Teatri Kombëtar i Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës, Filarmonia e Kosovës dhe pesë institucionet e tjera qendrore të kulturës rrezikojnë të mbesin pa një pjesë të mjeteve për projektet e tyre. Të paktën disa prej tyre nuk mund të llogarisin në buxhetin që u është ndarë në fillim të vitit.
Pa kurrfarë njoftimi paraprak, Ministria e Kulturës ka sakrifikuar buxhetin e tyre në mënyrë që t’ua rrisë pagat krijuesve, performuesve e punonjësve institucionalë të trashëgimisë kulturore. MKRS-ja ka futur dorën në kuletën e institucioneve që ministri Kujtim Gashi ta mbajë fjalën për rritjen e pagave, që u festua e u promovua me dy konferenca për media e me aheng.
Tetë institucionet qendrore të kulturës, sipas Ligjit për buxhetin e këtij viti, kanë pasur 2 milionë e 85 mijë euro. Por ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka vendosur që ta përdorë një pjesë të këtyre mjeteve për tjetër destinim. Nga nënprogrami “Përkrahja institucionale për kulturë” janë tërhequr 36 mijë e 872 euro në mënyrë që punonjësve t’u rriten pagat e tetorit. Nuk kanë mjaftuar kaq. Është dashur të gjenden edhe 9 mijë e 812 euro. Për këtë janë përdorur mjetet e nënprogramit “Mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore”. Këtë MKRS-ja nuk e ka barë publike në asnjërën prej tri ngjarjeve të mbajtura për ta kumtuar lajmin e rritjes së pagave.
“Nuk është prekur asnjë projekt. Ministria e Financave i ka ekzekutuar pagat me rritje”, i kishte thënë ministri Gashi gazetës në ditën e parë të nëntorit pas asaj që ishte quajtur konferencë solemne për media me rastin e ekzekutimit të pagave me rritje.
Por Ministria e Financave ka dhënë një tjetër version.
“Buxheti për rritjen e pagave për punonjësit në fjalë është marrë nga buxheti i nënprogrameve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pikërisht nga nënprogrami ‘Përkrahja institucionale për kulturë’ dhe nënprogrami ‘Mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore’, shkruhet në përgjigjet që gazetës ia ka përcjellë në formë elektronike shefi i Divizionit për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini. Në përgjigje sqarohen shifrat që janë tërhequr nga këto nënprograme. MF-ja nuk e di se çfarë do të bëjë MKRS-ja me minusin e krijuar në këto nënprograme, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com