113 vite nga lindja e Migjenit, mësuesit të përjetshëm të popullit shqiptar

Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin e tij të shkrimit Migjeni, ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930.

Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

Migjeni u lind më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni), ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin.

Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë antiçifligare ishte i ndjeshëm në vitet kur shkroi. Një shtysë të posaçme mori përhapja e krijimtarisë së tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

Ai ka vdekur më 26 gusht 1938. Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Po ashtu, Migjenit iu nda titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957. / KultPlus.com

Tregim nga Ribeyro: Mësuesi zëvendësues

Julio Ramón Ribeyro Zúñiga (1929 – 1994), prozator, eseist, dramaturg dhe aforsit peruan, i njohur mbi të gjtiha për tregimet e shkurtra. Fitues i çmimit Juan Rulfo de Literatura Latinoamericana, më 1994

MËSUESI ZËVENDËSUES

Nga Julio Ramon Ribeyro

Një pasdite të vonë, Matiasi dhe gruaja e tij ishin duke gjerbur çaj të shpëlarë dhe duke çarë hallet rreth gjithë varfërisë së klasës së mesme – gjithmonë duke u detyruar të shkojnë rrotull me një bluzë të pastër, kostoja e autobusit, burokracia – shkurt, ato gjëra për të cilat çiftet në vështirësi normalisht flasin në fund të një dite, kur dëgjuan një trokitje të fortë në derë. Posa e hapën derën, Doktor Valencia u vërsul brenda, bastunin në dorë dhe duke marrë frymë me zor për shkak të jakës së kollarisur.

“Matiasi im i dashur! Kam ca lajme shumë të mira për ty! Prej tash do të jesh mësues! Prit! Mos thuaj jo. Duke qenë se unë do të jem jashtë shtetit për disa muaj, kam vendosur të ta jap klasën e historisë në akademi. S’është kushedi se çka, por mund të jetë një shans ideal të fitosh një përvojë si mësues. Me kohë me siguri mund të marrësh më shumë orë mësimore në shkolla të tjera dhe, kush e di, mund të arrish deri në nivelin universitar. Varet nga ti. Gjithmonë kam pasur goxha besim te ti. Nuk ma ha mendja se është fer që një njeri me zotësitë e tua, një njeri i shquar, një person i edukuar si ti, duhet të sigurojë jetesën si mbledhës parash. Jo zotëri, kjo nuk është e drejtë dhe unë jam i pari që po ta them. Ti i përket profesionit të mësuesisë. Mos e mendo dy herë këtë punë. Unë do ta thërras drejtorin menjëherë dhe do t’i them se e kam gjetur zëvendësuesin. E kam me shumë nguti. Taksi është duke më pritur. Më jep një përqafim, Matias, dhe më thuaj se jam miku yt!”.

Para se Matiasi të mund të nxirrte një fjalë, Doktor Valencia e kishte thirrur akademinë, kishte folur me drejtorin, e kishte përqafuar atë për herën e katërt dhe ia ishte sulur jashtë derës si era pa e hequr asnjëherë kapelën nga koka.

Për disa minuta Matiasi qëndroi në heshtje, duke e lëmuar kokën e tij të madhe tullace që gjithmonë i kishte bërë fëmijët të qeshnin dhe të ngjallte tmerr në zemrat e shtëpiakeve. Me një gjestikulim të gjallë e bëri gruan e tij të heshtte para se ajo të mund të bënte ndonjë koment; pastaj shkoi qetësisht te dollapi i porcelantë dhe i hodhi vetes një port të mirë që zakonisht e mbante për mysafirë. Pasi që e inspektoi në dritën e llampës, e shijoi ngadalë.

“Kjo gjë nuk më habit fare”, tha me në fund. “Një njeri me kualifikimet e mia nuk mund ta fshehë talentin e tij përgjithmonë”.

Pas darkës ai u mbyll në dhomën e ngrënies, ia mbushi vetes një filxhan kafe, nisi t’ua hiqte pluhurin teksteve të tij të vjetra shkollore dhe e urdhëroi gruan e vet të mos e linte askënd ta bezdiste, bile as dy shokët e tij të punës, Baltazarin dhe Luçianon, me të cilët shpesh shkonte mbrëmjeve të luante me letra dhe t’ua krisnin barcoletave të pacipa rreth mbikëqyrësve të tyre në punë.

