‘’La Femme’’, projekti për gratë kompozitore nga e gjithë bota i realizuar me mjeshtëri nga Flaka Goranci e cila është producente, kompozitore dhe këngëtare e këtij projekti të madh, po vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja, përderisa është shprehur se përmes këtij projekti ka dashur të sjell në vëmendje historitë inspiruese dhe muzikën e mrekullueshme nga gratë kompozitore nga vende të ndryshme të botës.
Ky program është pjesë e CD-së “La Femme” të prodhuar nga Naxos Deutschland dhe i nominuar nga çmimi i madh Internacional Opus Klassik në kategoritë “ Këngëtarja më e mirë e vitit”, “Klasik pa kufinjë” si dhe “videoklipi më i mirë”.
Ky koncert është pjese e turneut të “La Femme” dhe përmbyll Javën Kulturore Ndërkombëtare, të organizuar nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe Ambasada Austriake në Tiranë.
“Jam e nderuar të përmbyllim Javët e Kulturës me një program që sjell një mesazh kaq të madh për botën, sidomos në këto kohë të vështira”, është shprehur mezosopranoja Flaka Goranci.
Ky koncert do të udhëhiqet nga dirigjenti Konstantinos Diminakis dhe do të luaj Orkestra simfonike e forcave të armatosura.
Koncerti mbahet ditën e martë, 31 tetor, në ora 19:00, në Hotel Rogner, Salla Antigonea në Tiranë. / KultPlus.com
Një frymë muzikore me një pjekuri artistike të arrirë nëpër teatro të ndryshme ndërkombëtare, e ka sjell mbrëmë mezosopranoja Flaka Goranci, në një skenë modeste, në hapjen e edicionit të gjashtë të “PriVocalFest”, në bashkëpunim me dirigjentin Kushtrim Gashi dhe Ansamblin PriModern, shkruan KultPlus.
Skena modeste siç është ajo e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, nuk ka qenë pengesë që artistët e dëshmuar, të arrijnë të sjellin dhe t’i integrojnë publikut ato vlera që tashmë janë ngjizur me identitetin e tyre artistik.
Hapja e edicionit të gjashtë të këtij festivali, i cili do të mbahet deri më 14 tetor, u bë nga moderatoret Dea Xhemaili dhe Lirojna Sylejmani të cilat përshëndetën të pranishmit dhe ndër të tjerë falënderuan mediumin KultPlus i cili është edhe sponsor medial i festivalit.
“PriVocalFest tash e gjashtë vite mbetet një ngjarje e veçantë që krijon platformë të mrekullueshme për artistët e muzikës vokale, duke e ndarë zërin e tyre me audiencën dhe për të ndërthurur emocione për muzikën. Në këtë edicion kemi të ftuar kryesisht artistë shqiptar por edhe ndërkombëtar, që më paraqitjet e tyre kanë shkelur skena të mëdha prestigjioze. Por, patjetër duke i promovuar edhe artistët e rinj duke inkurajuar për zhvillimin dhe rritjen e tyre artistike”, bënë të ditur vajzat duke ja lënë radhën artistëve që po prisnin fillimin e koncertit.
Pas pak, në sallën e mbushur plot, kumboi një tingull i cili krijohej nga instrumenti goditës (Perkusion), i cili fokusonte mendjen e audiencës dhe ishte njëfarë forme si parapërgatitje për atë që do të interpretohej më pas.
Koncertit iu shtua dramaciteti, kur mezosopranoja Flaka Goranci, duke lëvizur gishtërinjtë rreth një gote të qelqtë të mbushur me ujë, nxirrte disa tinguj që ngjallnin mister. Një tingull tjetër i nxjerr nga instrumenti goditës i dha leje solistes që interpretimi të filloj në një mënyrë më konstante, të cilën publiku e ndiqte me shumë përkushtim.
Pika pasuese u dha nga Ansambli Primodern, në qendër të cilit interpretim u vendosen dy flautiste, të cilat interpretuan pika të njëjta njëkohësisht, gjë që bëhej më e dukshme në çastin kur ato interpretonin nota të ndryshme.
