Se sa vështirë ishte të ishe mësuese në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923, e dëshmojnë edhe kushtet e punës në këtë kontratë pune, shkruajnë mediat e huaja, transmeton KultPlus.
Zonja pajtohet që të:
1. Mos martohet. Kjo kontratë anulohet automatikisht nëse mësuesja martohet.
2. Mos shoqërohet me meshkuj.
3. Qëndrojë në shtëpi ndërmjet orës 20:00 – 06:00 në mëngjes.
4. Mos hyjë në ëmbëltore të qendrës së qytetit.
5. Mos ta lëshojë vendin pa ndonjë arsye dhe pa lejen e presidentit të Këshillit të Delegatëve.
6. Mos tymosë cigare. Kjo kontratë anulohet automatikisht nëse mësuesja ndez cigare.
7. Mos pijë birrë, verë ose uiski. Kjo kontratë anulohet automatikisht nëse mësuesja gjendet duke pirë birrë, verë ose uiski.
8. Mos udhëtojë në veturë ose automobil me asnjë mashkull, përveç nëse ai është i vëllai ose babai i saj.
9. Mos të veshë rroba me ngjyra që shkëlqejnë.
10. Mos t’i ngjyrosë flokët.
11. T’i përdorë të paktën dy gjëra femërore.
12. Të mos përdorë veshje që janë më shumë se pesë centimetra më lartë se gjunjët.
13. Ta mbajë klasën e pastër:
a) Ta pastrojë dyshemenë së paku njëherë në ditë.
b) Ta pastrojë dyshemenë me ujë të nxehtë së paku njëherë në javë.
c) Ta pastrojë dërrasën e zezë së paku njëherë në ditë.
d) Ta ndezë zjarrin në orën 07:00 në mëngjes, në mënyrë që të jetë e nxehtë kur fëmijët të mbërrijnë në orën 08:00.
14. Të mos përdorë krem të fytyrës dhe as makijazh për buzë. /demokracia/ KultPlus.com
Një prej qindra mësueseve shqiptare që vazhdojnë misionin e tyre fisnik në Diasporë është edhe Drita Gjongecaj. Themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” sot për komunitetin ajo është më shumë se kaq. Ka pothuaj 5 vjet që i kushtohet edukimit me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare ndaj një numri të konsiderueshëm fëmijësh shqiptarë paralelisht e angazhuar edhe në sistemin arsimor publik në SHBA.
Mësuese Drita, profil i një mësueseje në ShBA, e vlerësuar si “Mësuesja e vitit 2014” nga AAWO, çfarë do të thotë ky vlerësim për ju?
Mësuesia mbetet një profesion i dashur për mua megjithëse u bënë shumë vite që nuk jap mësim drejtpërdrejt në klasë. Përvoja ime si mësuese dhe drejtuese shkolle në Shqipëri më dha një pikënisje të fuqishme në zgjedhjen e kahjes së karrierës këtu në vendin e ri. Përveç përkushtimit në punë dhe detyrimit profesional për t’i “pajisur” me dije nxënësit e mi, anë këto të formimit tim qysh herët, isha edhe kureshtare për të njohur metodat e mësimdhënies në Amerikë. Që në fillim pata një interes të dukshëm për t’i analizuar ato nga këndvështrimi dhe formimi im i mëparshëm në këtë fushë.
Kjo mundësoi që puna ime të japë rezultate të kënaqshme dhe të vlerësohej nga nxënësit, prindërit, kolegët dhe drejtuesit e shkollës ku punoja. Gjithsesi asnjë nga këto nuk pati efektin dhe sadisfaksionin që më dha vlerësimi “Mësuesja e Vitit 2014” nga organizata e grave “Motrat Qiriazi”. Jo vetëm për faktin që çmimi vinte nga një organizatë prestigjioze shqiptaro-amerikane. Mbi të gjitha, ishte një fill bashkues midis “dy jetëve”, realitetit të ri në ShBA dhe atë të vendlindjes që mbetet përgjithmonë pjesë e jona dhe të cilën mund ta prekja përmes kësaj organizate shqiptare.
Angazhimi juaj i përditshëm si drejtuese në arsimin publik në SHBA mbart në vetvete një investim sistematik që ka në thelb kualifikimin tuaj të cilin kemi dëshirë ta bëni prezent për lexuesit tanë; nxënës, kolegë, prindër.
