Milena Selimi: Kambanat e alarmit për letërsinë e Ballkanit kanë shumë kohë që bien, por nuk i sheh dhe dëgjon askush

Era Berisha

“Me u ba përkthyes lypset të kesh shumë kulturë, ja pse përkthyesit e mirë janë të pakët” – një nga thëniet më të njohura të përkthyesit të klasikëve helenë, latinë dhe francezë, Gjon Shllaku. Të kundërtën e saj duket se e simbolizon figura e përkthyeses shqiptare Milena Selimi, e cila në gjuhën shqipe ka pruar përkthime të shumta të autorëve të Ballkanit. Edhe pse të përkthesh është një fushë e vështirë, esenca mbetet tek fjalët që bëhen miqtë më të ngushtë të përkthyesve. Vetëm fjalët kanë fuqinë të të dërgojnë në dimensione të larmishme ku secila godet me brishtësinë, kuptimin dhe nuancat që përmban. Dhe, gjuha shqipe në veçanti ka një hije pas së cilës luhet një melodi e bukur tingëllimash, shkruan KultPlus.

Ka kultura, mendime e kohëra të ndryshme që ekzistojnë në botë, mirëpo për të njohur më mirë secilën pjesë të tyren, përkthimi e luan rolin kryesor. Këtë detyrë mbi supe po e marrin shumë përkthyes sot të cilët po bëhen urë lidhësit më të mirë të shoqërive në botë, e sidomos në një kohë kur pikërisht ato po shkatërrohen dita-ditës. Përkthyesja Selimi ka kapërcyer majat e rimave, ka lëkundur dukshëm fjalët, ka ndriçuar universin e gjuhës shqipe, duke i bërë jehonë shpirtit të secilit autor që ka përkthyer.

Në artin e përkthimit, njëri mund të mbetet i shtangur, mirëpo përkthyesja Selimi e ka bërë të kundërtën. Ajo ka reflektuar shpirtin e saj artistik tek përkthimet që i ka bërë. Iu është përulur artit të përkthimit me gjithë qenien e saj, deri në një pikë të atillë ku ka dirigjuar rrëfimin në shqip akoma më mirë se në origjinal.

Selimi ka lindur në Tiranë, në një familje me baba koreograf dhe nënë bibliografe. E ëma e saj është bullgare dhe babai i saj kosovar. Ajo i përket gjeneratës X, brezit të padukshëm, që jetoi Luftën e Ftohtë, Murin e Berlinit, por edhe rënien e tij. Ajo lindi në vitin 1968 pak muaj pas pushtimit të Çekosllovakisë, në një vend komunist që kishte nisur të ndërtonte socializmin “me forcat e veta”. Në fëmijërinë e saj, arti i baletit ishte i kufizuar vetëm në vepra kombëtare shqiptare, heronj që ndërtonin vendin me kazma e lopata dhe mbronin kufijtë me pushkë në dorë. Në ato vite baleti klasik ishte i ndaluar, autorët e huaj të ndaluar, kufijtë e Shqipërisë ishin të mbyllur. Asisoj, ajo është rritur mes librash dhe artit dhe nuk kishte sesi të ndahej prej tyre.

“Në pamje të parë duket shumë e bukur…të rritesh mes fjalësh dhe baletit…”

Pasionin për përkthimin e ka gjetur brenda ekzistencës së rrënjëve të saja bullgare. Në mbarim të studimeve të larta në Histori-Filologji, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe, ajo mbrojti diplomën me temën “Poezia bullgare e papërkthyer”, ku u përpoq për herë të parë të përkthente autorë si: Blaga Dimitrova, Dora Gabe, Vapzarov, Javorov dhe Elizaveta Bagrjana. Ishte e vetmja studente në kërkim të rrugës. Më pas u mor me gazetari dhe vetëm në vitin 2010 u takua sërish me përkthimin.

