U mbajt seminari për mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi

Këtë fundjavë u mbajt në Selanik seminari për mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Tema e këtij viti ishte “Shkëmbim përvojash, orë praktike mësimore në shërbim të rritjes së cilësisë së mësimdhënies, kryesisht për mësuesit e Greqisë”

Në seminar morën pjesë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Shqipërisa, Kosova dhe pushteti lokal në Selanik.

Ndër temat që u prezantuan me shumë interes sidomos për mësuesit e mësimit plotësues në Greqi, ishte  prezantimi i studimit “ Shqipja dhe greqishtja, ndikimi te njëra tjetra, duke u nisur nga përvoja e mësimdhënies te fëmijë dygjuhësh”, studim i përgatitur nga Aurela Konduri, mësuese e gjuhës shqipe, studiuese për çështje të dygjuhësisë dhe shumëkulturës në arsim dhe në shoqëri dhe prof.as.dr. Rozana Rushiti, Pedagoge e Sintaksës, Departamenti i Gjuhësisë, Universitetit i Tiranës.

“Objekti i studimit është parë brenda dygjuhësisë së emigracionit që karakterizohet nga fakti se fëmijët dygjuhësh (tipike për fëmijët dhe moshat e reja) duhet të përballojnë jashtë mjedisit familjar, përgjithësisht, njëgjuhësh (monoling), një gjuhë të ndryshme, që nuk e flasin domosdoshmërisht prindërit e tij ose që e flasin keq. Bëhet fjalë për një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare, për fëmijët e emigrantëve ekonomikë që sot punojnë e jetojnë Greqi” shpjegoi për “Diaspora Shqiptare”, Konduri.

Qëllimi është për të kuptuar më mirë situatën e dygjuhësisë, ndikimet dhe interferencën mes dy gjuhëve: shqipes dhe greqishtes do duhet kuptuar shkalla e përvetësimit dhe e zotërimit të këtyre gjuhëve nga fëmijët shqiptarë, si dhe dhënia e disa përgjigjeve, në lidhje me pyetjet: Në ç’situata ligjërimore përdorin greqishten dhe në ç’situata shqipen?

Në ç’kushte i këmbejnë apo i alternojnë të dyja gjuhët?

Çfarë dukurish të ndërveprimit e ndikimit shfaqen në përdorimin e këmbyeshëm të dy gjuhëve?

“Për të shpjeguar këto çështje u ndalëm konkretisht në përvojat e mësimdhënies me fëmijët shqiptarë për të parë se si ndërveprojnë gjuhët që ata njohin e mësojnë. Rastet e studimit tonë u mbështeten në të dhënat  nga materialet e mbledhura (detyra, ushtrime, diskutime, intervista) të fëmijëve shqiptarë që mësojnë gjuhën shqipe në shkollën shqipe të shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza” në Selanik, Greqi dhe nga të dhënat nga tri projekte te realizuara me ta në bashkëpunim me universitetin “Aristoteli” dhe universitetin e “Kretës”, shpjegon ajo.

Shumica e fëmijëve dygjuhësh nuk i përdorin në mënyrë të barabartë të dyja gjuhët: njëra gjuhë është më e rrjedhshme se tjetra, edhe në të folur, edhe në të shkruar, duke ndikuar te gjuha tjetër (ku si gjuhë dominante, të favorizuar jo domosdomërisht kanë shqipen, pasi si gjuhë e parë e tyre mund të jetë edhe gjuha e mjedisit, e vendit ku jetojnë, gjuha që përdorin në shkollë, pra greqishtja)

“Për fëmijët dygjuhësh, mësimi dhe përvetësimi i shqipes bëhet nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha mjeteve gjuhësore që ata kanë në repertorin e tyre, pavarësisht nga niveli i zotërimit apo mënyra se si i kanë arritur ato njohuri.  Një qasje e tillë pedagogjike jo vetëm lejon, por edhe inkurajon përdorimin e dy gjuhëve në klasë,për qëllime të mësimdhënies”, shpjegon më tej Konduri.

