Kelmendi: Me dhunë nuk mbrohet gjuha

Nga: Migjen Kelmendi

Nuk isha këndej dhe me vonesë e lexova nji artikull të nji gazetareje amatore se si po e (dez)informonte opinionin kosovar në gazetën Zëri, përmes artikullit “Përdhunuesit e gjuhës do të ndëshkohen me ligj”.

Jo se nuk isha i informuem për iniciativën, sepse miqtë e mi në Tiranë me kishin marrë në telefon menjihere dhe më kishin tregue për nji iniciativë të nji dore pleqsh komunistë, të cilët kanë pësue nji teptisje iracionale atavizmash enverian, dhe në vend se me u ballafaque me fuqinë e argumentit kundër tanë atyne që e kontestojnë Standardin e vitit 1972, kërkojnë me u kapë për ‘alltia’ pushtetare.
Dikush duket se edhe i gëzohet kësaj dhune, ose ma mirë me thanë dëshire për me i dhunue tanë ata që mendojnë dhe e kuptojnë e perceptojnë ndryshe ate që ndër ne asht ba zakon me u quejt “Gjuhë Shqipe”, në vend se “Standard i Shqipes”.
Dhe, keqkuptimi i parë mbrenda kulturës sonë lind nga keqkuptimi i kësaj fjale – “Gjuha Shqipe”.
Çka queni ju “Gjuhë Shqipe”?
Ose ndoshta këte pyetje duhet me ja adresue tanë kulturës shqiptare, e cila në vend se me u mundue me e demokratizue dhe me e ba publike këte pyetje dhe çashtje përmes debateve dhe nji diskutimi publik, don me iu bind inciativave të dofarë pleqve të rrokatun që në mungesë argumentesh, mendojnë se me kamxhi e me allti munden me i zgjidhë problemet në gjuhë.
Po le t’i kthehemi pyetjes: Çka queni ju “Gjuhë Shqipe”?
Nëse Gjuhë Shqipe ju queni Standardin e vitit 1972 (sic!), mendoj se bani nji nga gabimet ma të mëdha që nji kulturë mundet me ia ba vetvetes, e nji gjuhëtar mundet me ia ba kredos së vet profesionale.
Nëse me ligj ju mendoni se mundeni me e heshtue e me e nemit Gjuhën Amtare të katër milionë shqiptarëve tjerë, të cilët rastësisht shqipen e kanë të nji tingëllime e shqiptimi tjetër, mendoj se jeni tue e ba nji nga dhunimet ma të mëdha që dikush mundet me ia ba
këtyne njerëzve. Sepse, gjuha jemi na vetë. Ua ndalove atyne, neve, Gjuhën Amtare me ligj, ju automatikisht ua dhunoni nji nga të drejtata themelore njerëzore të tyne.
Por, nuk po due me u zgjatë, sepse iniciativa si e tillë duket joserioze dhe natyrisht se JAVA ka me e informue këte opinion thellësisht dhe thelbësisht për çkado që mundet me u shfaqë nga kjo iniciativë. Por, argument ma të fuqishëm se sa të paargumentuem e fragjilë janë në mbrojtjen e Standardit të vitit 1972 jo vetëm këta pleq të rrokatun, por edhe tanë tjerët që me heshtje i kontribuojnë kësaj, flet bash kjo iniciativë, e cila nuk ngritë argumente për mbrojtje por – dhunë.
Po sa për dhunë, më duhet me ua kujtue, jo vetëm këtyne pleqve andej, por edhe të gjithë tjerëve që mendojnë se dhuna asht zgjidhja e kësaj çashtje, se Enveri ka vdekë, se ky nuk asht viti 1972, dhe se çfarëdo iniciative nuk ka me mbetë pa u ba shoshë nga pyetjet dhe argumentet e kundërta të nji opinioni qytetarësh.
Çfarëdo iniciative e cila kishte me qenë ligjore në esencë, mundet me u kuptue vetëm mbasi së pari të ishte deblokue dhe detabuizue Standardi i vitit 1972, të kishte pasue nji debat i gjanë me participimin e tanë njerëzve t’interesuem (jo vetëm gjuhëtarësh), dhe vetëm mbasi t’ishin ballafaque argumentet “pro” dhe “contra” në nji diskutim transparent publik. Dhe, mbas tanë kësaj, kur nga ai debat t’ishin emanue vendimet dhe t’ishte ekstraktue nji si projektligj (i cili po ashtu kishte me ju nënshtrue nji debati të gjanë) në mbrotje të asaj që kishim me e quejt jo “Gjuha Shqipe”, po “Standardi i Gjuhës Shqipe”, atëhere mundeni me thanë se kjo asht iniciativë demokratike në shërbim të përgjithshëm.
Kështu si u prezentue, kjo s’asht tjetër pos vagabondizëm i pleqve të rrokatun kaplue atavizmash enverian. E ky standard i vitit 1972 s’ka shpëtim, veç vonim. Edhe nji argument shtesë jemi për këte asht – dhuna e kërkueme për me e mbrojtë standardin e vitit 1972!