Përkthyesja Selimi përkthen nga gjuha bullgare, serbe, kroate dhe maqedonase. Në çdo udhëtim të sajin në Bullgari, ajo e kupton se po shkon në mëmëdhe. Në çdo autor bullgar të përkthyer në shqip ajo thellë beson se atdheu i saj i do autorët e mëmëdheut.

“Unë ndihem edhe shqiptare, edhe bullgare. Është bukur t’u përkasësh dy kulturave, është pasuri që të begaton mendjen, shpirtin, gjykimin. Unë ndjehem shumë mirë në të dyja gjuhët, por përkthej vetëm nga bullgarisht në shqip. Kjo tregon se gjuha ime më e fortë mbetet gjuha shqipe.”

Ekziston një libër në veçanti që mban një domethënie unike për përkthyesen Selimi. Bëhet fjalë për romanin “Kohëstrehim” të autorit Georgi Gospodinov, pjesë nga i cili u lexuan në Strasburg (2024) në Konferencën Europiane të Përkthimit, (Ceatl), ku përkthyeset, Angela Rodel, Maria Vutova, Magdalena Pytlak, Milena Selimi, Marie Vrinat-Nikolov dhe autori Gospodinov diskutuan dhe lexuan në gjuhët: bullgarisht, shqip, anglisht, polonisht, spanjisht dhe frëngjisht.

“Ka qenë një nga çastet më të rëndësishme në karrierën time si përkthyese, sepse romani “Kohëstrehim”, botuar nga shtëpia botuese Toena dhe mbështetur nga Traduki pati një premierë europiane në këtë konferencë. E rrallë kjo për një përkthim. Jam e lumtur sepse së bashku me autorin lexuam, diskutuam, u dëgjuam nga më shumë se 200 pjesëmarrës në gjuhën bullgare, në një skenë europiane në zemër të Strasburgut, UNESCO 2024 World Book Capital City (WBÇ), qytetit me temën e vitit “Read our World/ Lexo Botën Tonë”, për të treguar se përkthyesi mbetet po aq i rëndësishëm si autori, ai që transporton kulturën përtej brigjeve. Krenare për atë që Gospodinov e thekson gjithmonë: Чудото на Изика/ Mrekullia e Gjuhës”, thotë Selimi për KultPlus.

Procesi i zbërthimit të një përkthimi konsiderohet si pjesa më sfiduese për një përkthyes. Përkthyesja Selimi fillimisht vendos një urë komunikimi me autorin dhe pas disa konsultash me të, nis të përkthej kapitull pas kapitulli. Ajo ka patur fatin të përkthej autorët bashkëkohorë si: Gospodinov, Popov, Terzijski, Ruskov, Zlatimir Kolarev, apo të tjerë nga Ballkani si: Madzirov, Basara, Dimkovska, Edo Popoviç, Dejan Dukovski. Komunikimi dhe njohja me autorët është një ndihmesë e vyer në punën e saj.

Përkthimi për të është një punë që s’mbaron. Ajo beson se duhet të jesh gjithë kohës në dije dhe të dish informacione të përhershme për autorin, veprën dhe vendin nga përkthen. Si njohëse e mirë e gjuhëve të tjera të Ballkanit, ajo hulumton edhe përkthimet në ato gjuhë.

Nga mjetet apo burimet që ajo përdor për përkthimet e saja, më e rëndësishmja mbetet komunikimi me autorin, fjalorin dhe mentoren e saj të jetës, nënën e saj, Janka Selimi, përkthyesja që ka 60 vite eksperiencë. Përkthyesja Selimi beson se qëndrimi besnik ndaj tekstit origjinal bëhet vetëm atëherë kur vlerësohet autori, vepra dhe origjinaliteti. Këtu përfshihen edhe fjalët e atyre autorëve që shkruajnë fjalë të huaja apo qëllimshëm shpërbëjnë rregullat e drejtshkrimit, apo të sintaksës, ose dhe atëherë kur krijojnë fjalë të reja, etj. Pa tejkaluar nivelin kuptimor në gjuhën shqipe, përkthyesja Selimi nuk i heq asnjë presje stilit të tyre.

