SBASHK ngre alarmin: Shkollat mund të mbesin pa mësimdhënës

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, tha se mësimdhënësit po kërkojnë pushim pa pagesë, për të dalë në Evropë për të punuar dhe se është shqetësuese kjo dukuri, pasi në një të ardhme të afërt mund të mbesin shkollat pa mësimdhënës.

Ajo tha se kryesisht ata mësimdhënës që kërkojnë pushim pa pagesë është arsyeja që po shkojnë diku në Evropë me qëllim që nëse mund të integrohen për një punë më të mirë atje.

“Sipas informatave që i kemi nga kryetarët e sindikatave të niveleve komunale, janë një numër i mësimdhënësve që po kërkojnë pushim pa pagesë një vit, kryesisht ata mësimdhënës që kërkojnë pushim pa pagesë është arsyeja që po shkojnë diku në Evropë me qëllim që nëse mund të integrohen për të gjetur punë më të mirë diku në Evropë. Arsyeja e ikjes besoj është e njohur për të gjithë, ngase mësimdhënësit edhe përkundër asaj që është bërë një rritje simbolike e pagesës, por një pagesë jo e dinjitetshme për ta, dhe njëherësh kushtet e punës në shkolla janë larg asaj të dëshirueshme sikurse janë në Evropë. Ngase secili mësimdhënës kërkon pushim pa pagesë një vit. Nëse ka përfunduar një fakultet, e natyrisht për të qenë mësimdhënës përveçse duhet ta ketë përfunduar fakultetin duhet ta ketë të përfunduar edhe masterin, andaj një mësimdhënës për të nuk është problematike që ta mësojë një gjuhë të huaj cilado qoftë, aq më tepër kur në Kosovë po organizohen kurse të ndryshme të gjuhëve, meqenëse një numër i madh i qytetarëve të Kosovës po ikin në Gjermani, kështu që gjuhë gjermane ka mjaftueshëm në Kosovë, që për mësimdhënësit nuk është problematike për ta mësuar gjuhën brenda 6 muajve apo edhe një viti, dhe pas asaj periudhe do të thotë kur veçse e ka mësuar gjuhën, ai mësimdhënës pa kurrfarë problemi do të integrohet dhe do të punësohet qoftë kudo në Evropë, pasi ta ketë mësuar edhe gjuhën e atij vendi ku ka emigruar”, deklaroi Shala.

Ajo tha se sipas kërkesave në drejtorinë Komunale të arsimit të atyre që kanë ikur janë diku rreth 300 mësimdhënës, ku edhe iu është aprovuar, dhe kjo është shqetësuese për këtë dukuri, ngase në një të ardhme të afërt ka mundësi që edhe shkollat tona të mbesin pa mësimdhënës.

“Nuk e dimë saktë numrin e atyre sa kanë ikur, por e dimë afërsisht numrin e atyre që kanë bërë kërkesë në drejtorinë Komunale të arsimit, edhe aty është një numër prej 300 mësimdhënës që kanë bërë kërkesë në drejtoritë Komunale të arsimit, që do të thotë në të gjithë Kosovën dhe këto informata i kemi nga kryetarët e sindikatave të niveleve Komunale, që ky numër që kanë bërë kërkesë dhe natyrisht kërkesa e tyre është aprovuar. Çka është shumë shqetësuese për këtë dukuri, ngase në një të ardhme të afërt nëse vazhdon ky trendi për kërkim të pushimit pa pagesë apo edhe largimit të shumëhershëm të mësimdhënësve është një alarm shumë shqetësues çka në një të ardhme të afërt ka mundësi që edhe shkollat tona të mbesin pa mësimdhënës, ngase për përgatitje shkollore të një mësimdhënësi duhet bukur kohë e gjatë”, theksoi ajo për Gazeta Blic.

Shalaj shprehet se edhe vitet e kaluara edhe këtë vit pritet që kushtet në shkolla të përmirësohen, por që prapë po mbesin të njëjtat, tashmë ka dalë edhe çështja e furnizimit të librave ku së paku viteve të tjera i kishin librat, kurse tani nuk është bërë shpërndarja e tyre.

