Opereta “Agimi” rikthehet në skenë 70 vjet nga premiera e saj, me iniciativë të sopranos Inva Mula në natën e dytë të edicionit te 7 të “Mik Festival”. Kjo rivënie bashkëkohore ne skene riktheu muzikën e realizuar nga Kristo Kono, duke ofruar një përvojë unike dhe të veçantë për publikun artdashës që e mirëpriti me shumë entuziazëm.
Ka qënë një punë e madhe për ta marrë përsipër këtë vepër, për ta rindërtuar, dixhitalizuar dhe për ta sjellë në një formë tepër origjinale, shfaqje që u ndoq me interes nga artdashësit në Korçë.
Agimi” është opereta e parë në krijimtarinë shqiptare, e cila u kompozua me rastin e 10 vjetorit të çlirimit në vitin 1954 nga kompozitori Kristo Kono “Artist i popullit”. Opereta, e ndarë në tre akte, përshkruan dashurinë dhe thelbi i veprës është pikërisht triumfi i dashurisë./ balkanweb/ KultPlus.com
Ka nisur në Korçë edicioni i 7 i Mik Festival i cili bën bashkë më shumë se 100 artistë shqiptarë dhe të huaj. Për 4 netë festivali i muzikës internacionale i organizuar nga artistja e madhe Inva Mula, do të sjellë mbrëmje koncertore në skenën e teatrit të Korçës por edhe në mjedise të tjera duke i ofruar publikut një prej eksperiencave më të bukura muzikore
Nata e parë e festivalit ka ngjitur në skenën e teatrit Andon Zako Çajupi pianistin dhe muzikologun e njohur Red Radoja i cili ka sjellë tingujt e muzikës franceze në Korçë
Më tej nata ka vijuar edhe me trion nga Maqedonia e Veriut në Pazarin e vjetër me sopranon Dëshira Ahmeti dhe Gjergji e Jordan Petrushevski të cilët kanë interpretuar në piano./TopChannel/KultPlus.com
Për tre ditë radhazi, në fund të muajit korrik, artistja dhe njëherit krijuesja e festivalit, Inva Mula ka njoftuar se po sjell edicionin e gjashtë të ‘MIK Festival 2023’ në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus.
Hapja e festivalit do të bëhet më datën 28 korrik, në teatrin ‘Andon Zako Çajupi’, e cila mbahet si homazh për Jorgjija Truja, e lindur në Korçë, më 1909, ku në mesin e të ftuarve do të jenë Ramona Tullumani, Dorina Selimaj dhe Ingrid Pulizo.
Po në këtë datë, në ora 21:00, ‘Te Pazari i Vjetër’ në skenën e madhe do të ketë interpretim: ‘Konerti Aroma Greke’, kushtuar krijimtarisë së Mikis Theodorakis. Në këtë ngjarje të ftuar do të jenë këngëtarja greke Kalliopi Vetta dhe kompozitori grek Janis Ioannou me orkestër nga Athina.
Nata e dytë e festivalit, do të mbahet më 29 korrik në ora 19:00 në teatrin ‘Andon Zako Çajupi’, nën ritmet e hapave të flamengos, të ftuar janë grupi katalan ‘Alba Rumbetta band’.
Përderisa, në po këtë natë ‘Te Pazari i vjetër’ në ora 21:30 do të mbahet koncerti ‘La Notte Italiana’, kushtuar lirikës më të bukur italiane, në të cilën do të perfomojë Orkestra e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e maestros Elda Laro. Të ftuar në këtë koncert do të jenë: Nina Muho, Guissepse Pelligra dhe Artur Vera.
Ndërsa në natën e tretë dhe përmbyllëse të festivalit, në Mbroje do të mbahet “Ku bashkohet shpirti, muzika dhe gastronomia”, ku e ftuar do të jetë Dorina Selimaj, Artur Vera, Ingrid Pulizo,
Përderisa në Drenovë, në ora 19:00 do të mbahet koncerti përmbyllës ‘Një ditë shkova nga Drenova’, ku të ftuar janë Ionela Mani nga Rumania, Gjergj Mani dhe Igli Tugla. Në natën përmbyllëse paralajmërohen edhe surpriza të tjera, por që do të lihen befasi deri më 30 korrik.