“Gospodinov mbetet një autor i vështirë, ai ka lënë shumë gracka në roman, referenca, citate, aludime. Si një autor për të cilin vetë gjuha është parësore, librat e tij nuk janë aspak të lehtë për t’u përkthyer.  Shpesh herë në romanin “Kohëstrehim” më duhej të përktheja jo vetëm tekstin, por edhe kontekstin e të gjitha tregimeve brenda romanit, duke vendosur footnota. Romani luan me rishfaqjen e dhjetëvjeçarëve të ndryshëm të shekullit të njëzetë dhe ka shumë faqe delikate ku zhargoni i një epoke të caktuar duhet gjithashtu të tingëllojë i vërtetë. Në këtë ndërtim të ri të së shkuarës aktivizohen shtresa të ndryshme gjuhësore dhe kujtese. Si mund të përkthehet fare e kaluara, personalisht dhe kolektivisht? Dhe si mund të përkthehet kiçi nacionalist për vendet e ndryshme në roman? Në këtë roman pata detyrën e vështirë për të përkthyer dy zëra – atë të Gaustinit dhe të narratorit, të cilët ecin paralelisht, si dy fije, duke u ndërthurur e ndarë. Kjo përzierje dhe divergjenca zërash është logjikisht e rëndësishme për romanin, ndaj më vjen mirë që mbajta qasjen origjinale të romanit”, ka thënë Selimi.

Sipas saj, bazuar në hipotezën e Sapir-Whorf, çdo gjuhë lind mënyra të ndryshme mendimi dhe prej andej – frymë shpirtërore të ndryshme. Kështu, ajo beson se i mbetet mendimit për ruajtjen dhe pasurimin e vazhdueshëm të gjuhëve të ndryshme në letërsi.

“Në diplomaci mund të ketë një gjuhë universale, por në letërsi s’është e nevojshme. Këtu del roli i përkthyesit të mirë. Ai merr një krijim dhe e rishkruan në gjuhën tjetër, duke e transportuar në gjuhën dhe frymën e kombit- marrës. Ai krijon një vepër të re, por kjo vepër e re, natyrisht mban frymën e origjinalit, ashtu siç mund të pasqyrohej kjo frymë në botën gjuhësore të kombit tjetër. Shkrimtari duhet të shkruajë në gjuhën e vet. Dhe të përpiqet që kjo gjuhë të pasurohet sa më shumë. Ndërsa përkthyesi të bëjë të mundur që vepra e përkthyer të pasurojë edhe gjuhën e vendit ku përkthehet, sepse idetë, të mëkuara nga shpirti i një populli (falë gjuhës dhe kulturës së saj të veçantë), nëse përkthehen saktë, do të jenë një risi e mrekullueshme për kulturën dhe gjuhën ku hyjnë pas përkthimit”, tregon ajo.

Gospodinovn ajo e konsideron si një nga autorët europianë që trazon kohën, një nga shkrimtarët më të veçantë në stil e mjeshtëri shkrimi. Në fakt, ajo nuk i është “ndarë” këtij autori në çdo botim të ri, për arsye se e gjithë kritika bullgare dhe europiane vazhdon të jetë kureshtare për atë vepër që Gospodinov nuk e ka prodhuar akoma.