Më vjen mirë që e quan investim sistematik. Kjo do të thotë që megjithëse jetojmë në vendin e mundësive, asgjë nuk arrihet pa një punë të gjatë, të lodhshme, sistematike. Duke marrë si pikënisje shkollimin në Fakultetin Filologjik të Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi si dhe përvojën në fushën e arsimit në Shqipëri, vendosa ta gjej veten në të njëjtën fushë edhe këtu në Amerikë. Fillimisht plotësova kreditet e nevojshme për njësimin e diplomës së Tiranës me atë të New Yorkut dhe menjëherë pas kësaj, përfundova programin e masterit shkencor në mësimdhënien e anglishtes për folësit e gjuhëve të tjera (Teaching English to Speakers of Other Languages-TESOL). Me të përfunduar këtë, m’u ofrua një bursë falas në studime pasuniversitare nga “Bank Street College of Education”. Ky program dhe eksperienca nga aktivitetet e shumta që departamenti i arsimit ofron për zhvillimin profesional të mësuesve, çuan në përzgjedhjen time si drejtuese metodike në shkollën ku punoja.
Më pas, u përfshiva në një master tjetër për Drejtim dhe Administrim shkollash, mora licencimin e plotë dhe prej 10 vjetësh jam z/v drejtore shkolle.
Ka pothuaj 5 vjet që ju i kushtoni një pjesë të kohës tuaj javore edukimit me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare ndaj një numri të konsiderueshëm fëmijësh shqiptarë, si shkon ky proces?
Gjithmonë më ka shoqëruar një ndjenjë përgjegjësie për të bërë ç’të jetë e mundur në ndihmë të atyre në nevojë. Shqiptarët jashtë atdheut hyjnë në këtë kategori përsa i përket gjuhës. Me një kualifikim të dyfishtë nga Shqipëria dhe Amerika, kam dashur që ajo çka mund të ofroj t’u vihet në dispozicion edhe njerëzve tanë. Me ndryshimin drastik që na diktoi koha, ne si grup i “Children of the Eagle” ua ofruam mësimin online nxënësve të shkollës shqipe qysh në prillin e kaluar, gati paralelisht me mësimin në shkollat publike. Duke qenë në punë të rregullt në shkollat publike, mësuesit tanë kanë fatin të marrin ndër të parët kualifikim bashkëkohor; kjo ndodhi edhe me mënyrat e mësimit online që ne i vumë menjëherë në përdorim me klasat shqipe. Përveç mësimit në distancë ne kemi edhe dy klasa që zhvillohen fizikisht në ambientet e Federatës Vatra, në grupe të vogla sipas kushteve të sigurisë shëndetësore. Më shumë se çdo leksion, ambienti i pasur i Vatrës shekullore u mëson fëmijëve historinë; dera e hapur e saj u mëson mikpritjen tradicionale shqiptare, etj.
Cilat janë disa nga veprimtaritë përmes të cilave AADLC dhe Shkolla shqipe “Children of the eagle” bëhet prezente në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan?
Ka një larmi aktivitetesh të cilat janë kthyer në traditë për shkollën tonë shqipe dhe ku pjesëmarrja e prindërve por edhe e komunitetit është e pranishme. Mund të përmend programet për ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, festivalin e shkollave shqipe, Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare, përshëndetjet në seminaret e gjuhës, etj. Me shumë vlerë janë edhe vizitat e organizuara në institucione a ambiente shqiptare siç ishte ajo në Misionin e Kosovës në NY, etj.
Prej pothuaj 5- vjetësh ju organizoni Seminarin e përvitshëm “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Diasporë”, çfarë ka sjellë vit pas viti kjo veprimtari shumëplanëshe?
Seminari shkencor-arsimor organizohet nga shoqata Albanian American Dual Language & Culture (AADLC). Tashmë seminari është kthyer në një traditë, në një forum ku shpalosen referate shkencore, metoda dhe përvoja konkrete nga puna direkte me nxënësit, si dhe arritje të shkollave e organizatave me të cilat ndajmë të njëjtin mision. Me fjalë të tjera, ai ka hapur rrugën për forcimin e rrjetit profesional të mësuesve, një bashkërendim të përpjekjeve të mësuesve, specialistëve, veprimtarëve të komunitetit, prindërve, etj. duke pasur si synim përsosjen e mëtejshme dhe rritjen e efektivitetit të mësimdhënies e mësimnxënies së gjuhës shqipe në Diasporë.