Edicioni i gjashtë i MIK Festival 2023, do të jepet për tre ditë radhazi, më 28, 29, dhe 30 korrik në qytetin e Korçës. /KultPlus.com
Ka ulur siparin MIK Festival, një event që mblodhi në Korçë e rrethinat e saj, artistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët sollën muzikë klasike e jo vetëm.
MIK Festival, një ide e sopranos Inva Mula, përmbylli edicionin e tij të pestë.
Pas performancave në qendër të qytetit, tek Hani i Pazarit e teatri “Andon Zako Çajupi”, në ditën e tij të fundit, u zhvendos në Parkun Kombëtar të Prespës, në ishullin e Maligradit si dhe në shtëpinë muze të Sterjo Spasses.
Në Maligrad, të pranishmit ndoqën koncertin “Harpe & violincel” nga Katerina Kitsou dhe Juliana Laska. Ndërsa në oborrin e shtëpisë së Sterjo Spasses, interpretuan Laura Krliu(vokal) dhe Diaman Ballazhi(kitarë).
Eventi muzikor, tashmë i përvitshëm në Korçë, solli disa emra në zë të artit shqiptar, si mjeshtren Suzana Turku, balerinin Ilir Shaqiri, Elina Dunin e Ledina Çelon.
Në nisje të MIK Festival, bashkia Korçë, vlerësoi sopranon Inva Mula me titullin “Nderi i qytetit”. / atsh / KultPlus.com
Festivali Ndërkombētar i Muzikës që bën bashkë në Korçë artistë nga një gjeografi e larmishme,startoi mbrëmjen e së premtes,me një koncert për piano dhe orkestër të një kompozitori ukrainas të viteve 60, menduar si mbështetje për popullin e Ukrainës.
Në vazhdim të traditës së “Mik Festival”, por edhe me ndërthurjen e muzikës klasike me zhanre të tjera të muzikës, organizatorët synojnë ta bëjnë më të veçantë këtë edicion duke i shtuar ngjyra dhe përfshirë çdo shije dhe moshë.
Teatri “Çajupi”, Pazari i Vjetër por edhe ishulli i Maligradit në Pustec do të jenë skenat ku do të mbahen gjatë fundjavës koncertet, të cilëve do t’iu bashkohen edhe emrat e njohur si balerini Ilir Shaqiri dhe këngëtarja Ledina Çelo.
Ideatorja e “Mik Festival”, sopranoja Inva Mula u vlerësua në çelje të eventit nga Këshilli Bashkiak i Korçës me titullin “Qytetare Nderi”.
Festivali Ndërkombëtar do të mbyllet me një koncert qe do të mbahet në shtëpinë muze të shkrimtarit Sterjo Spasse në Pustec./Klan News/ KultPlus.com
Mik Festival, do të rikthehet në Korçë këtë fund korriku në edicionin e tij të pestë.
Eventi që nis rrugëtimin në 29 Korrik dhe që zhvillohet nën kujdesin e sopranos Inva Mula bën bashkë artistë shqiptarë dhe të huaj.
“Ka qenë ideja e të madhes Inva Mula dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim sepse në Korçë vijnë artistë nga e gjithë e bota, artistë shqiptarë që kanë performuar në skenat e botës, kanë bërë emër andej dhe sigurisht çojnë emrin e Korçës dhe Shqipërisë në botë. Dëshiroj të them se do të kemi Elina Dunin dhe shumë e shumë artistë të tjerë”
Zamira Kita, Organizatore e Festivalit thotë se do të jenë tre netë të magjishme ku përveç muzikës së mirë do të ketë balet, pikturë dhe letërsi.