“Në romanin “Kohëstrehim” sfida nisi që në titullin e librit, -Времеубежище- është një neologjizëm në bullgarisht e krijuar nga Gospodinov, kështu që duhej të krijoja edhe unë një fjalë kuptimplotë për gjuhën shqipe. Gjendet mirë në paqartësinë e tij: strehimi nga koha dhe strehimi brenda kohës. Të dyja janë tërheqëse, por të pamundura. Nostalgjia dikur ndihej si një burim ikjeje e padëmshme dhe ushqim i rastësishëm. Ajo ka filluar të duket si një lëndë djegëse fosile, duke e shkurtuar të ardhmen tonë ndërsa digjet. Jam konsultuar me autorin gjatë gjithë kohës, ai është një autor që e vlerëson dhe e dëgjon përkthyesin e tij. Gjuha shqipe e ka fjalën vendstrehim, (убежище) që nuk mundet të ‘strehojë’ edhe kohën në një farë mënyre. Koha është abstrakte. E pata menduar “Strehimi i kohës” por nuk më çon tek ideja e autorit, por duhet lexuar. Është një gjetje brilante e një autori si Georgi Gospodinov që rrëfen për gjëra të pamatshme”, thotë Selimi për KultPlus.

Sipas saj, nuk ekziston ndonjë përkthim që e ka më afër po më larg vetes. Ajo beson se ka përkthime që duan më shumë kohë dhe studim. Këtu ajo ka kujtuar romanin “Zemra e Tokës/Kthimi i Niçes në Qipro”, me vështirësi të mëdha në citime filozofie, autorësh të shkencave sociale, historike, pikëpamje dhe rryma të ndryshme politike, etj.

“Zemra e Tokës” është një roman që ajo ia ka vendosur me shumë kënaqësi fjalën ‘fund’ dhe i është kthyer pas më shumë se tri muajsh për ta riparë. Duke e konsideruar veten si një njeri i kulturës, ajo ka përdorur njohjet dhe kontaktet me autorë, shtëpi botuese, kolegë të Ballkanit për të marrë dhe shkëmbyer informacione. Tashmë në këtë fazë të punës si përkthyese, shtëpitë botuese janë gjithmonë të interesuara për propozime që vijnë nga përkthyesja Selimi.

“Le të themi se përkthej ata autorë që mendoj se i duhen lexuesit shqiptar.”

Së fundi, në Tiranë në Panairin e Librit për vitin 2024, përkthyesja Selimi ka fituar çmimin për përkthimin më të mirë të librit “Kohëstrehim”, të autorit Georgi Gospodinov. Në çastin e parë, ajo e konsideroi këtë çmim si një vlerësim nga atdheu i saj për kontributin e saj nga mëmëdheu.

“Unë përpiqem modestisht t’i sjell lexuesit shqiptar autorët më të mirë nga Bullgaria dhe Ballkani. Ky çmim e rikthen edhe autorin Georgi Gospodinov (fitues i çmimit ndërkombëtar Booker 2023) në tregun shqiptar, e bën të jetë i rëndësishëm edhe për lexuesin shqiptar, edhe pse ne e kemi patur në shqip që në vitin 2010, me veprën “Roman Natyral”, përkthyer nga nëna ime, Janka Selimi. Çmimin e fitova në një garë me emra të njohur kolegësh të përkthimit, Sokol Çunga, Romeo Çollaku, Edon Qezari, Lindita Gjetani, që garonin me emra të njohur autorësh, kështu që çmimi merr edhe më shumë shije fitoreje. Po aq i rëndësishëm ishte dhe ‘dorëzimi i kurorës’ nga Günter Grass tek Georgi Gospodinov, nga përkthimi magjik i Anna Koves me romanin “Daullja prej llamarine” tek “Kohëstrehim””, ka thënë Selimi.

Për aq kohë sa do të ekzistojnë pagesat e ulëta për përkthyesin, redaktorin, korrektorin, dizajnin, po aq kohë do të gjejmë në treg edhe përkthime të rëndomta. Këtë e beson thellë përkthyesja Selimi e cila mendon se përkthimi i mirë mbetet një nga ato fuqitë e mëdha që i heqin kufijtë. Pra, ka plot vepra të përkthyera që ti nuk e sheh kufirin, nuk e kupton bregun tjetër nga po vjen. Ky fakt e gëzon atë sepse është i njëjtë si në Shqipëri dhe Kosovë.

