Rusët i japin lamtumirën e fundit ish-liderit sovjetik Mikhail Gorbachev

Rusët po presin në radhë për t’i dhënë lamtumirën e fundit, ish ish-lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev, i njohur për hapjen e Bashkimit Sovjetik dhe për afrimin e tij me Perëndimin.

Gorbachev, i cili vdiq të martën në moshën 91-vjeçare, do të varroset pa nderime shtetërore dhe pa praninë e presidentit rus, Vladimir Putin.

Megjithatë, autoritetet lejuan që arkivoli i Gorbachevit të qëndrojë në Sallën e Kolonave, aty ku iu dha lamtumira edhe ish-liderëve të mëparshëm sovjetik, në mënyrë që rusët të mund ti japin lamtumirën e fundit.

Njerëzit duke pritur në radhë për të bërë nderimet e fundit para arkivolit të ish-liderit sovjetik Mikhail Gorbachev, gjatë një ceremonie lamtumire në Moskë, Rusi. 3 shtator 2022.

Në Perëndim, ai u njoh si arkitekt i reformave, që më pas krijuan kushte për përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Por, shumë njerëz brenda Rusisë, politikat e tij i shohin si të gabuara.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e cilëson rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”.

Megjithatë, ai shprehu ngushëllimet e tij më të thella për vdekjen e u Gorbachevit, tha një zëdhënës i Kremlinit për agjencinë e lajmeve Interfax.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, do të udhëtojë në Moskë më 3 shtator për të marrë pjesë në varrimin Gorbachev, tha zyra e tij.

Njerëzit kalojnë pranë arkivolit të ish-liderit sovjetik,Mikhail Gorbachev, gjatë një ceremonie lamtumirëse në Moskë, Rusi. 3 shtator 2022.
Njerëzit kalojnë pranë arkivolit të ish-liderit sovjetik,Mikhail Gorbachev, gjatë një ceremonie lamtumirëse në Moskë, Rusi. 3 shtator 2022.

Disa zyrtarë rusë dhe figura kulturore, duke përfshirë ligjvënësin e lartë, Konstantin Kosachyov dhe këngëtaren, Alla Pugachyova, gjithashtu i bënë nderimet familjes së Gorbachev, e cila po qëndron e ulur majtas arkivolit të tij të hapur.

Pas homazheve, Gorbachev do të varroset në varrezat Novodevichy të Moskës – ku gjenden varret e shumë rusëve të shquar – pranë gruas së tij, Raisa, e cila vdiq në vitin 1999, raporton agjencia e lajmeve Tass./REL/ KultPlus.com

Gorbaçov: Në 1989 bota zgjodhi paqen, na duhet ai vizion, edhe sot

Nga Mikail Gorbaçov

Muri i Berlinit, i cili për disa dekada kishte ndarë jo vetëm një qytet por një shtet, dhe të gjithë Evropën, u shemb në nëntor të vitit 1989 dhe historia përshpejtoi marshimin e saj. Momente të tilla provojnë përgjegjësinë dhe mençurinë e burrave të shtetit.

Ndryshimet e vonuara në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kishin marrë një impuls të fuqishëm nga procesi demokratik që tashmë po zhvillohej në Bashkimin Sovjetik. Kërkesat e njerëzve po bëheshin gjithnjë e më urgjente dhe radikale.

Në vjeshtën e vitit 1989 situata në Gjermaninë Lindore – RDGJ – u bë shpërthyese. Grupe të mëdha njerëzish po largoheshin nga vendi; qytetarët largoheshin në masë përmes Hungarisë dhe Çekosllovakisë, të cilat kishin hapur kufijtë e tyre perëndimorë. Në qytetet e mëdha, njerëzit dolën në rrugë, duke protestuar në mënyrë paqësore, por dhuna me pasoja përtej kontrollit të cilitdo, nuk mund të përjashtohej.

Në tetor të vitit 1989, ndoqa festimet në Berlinin Lindor me rastin e 40-vjetorit të krijimit të RDGJ-së. Ndërsa përshëndetja kolonat e pjesëmarrësve në paradë, ndjeva pothuajse fizikisht pakënaqësinë e njerëzve. Ne e dinim që ata ishin përzgjedhur me kujdes, gjë që e bënte sjelljen e tyre edhe më të habitshme. Ata brohorisnin: Perestroika! Gorbaçov, ndihmë!

Ngjarjet që pasuan konfirmuan se regjimi i RDGJ po humbte terren me shpejtësi. Protestat dhe kërkesat politike – nga liria e emigrimit tek liria e fjalës dhe shpërbërja e organeve qeveritare, e deri te ribashkimi i Gjermanisë – po fitonin.

Rënia e Murit të Berlinit nuk ishte pra, një surprizë për ne. Fakti që ndodhi në 9 nëntor 1989, ishte rezultat i rrethanave specifike dhe evolucionit të gjendjes shpirtërore të popullit.