“Unë i ftojj të gjithë të vijnë në Korçë sepse përveç koncerteve,dhe këngëtarëve instrumentistë, ne do të kemi një natë me balet sepse kemi Ilir Shaqirin dhe gjithashtu në datën 31 do të shkojmë në Prespë, ku rezervojmë surpriza të bukura me të gjitah veprat e trashëgimisë sonë kulturore e historike.”
Në Korçë janë zgjedhur 4 vendndodhje që do të kthehen në skena muzikore për artistët.
Netët e festivalit do të nisin në teatrin “Andon Zako Çajupi” e do të vijojnë te hani i pazarit të vjetër, shtëpia muze e Strejo Spasse dhe ishulli i Maligradit.
Përveç edukimit me muzikë të bukur Mik Festival ka qëllim edhe promovimin e natyrës Shqiptare./ KultPlus.com
“Mik Festival” ka sjellë surpriza për spektatorët e qytetit të Korçës për 4 netë rresht. Ky festival, i cili është kthyer në një traditë, u organizua sërish nga sopranoja lirike Inva Mula duke ftuar miq dhe kolegë të saj europianë që janë instrumentistë dhe këngëtarë shumë të njohur.
“Ky edicion i katërt shpalosi ngjyra dhe zhanre të ndryshme. U nis me muzikën e vjetër gjermane dhe kubane, për të përfunduar me muzikën e vjetër greke dhe me interpretimin e grupit të Olen Çezarit me kulturën dhe muzikën italiane”, tha sopranoja Inva Mula.
Festivali u mbajt në ambientet e teatrit “A. Z. Çajupi” të Korçës nga data 26 deri më 29 korrik. Në fillim festivali u çel me muzikën gjermane nën interpretimin e Elda Laros në piano, në violinë Magdalena Heinz dhe Andre Robles, për të vijuar më pas me tingujt e muzikës kubane, tek sheshi i Pazarit të Vjetër.
Artistja Elda Laro tregoi se e ka pritur ftesën “me shumë emocion. E kam pasur shumë të vështirë sa herë kthehem në Shqipëri, pasi janë komplet emocione të tjera, sepse e ndjej veten me përgjegjësi sa herë jam përballë publikut shqiptar”.
Ky event përveç muzikës së klasit më të lartë botëror, promovoi gjithashtu edhe atraksionet turistike të qytetit juglindor. /atsh/ KultPlus.com
“Mik Festival” u rikthye për katër netë me radhë nga 21-25 korrik në Korçë, në edicionin e katërt të tij me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë dhe të huaj.
Ky edicion ishte më i veçantë se të tjerët, pasi u zhvillua Korçë, Kolonjë dhe Pustec. Magjia e muzikës së zgjedhur, e shtrirë në kohë, zhanre dhe gjeografi të larmishme, erdhi plot ngjyra dhe frymëzim në Korçë, pas një periudhe të vështirë për shkak të pandemisë.
Në ditën e fundit të festivalit, që u zhvillua në ishullin e Maligradit, nën tingujt e muzikës dhe magjinë që ofron Prespa përmes bukurive të saj, u zhvillua koncerti A cappella “Nën tingujt e Zanave”, interpretuar nga ansambli vokal “Zanat”.
Po ashtu violinisti i njohur Olen Cezari mbylli këtë festival mbrëmjen e djeshme me një koncert në Prespë, ku interpretuan edhe këngëtarja Francesa Carli dhe Michael Rodi në piano.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq, ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, etj.
Duke falënderuar të pranishmit, ministri Klosi tha se “pandemia bëri shumë të këqija në botë, por për ne shqiptarët bëri që të vizitojmë më shumë Shqipërinë. Organizimi i këtij festivali këtu në këtë vend lindi si shkak i pandemisë. Duke kërkuar që të gjenim më të bukurën tonë ne krijuam këtë festival, mbështetëm idenë gjeniale të Inva Mulës, Niko Peleshit, Sotiraq Filos, për të krijuar një ngjarje kaq të madhe turistike, në vendin tonë”.