Në një cikël të këtij interpretimi në skenë doli përsëri mezosopranoja Flaka Goranci e cila me shikime të mprehta, me lëvizje trupore të koordinuara me zërin e saj dhe tingujt e instrumenteve, i jepte madhështi këtij koncerti.
Krejt në fund të koncertit, pas duartrokitjeve të shumta, një pikë interpretuese i’u përsërit publikut në sallë, i cili pafund e shijoi koncertin.
Përgjatë kësaj mbrëmje u dhanë edhe dy çmime për kompozitorët e rinj Dea Ahma dhe Ersan Januzi, nga drejtori artistik i festivalit Hajrullah Syla.
Ndërsa solistja Flaka Goranci, tha se këtë koncert ia dedikon shoqes dhe koleges Diellza Sylejmani.
“Ky muaj konsiderohet muaj rozë dhe ne kemi vendosur që t’ia dedikojmë shoqes dhe koleges tonë Diellza Sylejmani e cila është diagnostifikuar me kancer të gjirit. Diellza është shumë e fortë dhe të gjithë e dimë këtë. Ajo është një shembull shumë i mirë edhe për gratë e tjera”, tha Goranci.
Ndërsa krejt në fund në një prononcim për KultPlus, mezosopranoja u shpreh që ishte nder për të që shënoi hapjen e edicionit të gjashtë të “PriVocalFest” dhe se ishte shumë e kënaqur me rezultatet e performancës.
“Koncerti ka shkuar mjaftë mirë, kemi pasur një publik shumë të ngrohtë, po ashtu kemi pasur një ansambël shumë të mirë, shumë profesional. Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe të punoj me Kushtrimin pas një kohë të gjatë. Me të vërtetë ka qenë nder për ne të shënojmë hapjen e Festivalit”, tha Goranci e cila potencoi edhe faktin se interpretimi në vendin e lindjes, aty ku kthehesh të rrënjët dhe merr ngrohtësinë e publikut nuk lejon që artisti të vë re mungesën e kushteve të performimit.
“E di që është një skenë modeste, është shumë modeste në fakt, mirëpo është diçka tjetër që kur kthehesh në vendin tënd, ndoshta njeriu nuk i sheh këto modestitë dhe nuk pretendon shumë, por është kënaqësia që me të vërtetë kthehesh në rrënjët e tua, në vendin tënd, tek njerëzit e tu. Dhe kjo ka pasur rëndësi sonte”, tha Flaka Goranci e cila ishte ndarë e kënaqur me performancën edhe për shkak të profesionalizmit të kolegëve të saj.
Ndërsa dirigjenti Kushtrim Gashi, po ashtu ndihej i kënaqur me koncertin nga reagimi i publikut, edhe pse sipas tij profesionistët asnjëherë nuk ndahen të kënaqur me atë që sjellin duke tentuar të kapin perfeksionin.
“Besoj që në përgjithësi atmosfera ishte e mirë, sidomos tash në fund. Ne si muzicient ose si profesionistë, vrapojmë shumë pas perfeksionit dhe ndoshta kjo prish edhe shumë gjëra. Mendoj që ne (sipas një teorie të pashkruar) s’kënaqemi me atë çka bëjmë. Por kur publiku e pret mirë, natyrisht që edhe ne e presim mirë”, tha dirigjenti Gashi.
Ai më tutje bëri të ditur se Ansambli PriModern është themeluar veçanërisht për këtë edicion të “PriVocalFest”, veprimtaria e të cilit do të vazhdoj edhe më tej, me fokus te muzika e shekullit XX-të.
“Ansambli është themeluar ekstra për këtë koncert dhe ansambli do të vazhdojë të funksionoj. Do të thotë festivali ka qenë si nismë e tij, dhe ne do të mbetemi si ansambël, dhe do t’i dedikohemi kryesisht kësaj muzike të shekullit XX ose fundit i shekullit XIX-XX deri në XXl”, përfundoi dirigjenti Gashi, i cili ishte ndarë i kënaqur me performancën e ansamblit me të cilin kishin bërë prova intensive gjatë tre ditëve të fundit.
“PriVocalFest” para publikut do të sjellë edhe gjashtë koncerte të tjera të cilat do të jepen para publikut deri më datën 14 tetor. / KultPlus.com