Ndërsa, ajo që i dhemb qëndron tek pjesa se përkthyesi në Shqipëri, (me disa cent më shumë ndoshta në Kosovë) është në një përpjekje të vazhdueshme mbijetese.

“Në Shqipëri rriten çmimet e kastravecit dhe letrës higjienike, por jo tarifat për përkthyesin letrar. Politikat e librit dhe institucionet përkatëse të kulturës kanë investuar shumë pak sa i përket fuqizimit dhe vlerësimit financiar të përkthyesit, aq më shumë kur flasim për gjuhë ballkanike”, shpalos Selimi.

Kur kalojmë bisedën tek pjesa e angazhimit të përkthimit letrar në universitetet shqiptare, atëherë alarmi bëhet akoma më i zhurmshëm. Përkthyesja Selimi është e angazhuar në përkthimet e letërsisë së Ballkanit, dhe si e tillë ajo vlerëson se kambanat e alarmit për letërsinë e Ballkanit kanë shumë kohë që bien, por që nuk i sheh dhe dëgjon askush.

“Jemi vonë. Jemi shumë vonë. Kemi humbur kaq shumë nga kultura e rajonit. Problematikat nisin me mungesën e përkthyesit profesionist nga këto gjuhë, mungesën e vëmendjes nga institucionet e kulturës, mungesën e programeve të përbashkëta ballkanike. Investimi i parë, i munguar dhe i rëndësishëm mbetet investimi në gjuhët ballkanike, duhet të ketë nxitje dhe ndërgjegjësim të katedrave të gjuhëve në Fakultetin Filologjik në Tiranë, Beograd, Sofje, ku mungon lënda e përkthimit. Nuk kemi përkthyes”, shpalos Selimi.

Selimi thotë se në Sofje, në universitetin “St. Kliment Ohridski” së fundmi është krijuar një platformë e përkthimit nga studentët, që sjellin ekstrakte nga veprat e autorëve shqiptarë në gjuhën bullgare. Pra, ka programe ballkanike që kanë bërë bashkë institucione të kulturës, shtëpi botuese dhe qendra kulturore, duke krijuar rrjete komunikimi mes Ballkanit dhe Europës, falë projekteve të ndryshme. Por ajo beson se gjithçka mbetet individuale dhe fragmentare në zinxhirin e investimit.

“Institucionet e kulturës duhet të krijojnë programe të përbashkëta ballkanike në fushën e përkthimit dhe të gjejnë instrumentet e duhura për të lëvizur të gjithë ngrehinën e komunikimit ndërletrar që lëviz vetëm në mënyrë fragmentare dhe me paterica. Si përkthyese, i kam pritur këto programe, kemi humbur kaq shumë vite dhe emra autorësh në periudha të rëndësishme të kulturës së fqinjëve. Të mos humbim trenin e fundit: Autorët bashkëkohorë të këtij shekulli”, tregon Selimi.

Sipas saj, vendet e rajonit janë më të favorizuara në gjuhë. Serbë, kroatë, maqedonas, malazez, bullgarë janë të ngjashëm për sa i përket gjuhës që flasin dhe njohin, kështu që investimi i tyre në përkthimin e njëri-tjetrit është më pak i vështirë, andaj konsiderohet se janë të rrallë përkthyesit e interesuar për autorët shqiptarë.

“Kemi fatin të kemi përkthyesit me origjinë shqiptare, që jetojnë në shoqëri dygjuhëshe. Shqipja është një gjuhë e veçantë në familjen indo-evropiane dhe investimi në nxënien e gjuhëve ballkanike në Shqipëri duhet të jetë dyfish më i lartë. Nuk flas këtu vetëm për letërsinë, por edhe për studiuesit, hulumtuesit, antropologët, etnografët e muzikologët. Arkivat ballkanike janë të pasura me dokumente që duhen zbuluar, që i vlejnë historisë dhe kulturës shqiptare. Për këtë duhen ata, përkthyesit, që i kemi në pakicë”, thotë ajo.

