Më 22 nëntor 1961, ndërroi jetë Aleksandër Xhuvani.
Profesor Aleksandër Xhuvani ishte gjuhëtar, pedagog dhe psikolog, nderuar me titullin “Mësues i Popullit”.
Xhuvani u lind më 14 mars 1880 në Elbasan ku kreu dhe mësimet e para, ndërsa të mesmen e kreu në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë.
Veprimtarinë e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës. Pasi kthehet në Shqipëri filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit. Ka qenë anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, anëtar i Institutit për Studime Shqiptare, dekan i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Institutit të Studimeve, anëtar i redaksisë së Buletinit të Shkencave Shoqërore.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave duke përkujtuar këtë datë publikoi sot foto të Aleksandër Xhuvanit dhe të dorëshkrimit të autobiografisë së tij, shkruar më 27 korrik 1947. / KultPlus.com