Në Pallatin e Brigadave u shfaq filmi i restauruar “Mësonjëtorja”, me praninë e një pjese të aktorëve, grupit realizues dhe entuziastëve të kinematografisë shqiptare.
“Një mbrëmje emocionuese mes artistësh, familjarë të atyre që s’janë më dhe i kujtojmë me nderim, dhe që lanë gjurmë në kinemanë shqiptare”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ishte e pranishme në këtë ngjarje.
Në sallën e projektimit ka qenë skenaristja Natasha Lako, disa nga aktorët kryesore si Roza Anagnosti, Ardian Cerga e Petrika Riza, e pranë tyre dhe familja e regjisorit të ndjerë, Muharrem Fejzo. Ministrja Margariti ka kujtuar regjisorin Fejzo, piktorin e filmit Ilia Xhokaxhi, operatorin Ilia Terpini e aktorin Gulielm Radoja, disa prej shtyllave të filmit-ikonë, të cilët nuk janë më në jetë.
“Nuk i kishim mes tonë për të festuar lajmin e mirë, jo vetëm të shpëtimit të një filmi, por edhe të ngritjes së një laboratori pranë AQSHF-së, që digjitalizimi dhe restaurimi të kryhet pranë institucionit tonë”, ka deklaruar ministrja e Kulturës.
“Mësonjëtorja” është pjesë e trashëgimisë sonë filmike, që mban të gjallë veprën dhe kujtimin e artistëve tanë të mëdhenj.
Restaurimi i këtij filmi, muzika e të cilit mban firmën e Limos Dizdarit, u realizua falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Harabel Contemporary Art Platform dhe ABI Bank./ atsh / KultPlus.com