“Mësimdhënësit i përkushtohen punës së tyre, janë të përgatitur për shkak të transmetimit të informatave dhe ato çka janë të parapara në planprogramin mësimor, t’i interpretojnë dhe të njëjtën kohë të arrijnë suksese sa më të larta nxënësit e tyre. Kur është çështja tek pushimet e dimë se vitin shkollor në vitin 2022-2023 mësimdhënësit i është mohuar pushimi pranveror me përjashtim kanë pasur disa ditë që i janë lidhur me festat, por jo edhe pushimi pranveror si ka qenë i paraparë, kurse pushimin vjetor dihet se duhet ta përfundojnë procesin mësimor, t’i përfundojnë të gjitha punët e tyre administrative që i kanë pasur dhe ashtu siç e parasheh ligji natyrisht që edhe mësimdhënësit kanë shkuar në pushim, mirëpo edhe vitet e kaluara edhe këtë vit pritet që kushtet në shkollat tona të përmirësohen, por që prapë po mbesin të njëjtat qa kanë qenë edhe viteve të kaluara çka i vetmi mjet mësimor akoma në shkollat tona po mbetet libri, shkumësi, shpuza dhe tabelat që kanë qenë, domethënë nuk kemi një përmirësim në kushtet e punës edhe këtë vit shkollor 2023-2024, tanimë doli edhe çështja e furnizimit të librave ku së paku viteve të tjera i kishin librat, kurse tani nuk është bërë shpërndarja e tyre çka vetëm e kemi një gjendje më të përkeqësuar sesa viteve të tjera“, përfundoi Vjollca Shala nga SBASHK. / KultPlus.com

Ndahen 1 milion e 700 mijë euro për mësimdhënës me probleme shëndetësore

Qeveria ka adresuar një problem të kamotshëm, një shqetësim të drejtë të mësimdhënësve, prindërve e nxënësve, përcjellë KultPlus.

1 milion e 700 mijë euro të ndara për mësimdhënës me probleme shëndetësore. 300 profesionistë të arsimit përfitues.

“Kemi përgatitur dhe udhëzuesin që ndihmon komunat të zbatojnë këtë politikë. Mësuesit që punojnë me fëmijët tanë duhet të kenë vetëm një brengë, se si të jenë sa më të suksesshëm në punën e tyre me nxënës.

Shëndeti i mësimdhënësve është brengë e jona”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Vaksinohen mbi 90% e mësimdhënësve

Tridhjetë e nëntë shkolla janë duke e organizuar mësimin në skenarin e rikthimit dhe 22 në grupe.

Kështu ka thënë zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna në konferencën e rregullt, duke u bazuar në të dhënat e Inspektorit të Arsimit në Prishtinë.

Ajo është pyetur në lidhje me organizimet që janë duke u bërë në shkollat, ku do të organizohet procesi zgjedhor më 17 tetor.

“Planifikimi do të bëhet me institucionet e linjës. Për momentin nuk kemi një vendim rreth kësaj”, ka thënë ajo.

Maloku-Bërdyna u bëri thirrje nxënësve dhe mësimdhënësve që të respektojnë masat në fuqi.

“Për të vijuar me këtë skenar, ju bëjmë thirrje nxënësve dhe mësimdhënësve që të respektojnë të gjitha masat anti-COVID”, ka thënë ajo.

Më tej, ajo ka folur edhe për shpërndarjen e teksteve shkollore.

“Për klasat 3 dhe 8, këtë vit janë tekstet e reja. Ekipet e MASHTI-të sot kanë dalur në terren për të parë se si po shkon procesi i shpërndarjes së teksteve shkollore. Mbi 90 përqind e mësimdhënësve dhe stafit tjetër janë të vaksinuar”, ka shtuar ajo. / KultPlus.com

Nagavci tregon pse do të testohen mësimdhënësit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur në lidhje me testimin me shkrim të mësimdhënësve në Kosovë.

Nagavci ka deklaruar se testimi i mësimdhënësve nuk do të bëhet për t’i larguar ata nga puna.

“Punësimi dhe vlerësimin e mësimdhënësve janë dy çështje të ndara. Stafi që është aktual në proces, duhet të ofrohet mundësia për rikualifikim në mënyrë që të mos kemi tejkalim të nevojave apo edhe të tilla raste kur vihet në dyshim çështja e kursimit të buxhetit”, ka thënë Nagavci.

Ministrja e Arsimit ka thënë se përgjegjësia duhet të jetë e atyre që kanë punësuar pa kritere, për të cilët thotë se e kanë keqpërdorur buxhetin e ndarë.

