Në vazhdën e ditëve dedikuar “Muajit të Kinematografisë Shqiptare”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka kujtuar sot , filmin “Mësonjëtorja”, një nga prodhimet më të mira të Kinostudios si dhe grupin e aktorëve dinjitozë si Gulielm Radoja, Roza Anagnosti, Ardian Cerga, dhe të madhin Robert Ndrenika.
Filmi ishte një prodhim i vitit 1979, me regji të Muharrem Fejzos, skenar nga Natasha Lako dhe muzikën nga Limos Dizdari.
Dafina, e interpretuar nga Roza Anagnosti, një grua e re e shkolluar kthehet në qytetin e saj, për të hapur shkollën e parë për vajzat. Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut. Për të ndaluar përpjekjet e Dafines, për ngritjen e shkollës, klerikët përpiqen të eliminojnë njerëzit që i vinin në ndihmë mësueses së re. Ata ckishërojnë dhe tentojnë të helmojnë xhaxhanë e saj, Stefan Bardhin si dhe i vënë flakën shkollës.
Filmi është një realizim-homazh për Rilindjen Kombëtare dhe përpjekjet e rilindasve për përhapjen e gjuhës shqipe./ atsh / KultPlus.com