“Pse qesh, je para trupit gjykues”, një grua përballë regjimit komunist

Kur vajza e saj e adoptuar e pyeste Meshan Çinin nëse ishte penduar për zgjedhjet që kishte bërë në jetë, 80 vjeçarja do i përgjigjej: “Njeriu në jetë zgjedh për t’u mbajtur mend për diçka. Dikush për pasuri, dikush për famë, dikush për aventurë. Unë doja të mbahem mend për besnikëri. Ia arrita qëllimit”.

Kjo është vetëm një copëz e historisë së një gruaje, jeta e të cilës mori të tatëpjetën që në rininë e saj për shkak të persekutimit të regjimit komunist. Historia e një gruaje, e cila pavarësisht të gjitha sprovave, vendosi të qëndrojë e fortë dhe nuk u thye nga vështirësitë e jashtëzakonshme që provoi përgjatë gjithë jetës.

HISTORIA

Meshan Çini u lind në vitin 1928 në Delvinë, në një familje patriotike dhe të pasur. Por shumë shpejt jeta e saj do të merrte të tatëpjetën me ardhjen në pushtet të regjimit komunist.

Në moshë të re ajo u fejua me Selman Ndreun, anëtar i një tjetër familje patriotike që luftoi për vendin. Por në vitet pas luftës, regjimi vendosi t’i arrestojë, internojë e torturojë anëtarët e familjes Ndreu.

TAKIMI NË BURG

Siç ka treguar vetë Meshani, ajo shkonte përherë në burg për të takuar të fejuarin, i cili i kishte thënë se nuk kishte pse të vinte më, duke patur parasysh se më e keqja mund të ndodhte edhe për të.

Edhe më thotë i fejuari im, Selmani: “Ke të drejtë të më lësh sepse je shumë e re”.

-Atë se çfarë do bëj, është punë për mua. Kam ardhur të të pyes, çfarë nevoje ke? Se të lë apo nuk të lë, është puna ime.

Në këtë kohë, Hito Çako (kolonel, pjesë e hetuesisë, por i njohur Mershanit) thotë…”do dënohet me 101 vjet, mund edhe të pushkatohet”.

-Po u dënua me 101, boll që të vete ta shikoj në derë të hekurit, thashë.

Unë deri në atë minutë nuk kisha menduar që do ta lë apo nuk do ta lë. Kur më tha Hito Çakoja që ta lija dhe “do ta dënojmë me 101 vite”, m’u mbush mendja që nuk do ta lë.

-Selman,- i thashë,- rri i qetë. Ç’nevojë ke, unë nuk të lë deri në vdekje.

-I kanë torturuar shumë. Kur dilte jorgani i tij, gjithë gjak. Në atë kohë thoshin “torturat e Koçi Xoxes”. Pasi i nxorën në gjyq, i dënuan, i çuan në burg në Kalanë e Gjirokastrës. Shkova i pashë. Ishin 11 vëllezër në burg, me gjithë këtë timin. Në Burrel, kam shkuar i kam parë, në Peshkopi po, në Tiranë po, gjithandej. 

ARRESTIMI I MERSHANIT

Në ‘52-shin isha në Kavajë, në shtëpi, me grip spanjoll. Venë te ajo që mbante librin e pasaportizimeve. Panë librin që isha unë atje. Djali i vogël i motrës thotë: Erdhën ata, pyetën për abllanë. Në orën 3.00 të natës, bie dera. “Deshëm pak Meshanin, sa për një pyetje, në Degën e Brendshme të Kavajës”. Unë u ngrita. Nuk më lanë as të krihesha. Hodha një rrobdishan mbi këmishën e natës dhe pallton sipër. Motra më ndiqte. “E sjellim ne”,- thanë ata.

Më lanë përjashta, te Dega e Brendshme, deri në 7.00 sa erdhi kryetari i Degës, Banush Veliu. “Do ikim deri në Durrës!” Thotë motra: “Do vij dhe unë”.

“Jo, do ta bie unë”, tha ai. Më morën me tren, jo me xhips sepse nuk donin të binin në sy sepse më njihte gjithë Kavaja, vajzë shumë e re, që ndjek burrin burgjeve, më njihnin njerëzit. Shkuam në Degën e Brendshme, kryetar dege ka qenë Jashar Kazimati, hetuesi im ishte Sotir Xharja. Sekretar: Vesel Damsi.

Më futi në zyrë. -Mirëmëngjes, i thashë unë.

-Je e arrestuar!-ai.

Unë u mbështeta te muri. U mpiva e gjitha. U shtanga. Pse të isha e arrestuar? E dija që nuk kisha bërë asgjë.