“Vlerësimi i performancës është një çështje tjetër që ka të bëjë me tendencën për t’u përmirësuar cilësia dhe me obligimet që ne i kemi por ne nuk bëjmë vlerësime të tilla me qëllim që dikë ta largojmë prej punës dhe ta zvogëlojmë numrin e nxënësve. Përgjegjësia duhet të jetë e atyre që e kanë bërë punësimin pa kritere dhe shumë shpesh duke keqpërdorur buxhetin e ndarë, p.sh. kemi raste kur në disa komuna ka pasur buxhetin e ndarë për punësuar asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta por kanë punësuar persona të tjerë që as nuk e kanë pasur buxhetin e ndarë”, ka deklaruar Nagavci në Atv. / Gazeta Express / KultPlus.com

Mësimdhënësit do të marrin edhe pagën e 13’të duke filluar nga viti 2023

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka njoftuar se sot do të nënshkruhet kontrata kolektive në fushën e arsimit.

Hoti ka thënë se janë marrë vesh me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës që të paguhet edhe paga e 13’të për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, duke filluar nga viti 2023.

“Jemi pajtuar që të paguhet paga e 13’të duke filluar nga viti 2023 E kemi saktësu pagesën për shujtën dhe transportin. Sot do të nënshkruhet kjo kontratë me disa ndryshime teknike që do të bëhen gjatë ditës. Mendoj që është një momenti i mirë në fushën e arsimit që e rregullon mënyrën e funksionimit të arsimit në vend”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkohë, Ministri i Arsimit, Ramë Likaj tha se çështja e pagës së 13’të lidhet ngushë me performancën e mësimdhënësve.

“Paga e 13’të, është e lidhur ngushtë me performancën dhe nëse tregojnë performancë të mirë, mësimdhënësit do ta marrin një pagë të tillë”, ka deklaruar Likaj./Gazeta Express / KultPlus.com

COVID-19 nuk e ndalë SBASHK-un, 400 mësimdhënës nisen për pushime në Shqipëri

Ndonëse situata me coronavirus në vend tashmë po konsiderohet të jetë jashtë kontrollit, kjo nuk po i ndalon SBASHK-un që të dërgoj mësimdhënësit në pushime në Durrës.

400 mësimdhënës për pesë ditë do të qëndrojnë në kompleksin turistik “Bonita” në Durrës. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se kërkesa për të shkuar në pushim ani pse në kohë pandemie ka qenë e mësimdhënësve, dhe se do të bëjnë çmos që të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Të gjitha vendimet për angazhimet e SBASHK-ut i sjell Këshilli Drejtues që është organi më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve. Këshilli Drejtues ka vendosur  me kohë që të vazhdohet me traditën e filluar para disa viteve për dërgimin e një numri të caktuar të anëtarëve në bregdetin shqiptar. Kësaj radhe ishte një situatë më ndryshe dhe prandaj kemi komunikuar vazhdimisht me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve dhe me vetë të përzgjedhurit nga shkollat e njësit akademike, ata janë shprehur se duan të shkojnë në pushime edhe në këto rrethana të reja dhe ne stafi qendror jemi me ta dhe do të bëjmë çmos që të respektohen masat e institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka theksuar se mësimdhënësit janë të ndarë në dy grupe dhe se grupi i parë është nisur sot.

“Mësimdhënësit janë të ndarë në dy grupe me nga 200 persona. Grupi i parë i mësimdhënësve është nisur sot, aty do të qëndrojnë për pesë ditë ku një ditë pastaj do të pauzojmë për shkak që kompleksi të dezinfektohet, dhe pastaj do të niset edhe grupi i dytë poashtu prej 200 mësimdhënësve”, tha Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut bëri të ditur se kompleksi hotelier “Bonita” ku do të akomodohen mësimdhënësit ka kapacitete shumë më të mëdha të akomodimit.

Ai theksoi se masat e kujdesit janë në nivel të duhur dhe çdo gjë do të shkojë mbarë.

Ndryshe në Shqipëri deri më tani janë infektuar 2893 persona ndërkaq 76 kanë humbur jetën.

Kurse në Kosovë numri i të infektuarave nga COVID-19 ka arritur në 3508 kurse 75 persona kanë humbur jetën. /Telegrafi/ KultPlus.com