Në orën dhjetë të mëngjesit të nesërm Matiasi veç e kishte përgatitur mësimin e parë mirë dhe doli nga apartamenti pasi që e shmangi me padurim gruan e tij të merakosur, që e ndoqi deri në korridor, duke e mbajtur për cepave të kostumit të tij formal.

“Mos harro të vendosësh kartelën në derë”, ia rikujtoi Matiasi teksa po largohej. “Vendose aty ku mund të shihet: ‘Matias Palomino, Profesor i Historisë’”.

Rrugës e kaloi kohën duke e risjellë në mendje mësimin. Natën e kaluar s’duroi dot pa u dridhur nga kënaqësia kur, duke e shpluhurosur Luigjin XVI, çiku epitetin e Hidrës. Ishte një term i shekullit XIX që kishte dalë nga përdorimi, por Matiasi, me sjelljen dhe leximet e tij, ende i përkiste shekullit XIX dhe inteligjenca e tij – saherë që bëhej fjalë për të – në të njëjtën mënyrë kishte dalë nga përdorimi. Gjatë dymbëdhjetë vjetëve të kaluara, prej se kishte dështuar dy herë në provimet për diplomim, nuk e kishte hapur më asnjë tekst shkollor, as nuk e kishte ndier as motivimin më të vogël ta rikthente në jetë kërkimin e ndrydhur të njohjes. Ai ia atribuonte përherë dështimin e tij akademik armiqësisë së përgjithshme të komitetit ekzaminues dhe sulmit fatkeq të amnezisë që e vuante saherë që i duhej të demonstronte njohjet e tij. Prej se nuk vinte më në shprehje të bëhej avokat, kishte zgjedhur prozën dhe kravatën e një shkruesi gjykate; në këtë rrugë, të paktën për nga dukja, nëse jo nga njohja, ai qëndroi brenda kufijve të profesionit.

Kur Matiasi arriti para shkollës, u ndal rrëmbimthi dhe vërejti te vetja një ndjenjë shastisjeje. Ora e madhe në ndërtesë tregonte se kishte mbërritur aty dhjetë minuta më herët. Duke menduar se në njëfarë mënyre mund të mos ishte e hijshme të ishte aq i përpikët, vendosi të ecte deri te qoshja. Kur kaloi para derës së shkollës vërejti një portier me një shikim pothuajse të rreptë, i cili në dukje ishte duke ruajtur hyrjen, me duart e lidhura pas shpinës.

Te qoshi i parkut Matiasi u ndal, nxori shaminë dhe e fshiu ballin. Ishte paksa nxehtë aty jashtë. Hijet e një pishe dhe një palme puqeshin në një mënyrë që atij ia solli në mendje një poezi autorin e së cilës u mundua së koti ta kujtonte. Po bëhej gati të kthehej mbrapshtë – ora në City Hall sapo kishte rënë njëmbdhjetë herë – kur pa një burrë të zbehtë t’ia ngulte sytë nga mbrapa një dritareje ekspozimi të një dyqani pllakash. I tromaksur, menjëherë i ra në të se nuk ishte askush tjetër veçse reflektimi i tij. Duke e vëzhguar vetveten me kujdes, ia shkeli vetes syrin, thua se si për të qetuar tisin e trishtë të lodhur që një natë e gjatë e përgatitjes dhe cigareve e kishte gdhendur në fytyrën e tij. Por shprehja e fytyrës së tij, jo që nuk u zhduk, por nisi të vihej në pah edhe më shumë. Matiasi mundi të shihte se tulla e kokës së tij po shkëlqente trishtueshëm mes cullufeve në tëmthat e tij dhe se mustaqja e tij po rridhte mbi buzët e tij si një grsjt i një dështimi të plotë.

I ligshtuar nga ajo që pa, u shty mbrapa nga xhami vrullshëm. Nxehtësia e mëngjesit e bëri ta humbiste kravatën e atllastë. Duke e gjetur veten edhe njëherë te hyrja e shkollës, ai u kaplua nga një ndjesi e tmerrshme pasigurie, në dukje pa kurrfarë paralajmërimi a provokimi. Aty për aty nuk mund të ishte i sigurt nëse Hidra ishte kafshë detare, përbindësh mitologjik, apo thjesht një nga sajesat e Doktor Valencias, një nga ato figurat imagjinare që profesori ndonjëherë do t’i përdorte për t’i frikësuar anëtarët e parlamentit që i kundërviheshin. I hutuar, e hapi çantën dhe nisi t’i rishikonte shënimet. Kjo qe kur pa se derëtari ia kishte ngulur sytë. Ai lloj shikimi, që vinte nga një njeri në uniformë, shkaktoi një seri asociacionesh të tmerrshme në psikën e tij takspaguese të vockël sa nuk mundi ta ndalte veten dhe vazhdoi të ecte drejt qoshkut tjetër të rrugës.