Me rritjen dhe shkollimin te fëmijët shfaqen jo vetëm mbizotërimi i njërës gjuhë në raport me tjetrën, diferencat gjuhësore, vështirësitë në nxënie, por edhe ndikimet që luajnë te këta fëmijë sistemet gjuhësore te njërës apo tjetrës gjuhë.

Problematikat e ndikimeve mbeten dhe shfaqen kryesisht tek ata folës të shqipes, psh, te studentë shqiptarë, që e mësojnë shqipen në moshë të madhe, që nuk ndjekin kurse të gjuhës shqipe, që e njohin shqipen vetëm nga mjedisi familjar dhe nga kontaktet që kanë pasur me këtë gjuhë gjatë vizitave të tyre në Shqipëri.

“Është normale që në gjuhë të ndryshme të kemi struktura gramatikore të ndryshme. Në këtë raste ndodh që ndikimi të jetë i dukshëm, sepse struktura gramatikore të njërës gjuhë janë të ngulitura në vetëdijen e folësve. Si rrjedhim, gjatë ligjërimit folësi dygjuhësh do të ketë prirjen të përdorë modelin që ai njeh më mirë, nga gjuha dominante e tij, pavarësisht se ky nuk është modeli i saktë në ligjërimin e gjuhës tjetër. Për t’iu mësuar sa më mirë gjuhën shqipe nxënësve dygjuhësh, përparësi marrin metodat e mësimdhënies. Nëpërmjet dygjuhësisë zbulohen jo vetëm interferncat mes dy gjuhëve, por dhe aftësia e shqipes për t’u përshtatur e për t’u përballur me gjuhët në kontakt”, përfundoi ajo./ Diaspora shqiptare / KultPlus.com

‘Një mësues i mirë është si një qiri, konsumon vetveten për të ndriçuar rrugën e të tjerëve’

KultPlus ju sjell disa thënie për rëndësinë e mësuesit dhe mësimeve.

-Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë

-Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij.

-Ëndrra fillon me një mësues i cili beson në ju, i cili ju shtyn dhe ju shpie në një plato tjetër, nganjëherë ju ngacmon me një shkop të mprehtë të quajtur ‘e vërteta‘.

-Shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj.

-Ai njeri që i bënë të lehta gjërat e vështira është vetëm mësuesi.

-Mësuesi është përhapësi i dritës.

-Mësimdhënia është profesioni ndoshta më i cmuar, më i dobishëm për bashkësinë dhe ka ndikim më të madh në lumturinë e përbashkët.

-Secila fjalë që flet mësuesi duhet të jetë mësim; secili hap që bën ai duhet të jetë shembull i mirë – Jean-Baptiste de La Salle.

-Mësuesit më të mirë mësojnë nga zemra e jo nga libri

-Kush guxon të japë mësim, kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari.

-Mësuesi është ai që të hap derën, në të cilën ti duhet të hysh vet. /KultPlus.com

E thotë studimi: Mësuesit duhet t’i lavdërojnë nxënësit e jo t’i ndëshkojnë

Sipas një studimi të ri, mësuesit duhet t’i lavdërojnë nxënësit e jo t’i ndëshkojnë ata për pengimin e procesit mësimor, nëse duan që ta përmirësojnë sjelljen e tyre.

Në bazë të hulumtimit të publikuar në revistën “Educational Psychologu” (“Psikologjia edukuese”), ekzistojnë më shumë gjasa që fëmijët të koncentrohen në mësim kur marrin komplimente, sesa kur marrin qortime.
Mësuesit i kanë kritikuar politikat e ashtuquajtura “zero tolerancë” ndaj sjelljeve jo të mira të nxënësve, duke i cilësuar ato si të dëmshme për fëmijët.

Pjesë e këtij studimi ishin më shumë se 2500 nxënës nga tri shtete të Shteteve të Bashkuara. 20 deri 30 për qind e nxënësve ishin më të përqendruar në detyrat e klasës në rastet kur ata merrnin lëvdata në vend të qortimeve.

