Jo vetëm maskë FFP2 dhe dezinfektues duarsh për të mbrojtur një turne nga Covid, Metallica janë grupi i parë që përdor qentë e trajnuar për të nuhatur dhe zbuluar virusin te njerëzit, për të mbrojtur veten dhe stafin e tyre, shkruan Tgcom24, përcjell KultPlus.
E gjitha kjo ka ndodhur falë kafshëve të kompanisë Bio-Detection K9 të Ohajos.
Grupi Metallica u mbështet në hundën e këtyre qenve për koncertet e tyre në Fort Lauderdale dhe Atlanta. Duke pasur parasysh suksesin, ata vendosën t’i përdorin edhe për shfaqjet e tyre të 40 vjetorit në San Francisko.
Në këtë procedurë nuk testohet publiku i pranishëm në koncerte por vetëm ata që punojnë dhe kalojnë në prapaskenë. /KultPlus.com
Grupi “Metallica” e ka zbuluar lajmin se janë duke e rishkruar hitin e tyre “Nothing Else Matters” për filmin e ardhshëm të studios Disney, “Jungle Cruise”.
Në një intervistë të fundit, bateristi i bendit Lars Ulrich foli për transformimin e këngës së vitit 1992, në një projekt orkestral për filmin e ardhshëm hollywoodian, ku luajnë aktorët yje, Dwayne “The Rock” Johnson, Emily Blunt dhe Jack Whitehall.
“Ideja ka ardhur nga drejtori prodhimit në studion Disney, Sean Bailey, i cili është adhurues i kamotshëm i muzikës rok, dhe në përgjithësi shquhet si një prej njerëzve më të mirë, të shoqërueshëm, zemërgjerë, të ngrohtë dhe të dashur në industrinë e muzikës. Mendoj se ai gjithnjë ka qenë adhurues i zjarrtë i grupit ‘Metallica’, dhe kështu kemi arritur ta njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Unë dhe bashkëshortja ime jemi fansa të mëdhenj të filmave nga Disney, dhe kështu kemi arritur ta krijojmë një raport shoqëror. Ai gjithnjë është munduar ta gjejë mënyrën e duhur në të cilën ‘Metallica’ do të mund të kontribuonte në disa projekte të tyre”, transmeton KultPlus.
Ulrich tutje shpjegoi se anëtarët e bendit nuk kanë dashur t’iu ikë mundësia për të punuar me kompozitorin e nominuar tetë herë për “Oscar”, James Newton Howard, i cili e ka bërë aranzhimin e ri këngës “Nothing Else Matters” për ta përshtatur me filmin.
Hiti i padiskutueshëm “Nothing Else Matters” ishte lansuar në vitin 1992, dhe ishte kënga e tretë e albumit të vetëtitulluar të bendit, njëherësh i pesti i incizuar në studio.
Ndërkohë, vokalisti i grupit “Metallica”, James Hetfield, së fundmi ka folur për karantinën me ç’rast ka treguar se e ka shfrytëzuar këtë kohë të lirë, për të shkruar këngë të reja.
Hetfield ka qëndruar në shtëpinë e tij në Colorado prej se pandemia e koronavirusit shpërtheu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mars të këtij viti. Gjatë gjithë këtyre muajve këngëtari dhe muzikanti i njohur, është munduar të qëndroj sa më kreativ./ KultPlus.com