Teksa arrijmë tek fundi i kësaj interviste për KultPlus, përkthyesja Selimi ka treguar që për momentin është duke punuar për romanin “Hagabula” të autorit bullgar Todor P. Todorov, fitues i Çmimit Special EUPL (2024), një histori utopike alternative e Perëndimit, shkruar në një realizëm magjik, me rrëfime utopike, mistike.

Përkthyesja Selimi ka thënë se ka plot punë kërkimore për këtë roman. Gjithashtu këtë vit, ajo pritet të punoj gjithashtu për romanin e fundit të Georgi Gospodinovit, “Kopshtari dhe vdekja”, i saponderuar në Bullgari me çmimin Helikon, çmimi kombëtar i letërsisë bullgare.

Përkthyesja Selimi në fund të kësaj interviste për KultPlus, për adhuruesit e përkthimit thotë se së pari duhet mësuar kultura, historia, antropologjia, etnografia, psikologjia dhe shtresëzimet filozofike të mendimit të vendit nga po transportohet libri dhe autori në gjuhën shqipe, e tek pastaj të niset përkthimi./ KultPlus.com

Cili je ti Viktor Zhusti?

Nga Milena Selimi

Cili je ti Viktor Zhusti? Pyes veten sa herë më trondit në skenë e sa herë të lexoj. Më pëlqen të them: Një histori e gjallë. Në teatër dhe bezen e bardhë. Në fakt këtë e sigurojnë ata pak, në të vërtetë shumë pak artistë, të cilët gjatë viteve u kanë dhënë reflektim, dashuri dhe buzëqeshje publikut. Mjeshtëri aktori Teatrit. Besim kolegëve dhe regjisorit. Sukses produksionit skenik e filmik. Mjaft të thuash emrin e tij: Viktor Zhusti. E përreth do të ndjesh: Heshtje. Nderim. Admirim, që rezervohet për yjet e mëdhenj të skenës, që i kemi aq pak sot në gjallje e që rrezikojnë të zhduken.

Ndryshe nga shumë kolegë të tij që janë aq pranë masave adhuruese dhe intervistave “Unë ju zbuloj gjithçka për veten” Zhusti i para dhe pas viteve ’90 mbetet i paarritshëm. Dhe ai nuk është aq i zakonshëm, pavarësisht nga çfarë pohon “Njerëzit nxitojnë pas shfaqjes të më urojnë dhe unë i pres me buzëqeshje për të treguar që jam i kënaqur. Në të vërtetë jam dyshues dhe pakëz i trishtuar për atë që kam bërë”. Çfarë i bën skenës një artist si Zhusti? Asgjë më shumë veç asaj që do të bënte një artist i madh, i cili herë pas here, përmes fjalës, gjestit dhe veshjes së një karakteri që ndryshon vazhdimisht, arrin të kapë personazhin e ta hedh tek publiku, ta prekë e ta emocionojë. Interpretimet e tij të pafundme të ekzistencës njerëzore na bëjnë të kuptojmë thelbin e tij të vërtetë, duke komunikuar diçka të fuqishme, e cila të befason. Ai di të përcjellë forcën e jashtëzakonshme të teatrit dhe kinemasë, ai di si ndërtohet një urë mes tregimit jetësor e jetës skenike.