Në katër ditët e festivalit përveç muzikës klasike ky edicion solli edhe muzikën e filmave, muzikën e lehtë, atë latine, por edhe sfilatë mode. /atsh/ KultPlus.com
Sopranoja Inva Mula ka prezantuar programin e ”Mik Festival” që mbahet në datat 22, 23, 24 dhe 25 korrik në Korçë.
Këtë vit vjen në edicionin e katërt dhe sjell muzikë gjermane e greke, muzikë nga filmat shqiptar e deri sfilatë mode, transmeton KultPlus.
Nga hani i Pazarit, te sheshi para katedrales, ngjarjet artistike mbahen mes qytetit të Korçës, kishës së Prespës dhe fshatrave të Kolonjës duke ndërthurur në program këngëtarë si Anxhela Peristeri me 5 vajza e Zanave që këndojnë a Capela, kërcim tango, fizarmonicistë, orkestër sinfonike dhe kori Pax Dei i Zana Turkut duke pasur edhe pjesëmarrjen e Olen Cezarit.
Inva Mula është drejtoreshë artistike e ”Mik festival” që zë vend në Korçë./balkanweb/ KultPlus.com
MIK Festival i planifikuar për t’u zhvilluar për tre ditë në Korçë është shtyrë për në shtator për shkak të vendimit të qeverisë së Shqipërisë që ndalon muzikën LIVE. Por në mënyrë simbolike u organizua një koncert me pjesëmarrje të vogël në ishullin e Maligradit në Prespë.
Sopranoja Inva Mula tha se qëllimi është promovimi i vendeve turistike me histori e natyrë magjepse siç është Maligradi.
Në ishullin e Maligradit është mbajtur një koncert modest nga MIK Festival me pjesëmarrjen e sopranos Inva Mula. Ajo tha se qëllimi është promovimi i vendeve turistike. Ky festival ishte planifikuar të mbahej për tre ditë me radhë në Korçë, por për shkak të aktit normativ të qeverisë që nuk lejon. MIK festival këtë vit ka sjellë tingujt e muzikës baroke në ishullin e Maligradit.
Tingujt e kësaj muzike u harmonizuan ne perfeksion me monumentet historike, siç është kisha e Maligradit dhe natyra e mrekullueshme e Prespës. Festivali i muzikës internacionale përkon me edicionin e tretë të tij, por për shkak të Covid-19 trokiti simbolikisht në një ditë të vetme.
Sopranoja me fame botërore Inva Mula u shpreh se MIK festival do të rikthehet shtatorin e këtij viti, ndërsa nuk la pa përmendur suksesin e koncertit të sotëm në një perlë të natyrës siç është Maligradi.
“Ishte koncerti i parë historik, nuk mbaj mend të jetë zhvilluar një koncert i muzikës baroke dhe një skenë që kalon dhe imagjinatën më të bukur të përrallave të fëmijëve. Ky realit është në vendin tonë, është në Prespë. Kur është mistik nga jashtë futesh në një romantizëm brenda. Këtu duhet të vish të paktën një herë në jetën tënde”, tha sopranoja Inva Mula.
Koncerti solli muzike të zgjedhur nga vendet ku lindi muzika baroke, ndërsa të pranishmit shijuan edhe gatimet tradicionale. Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte zhvillimi i turizmit dhe promovimi e njohja e zonës së Prespës. /shqiptarja/ KultPlus.com
Tashmë MIK Festival, është shndërruar në një traditë kulturore për qytetin e Korçës.
Muzika internacionale në Korçë, frymëzuar nga Inva Mula afrohet tek publiku si mik i artit, shpirtit lirik, me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar artin dhe kulturën, mes figurave të spikatura të skenës lirike kombëtare nga data 24-26 korrik, në Korçë.