(31 korrik 2003) / KultPlus.com

Kur e kujtoj babën…

Shkruan Migjen Kelmendi.

Kur e kujtoj baben, ajo qe me ban me mendue asht ku e ka burimin kreativiteti: ne talent apo ne nxanje?

Talenti a asht i lindun apo asht i nxanun? Msohet?

Ne familjen tone para Ramizit nuk kishim njerez te shkolluem. Kishim njerez qe kane dijte me fitue dhe me mbijetue.

Ramizi, baba jem, me 15 vjet, ne vitin 1945, e shkruen nji poezi fatale per lirine dhe e boton fletushken “Drita e Lirise” me grupin patriotik te Pejes, e cila u shpall antijugosllave edhe antikomuniste.

Ishte grupi qe po gjykohej bashke me Marije Shllakun dhe bashkeluftaret e saj per idene e bashkimit te Kosoves me Shqipnine mbas Luftes se Dyte Botnore.

Ali Shukrija, prokurori qe po i gjykonte, nuk ka besue se ate vjershe mundet me shkrue nji djal rugovci me 15 vjet. Ishte koha kur ne Kosove 95 perqind e popullates ishte analfabete. Ali Shukrija kerkon prej Ramizit ne gjykimin publik qe u mbajt ne Prizren, me pranue se poezine e ka shkrue mesuesi i tij Isak Çavolli, sepse donin me e burgos per idete e tij. Por Ramizi kambengul se e ka shkrue ai.

Nuk vonoi dhe fakti se Ramizi shkruen dhe shkruen bukur u deshmue me krejt karrieren e tij, e cila filloi me fletushken antikomuniste “Drita e Lirise” dhe perfundoi me nji opus letrar pa te cilin nuk kuptohet Kosova e mbas Luftes se Dyte Botnore, e as kryeqyteti i saj – Prishtina.

E tha per bukuri shkrimtarja Natasha Lako, qe Ramiz Kelmendi ishte “njeri i kryeqyteteve”. Themelues i Prishtines kryeqytet, bashke me krejt gjeneraten e tij, sepse asht kultura, fryma ajo qe nji qytet e ban me qene kryeqytet.

Ky gjykim ne Prizren, ku u dhane edhe denime me vdekje ndaj Marijes dhe bashkeluftareve te saj, dhe burg per krejt grupin e Pejes, diqysh e ban Ramizin me u formue nen hijen e ndjekjes. Ai shkruente a thue se çdo çast dikush mundet me e kerkue dhe me e burgos. Ndoshta kjo edhe e ka ba me pase nji opus letrar aq te begate.

Ai ishte pak i preokupuem me ndjekjen, me ndjeksit…me ata ‘shtate persona qe e ndjekin autorin’. I mendonte te shemtuem, agjenta, qe gjithmone e survejojne, qe e dijne çka o ka ban.