Më bëri ca pyetje. “Në birucë”,- thotë. Unë isha e sëmurë. Atje biruca gjithë ujë. I bija derës. Kërkoja të shkoja në tualet. –“Aty ta bësh!” Vetëm se nuk qava ndonjëherë, nuk ua bëra qejfin. Më rrahën në hetuesi. Ishte shumë kriminel hetuesi im. Një fjalë, një grusht. Një fjalë një grusht. Kur më goditi te veshi që më çau timpanin, donte të më godiste në fytyrë, ktheva kokën, më goditi këtu, m’u nxi menjëherë syri.

Katër muaj hetuesi.

PËRBALLJA PARA GJYKATËS

Dola në gjyq. Kisha avokat sepse më kishte sjellë motra. I thashë: Çfarë kemi?

Ai më tha: Rrezikun tënd një fije floku e ndan.

-Do më pushkatojnë?-i thashë. Ika u ula në vend. Dëgjoja nga prapa personelin e gjykatës: Pu, pu gjynah si do e dënojnë këtë kreaturë!

Unë mblodha veten dhe mendova: “Shiko Meshan, siç t’i kanë vënë të gjithë titujt e mirë, mba dhe trimërinë!” Dhe qëndrova e fortë. Filloi seanca. Thotë: Ke qenë me profesion peshkatare? Unë qesha me ironi. -Pse qesh? Je para trupit gjykues.- Po, i thashë, unë as nuk i kam parë peshkatarët, jo të jem vetë peshkatare.

-Ti,- tha- nusja e djalit të Cen Elezit, ti, krushqi me Hysni Demën, ka qenë komandant i përgjithshëm, dibran, u arratis, burrin e motrës, Syrja Golja, dibran dhe ai, në burg. M’i numëroi. Vajzën e Shefqet Vërlacit, shoqe të ngushtë.

-Të gjithë këta më kanë gjetur, s’i kam gjetur unë, i thashë.

Filloi seanca. Pretenca 25 vjet burg.

-Ç’kërkon,- tha,- për herën e fundit?

-Asnjë gjë, thashë. Deshën të kërkoja mëshirë. Siç më thoshte hetuesi: Fol, se po të thuash të vërtetën, nga ne do kesh privilegje. I thashë: Aq sa vihet gjarpri në gji, aq besohet fjala juaj.

Po këtë parrullë, ku e gjete?-më thanë.

Më lindi tani spontanisht,- u thashë.

Vendimi: 20 vjet burg

Nuk kërkova mëshirë. 20 vjet burg, sekuestrim i pasurive të tundshme, të patundshme. Po ku kisha unë? Të gjitha m’i kishin marrë, edhe rrobat e trupit dhe orën e dorës që e kisha në shtëpi.

I fejuari i Meshanit doli para saj nga burgu dhe u internua në Llakatund. Kur mësoi për burgosjen e saj u sëmur dhe ndërroi pak vite më vonë. Meshani ende nuk kishte dalë nga burgu kur i erdhi letra se Selmani kishte vdekur.

Një vit më vonë ajo del prej burgut (viti 1963).

“Unë kudo që të veja duhet të lajmëroja të plotfuqishmin që sot jam te filani se po të mos lajmëroja, do i  hidhnin gjobë të zotit të shtëpisë. Unë kudo që veja, nuk lajmëroja, shkoja fshehurazi. Rrija në Mëzez, te Nishtullat, në Tiranë, dhomë me baltë pa tavan, në Yzberisht. Qepja. Me lagjen e kisha mirë, grurë.

Në ’91-shin, vij në Delvinë, sepse më kërkonin një dëshmi kur kishte vdekur babai im, për një pronë që kishim në Greqi. Atje mora vesh sesi arratiseshin”-tregonte Mershani.

Meshani nuk u martua kurrë. Adoptoi një vajzë dhe pjesën e mbetur të jetës e lidhi me të. Fillimisht u largua në Greqi e më pas u nis drejt Kanadasë, atje ku kishte një vëlla që ishte arratisur dekada më parë përmes Jugosllavisë. Takimi i tyre, pas dekadash, është kujtuar nga vajza e Meshanit, Edlira, e cila tregonte se e ëma ishte me paterica pasi kishte thyer këmbën në një aksident, ndërsa i vëllai, Jaho, ishte në karrocë për shkak të moshës së thyer.

Meshani u shua në Kanada në vitin 2017, e lumtur dhe pa pengje në jetën e saj. Kur e bija e pyeste nëse ishte penduar, ajo i përgjigjej: “Njeriu në jetë zgjedh për t’u mbajtur mend për diçka. Dikush për pasuri, dikush për famë, dikush për aventurë. Unë doja të mbahem mend për besnikëri. Ia arrita qëllimit”./ Kujto.al / KultPlus.com