Festivali i dramës shqipe startoi mbrëmë edicionin e parë në skenën e teatrit të Metropolit. Në këtë edicion të parë të festivalit, i cili mbahet në datat 1- 4 nëntor janë përzgjedhur vepra si “Loja e Mbasdrekës” e Martin Camaj, “Armiqtë” e Shpëtim Ginës, “ I biri i Begut” e Milo Duçit.
Pjesë e festivalit është dhe shfaqja “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit me regji nga Milto Kutali, si dhe disa pjesë inskenim të “Njollat e murrme” e shkruar nga Minush Jero dhe regji nga Sonila Kapidani. Gjatë ditëve të festivalit do të ketë edhe dy lexime veprash, “Foleja Kombëtare” nga Lumo Skëndo si dhe “Prangat” nga Halil Laze dhe pas çdo shfaqjeje do të organizohen panele diskutimesh për çdo vepër përkatëse. Sipas drejtoreshës së teatrit Jonida Beqo, “Metrofest” do të jetë festival i përvitshëm i Teatrit Metropol, i cili do të ofrojë në çdo edicion të tij, eksplorimin e një aspekti të ndryshëm të teatrit.
“Jemi shumë të entuziazmuar që këtë edicion të parë vendosëm që të hulumtonim disa nga veprat shqiptare të arkivave, të cilat për një arsye ose një tjetër nuk e kanë prekur kurrë skenën. Fokusi ynë, është te krijimi i një marrëdhënie të shëndetshme me veprën shqiptare”, tha drejtoresha Jonida Beqo.
Veprat vihen për herë të parë në skenë nga regjisorët, platformat e të cilëve janë përzgjedhur gjatë audicionit në Teatrin Metropol. Përkatësisht “Loja e Mbasdrekës” nga Martin Camaj, e cila në skenë erdhi mbrëmë më regji nga Shkëlzen Berisha, vepra e dytë është “I biri i Begut” Milo Duçi dhe do të jetë në skenë në ditët e festivalit me regji nga Joana Omeraj si dhe vepra e ndaluar e Shpëtim Ginës me titull “Armiqtë”, që do të vihet në skenë nga Xhuljano Brisku.
Drejtoresha Jonida Beqo tha dje se regjisorët u përzgjodhën si rezultat i këndvështrimit që kishin mbi pjesët shqiptare. “Në fillim të pranverës ne shpërndamë këto tekstet për të na paraqitur më pas secili platformën e tij regjisoriale. Si pjesë integrale e punës me veprën shqiptare dhe teatrin shqiptar, pyetja e vazhdueshme është se kush do ta trashëgojë dramë shqipe, kush po vjen tani e kush do të vij më pas, kush do vazhdojë këtë punë e kush do ta çoj më tej? Tre regjisorët e veprave shqiptare u përzgjodhën si rezultat i këndvështrimit që kishin mbi këto vepra”, vijon drejtoresha e teatrit Jonida Beqo.
“Loja e Mbasdrekës”
“Loja e Mbasdrekës” me autor Martin Camaj dhe regji nga Shkëlzen Berisha u luajt në skenë nga emra aktorësh të njohur të teatrit si dhe të rinj. Rolet në vepër u interpretuan nga Mehmet Xhelili, Ema Vogli, Julinda Emiri, Ketjona Pecnikaj, Engjëll Hoxha, Shkëlzen Berisha, Besmir Bitraku, Ergys Bamçi. Kostumografia nga Ina Elezi dhe skenografi Hysni Loka. Drama “Loja e mbasdrekës” e autorit Martin Camaj ka në qendër të saj një fenomenin e gjakmarrjes. Është shkruar në vitin 1981, dhe është botuar në vitin 1995. Ngjarjet në veprën “Loja e Mbasdrekës” zhvillohen në një fshat të malësisë së Dukagjinit, duke nxitur ndjesinë e lartësisë që vjen prej klimës së alpeve. “Loja” përdoret me mjeshtri në këtë shfaqje si nocion që e vendos njeriun mes “sajimit” dhe “së vërtetës”. E konsideruar nga regjisori jo vetëm si proces krijues, por si proces kulturimi e zgjerimi të dijeve gjuhësore, historike e sociale, puna për realizimin e kësaj shfaqjeje ka qenë një rrugëtim mjaft i fuqishëm dhe nxitës që ngre pyetje që çojnë në një hapësirë të re thellimi e jo që gjen dhe jep përgjigje statike: Çfarë është drejtësia? Çfarë është padrejtësia? Cila vijë i ndan këto të dyja e si gjendet individi dhe subjektiviteti i tij mes këtyre rrjedhave kur hapësirat e ligjit të shkruar dhe ligjit zakonor thërrasin për interpretim?(Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com