Bashkia Korçë bën të ditur se, ky eveniment vjen në edicionin e tretë në përputhje me të gjitha kushtet dhe masat e nevojshme për mbrojtjen ndaj COVID-19.Edicioni i këtij viti do t’i japë përparësi artistëve shqiptar dhe qëllimi në tërësi është promovimi i vlera kulturore, etnografike, si edhe ndërthurja e muzikës shqiptare me elementët e përmendur.Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe është pjesë e kalendarit kulturor 2020.Festivali “MIK”, bën së bashku artistët lirikë të rinj e të afirmuar të skenës për t’i dhuruar publikut një emocion të rralla, për mbrëmjeve të poezisë dhe serenatave, në Pazarin e Vjetër, të frymëzuar nga sharmi dhe historia e qytetit, me qëllim përfshirjen e tij në hartën e destinacioneve të evenimenteve kulturore të rajonit. atsh / KultPlus.com
E madhja Inva Mula, mrekullia e papërsëritshme e MIK-festivalit
Çdo sekondë e MIK Festivalit kishte vendin dhe bukurinë e vet; asgjë nuk ishte e tepërt dhe asgjë mangët. Netët kishin hijeshinë, të veçantën dhe surprizat që të linin pa frymë.
Edhe e shumëpritura, nata e katërt e MIK Festivalit (Muzika Internacionale Korçë), mbërriti. Në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, të qytetit të Korçës ishte ngjitur e madhja, sopranoja e mrekullueshme, me famë botërore, Inva Mula. Duartrokitjet ishin të shumta; shpërthim që dilte nga shpirti i spektatorëve. Emocioni drithëronte çdonjërin prej të pranishmëve. ovacionet dukeshin sikur nuk do të kishin të pushtuar për asnjë çast. E adhuruara e tyre ishte aty, vetëm për ta; do t’u dhuronte zërin e saj hyjnor, i cili do t’i shoqëronte edhe në ditët e mëpastajme, sepse gjithçka do të mbetej e paharrueshme; kështu kishte ndodhur edhe një vit më parë: Gjithçka e ndodhur në skenë, tingujt e orkestrës dhe mrekullia e zërit të sopranos Mula u përjetuan ditë me radhë. Në këtë edicion të dytë, artistja e madhe shoqërohej nga studentët e Akademisë së Arteve dhe sopranoja, Dëshira Ahmeti, e cila kishte ardhur enkas nga New York-u. Ishte hera e parë që vinte në Korçë, mikpritja, kultura, traditat, njerëzit e gjithçka tjetër e kishin lënë të mrekulluar. Pjesë e koncertit ishte edhe pianisti Genc Tukiçi. Ishte nata më e madhe e të gjitha netëve, një mbrëmje speciale, dhuratë për qytetarinë korçare. “Erdha nga New Yorku për të qenë pranë Invës”, – tha Dëshira Ahmeti. Në të vërtetë kjo ishte dëshira e çdo artisti pjesëmarrës. Gjithkush prej tyre e shihte si fat dhe mrekulli. Për të ndjekur nga afër nënën e vet, kishte ardhur nga Franca djali i Inva Mulës, Antoni Çako; kjo gjë e bëri festivalin edhe më hyjnor. Gjithashtu nga një video e siguruar prej mediave, sopranoja u pa duke kërcyer me vajzën e saj, Ninën, nën tingujt e muzikës. Në skenën e këtij Festivali u ngjitën 50 artistë, surprizat ishin të shumta.
Një Festival i shumëpritur
Gjithçka që do të ndodhte në MIK Festival u bë e njohur ditë më parë nga Drejtorja e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Korçës, Zamira Kita, njëkohësisht edhe aktore e talentuar. Gjithashtu u bënë të ditur emrat e artistëve që do të merrnin pjesë. Emri i Inva Mulës i jepte konferencës për shtyp rëndësi të veçantë. Gazetarët dëshironin të dinin çdo detaj. Zamira Kita luante rolin e një lajmësi të madh. Atë çast të gjitha të fshehtat i dinte vetëm ajo; çdo fjalë e saj ishte e rëndësishme.