Zhusti, ky Mjeshtër i skenës nis thjesht të mbjellë farën e personazhit, vijon me vazhdimësinë e veprimit, pastaj na çon në proceset e brendshme psikike që e ‘rrezikojnë’ aktorin në shtresa të errta, jo lehtësisht të kapërcyeshme, por ai mundet, personazhi i tij nuk është qëllimi, por mjeti për të konfirmuar idenë e vënies në skenë dhe punën e aktorit. Sepse Zhusti nuk është thjesht një përkthyes, pas aktorit-interpretues qëndron aktori-autori, aktori që mendon. Unë besoj se një tekst i madh dramatik organizohet si një mekanizëm që ingranon çdo pajisje që të jetë në punë. E Zhustit nuk i mjafton veç të punojë. Atij i duhet të gjejë një mënyrë për të ndezur fitilin dhe për ta bërë atë të shpërthejë në fjalë, ndjesi, mendime, që mbrrin drejt e në publik, nga spektatori i parë tek i fundit. Është e sigurt që prej disa vitesh Zhusti është vlerësuar shumë në pothuajse çdo rol në kinema apo teatër: dhe sigurisht është i vetmi që mund të ishte edhe profesor Leo edhe Mbreti Lir. Ai di të shmangë vëmendjen e medias, refuzon çdo lloj lajke , përshëndet aq ngrohtë me atë ecje elegante, tipike për disa Artistë të urtë, të matur e të kulturuar që edhe pse në ‘ vjeshtën e katërt’ e tejkalon trishtimin e vjeshtës. I dashur Viktor, sa herë të duartrokas kur jam në sallë mendoj se qenia jote skenike na shndrron në spektatorë të bukur, të mençur, që dalin nga shfaqja me pyetje në kokë. Përtej skenës na bën të vlerësojmë thelbin që sheh zemra dhe argumentin që jep mendje e urtë si ty. Personalisht e di që do vazhdosh t”më trondisësh në skenë. FALEMINDERIT MBRETI LIR ! Ditë me diell, energjie dashuri të uroj.. deri ne takimin tjetër me personazhin e radhës!

Fotot: Arkiv nga Teatri Metropol – Qendra Kulturore Tirana. / KultPlus.com

Vjen në shqip romani “Fizika e Trishtimit”

 

“Fizika e Trishtimit” tashmë është në libraritë shqiptare shqipëruar nga Milena Selimi, botim i shtëpisë botuese Albas. Kjo është vepra e dytë në gjuhën shqipe e Georgi Gospodinovit – e para është “Romani Natyral”, i sjellë për publikun shqiptar nga Janka Selimi Trifonova. Botimi në shqip vjen me kopertinën e realizuar nga Theodore Ushev, kineast i filmit të shkurtër të animuar me të njëjtin titull. Përkthimi në shqip është ai i shtatëmbëdhjetë i këtij romani dhe vjen pas çmimit të radhës prestigjioz që ky libër e mori – çmimi “Angelus” për roman më të mirë evropian të përkthyer në polonisht.

Prezantimi i librit “Fizika e Trishtimit” u zhvillua në kuadrin e “Panairit të Librit” në Tiranë

Ngjarja në kryeqytetin shqiptar përkoi me promovimin e filmit të Theodore Ushevit në Pallatin Kombëtar të Kulturës në Sofje.

“Fizika e trishtimit” heq dyllin e nxehtë në kujtimet e të gjithë neve – ajo sjell përsëri aroma, kujtime , një dritë të caktuar, emocione të harruara. Sepse- Unë Jemi – është diku thellë në shpirtrat tanë, një shkëndijë që është e njëjtë për të gjithë.

“Ky është një roman, i cili është shkruar në një kapsulë kohore – thotë Milena Selimi në një intervistë televizive. Në fillim të librit autori thotë “Unë jemi” dhe në fund të librit thotë “Unë ishim”. Janë shumë të forta këto të dyja fraza, sepse kjo kapsulë kohore i përket një brezi, i përket gjeneratës ’68 të autorit, shkruar për ata, të cilët enden në botë, duke kërkuar vetveten”.

“Fizika e Trishtimit” është një labirinth. Një fëmijë që bëhet burrë në kërkim të identitetit të tij, lumturisë. Kështu që ai thjesht përpiqet të kapë trishtimin e tij, ta bëjë atë më të menjëhershëm, të prekshëm, në mënyrë që të mund ta varrosë.