Sidoqoftë, autorët e hulumtimit tërheqin vërejtjen që kjo teknikë të mos përdoret së tepërmi, sepse mund ta humb efektin pozitiv.

Ndryshe, përmes një studimi të vitit të kaluar u zbulua se nxënësit mund të kenë sjellje më të mira, nëse mësuesit i përshëndesin ata për dore në hyrje të klasës. / KultPlus.com

Kaq fitojnë mësuesit në Zvicër

Në varësi të moshës, ka dallime në paga dhe mëditje për profesionin e mësuesit.

Paga mesatare vjetore si mësues është 85,777 CHF bruto.

Gjysma e pagave dhe mëditjeve të mbledhura janë mbi 86,000 CHF bruto, që do të thotë të ardhura mujore prej 7,167 CHF bruto.

Nëse sapo keni filluar punën si mësues, mund të prisni fitime bruto mesatarisht 90,000 CHF në vit. Kjo është 7,500 CHF bruto në muaj.

Në varësi të moshës, ka dallime në paga dhe mëditje për profesionin e mësuesit. Në një moshë të re, ju mund të prisni fitime bruto mesatarisht 80,000 CHF në vit. Me rritjen e moshës, të ardhurat ndryshojnë dhe janë 95,238 CHF bruto. Kjo korrespondon me një ndryshim prej 19%, shkruan tutje albinfo.ch.

Në varësi të vendit të punës, ka dallime në paga dhe mëditje për profesionin e mësuesit. Në Thurgau, Zug dhe St. Gallen ju keni potencialin më të lartë të fitimit. Në shtetet federale të Bernit, Gjenevës dhe Nidwalden ju duhet të pranoni humbje në paga.

Pagat për profesionin e mësuesit i nënshtrohen një rritje mesatare prej 7% gjatë 5 viteve të fundit. Kjo do të thotë një rritje e pagave prej 6,429 CHF bruto në vit ose 536 CHF në muaj.

Burrat dhe gratë përfitojnë ndryshe nga rritja e pagave. Për gratë, ndryshimi mesatar është 7%, që është një diferencë prej 6,429 CHF bruto në vit. Për burrat, ndryshimi mesatar është -14%, që është një ndryshim prej -13,982 CHF bruto në vit. / KultPlus.com

Fëmijët vijnë në shkollë me këpucë që kushtojnë më shumë se veshja e mësuesit

Një profesor në pension i shkroi një letër një gazete për t’i dhënë një mendim.

Më poshtë mund të gjeni përkthimin e asaj që mësuesi ka shkruar:

“Si mësues në pension, jam i lodhur nga të gjithë njerëzit që nuk dinë asgjë për shkollat ​​publike, të cilët nuk kanë qenë aty kohët e fundit, ose që besojnë se mund ta përshtatin sistemin tonë të arsimit.

Mësuesit nuk janë problemi! Prindërit janë problemi. Ata nuk u mësojnë fëmijëve sjellje të mira dhe as nuk u mësojnë atyre se çfarë është respekti ndaj të tjerëve; fëmijët as nuk kanë njohuri të përgjithshme se si të bashkohen me njerëzit e tjerë.

Fëmijët vijnë në shkollë me këpucë që kushtojnë më shumë se veshja e mësuesit dhe, në të njëjtën kohë, nuk kanë letër ose lapsa për mësimin.

Kur dikush flet për shkollat ​​që kanë “dështuar”, ata nuk përpiqen të shikojnë prindërit dhe fëmijët. A shkojnë nënat dhe baballarët në mbledhjet e prindërve? A flasin rregullisht me mësuesit? A sigurohen që fëmijët të përgatiten dhe të kenë materialin e nevojshëm? A sigurohen që fëmijët të bëjnë detyrat e shtëpisë? A kanë një numër telefoni të mësuesit?

A i marrin nxënësit shënimet në klasë? A i kryejnë detyrat e tyre? A dëgjojnë ata gjatë mësimit apo është nxënësi që shqetëson dhe bezdis të tjerët?