“MIK Festival, – tha znj. Kita, – është një nga aktivitetet më të rëndësishme artistike që zhvillohen në Shqipëri. Është kënaqësi për ne që ky aktivitet i madh ndërkombëtar zhvillohet në Korçë. Ishte iniciativë e të madhes Inva Mula, dëshirë dhe ide e saj që ky festival të realizohej në qytetin tonë. Dashamirësia e artistëve korçarë, e bordit artistik, e Këshillit Bashkiak dhe e kryetarit të Bashkisë, Sotiraq Filo u shfaq e veçantë në të gjitha dimensionet e saj. Në këtë festival, muzika, arti, kultura do të shpalosen përgjatë 5 netëve, 24-28 korrik, të cilat do të jenë të mbushura me emocion dhe ngjarje të bukura. Artistët e talentuar do të sjellin jo vetëm muzikë klasike dhe qytetare, por dhe serenatë korçare.”
Ato që ishin thënë ditë më parë, tashmë ishin realitet. Inva Mula ishte në skenë. Salla ishte e mbushur plot. Shpirtrat e njerëzve provonin kënaqësi të veçantë. Ishte zëri i Inva Mulës ai që drithëronte çdo zemër. Përmes interpretimit të shkëlqyer, ajo mundi t’i dhuronte publikut korçar një natë elektrizuese tejet mbresëlënëse.
Minuta të mrekullueshme!
Minutat kalonin me shpejtësi. Kur gjithçka merrte fund, të gjithë pyesnin veten: “Si kaluan kaq shpejt dy orë!” Donin që artistja e madhe, Inva Mula dhe kolegët e saj të qëndronin edhe një çast më shumë; magjia e interpretimit të zgjaste edhe pak, edhe pak, por gjërat e bukura që lindin prej shpirtrave të artistëve gjithnjë janë çaste që ikin shpejt; fluturojnë si zogjtë. Për gjithçka ishte treguar kujdes i veçantë deri në imtësi. Çdo sekondë e MIK Festivalit kishte vendin dhe bukurinë e vet; asgjë nuk ishte e tepërt dhe asgjë mangët. Netët kishin hijeshinë, të veçantën dhe surprizat që të linin pa frymë.
Nata e parë: U çel nga familja Papadhimitri ose më saktë nga djemtë e Sofia Zengo Papadhimitrit, të cilët kishin ardhur nga Kanadaja. U interpretuan pjesë të zgjedhura të muzikës klasike. Koncertin ia dedikuan nënës së tyre, Sofia Zengos dhe tezes, Androniqit; dy motrave Zengo, të cilat ishin të parat femra që hodhën themelet e artit pamor. Spektakli ishte sa i mrekullueshëm aq dhe dinjitoz. MIK Festival ka aftësinë t’i bëjë bashkë artistët e mëdhenj, të cilët lartësojnë emrin e Shqipërisë kudo që ata ndodhen. Po kaq e lartësuar ndihet edhe Korça. Festivali do të jetë i pranishëm nga njëri brez te tjetri. Ndërkaq, instrumentistët Zengo, shprehën kënaqësinë për publikun e Korçës:
“Publiku na priti shumë ngrohtë. Këtu konstatova një gjë: Publiku kupton shumë si luhet, është publik që i do shumë artistët dhe i duartroket me shumë ngrohtësi”.
Sopranoja e mirënjohur shqiptare Inva Mula, e cila është organizatore e këtij festivali vinte në Korçë për të dytën vit radhazi. E pranishme do të jetë edhe në vitet që vijnë.
Nata spanjolle dhe ajo vjeneze
Nata e dyta, u quajt “Nata spanjolle”. Koncerti instrumental u dha në teatrin “Andon Zako Çajupi”, kurse Flamengoja e famshme në sheshin e Pazarit të Vjetër të qytetit të Korçës. Nga gjithkush u quajt, spektakël fantastik. Interpretues të kësaj nate ishin mexosopranoja Etleva Shemai në violinçel dhe Florian Vlashi në violinë. Repertori i përzgjedhur u dha për herë të parë në qytetin e Korçës.
