Metal United World Wide, koncerti me famë botërore zbret edhe në Prishtinë

Metal United World Wide (MUWW) II, koncerti me famë botërore që organizohet në 70 shtete e përfshinë mbi 300 bende të ndryshme rock e heavy metal, po organizohet për herë të dytë në Kosovë.

Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, Metal United World Wide II është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e innovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Kjo ngjarje e veçantë e rock dhe heavy metal muzikës do të organizohet më 15 qershor 2019 nga ora 17:00, në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, e ku do të performojnë: Eugent Bushpepa nga Tirana, Sunchair nga Dusseldorf , Jericho nga Prishtina, Harmed nga Budapest, si dhe bendet 4×4, Land of Confusion, Frisson, Krieg, Sotap dhe Shlem, nga Prishtina.

Metal United World Wide (MUWW) ka filluar të organizohet që nga viti 2014 në Australi. Nga viti 2018, në kuadër të MUWW mbahen koncerte të llojit të njëjtë, në të gjithë botën, në të njëjtën datë, të identifikuar me të njëjtin flamur.

Rockuzinë ka kënaqësinë që për herë të dytë ta vendos Kosovën në hartën e MUWW, ku muzika rock e heavy metal bashkon bende, fansa, organizator dhe media duke krijuar një ndejë të komunitetit që tërheq vëmendjen e të gjithëve.

30% e të hyrave nga biletat do të dhurohen për fëmijët e prekur nga sëmundja e leukemisë, përmes Cure2Children Kosove. Çmimi i biletës është 5 Euro, ndërsa në hyrje kushton 8 Euro.

Biletat për koncertin MUWW II mund të blihen në: Rockuzinë (Prishtinë), Dit’ e Nat’ (Prishtinë), MIQT Pub (Prishtinë), Deck (Prishtinë), Check in Bar Ferizaj (Ferizaj), BarAca (Prizren), MuseumPub (Mitrovicë), Bar “Hardhia” (Rahovec), Diesis Music Hall (Tiranë).  /KultPlus.com