Përveç prurjeve me vlerë, i kemi kushtuar kujdes edhe vendit ku ai zhvillohet. Seminari i I-rë u mbajt në ambientet e Federatës Vatra, për vetë faktin se për Diasporën e Amerikës ajo është simboli i propagandës për çështjen kombëtare dhe gjuhën shqipe. Seminari i II-të solli më shumë bashkëpunim dhe dua të përmend këtu bashkë-organizimin e tij në lidhje të ngushtë me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në NY dhe u mbajt pikërisht në ambientet e kësaj Konsullate.
Duke iu përshtatur kushteve të diktuara, në shtator 2020, kur veprimtaritë ishin pothuajse plotësisht të paralizuara nga Covid-19, ne organizuam online seminarin e radhës me pjesëmarrje nga vende të tri kontinenteve.
Në janar 2021, ky aktivitet profesional u shndërrua në konferencë virtuale tre-ditore e fokusuar në përdorimin e platformave të mësimdhënies online për mësuesit e diasporës. Ishte një realizim koherent, kualitativ, dhe gjithëpërfshirës. Pjesëmarrësit e shumtë nga një mori shtetesh brenda dhe jashtë Amerikës e vlerësuan konferencën dhe shprehën nevojën për veprimtari të tjera të kësaj natyre si nevojë për përgatitjen e tyre për mësimin në distancë.
Si fëmijë, unë lexoja shumë dhe kjo më ka ndihmuar t’u kushtoj vëmendje detajeve. Në shkollë shpeshherë ndihmoja shokët e shoqet me ndonjë detyrë dhe dëgjoja të thoshin se unë “i zbërthej” të panjohurat në mënyrë të kuptueshme duke u bërë në mënyrë instiktive “mësuese”. Megjithëse preference ime ishte një degë tjetër, m’u dha e drejta e studimit për mësuesi, fushë ku e gjeta veten plotësisht të angazhuar. Duke parë progresin te nxënësit, duke përjetuar ngazëllimin e tyre kur aplikojnë çka kanë mësuar, vetëbesueshmërinë që rritet dita-ditës në sajë të kujdesit të mësuesit, ndjehesh mirë dhe rikonfirmon rëndësinë e rolit që ke. Mesa duket, kjo ka ndikuar edhe te të dy fëmijët e mi që janë mësues të shkollës së mesme në arsimin publik të New Yorkut. Që të dy janë të angazhuar edhe me shkollën shqipe “Children of the Eagle” dhe organizatën AADLC qysh në fillimet e saj.
Si e shikoni përdorimin e gjuhës shqipe në 20 vitet e ardhshme duke qenë se kontaktoni fëmijë por edhe prindër të rinj?
Në krahasim me dy-tre dekada më parë, prindërit shqiptarë, të paktën këtu në SHBA, janë më të interesuar për t’i angazhuar fëmijët me mësimin e shqipes. Ka ikur ajo frika se mos fëmija mbetet pas me anglishten po mësoi edhe shqip. Ajo që vihet re më shumë këto kohë është mendimi se prindërit mund t’ua mësojnë vetë shqipen fëmijëve. Përvoja ka treguar se roli i familjes është kyç, por në mbështetje të programeve shkollore dhe se shkolla është institucioni ku gjuha mësohet në nivele të tjera. Përndryshe përpjekjet mbeten sporadike dhe gjuha mbetet në nivelet e së folmes së përditshme, larg asaj akademike që nevojitet për t’iu përgjigjur zhvillimit aktual shoqëror, teknologjik dhe ekonomik.
Me rëndësinë që po merr dy-gjuhësia në përgjithësi dhe përfitimet në nivelin personal por edhe atë të identitetit kombëtar, unë e shoh me optimizëm të ardhmen e përdorimit të shqipes. Më shumë se asnjëherë tjetër shohim organizata dhe shkolla shqipe si dhe bashkëpunim në shërbim të ruajtjes së gjuhës e traditës. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com