Një shkrim i “La Repubblica” sjell në vëmendje eksodin e shqiptarëve 30 vite më parë. Gazetari italian Mino Marinazzo, mirëpriti në shtëpinë e tij 30 vite më parë një prej të rinjve që mbërriti në Brindizi, por sot ai e kërkon sepse nuk ka pasur më asnjë kontakt me të, përveçse një letre falënderimi nga prindërit e tij.
Shkrimi i “La Repubblica”
Tridhjetë vjet më parë shumë shqiptarë “u dyndën” drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës në kërkim të një jete më të mirë. Ishte data 7 mars 1991 kur në Itali mbërritën mbi 25 mijë njerëz: gra, burra dhe fëmijë të të gjitha moshave.
Ata u larguan nga Shqipëria për në Itali, Italinë që kishin parë vetëm në TV dhe që në sytë e tyre dukej si Eldorado. Një ndër qindra të rinjtë ishte edhe Neritani, 19 vjeç në atë kohë, i cili mes mundimeve të shumta ia doli të mbërrinte në Brindisi.
Aty ai u prit nga një banor vendas, i quajtur Mino Marinazzo, me profesion gazetar, i cili i hapi dyert e shtëpisë për dy muaj e gjysmë. Më pas i riu është larguar për në Italinë Veriore dhe nuk ka patur asnjë kontakt me zotërinë që e priti në shtëpi.
Sot, pas 30 vitesh, Marinazzo bën thirrje për ta gjetur, me dëshirën për ta ritakuar, pasi e vetmja gjë që i ka mbetur nga ai është një letër nga prindërit e të riut. Ai e përshkruajti të riun shqiptar si shumë të sjellshëm dhe të heshtur.
“Neritani ishte 19 vjeç dhe qëndroi dy muaj e gjysmë në shtëpinë time para se të nisej për në Veri. Ai ishte i heshtur dhe i sjellshëm, plot shpresë për Italinë që e pa si Eldorado. Për të më ka mbetur vetëm një letër që më ka dërguar familja e tij. Neritani arriti i vetëm në Itali, pasi prindërit e tij mbetën në Tiranë.”
Në atë kohë Brindisi hapi dyert dhe mirëpriti shumë shqiptarë. Njerëzit flinin në shkolla, famulli dhe ditët e para edhe në rrugë, në dyert e ndërtesave dhe nën arkadat në lagje të ndryshme. Kishte mobilizim të shkëlqyeshëm, duheshin rroba, batanije, ushqim, ujë, qumësht për fëmijët. Askush nuk u tërhoq prapa. Në një moment famullitë u kërkuan qytetarëve të mirëprisnin shqiptarët në shtëpitë e tyre. Fillimisht Neritani qëndroi në famullinë e rrethit Casale dhe më pas u zhvendos në shtëpinë e Marinazzo. Në fund të muajit që u largua, ai vendosi të shkonte për në Veri me një grup shokësh për të gjetur një punë. Në Brindisi nuk kishte shumë mundësi, në ato muaj ai nuk kishte mundur të gjente asgjë. Neritani u largua dhe reporteri nuk dëgjoi më asgjë prej tij.
“Unë i dhashë para për trenin dhe diçka që të mund të jetonte, ai hipi në tren dhe nuk e pashë më kurrë. Do të doja ta dija se si është dhe ku është.”
Sidoqoftë, ka mbetur një letër e prindërve të Neritanit drejtuar Marinnazzo-s. Letra mban datën 15 qershor 1991. Ajo ishte shkruar nga babai i Neritanit, i cili i shprehte mirënjohjen për gjithçka që kishte bërë për të birin.
I ati i të riut shkruante:
Ne nuk dimë si t’ju falenderojmë, por jemi shumë të shqetësuar për fatin e tij. Për ne që jemi kaq larg është një gjë e jashtëzakonshme të mendosh se djali ynë ka takuar njerëz të mirë si ju. Na vjen keq për shqetësimin por edhe ne, ashtu si ju, shqetësohemi për fatin e tij, sepse ai është shumë i ri, ai është ende një i ri. Ju lutem, flisni me të, jepini disa këshilla sikur të ishit vëllai i tij, sepse ne themi: të rinjtë fluturojnë si erërat.”
Marinazzo menjëherë iu përgjigj asaj letre, duke shpjeguar se Neritani ishte larguar nga ai. Dhe 30 vjet më vonë, asgjë nuk dihet për fatin e të riut. Fati i tij ngjason me fatet e mijëra të rinjve që ende sot mbërrijnë në brigjet italiane në kërkim të një jete më të mirë… /dsh/ KultPlus.com