Mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, për shumë prindër mbetet prioritet. Andaj vendet që ju ofrojnë këtë mundësi atyre po shtohen dita ditës, shkruan KultPlus.
Një lajm të tillë e ka bërë sot të ditur Ministri i Shtetit për Diasporën në Shqipëri, Pandeli Majko. Ai ka njoftuar se në Greqi edhe këtë vit do të hapen klasat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
“Në Athinë, Greqi edhe këtë vit do të hapen klasat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Nxënësit e komunitetit shqiptar atje mund të regjistrohen deri më 29 shtator për të vazhduar mësimin për gjuhën dhe kulturën shqipe, i cili do të fillojë gjatë muajit tetor”, ka shkruar Majko.
Që në vitin 2016, në Selanik, komuniteti i emigrantëve shqiptarë kishin bërë përpjekje që fëmijët të mësojnë në gjuhën amtare. / KultPlus.com