Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u hap sot ekspozita “40 Vjet Histori në Vendin e Shqiponjave”.
Kjo ekspozitë përmban katër dekada rrugëtim përmes imazhesh nga fotoreporteri i njohur francez, Michel Setboun.
Eridana Çano, Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, duke çelur këtë ekspozitë tha se, “në fundvitin ’90 Tirana kryeqyteti i një vendi të varfër si Shqipëria po jetonte mes dy epokave komunizmit në shpërbërje dhe hapave të parë të vendosjes së demokracisë. Falë pamjeve dhe fotografive të kohës sot e kemi kujtesën e atyre viteve ku Shqipëria po ndryshonte rrjedhën e historisë”.
“Sot i shtojmë këtij arkivi dhe kujtesën e fotoreporterit të mirënjohur Michel Setboun, një nga dokumentuesit më të vëmendshëm dhe më këmbëngulës të historisë së Shqipërisë, i cili ishte aty për të na dëshmuar këtë pjesë të historisë, kalvarin e gjatë të vuajtjeve, deri në eksodin e madh, zgjedhjet pluraliste të vitit 1991 dhe përballjen e popullit shqiptar me kapitalizmin”, tha Çano.
Ndërsa fotoreporteri Setboun duke falënderuar kryeministrin Edi Rama që besoi tek ky projekt, u shpreh se, “ky nuk ishte një udhëtim vetëm në një vend, ishte udhëtim në humanitet, sepse mora dëshminë e gjithë këtyre njerëzve dhe historia e tyre është kaq emocionale, sa nuk e imagjinoni dot”.
“Të gjithë kishin diçka për t’u thënë pjesës tjetër të popullit shqiptar. Shqipëria mbetet një vend interesant edhe sot, tërheqës, pasi edhe gjatë asaj kohe njerëzit kanë qenë kaq të mirë me mua”, tha ai.
Me anë të kësaj ekspozite fotografi francez Michel Setboun rikthehet në vendin e shqiponjave, përmes çasteve mbërthyer në kohë si gjurmë që rrëfejnë.
Kjo është një ekspozitë e realizuar përmes shenjave fotografike, si një tjetër dëshmi të multidimensionalitetit të jetës në Shqipëri.
Ekspozita do të vijojë të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 janar 2021 në ambientet e COD. /a.a/r.e/ KultPlus.com