O vëllezër shqiptarë Gëzohi! që erth kjo ditë, Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë Që sjell gjithë mirësitë. … Hapu, hapu errësirë, Pa jakë tëhu o dritë! Se arriti koh’ e mirë, U gdhi nata u bë ditë … Lumja ti moj Korç’ o lule! Q’i le pas shoqet e tua Si trimi në ball u sule, Ta paçim për jetë hua … Gjuha jonë sa e mirë! Sa e ëmbël sa e gjerë Sa e lehtë sa e lirë! Sa e bukur sa e vlerë! / KultPlus.com
Sot janë bërë plot 135 vjet që nga dita kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, ditë që përmbushi aspiratat e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare, shkruan KultPlus.
Data 7 mars 1887 shënon ditën kur në Korçë u krijua shkolla e parë zyrtare shqipe. Shkolla ishte në qendër të qytetit dhe mblodhi shumë studentë, djem dhe vajza. KultPlus ju sjellë një fotografi nga nxënësit dhe mësimdhënësit e asaj kohë që shijuan ditët e para të mësimit në këtë shkollë.
Mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin: Pandeli Sotiri, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Janko Minxha, Nuçi Naçi, Thanas Nona, Hafiz Ali Korça, Kristaq Vaja dhe Nikollaq Zografi.
Mësuesi dhe drejtoru i parë i saj – Pandeli Sotiri, e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës.
Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta.
Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. / KultPlus.com