Kur të merren parasysh të gjithë këta faktorë, kuptohet se nuk është shkolla që ka dështuar, por prindërit.

Mësuesit nuk mund të bëjnë punën e tyre dhe atë të prindërve të fëmijëve.

Përderisa prindërit nuk bëjnë punën e tyre, asgjë nuk mund të përmirësohet!”./KultPlus.com

‘Kur mësuesit pushojnë, nënat rënkojnë’

Aforizmat pasqyrojnë të gjithë fushat e jetës. Ato janë pjesë e thesaritë të mençurisë së botës, pavarësisht nga popujt e origjinës së tyre, kjo sepse ato i drejtohen të vërtetave universale, që i rezistojnë kohës.

Për kënaqësinë e lexueve tanë kemi përzgjedhur një gjerdan të ndritshëm me brilantët e mençurisë britanike.

Të rinjtë mendojnë se të vjetrit janë të krisur, ndërsa të vjetrit e dinë se të rinjtë janë të krisur.

Tiranët në shtëpi dhe qeveri dallohen vetëm nga madhësia e pushtetit.

Ushqehu si të të pëlqejë, por vishu si të tjerët.

Zemra e nënës është shkolla e fëmijës.

Zoti i shtëpisë gjithnjë kupton i fundit.

Të dobtit, të pasuruarit shpejt, hajduti dhe mashtruesi nuk janë të çiltër.

Të gjitha vajzat janë të mrekullueshme! Prej nga dreqi dalin aq gra të padurueshme?

Të gjithë jemi pjesë e një gjithësie të mrekullueshme.

Të kuptosh gjithçka do të thotë të falësh gjithçka.

Ti je i sinqertë, unë jam xhaxhai yt, ja dy gënjeshtra.

Suksesi ka shumë baballarë, ndërsa dështimi është jetim.

Ruaju nga gratë e këqija dhe nga pranvera e hershme.

Pemës që dëshiron t’i shijosh frutat, mos ia këput lulet.

Përgjigjja më e shkurtër për diçka është ta bësh atë.

Një gardh në mes e mban gjallë miqësinë.

Një vullnetar vlen sa dy të detyruar.

Ngadalësia dhe konstantja fitojnë garën.

Nuk ka shurdh më të madh se ai që s’do të dëgjojë.

Nuk mund të hidhet valle njëkohsisht në dy dasma.

Ndershmëria dhe sinqeriteti, si dy cilësi të krenarisë popullore, në politikë quhen dobësi.

Në Amerikë, presidenti drejton katër vite, shtypi gjithmonë.

Nëse do një pemë, do duash edhe degët e saj.

Nëse këshilla është e mirë dhe e dobishme nuk ka rëndësi kush e jep.

Morali i popujve varet nga respekti që kanë për gratë.

Mos e ndërto portën më të madhe se shtëpinë.

Mund të mos merresh me politikë por ajo merret me ty.

Më mirë të jesh jashtë botës sesa jashtë modës.

Kush tepër përulet, nëpërkëmbet.

Kush krenohet me rrobat, merr famën e rrobaqepsit.

Kishte aq uri, sa nuk mund të priste priftin të thoshte uratën.

Korbi, kur udhëton jashtë shtetit, kthehet përsëri po aq i ri.

Kur dalim në breg, më nuk lutemi.

Kur mësuesit pushojnë, nënat rënkojnë.

Keq kur gruaja di të gatuajë dhe nuk do, po ashtu edhe anasjelltas.

Këshilla e vonuar është si shiu pas të korrave.

Injoranca është një sëmundje vullnetare.

I riu e kërkon lumturinë tek e papritura, i vjetri tek zakoni.

Gruaja dhe anija kurrë nuk janë të pajisura sa duhet.

Gjithë tiranët dhe të ngjashmit kanë besuar në lirinë, por për vete.

Fituesit, jo rrallë shkatërrohen nga fitoret e tyre.

