Me anë të një ceremonie të veçantë të zhvilluar në qytetin e Durrësit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot disa personalitete të shquara në fusha të ndryshme të kësaj treve.
Presidenti Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” Mihal Mukën me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e shëndetit publik, të humanizmit dhe punës së palodhur në shërbim të qytetarëve durrsakë. Me mirënjohje për aftësitë e larta profesionale si mjek epidemiolog, botues shkencor e pedagog, si dhe për vlerat e spikatura intelektuale dhe qytetare”.
Po ashtu u vlerësua sipërmarrësi Nazif Tivari me motivacionin: “Në vlerësimin të kontributit të shquar në shërbim të konsumatorit shqiptar me prodhimet e qumështit, si dhe ato të përpunuara prej tij. Me mirënjohje sipërmarrësit model, të përpiktë në marrëdhënie më punonjësit, si dhe me aftësi të spikatura organizative e me vizion bashkëkohor në industrinë e agrobiznesit”; valltarin Ibrahim Roçi: “Në vlerësim të talentit të spikatur në interpretimin e valleve tradicionale, për kontributin në lartësimin e kulturës popullore e folklorit të trevës së Kavajës, si dhe në formimin dhe përgatitjen artistike të mjaft valltarëve të rinj”.
Me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës vlerësoi Alfred Golgotën me motivacionin: “Me mirënjohje për shërbimin e çmuar dhe kontributin në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve të ruajtjes së rendit publik, si dhe vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare”.
Me titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta, vlerësoi edhe Enver Qerimin me motivacionin: “Në vlerësim të cilësive të spikatura si violinist i talentuar, për virtuozitetin në interpretimin me teknik të lartë dhe emocion të shumë koncerteve me repertor të pafund nga muzika popullore, deri në pjesët më të njohura të muzikës instrumentale shqiptare e botërore për violinë e piano”. / KultPlus.com