Në ato kushte, hapi i parë i udhëheqjes sovjetike ishte të përjashtonte mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake, nga trupat sovjetike të vendosura në RDGJ. Në të njëjtën kohë, ne bëmë të pamundurën për të siguruar që procesi të lëvizte përgjatë linjave paqësore, pa cënuar interesat jetike të vendit tonë, apo dëmtuar paqen në Evropë.

Kjo ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse pas rënies së Murit, zhvillimet në RDGJ u bënë gjithnjë e më të turbullta. Ribashkimi i Gjermanisë ishte tani në rend të ditës, dhe kjo do të shkaktonte shqetësim midis qytetarëve sovjetikë, shumë prej të cilëve u alarmuan.

Shqetësimi i tyre ishte i kuptueshëm, si historikisht, ashtu edhe psikologjikisht. Ne duhej të llogaritnim kujtesën e njerëzve për luftën, tmerret dhe viktimat e saj. Sigurisht që gjermanët kishin ndryshuar; ata kishin nxjerrë mësimet e mbretërimit të Hitlerit dhe Luftës së Dytë Botërore. Por ka gjëra që nuk mund të fshihen nga historia. Unë i thashë kancelarit Kohl, se është e rëndësishme që gjermanët të administrojnë ribashkimin, të respektojnë ndjenjat e popujve të tjerë, si dhe interesat e tyre.

Ne nuk ishim të vetmit që kishim këto shqetësime.

Aleatët e Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) në NATO – Franca, Britania e Madhe, Italia – nuk donin një ribashkim të shpejtë. E kuptova këtë, që nga bisedimet e mia me drejtuesit e tyre. Në secilin prej vendeve që kishin vuajtur nga agresioni, kishte frikë – sikur të ishte e ngulitur në gjenet e tyre – se bashkimi i RFGJ dhe RDGJ do të rrisë fuqinë e Gjermanisë. Ata kishin arsye serioze, megjithëse të pashprehura, historike dhe politike për frikëra të tilla.

Unë mendoj se anëtarët evropianë të NATO-s nuk do të ishin kundër për të përdorur Gorbaçovin, për t’i vënë fre ribashkimit. Por e kuptova se t’i rezistosh një procesi që ishte objektivisht i pashmangshëm dhe, aq më tepër, të përdorësh forcë në çfarëdo forme mund të çojë në pasoja të paparashikueshme: një shpërthim në qendër të Evropës, një rifillim i Luftës së Ftohtë dhe kush e di çfarë tjetër! Ishte detyrë e të gjithë ne që ta shmangnim këtë.

Sot, duke lexuar disa komente dhe kujtime të asaj kohe, mund të krijohet përshtypja se procesi i ribashkimit ishte një gjë e kollajtë, se gjithçka erdhi diku nga lart, apo që gjithçka ndodhi si rezultat i fatit a naivitetit të disa palëve. Por nuk ishte kështu.

Negociatat dy plus katër përfshinë dy shtetet gjermane, Bashkimin Sovjetik, SHBA, Francën dhe Britaninë nuk mund të ishin një udhëtim i lehtë. Kishte debate e polemika dhe përplasje mendimesh, dhe nganjëherë dukej se keqkuptimi do t’i shkatërronte negociatat.

Por ato përfunduan me sukses, sepse palët në këtë proces të ndërlikuar diplomatik treguan largpamësi, si dhe guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie.

Megjithatë, kur më pyesin se kë konsideroj si heroin kryesor të asaj kohe plot dramë dhe trazirë, unë përgjigjem gjithmonë: popullin. Nuk po e mohoj rolin e politikanëve. Ata ishin shumë të rëndësishëm. Por ishin njerëzit – dy popuj – ata që kishin më shumë rëndësi. Gjermanët, të cilët shpallën vullnetin e tyre për unitet kombëtar me vendosmëri dhe, më e rëndësishmja, në një mënyrë paqësore. Dhe natyrisht rusët, të cilët i kuptuan aspiratat e gjermanëve, të cilët besuan se Gjermania me të vërtetë kishte ndryshuar dhe mbështetën kështu, vullnetin e popullit gjerman.

Rusët dhe gjermanët mund të jenë krenarë që pas gjakderdhjes tragjike të luftës, ata e kuptuan njëri-tjetrin. Po të mos ishin ata, qeveria sovjetike nuk do të kishte mundësi të vepronte ashtu si veproi.

Ne hartuam një vijë finale, nën Luftën e Ftohtë. Qëllimi ynë ishte një Evropë e re: një Evropë pa vija ndarëse. Udhëheqësit që erdhën pas nesh, nuk kanë arritur ta realizojnë atë objektiv. Një arkitekturë moderne e sigurisë, një mekanizëm i fortë për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve nuk është krijuar në Evropë. Prandaj ndodhin edhe problemet dhe konfliktet e dhimbshme që rrethojnë kontinentin tonë sot. Unë u bëj thirrje udhëheqësve botërorë që të përballen me ato probleme dhe të rifillojnë dialogun për hir të së ardhmes.

Gorbaçov, një laureat i Çmimit Nobel, ishte i vetmi President i Bashkimit Sovjetik /Time/ KultPlus.com