Fyerja më e madhe ndaj të ndershmit është dyshimi për ndershmërinë e tij.

Edhe sikur të rrëzohesha nga mbrapa, njëlloj do të thyeja hundët.

E varfër, dashuria nëse mund të matet.

Deti nuk refuzon asnjë lumë.

Drejtësia që nuk ëshë e njëtë për të gjithë është padrejtësi.

Dashuria është farefis me urrejtjen.

Anglezi do dashurinë, francezi bën dashuri.

Arti është ndërgjegja e njerëzimit, po ashtu edhe pasqyrë jete.

Barkat e vogla duhen mbajtur pranë bregut. Të mëdhatë mund të rrezikojnë më shumë. /shkollaesuksesit/ KultPlus.com

“Një libër, një laps, një fëmijë dhe një mësues mund të ndryshojnë botën”

Mësuesit kanë detyrën fisnike të frymëzojnë nxënësit e tyre. Por kjo ngre një pyetje shumë të rëndësishme: kush do t’i frymëzojë vetë mësuesit?

Pas një jave të lodhshme ju do të donit një frymëzim të vogël në fundjavë për t’ju ndihmuar që të bini përsëri në dashuri me mësimin dhe të mos harroni përse e keni filluar këtë profesion.

Ja disa thënie frymëzuese që e ngrejnë lart figurën e mësuesit, për t’u lexuar edhe nga prindërit dhe fëmijët, që ta vlerësojnë edhe më shumë.

1. Mësimdhënia nuk ka të bëjë vetëm me njohjen e lëndës suaj …

“Ata që dinë diçka, e bëjnë. Ata që kuptojnë “japin mësim”. – Aristoteli

Kjo është gjithashtu përgjigja e përsosur kur ju bëjnë të ndiheni inferiorë.

2. Për ato ditë që ju harroni pse po e bëni këtë punë.

“Një libër, një laps, një fëmi dhe një mësues mund të ndryshojnë botën”. – Malala Yousafzai

Ju do të ndikoni gjithmonë në jetën e dikujt duke bërë atë që bëni. Dhe, kjo është ajo që e bën që t’ia vlejëe gjithë puna që bëni.

3. Arsimi është një themel për një të ardhme më të mirë

“Mësoni fëmijët që të mos mësoni të rriturit” – Abraham Linkoln

Mësimdhënia e vetëdijes emocionale, menaxhimi i konfliktit dhe përgjegjësia sociale i nxit nxënësit të bëhen qenie njerëzore më të mira.

4. Të gjithë dështojnë, pregatituni për dështimin.

“Edukimi është pashaporta për të ardhmen, e tashmja u përket mësuesve që po e pregatisin sot” – Malcom X

Dhe ju jeni përgjegjës për atë përgatitje.

5. Shtrirja e vërtetë e mësimeve tuaja

“Një mësues ndikon në çdo kohë, ai nuk mund ta thotë kur mbaron influenca e tij.” – Henry Adams

Mësimet e tua sot mund të kalohen për breza. Ju nuk jeni vetëm duke i mësuar nxënësit tuaj të tanishëm, por të gjithë njerëzit që do të mësojnë dhe ndërveprojnë me të.

6. Mësuesi Modern

Detyra e një mësuesi modern nuk është të presë xhunglën, por të ujisë shkretëtirën – C.S, Lewis

Mundësia që keni për të edukuar nxënësit dhe për t’u mundësuar atyre që të ndezin flakën brenda tyre për të mësuar është një aspekt thelbësor i mësimdhënies.

7. Sepse mësimi nuk është vetëm një profesion …

“Kuptimi i jetës është të gjesh dhuntinë tënde, qëllimi i jetës është ta ndash atë me të tjerët”. – Pablo Picasso

Ju kërkohet që, çdo ditë, të jepni pjesë të vetes për nxënësit tuaj. Dhe kjo është një dhuratë e vërtetë në vetvete.