Mbeti aty për një moment pothuajse duke gulçuar. Dyshimet rreth Hidrës nuk i interesonin më. Ato vetëm sa kishin nxjerrë në shesh dyshime edhe më të mëdha shtypëse. Gjithçka në kokën e tij u bë e mjegullt. Po e ngatërronte Colbertin me një ministër anglez, po e vinte kurrizin e dalë të Maratit në supet e Robespierit dhe sherri i një marifeti të imagjinatës, vargjet fine aleksandrine të Chenierit nisën të rridhnin nga buzët e Samsonit të fuqishëm. I llahtarisur nga kjo përplasje e ideve, sytë e tij kërkuan marrëzisht të gjenin ndonjë kafene. Po vdiste nga etja.

Gjatë pesëmbëdhjetë minutave të ardhshëm u sorollat pa ndonjë qëllim nëpër rrugët e rrahura nga era në një zonë rezidenciale ku kishte me bollëk sallone bukurie. Pasi u soll pafundësisht herë, ai u ndal te dyqani i pllakave dhe prapë e pa imazhin e vet të shfaqej në xham. Këtë herë Matiasi e shqyrtoi me më kujdes: dy unaza të zeza ishin formuar rreth syve të tij dhe ai rreth mund të ishte veç rreth i terrorit.

I tronditur, u kthye përreth dhe qëndroi aty duke shikuar parkun. Zemra e tij e lodhur e bëri kokën e tij të rrihte si ajo e zogut në kafaz. Sado që akrepat e orës vazhdonin të ecnin përpara, Matiasi mbeti aty i ngrirë, i obsesionuar me gjëra të parëndësishme, si numërimi i degëve në një pemë dhe përpjekja për të deshifruar një paralajmërim në një tabelë të dyqanit të fshehur pjesërisht nga një gjethnajë.

Kumbimi i pakët i kambanës së kishës e ktheu në vete dhe i ra në të se kishte ende kohë. I nxitur nga këmbimi i kryeneçësisë me bindjen, sado që i merzitur nga humbja e kohës, ia mësyu në drejtim të shkollës. Lëvizja e stimuloi guximin e tij. Kur hyrja e shkollës i doli para syve, ai mori pamjen e një biznesmeni të rëndësishëm. Ishte gati të futej brenda kur, duke shikuar lart, pa pranë derëtarit një konklavë burrash të moshuar të thinjur të rraskapitur në toga që ia kishin ngulur sytë me padurim. Ky grup i papritur – një rikujtim i ekzaminuesve shkollorë nga fëmijëria e tij që e ekzaminonin atë – qe i mjaftueshëm të ndizte një mekanizëm të fuqishëm mbrojtjeje dhe, duke u kthyer, ia mbathi me të katra.

Pa i bërë njëzet hapa mirë i ra në të se dikush po e ndiqte nga pas. Ishte derëtari. “Më falni”, tha ai. “A mos jeni ju z.Palomino, profesori i ri i historisë? Vëllezërit po ju presin”.

Matiasi u kthye kah ai, flakë nga zemërimi. “Unë jam mbledhës parash!”, iu vërsul, si të kishte qenë viktimë e një shakaje të keqe.

Derëtari i kërkoi ndjesë dhe u largua. Matiasi vazhdoi të ecte derisa arriti avenynë, pastaj u kthye në drejtim të parkut dhe eci kuturu përçark dyqaneve; zuri në thua në trotuar, për pak sa nuk e hodhi për toke një të verbër dhe në fund, i çoroditur dhe skuqur, u përplas për bankes, duke u ndier sikur truri i tij ishte bërë prej djathi.