Në kohën tonë, kur të gjithë po lëvizin, njeriu mendon të krijojë një bazë, një tokë të fortë nën këmbët tona. Njerëzit nga vendet e Lindjes ish-komuniste në këtë lëvizje të madhe globale duken si  pa rrënjë, duket sikur se jeni diku por jo saktësisht, trupi juaj është i ndarë nga shpirti juaj. Ndihesh mirë, por gjithmonë mungon diçka. Në fund të fundit protagonisti  po përpiqet të tregojë një histori pikërisht për këtë vend, Bullgarinë, vendin më të trishtuar në botë dhe të përballojë trishtimet e tij. Ose të paktën për t’i rregulluar dhe përshkruar ato.

Fizika e Trishtimit ka shumë mbarime (pasi ka shumë fillime) sepse si Gospodinov ashtu edhe narratori i tij e kanë bërë të qartë se ata pëlqejnë të lënë histori të hapura për kthesat e tjera të mundshme (si labirinth).

Të dhëna për librin

Titulli origjinal: Fizika na tagata

Autori: Georgi Gospodinov

Titulli në shqip: Fizika e trishtimit

Përkthyes: Milena Selimi

Imazhi I kopertinës: Theodore Ushev

Lloji i botimit:  Paperback

Fletët: 306

ISBN 978-9928-311-00-9

Botues: Albas

Viti i botimit: 2019

Tema

 Duke përdorur mitin e Minotaurit si vorbullën e të gjithë veprës, e cila mund të quhet edhe roman, autori ndërton një labirinth rrëfimesh rreth personazhit kryesor, familjes dhe miqve të tij. Rrëfimi kapërcen nga epoka në epokë dhe nga pikëpamja në pikëpamje, duke na shpërfaqur kështu pa filtra mendësinë dhe estetikën e europianolindorëve. Nëpërmjet empatisë patologjike, personazhi arrin të trupëzohet në historitë e të tjerëve, duke na sjellë një larmi ngjarjesh, që zënë fill që nga periudhat parahistorike.

Informacione

Georgi Gospodinov fitoi njohje ndërkombëtare me romanin e tij të parë Roman natyral. Romani Fizika e trishtimit është vepra e tij më e njohur dhe e vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, si: çmimi Jan Michalski, si dhe çmimi prestigjioz Angelus. Gospodinovi shkruan skenarë dhe drama. Shumë prej veprave të tij janë ekranizuar.

Milena Selimi ka përvojë të pasur si gazetare, përkthyese, shkrimtare, si dhe në menaxhimin e medies. Ka bashkëpunuar me organizata kombëtare e ndërkombëtare si korrespondente, koordinatore, moderatore dhe anëtare jurie në fushën e gazetarisë dhe të filmit. Ka sjellë në shqip autorë bashkëkohorë ballkanas si Milen Ruskov, Alek Popov, Nikola Madzirov, Ognjen Spahic, etj.

Theodore Ushev është një kineast bullgar i filmit të animuar, grafik dizajn, artist multimedia. Nga viti 1999 ai jeton e punon në Kanada. Në karrierën e tij artistike numëron më shumë se 16 filma të animuar. Fitues i shumë çmimeve ndërkombëtarë për filmin e animuar. Në vitin 2016 filmi “Vajsha e verbër” u nominua pë Çmimin Oscar në kategorinë e filmit të animuar me metrazh të shkurtër. 

“The Physics of Sorrow”- “Fizika e Trishtimit” – filmi më i ri i animuar i Theodore Ushevit. Është krijuar në bazë të romanit me të njëjtin emër të autorit Georgi Gospodinov . Në të interpretojnë zërat e Donald Sutherlandit dhe Rossif Sutherlandit. Në SHBA dhe Kanada filmi ka fituar tashmë gjashtë çmime ndërkombëtare. Ndër to është dhe çmimi “Filmi më i mirë” në festivalin Toronto International Film Festival. / KultPlus.com