8. Nuk janë vetëm studentët tuaj të cilët janë atje për të mësuar

“Pasi të mësoni vetë ju do të jepni mësim, dhe pasi të jepni mësim ju do të mësoni akoma më shumë” – Phil Cholins

Në çdo mësim jepni vetes mundësinë për të mësuar nga klasa, në të njëjtën mënyrë që ata mësojnë prej jush.

9. Mos e harroni këtë herën tjetër që ndjeheni keq për nxitjen e një nxënësi për të punuar vetë

“Fëmijëve mund t’u thuash çfarë të mesojnë, por jo si të mendojnë – Margaret Mead”

Ju nuk do të jeni atje për t’i ndihmuar ata gjatë gjithë kohës; ata duhet të kuptojnë procesin e të mësuarit për veten e tyre.

10. Për shkak se ndodhin ditë të këqija

“Nëse u rrëzove dje, ngrihu sot”-  H.G Wells

Ngrihuni, hiqni pluhurin nga vetja dhe filloni përsëri nga një perspektivë e freskët.

11. Një mënyrë e re për të parë punën tuaj

“Unë nuk jam mësues, unë jam një njeri i zgjuar” – Robert Frost

Zgjoni pasionin që keni për lëndën tuaj, ose për të mësuar, te nxënësit.

12. Mendoni për këtë herën tjetër që do të inatoseni nga një pyetje

“Mos i mësoni fëmijët vetëm të lëxojnë mësimin, mësoni ata të bëjnë pyetje për atë që lexojnë. Mësoni të pyesin për çdo gjë”. – George Carlin

Pyetjet çojnë në: shpikje, zbulime, ndryshime dhe gjithçka në mes. Ndihmoni nxënësit tuaj që të mos pranojnë gjithçka që dëgjojnë ose shohin, si fakt.

13. Dhurata që vazhdon të japë

“E bukura e të mësuarit është që, asnjeri nuk mund ta marrë atë prej teje” – B.B.King

Mësimi i gjërave të reja sigurisht që është emocionuese dhe e frikshme në të njëjtën kohë, por gjithmonë duhet të inkurajohet. Sepse, nëse kjo ishte një përvojë e mirë apo e keqe, një mësim i jetës zgjat përgjithmonë.

14. Për atëherë kur ndiheni sikur nuk ju kupton njeri

“Ne nuk e dimë jetën e kujt do të ifluencojmë, kur dhe si” – Stephen King

Ngrihuni çdo ditë dhe bëni atë që bëni më mirë.

Ju do të ndikoni dikë më mirë se sa e imagjinoni ndonjëherë.

Ju kurrë nuk mund t’i shihni ata duke e hapur dhuratën, por ata po, dhe a ka ngushëllim më të madh se ky. /KultPlus.com

Ky rrëfim duhet të lexohet nga të gjithë mësuesit

Një ditë, një i ri takon një të moshuar. -Më mbani mend? -Jo. -Kam qenë nxënësi juaj. – O gëzohem. Si je? Me çfarë merresh tani? -Jam bërë mësues. -Gjykon se je i mirë në punën tënde? -E vërteta është po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaja.