“Mendoj, tha Inva Mula, se sonte ishte një natë e paharruar, ia kushtuam Spanjës, muzikës së bukur spanjolle që nuk ka fund dhe na vjen kaq për shtat me temperamentin, me karakterin me gjithë feminitetin e kësaj muzike që u soll kaq bukur në këtë sallë që u ndez me publikun bashkë me këngëtaren tonë të shkëlqyer Etleva Shemai, me tingullin e mrekullueshëm të Florian Vlashit dhe Juliana Laskës me violonçelin e saj. Të gjithë ishin një buqetë e bukur e muzikës spanjolle, të shoqëruar nga Fjorda Veizaj. Është një natë e paharruar, edhe për një arsye tjetër, sepse është një repertor që luhet për herë të parë në Korçë për herë të parë në këtë sallë. Ne duam nëpërmjet festivalit tonë të përcillet edhe karakteri edukativ që publiku korçar, publiku artdashës t’i hyjë thellë edhe muzikës klasike spanjolle”.
Kurse violinisti Florjan Vlashi shprehu kënaqësinë e tij që ishte pjesë e këtij festivali dinjitoz dhe i ftuar nga mikja e tij, Inva Mula:
“Me Invën unë kam lidhje të vjetra dhe një propozim nga ana ime është i pakundërshtueshëm, ashtu si edhe Inva do të vinte tek ne dhe ky lloj këmbimi, kjo muzike, miqësie, artistësh, njohjesh etj., etj., më duket gjëja më bukur që mund të ketë një festival”.
Nata e tretë, u quajt “Nata Vjeneze”, ishte vërtet një superspektakël. Valset vjeneze përcollën kënaqësi të shumta. Kjo natë filloi me koncertin recital në piano, luajtur nga Konstandin Tashko, që zgjati për më shumë se një orë. Studentë nga filarmonia e Universitetit të Arteve “Ibrahim Madhi” sollën repertorin më të mirë të muzikës austriake. Ndërsa Gert Vaso, Enada Hoxha dhe artistë të Ansamblit “Skënderbeu”, me valset vjeneze mahnitën publikun.
Nata e katër ose Nata e sopranos Inva Mula
Mbrëmja gala e natës së katërt, si e përshkruam edhe më sipër, ishte një nga netët me të bukura dhe të shumëpritura. Ishte nata, ku kulmoi mrekullia e quajtur Inva Mula, e shoqëruar nga 15 artistë. Kori ishte përgatitur nga Zana Turku, gjithashtu edhe orekestra ishte sjellë prej saj. Spektatori mbajti frymën për dy orë me radhë. Në përfundim të spektaklit Mula tha:
“MIK Festival, edicioni i dytë i tij, i dedikohet talentit të ri shqiptar për ta inkurajuar dhe mbështetur.” Ndërsa në vijim të fjalës së vet theksoi: “Mik Festival ndodh në Korçë se këtu është djepi i kulturës, këtu është gjithë historia, këtu janë gjithë artistët që kanë dalë, energjia e tyre na thërret që ne të vijmë në Korçë. Jam shumë e lumtur që Mik Festival bën përpara me energjinë e studentëve, këngëtare dhe instrumentistëve të rinj, të cilët do të jenë stafeta e vazhdimësisë së artit në Shqipëri”,- përfundoi Inva Mula.
Pas çdo interpretimi të Mulës, publiku përfshihej prej ngazëllimit të papërmbajtshëm, ndërsa Dëshira Ahmeti, në shenjë respekti për qytetarinë korçare, tha:
“Është hera e parë që vij në Korçë, por di shumë për këtë qytet me tradita, me kulturë, me njerëz kaq të dashur dhe me kaq pasion për artin”.
