atdheu qiellor, i është bashkuar Skënderbeut, Ibrahim Rugovës e Nënë Terezës. Kështu ka thënë Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, gjatë meshës së të dielës në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, që i është kushtuar shpirtit të veprimtarit Adem Demaçi.
Dodë Gjergji bëri të ditur se një grup besimtarësh kanë kërkuar që kjo meshe e të dielës t’i kushtohet veprimtarit Adem Demaçi.
Pjesëmarrës në këtë meshë për veprimtarin Adem Demaçi, ishin edhe dy fëmijët e tij, Abetarja dhe Shqiptari. Ata shprehen falënderimet e tyre që kjo meshë e së dielës i është kushtuar shpirtit të babait të tyre.
Veprimtari Adem Demaçi ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare të enjten që e lamë pas, ndërsa është varrosur ditën e djeshme me nderime të larta shtetërore tek varrezat e dëshmorëve të lagjes së Velanisë.