Kurreshtar i moshuari, pyet të mësoj se çfarë i mbeti në mendje që e frymëzoi në këtë shkallë saqë donte ti ngjante. Dhe i riu i rrëfeu historinë e mëposhtme: -Një ditë një nxënës i klasës që ishte dhe shoku im, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur që mbante në xhep. Nuk ju përmbajtja tundimit dhe e vodha. Pas pak vuri re që i mungonte ora nga xhepi dhe menjëherë njoftoi profesorin që na jepte mësim atë moment në klasë, dhe ishit ju. Ju në vazhdim, iu drejtuat klasës dhe thatë: – Ora e një nxënësi të kësaj klase u vodh në këtë orë mësimi. Kush e vodhi, ju lutem ta kthej menjëherë. – Kur mendova turpin e poshtërimit përpara gjithë shokëve të mi të klases, nuk guxova ta dorëzoja. Pastaj ju mbyllët derën, na thatë të qëndrojmë të gjithë në këmbë sepse do kontrollonit xhepat e gjithë nxënësve derisa ta gjenit. Por vendosët një kusht. Të gjithë duhet ti kemi sytë mbyllur të mos shikojmë fajtorin. Dhe kështu u bë. Kur arritët tek unë, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por vazhduat të kërkonit në xhepat e të gjithëve dhe kur mbaruat thatë: «Dhe tani mund të hapni sytë, Ora u gjend!» Nuk zutë emrin tim në gojë dhe as më tërhoqët vërejtje mënjanë. Prisja të më qortonit dhe të më bënit moral, por as këto nuk ndodhën. Atë ditë, ju shpetuat dinjitetin tim. Ajo ditë, ishte dita më e turpshme e jetës sime dhe më dhatë me mënyrën tuaj një mësim të fortë. E kujtuat tani rastin z. Profesor? -Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ka diçka që nuk më kujtohet, dhe ai je ti, sepse dhe unë i kisha sytë e mi mbyllur kur ju kontrolloja të gjithëve./KultPlus.com

10 shtetet e botës me pagat më të larta për mësuesit

Edukimi dhe arsimimi i brezave të rinj është shtylla kryesore që garanton jo vetëm mbijetesën e një populli, por edhe rritjen e mirëqenies së tij.

Sado të ndryshojnë prioritetet e një qeverisjeje, arsimimi është gjithnjë e aty, njëri prej tyre, madje edhe kur bëhet fjalë për vendet më të zhvilluara të planetit, transmeton “TCH”.

Por cilat janë vendet që vlerësojnë më shumë ata që përhapin dijen tek brezat e rinj?

“World Economic Forum” ka bërë renditjen e 10 vendeve që paguajnë më shumë mësuesit në bazë të të dhënave të publikuara nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, përcjell albinfo.ch.

Në top-10 janë vende të zhvilluara që i kushtojnë shumë rëndësi arsimit. Në vendin e dhjetë është Kanada, ku një mësues paguhet 39 179 dollarë në vit. Para saj janë Holanda, Australia, Spanja, SHBA, Danimarka, Norvegjia dhe Gjermania.

Zvicra ndodhet në vendin e dytë në botë, ku paga vjetorë është 69,865 dollarë, derisa në vendin të parë është Luksemburgu me 79 mijë dollarë.

Renditja

10 – Kanada – Paga vjetore për mësuesit është 39,179 dollarë

9 – Holanda – Paga vjetore për mësuesit është 39,205 dollarë

8 – Australia – Paga vjetore për mësuesit është 40,874 dollarë

7 – Spanjë – Paga vjetore për mësuesit është 42,002 dollarë

6 – SHBA – Paga vjetore për mësuesit është 43,678 dollarë

5 – Danimarka – Paga vjetore për mësuesit është 46,914 dollarë

4 – Norvegjia – Paga vjetore për mësuesit është 47,445 dollarë

3 – Gjermania – Paga vjetore për mësuesit 61,589 dollarë

2 – Zvicra – Paga vjetore e mësuesve në këtë vend është 69,865 dollarë

1- Luksemburg – Paga vjetore e një mësuesi është 79 mijë dollarë. Për ata me përvojë shkon deri në 137 mijë dollarë

Këshillat e Eqrem Çabejit për mësuesit: Mos u merrni me muhabete gjatë punës

Eqrem Çabej ka qenë një arsimtar, gjuhëtar dhe albanolog i shquar shqiptar. Më poshtë ju sjellim letrën që ai ua kishte kushtuar mësuesve, duke ua kujtuar që mësuesia është mision dhe se shembullin duhet ta japin përmes sjelljes së tyre.

Më poshtë letra dhe këshillat e Eqrem Çabejit për mësuesit.

Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut.
Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun.

• Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur.
• Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet.
• Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën.
• Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
• Mos jini kategorikë.
• Gjithçka shikojeni me sy kritik.
• Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
• Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta
• Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
• Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
• Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
• Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
• Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
• Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja më kryesore….