Nata e fundit u mbyll në pazarin e korçës me serenatat korçare. Për 5 net me radhë Korça u bë qendra e artit shqiptar. / Gazeta Telegraf / KultPlus.com
Natë magjike në Korçë nën tingujt e muzikës dhe valset vjeneze.
“MIK festival” vazhdon të mrekullojë juglindjen në natën e
tretë të këtij festivali.
Natë e cila filloi me “Koncert Recital në Piano” nga
virtuozi Kostandin Tashko, i cili për më shumë se 60 minuta ka tërhequr
interesim të madh të artdashësve korcarë në Teatrin A.Z Cajupi.
Më pas mbrëmja ka kulmuar në Pazarin e Vjetër të qytetit
juglindor me natën vjeneze.
Studentë nga filarmonia e Universitetit të arteve Ibrahim
Madhi ishin kujdesur për të zgjedhur repertorin më të mirë të muzikës
austriake, muzike e cila vazhdon të luhet në skenat e njohura botërore.
Më tej Gert Vaso dhe Enada Hoxha sëbashku me artistët e
ansamblit “Skënderbeu” me valset vieneze kanë mahnitur jo vetëm korccarët
por akoma edhe më tej edhe turistët e shumë vendas dhe të huaj që kishin
mbushur pazarin e këtij qyteti.
Nata e dytë me muzikën spanjolle dhe kjo e treta me valset kanë bërë atë që Pazari i Korcës për herë të parë të dukej i vogël përpara kërkesave të mëdha të vizitorëve për të gjetur një vend që të shijonin këtë natë.
Inva Mula ka iniciuar Festivalin Ndërkombëtar “Mik festival “ i cili mbledhë emra të mëdhenj të muzikës e bën bashkë muzikën, historinë dhe kulturën në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus
Ky sezon veror sjell edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar të këngës, “Mik Festival”, që starton nga qyteti i Korçës më 25 Korrik. Drejtorja artistike, Inva Mula, ka rrëfyer më parë se ky festival do të sjellë 150 artistë, që do performojnë muzikën më të mire, të ndërthurur me historinë e kulturën e qytetit të Korçës.
Më poshtë ju sjellim agjendën e festivalit, i cili do të filloi më 25 korrik dhe do të zgjasë deri më 29 korrik në qytetin e Korçës në Shqipëri. / KultPlus.com
Festivali “Muzika Internacionale në Korçë”, do të zhvillohet nga 25 deri më 29 korrik, në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus.
Festivali “MIK” lindi si ide e inkurajuar nga Inva Mula me miqtë e saj në Korçë, një mbrëmje poezie dhe serenatash, në Pazarin e Vjetër, të frymëzuar nga sharmi dhe historia e qytetit, me qëllim të përfshirjes së tij në hartën e destinacioneve të evenimenteve kulturore të rajonit.
MIK Festival do të zgjasë 5 ditë të plota me aktivitete gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën, historinë e këtij qyteti që është djep të qytetërimit.
“Qyteti i Korçës është një qytet, i cili ka dimensionin artistik, audiencën, arkitekturën dhe historinë për të mbajtur peshën e një festivali kaq ambicioz”, thonë organizatorët.
Koncepti i festivalit është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës. Festival do të bëjë së bashku artistët lirikë të rinj e të afirmuar të skenës për t’i dhuruar publikut një emocion të rrallë e të papërshkrueshëm.
Emra të mëdhenj të muzikës lirike do të performojnë në qytetin e Korçës për gjatë 5 ditëve, ndërsa do të bëhen të ditur së shpejti.
“Janë pikërisht ata artistë që kanë ngritur lartë emrin e Shqipërisë në botë, dhe tani do të jenë në Korçë, për t’i dhuruar kënaqësinë dhe emocionet e artit të tyre publikut shqiptar dhe atij të rajonit”, thuhet në njoftim të festivalit.
MIK Festival, është festivali i parë që bën bashkë rreth 150 artistë të zhanreve të ndryshme për të performuar si asnjëherë më parë në këto 5 ditë të festivalit./ KultPlus.com