Kur mbas shume vjete i kam kallxue se nji nga ata qe e kane ndjeke dhe e kane ‘mbulue’ nuk ka qene i shemtuem e as serb, po ka qene miku i tij ma i afert, “esmer”, ai nuk e besonte ne fillim. Ja kishin thane edhe tjeret, por ai nuk donte me besue. U zhgenjye shume, por nuk e nderpreu komunikimin me te.

Dhe ketu vijme te ajo qe Ramizin e ka dallue: intelegjenca e tij emocionale.

Ai i ka dasht njerezit. Ka besue ne ta. Depertonte lehte ne zemrat e tyne, ne intimitet. Nuk e ka pase per zor me jau thane fjalet e mira. Ndoshta i zhveshun nga ambiciet politike, ai i shihte njerezit nga ana e tyne e mire…nuk i interesonte kafsha politike mbrenda tyne. Prandaj edhe ata e donin.

Ai i shprehte emocionet, nuk ka dijte me i mshef…

Aq i dalluem u ba ne fjalet e tij te mira sa e ftojshin me i thane fjalet e fundit ne vdekjen e miqve te tij, te cilat familjet i ruejn edhe sot e kesaj dite. Ai dinte me ta thane fjalen e mire. Fjalen e dashtun. Fjalen e respektit. Diçka kaq e rralle sot.

Nji mik i tij tha me nji moment, kaq bukur po i shkruen Ramizi fjalet e fundit, sa po kam deshire me vdeke, qe Ramizi me m’i thane fjalet e fundit.

Dhe nese ka nji fjale qe e perkufizon Ramizin asht fjala – dashni!

Ne familje, sot mbas 1 viti prejse nuk asht me ne, jemi plot mall e kujtime, jemi te lumtun qe ishte i joni, dhe krenar qe sot i takon te gjitheve.

Historia e rock bendit ‘Gjurmët’ vjen edhe nëpërmjet librit

Libri i cili sjellë kontekstin kulturor, politik e shoqëror të kohës kur grupi ‘Gjurmët’ ka vepruar, “Gjurmët Long Play”, me autor liderin e grupit Migjen Kelmendi, promovohet këtë të enjte, përcjellë KultPlus.

Libri në anglisht e në gegnisht ka qenë pjesë e një kutie multimediale me CD, hartë të qytetit, poster e artefakte tjera që ishte botuar në vitin 2001.

Të enjten promovohet ribotimi i po këtij libri, që u mundësua me ndihmën gjeneroze të Fondacionit “Un e du Kosovën”, si botim i Java Multimedia Production dhe vjen me një standard të lartë hard-cover, me shumë foto kolor e bardh-e-zi, shtypur në Vjenë.

“Si asht jetue, si asht dashunue, si asht knue e si jane veshe e cullakue, si asht shkrue e fole ne kohen kur grupi Gjurmet i ka krijue kanget e veta ne ish Jugosllavi. Ku mbeti lumi i Prishtines, ku mbeten serbet dhe serbët me te cilet shqiptaret kishin jetue bashke, qysh u ‘ngrine’ e u ‘koçiten’ kur vdiq Josip Broz Tito, qysh u pa shembja e Jugosllavise se Titos ne skenen e rock’n’rollit, ku humben traktorat “Ferguson”, çka u ba me kredite 1 me 3, e shumeçka qe e ka determinue kohen kur Migjeni, Bekimi, Tomorri, Petriti e Armando ‘cepatshin’”, shkruan në event.

Parathëniet për ribotimin e librit “Gjurmët Long Play” i kanë shkruar Chris Keulemans (shkrimtar dhe ish drejtor i Qendrës Kulturore në Amsterdam “De Balie”), Shkëlzen Maliqi (filozof) dhe Ragip Luta (ish gazetar i seksionit shqip BBC.)

Më 21 shtator në Dit’ e Nat’, në orën 19:00 do të shpaloset gjithçka. / KultPlus.com