Uranik Emini
<<Fantashkecna>> si definicion paraqet një formë të trillimeve që merret kryesisht me ndikimin e shkencës aktuale ose të imagjinuar mbi shoqërinë ose individët. Njerëzit e mbledhur në katin e nëntë të Hotelit Grand në Prishtinë, “udhëtuan” në kohë në vitin 1913, atëherë kur më 10 korrik në Luginën e Vdekjes u regjistrua edhe temperatura më e lart e ajrit në planet. Ky kat, mirëpriti një numër të konsiderueshëm njerëzish, të cilët u mblodhën për të parë nga afër performancën e Mette Sterre përmes veprës së saj “Seapussy Power Galore – Abcession (If you don’t know, you don’t grow), shkruan KultPlus.
Edhe pse në Grand Hotel ishin të ekspozuara një numër i madh ekspozitash e veprash të ndryshme, ambienti i shfaqjes “Sea Pussy Power Galore”, dallonte shumë nga të tjerat. Njësoj sikurse që dallonte edhe artistja Mette Sterre, ndryshimi i saj metamorfoizik ishte afër të ndodhte.
Sikurse një drejtëz pingule, thjeshtësia dhe fantastiko-shkencorja po prekeshin në një vijë. As një zë nuk dëgjohej nga artistja e veshur me një fustan të kaltër, e cila filloi që me të hyrë në sallë të ulte publikun në tokë dhe kësisoj të fillonte edhe performancën e saj. Interaktiviteti, si pjesë thelbësore e shfaqjeve, u paraqit edhe këtu, atëherë kur artistja mori një person nga publiku dhe e dërgoi atë në derën e daljes emergjente, e se çfarë ndodhi aty, nuk u bë e ditur.
Menjëherë pas daljes së tij, asistenti i artistes, i paraqitur si mjek, ka dalë nga dhoma dhe ka nisur të lyejë me vaj artisten, e cili ishte vendosur në dyshek.
E gjithë arsyeja pse njerëzit ishin mbledhur po fillonte të dilte në pah, atëherë kur Merre u fut në botën e një sirene, në diçka që nuk është as kostum e as veshje, por kuptimi thelbësor i asaj qënie ka të bëjë me mënyrën se si gratë dhe njerëzit në përgjithësi e shohin veten. Ka disa thumba, disa maja, disa gjëra të tjera të cilat shpesh herë mund të duken edhe të gërrditshme, por janë pikërisht gjëra që na përfaqësojnë.
Krijuesi i Star Trek, film në të cilën artistja tregon se është inspiruar, tregon se e ardhmja që Gene Roddenberry përfaqëson supozohet të jetë utopike. Pra, një faqe bindëse për të vlerësuar ankthet tona për trupat postnjerëzor dhe rolin e gjinisë në një të ardhme të idealizuar. Vizioni i Star Trek për një të ardhme utopike përfshin të drejta të barabarta për të gjithë, përkufizimin e feminizmit. Ndonëse nuk ishte gjithmonë plotësisht i suksesshëm, shfaqja shpërtheu duke i shtyrë vazhdimisht stereotipet e dëmshme dhe duke krijuar gra të fuqishme.
Paraqitja e parë në Kosovë
“Vepra ka të bëjë me gjërat që ia përshtatim ne vetes, përfshirë punën tonë ritmike, trurin tonë dhe përmes tyre edhe e formësojmë veten”, thotë ajo mes tjerash.
Tutje, vazhdon duke treguar se përpos gjërave tjera edhe rrjetet sociale mund të jenë problematike për njerëzit.
“Mund të jenë rrjetet sociale, por edhe gjërat që ne vet i krijojmë, i mendojmë shumë. Për gjërat që ne ndikohemi nga to dhe këtu e shoh një perspektive feministe”, përmend Sterre.
Vepra e “animuar“
“Kam krijuar një masë trupore, s’është kostum, as veshje, por mundëson të qenët nga një botë tjetër”, shprehet ajo për veprën e cila është shumë karakteristike dhe komplekse në pamje. Në të ka shumë utopi dhe distopi. Ka elemente të fantashkencës në të, por më së miri kuvendon ideja e spekulimit të shndërrimit në një qenie tjetër. Është edhe e bukur edhe neveritëse në të njëjtën kohë. E dua atë. Ne mund të mbesim shtatëzëna dhe trupi ynë është i lidhur me hënën dhe detin. Ka shumë gjëra që ndryshojnë brenda nesh”, thotë ajo.
Shfaqje që shikohet vetëm një herë
Marie Rose Frigiere, si pjesë e publikut, thotë se kjo shfaqje mund të shikohet vetëm një herë në jetë.
“Ajo edhe ka aktruar në këtë performancë. Andaj duhet të shihet edhe puna e saj (vepra) por edhe aktrimi për të kuptuar mesazhin”, shprehet turistja nga Franca.
Ajo ndan përvojat e veta me skenat humoristike të viteve 60-ta, të cilat i ka në kujtesë akoma dhe gjithashtu edhe pjesë të “science fiction”, si pjesë e pandashme e jetës së saj.
Aventura e parë në Kosovë, por e dyta në “Manifesta”
Frigiere rrëfen se kjo është hera e saj e dytë rresht që viziton “Manifestën”, derisa tregon edhe dallimet e vështirësitë mes edicionit në Marsej të Francës dhe këtij në Kosovë.
“Këtu është ‘wouw”, thotë ajo për edicionin e 14-të të “Manifestas” në Kosovë. Pranon se ka dallime në organizim prej edicionit paraprak në Marsej. “Kemi pasur shumë probleme nga periudha pandemike. S’ka qenë e lehtë për ta. Është mundësi e mire që përmes ekspozitave të mësohen storjet jo veç për Kosovën por edhe për Ballkanin”.
“E (pa)njohur në një vend të dashur”
Edhe pse ndjehet si e huaj në Kosovë, ajo kujton që në momentin e parë kur ka arritur këtu, një person e ka përshendetur, mes tjerëve, dhe për këtë gjë është ndjerë shumë e lumtur.
“E dua Kosovën, jam duke kaluar kohë shumë të mire, eksperiencë bujare. Njerëzit janë shumë të mire, të gjithë duan të të flasin dhe të kënaqen me ty”, përfundon ajo.
Zhanri i fantashkencës ka shërbyer prej kohësh si shembull i orientimeve seksuale dhe/ose identiteteve gjinore alternative, duke e bërë atë mjetin e përsosur për të shprehur shqetësimet rreth kulturave dhe praktikave të njëanshme gjinore. / KultPlus.com