Zërat e fëmijëve duke luajtur atë pasdite e zgjuan nga letargjia. Ende i hutuar dhe duke u ndier sikur të kishte qenë objekt i një shakaje praktike poshtëruese, u ngrit në këmbë dhe u nis për në shtëpi. Pavetëdije zgjodhi një rrugë që gjarpëronte sa andej sa këndej. Ishte i shpërqendruar. Realiteti i rrëshqiste përmes plasave në imagjinatën e tij. Ai imagjinoi se si ndonjë ditë, për shkak të ndonjë goditjeje të paparashikuar të fatit, mund të bëhej i pasur. Ai nuk ishte i vetëdijshëm për ndjenjën e paanë të frustrimit derisa u kthye në apartament dhe e pa gruan e tij duke e pritur në derë, me përparësen përreth belit. Sidoqoftë, e ktheu gjakftohtësinë, bëri një përpjekje të buzëqeshte dhe u ngut të përshëndeste gruan, e cila në atë moment po vraponte korridorit me krahët e hapur.  

“Si shkoi? A e mbajte mësimin? Çfarë thanë studentët e tu?”.

“Shkëlqyeshëm! Ishte vërtet e mrekullueshme!, belbëzoi ai. “U hyra në qejf!”. Por kur i ndjeu krahët e gruas përreth qafës dhe pa në sytë e saj – për herë të parë – një regëtimë të një krenarie të pashoqe, ai e uli kokën dhe nisi të dëneste mjerueshëm.

Belgjikë, 1957/Marrë nga Julio Ramon Ribeyro, “Marginal Voices – Selected Stories”, University of Texas Press, 2021 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

“Detyra e një mësuesi modern nuk është të presë xhunglën, por të ujisë shkretëtirën”

Mësuesit kanë detyrën fisnike të frymëzojnë nxënësit e tyre. Por kjo ngre një pyetje shumë të rëndësishme: kush do t’i frymëzojë vetë mësuesit?

Pas një jave të lodhshme ju do të donit një frymëzim të vogël në fundjavë për t’ju ndihmuar që të bini përsëri në dashuri me mësimin dhe të mos harroni përse e keni filluar këtë profesion.

Ja disa thënie frymëzuese që e ngrejnë lart figurën e mësuesit, për t’u lexuar edhe nga prindërit dhe fëmijët, që ta vlerësojnë edhe më shumë.

1. Mësimdhënia nuk ka të bëjë vetëm me njohjen e lëndës suaj …

“Ata që dinë diçka, e bëjnë. Ata që kuptojnë “japin mësim”. – Aristoteli

Kjo është gjithashtu përgjigja e përsosur kur ju bëjnë të ndiheni inferiorë.

2. Për ato ditë që ju harroni pse po e bëni këtë punë.

“Një libër, një laps, një fëmijë dhe një mësues mund të ndryshojnë botën”. – Malala Yousafzai

Ju do të ndikoni gjithmonë në jetën e dikujt duke bërë atë që bëni. Dhe, kjo është ajo që e bën që t’ia vlejëe gjithë puna që bëni.

3. Arsimi është një themel për një të ardhme më të mirë

“Mësoni fëmijët që të mos mësoni të rriturit” – Abraham Linkoln

Mësimdhënia e vetëdijes emocionale, menaxhimi i konfliktit dhe përgjegjësia sociale i nxit nxënësit të bëhen qenie njerëzore më të mira.

4. Të gjithë dështojnë, pregatituni për dështimin.

“Edukimi është pashaporta për të ardhmen, e tashmja u përket mësuesve që po e pregatisin sot” – Malcom X

Dhe ju jeni përgjegjës për atë përgatitje.

5. Shtrirja e vërtetë e mësimeve tuaja

“Një mësues ndikon në çdo kohë, ai nuk mund ta thotë kur mbaron influenca e tij.” – Henry Adams

Mësimet e tua sot mund të kalohen për breza. Ju nuk jeni vetëm duke i mësuar nxënësit tuaj të tanishëm, por të gjithë njerëzit që do të mësojnë dhe ndërveprojnë me të.

6. Mësuesi Modern

Detyra e një mësuesi modern nuk është të presë xhunglën, por të ujisë shkretëtirën” – C.S, Lewis

Mundësia që keni për të edukuar nxënësit dhe për t’u mundësuar atyre që të ndezin flakën brenda tyre për të mësuar është një aspekt thelbësor i mësimdhënies.

7. Sepse mësimi nuk është vetëm një profesion …

“Kuptimi i jetës është të gjesh dhuntinë tënde, qëllimi i jetës është ta ndash atë me të tjerët”. – Pablo Picasso

Ju kërkohet që, çdo ditë, të jepni pjesë të vetes për nxënësit tuaj. Dhe kjo është një dhuratë e vërtetë në vetvete.

8. Nuk janë vetëm studentët tuaj të cilët janë atje për të mësuar

“Pasi të mësoni vetë ju do të jepni mësim, dhe pasi të jepni mësim ju do të mësoni akoma më shumë” – Phil Cholins

Në çdo mësim jepni vetes mundësinë për të mësuar nga klasa, në të njëjtën mënyrë që ata mësojnë prej jush.

9. Mos e harroni këtë herën tjetër që ndjeheni keq për nxitjen e një nxënësi për të punuar vetë

“Fëmijëve mund t’u thuash çfarë të mësojnë, por jo si të mendojnë – Margaret Mead”

Ju nuk do të jeni atje për t’i ndihmuar ata gjatë gjithë kohës; ata duhet të kuptojnë procesin e të mësuarit për veten e tyre.

10. Për shkak se ndodhin ditë të këqija

“Nëse u rrëzove dje, ngrihu sot”-  H.G Wells

Ngrihuni, hiqni pluhurin nga vetja dhe filloni përsëri nga një perspektivë e freskët.

11. Një mënyrë e re për të parë punën tuaj

“Unë nuk jam mësues, unë jam një njeri i zgjuar” – Robert Frost

Zgjoni pasionin që keni për lëndën tuaj, ose për të mësuar, te nxënësit.

12. Mendoni për këtë herën tjetër që do të inatoseni nga një pyetje

“Mos i mësoni fëmijët vetëm të lëxojnë mësimin, mësoni ata të bëjnë pyetje për atë që lexojnë. Mësoni të pyesin për çdo gjë”. – George Carlin

Pyetjet çojnë në: shpikje, zbulime, ndryshime dhe gjithçka në mes. Ndihmoni nxënësit tuaj që të mos pranojnë gjithçka që dëgjojnë ose shohin, si fakt.

13. Dhurata që vazhdon të japë

“E bukura e të mësuarit është që, asnjeri nuk mund ta marrë atë prej teje” – B.B.King

Mësimi i gjërave të reja sigurisht që është emocionuese dhe e frikshme në të njëjtën kohë, por gjithmonë duhet të inkurajohet. Sepse, nëse kjo ishte një përvojë e mirë apo e keqe, një mësim i jetës zgjat përgjithmonë.

14. Për atëherë kur ndiheni sikur nuk ju kupton njeri

“Ne nuk e dimë jetën e kujt do të ifluencojmë, kur dhe si” – Stephen King

Ngrihuni çdo ditë dhe bëni atë që bëni më mirë.

Ju do të ndikoni dikë më mirë se sa e imagjinoni ndonjëherë.

Ju kurrë nuk mund t’i shihni ata duke e hapur dhuratën, por ata po, dhe a ka ngushëllim më të madh se ky. / KultPlus.com

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’

Sot shënohet 135 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe, e cila u hap në vitin 1887 në Korçë, në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, shkruan KultPlus.

Arsimi është arma më e fuqishme dhe e vetmja rrugë drejt zhvillimit të shoqërisë

Sot për nder të ditës së mësuesit, KultPlus ju sjell thënien e njohur të shkrimtarit të njohur francez, Viktor Hygo.

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’ / KultPlus.com

E kujtoj mësuesin

Poezi e shkruar nga Agim Vinca.

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot.
Në zemër më hyri fytyrë e tij
dhe s’më hiqet atë ditë e sot.

I vogël isha atëhere, pak dija,
jeta më dukej lojë, dëfrim.
Por ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim.

Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
«E di ç’është mërgimi, ti Agim?»

Po unë s’e dija, s’kuptoja dot
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli.
Sytë e mësuesit ishin me lot
atë ditë që fshati e përcolli.

Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës dhe në jetë
punët e kësaj toke i mësova.

Mësova unë se ç’ish mërgimi,
shtëpia pa plëng, sofra pa bukë,
mësova përse mësuesi, imi,
na la dhe mori të largëtën rrugë.

Sot kur dhe vetë me ditar
dal para nxënësve të mi,
e kujtoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi. /KultPlus.com

7 marsi – Dita e Mësuesit, datë historike për arsimin

Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit, shkruan KultPlus.

Në mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësishtë i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm ne luftën për liri dhe pavarësi.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit. / KultPlus.com