Ky shkrim homazh në rastin e 40-vjetorit të vdekjes së fotografit shqiptar me famë botërore, Gjon Mili është një rast i mirë që lexuesit shqiptar t’ia rikujtojmë se kush ishte “Gjeniu shqiptar” që me artin e tij fotografik mrekulloi emra të mëdhenjë të artit dhe kulturës botërore siç ishin Pablo Picasso, Sean O’Casy, Pablo Casals, Sofia Loren, Marlon Brando, Frenk Sinatra, Robert Cappa, Henri Cartier-Bresson, Arthur Rubinstein, Duke Elington, Alfred Hitchcock, Anri Mattise, John Coltrane, Jean-Paul Sartre, Eugène Ionesco e shumë të tjerë, si dhe të hedhim një vështrim tek disa gazeta e revista amerikane që publikuan lajmin për vdekjen e tij…
Gjeniu shqiptar ndrroi jetë në Ditën e Shën Valentinit,me 14 shkurt të vitit 1984.
Shkruan: Fahredin Spahija
Mili u lind më 28 nëntor 1904, në Korçë, nga prindërit Vasil Mili dhe Viktori Çekani. Me ndihmën e dajës së tij, Koço Çekani, si 18 vjeçar emigron në Amerikë. Daja e ndihmon financiarisht, derisa nuk i mbaron studimet në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit. Në këtë universitet prestigjioz ishte ndër studentët më të dalluar, për çka rekomandohet të fillonte punën si inxhinier në kompaninë e famshme të prodhimeve të mjeteve ndriçuese, Westinghous Lamp Company. Për dhjetë vjet sa punojë në këtë kompani, do të vlerësohet si një nga punëtorët më të zotët dhe më inventivë.
Në vitin 1937 Mili do të njihet me profesorin Harold E. Edgerton – njeriun i cili zbuloi flashin elektronik dhe atë stroboskopik. Mes tyre nis një miqësi dhe bashkëpunim i gjatë, që do të shtyjë Milin të kombinojë elektronikën më fotografinë. Në vitin 1938, falë kësaj miqësie – dhe pas sugjerimit të Edgertonit për t’a krijuar një portfolio me fotografi stroboskopike – fotografi shqiptar fillon punën në revistën e famshme amerikane LIFE.
Fal punës kreative dhe novative, Mili shpejtë do të bëhet fotografi më i dalluar jo vetëm në LIFE, por edhe në komunitetin artistik amerikan dhe evropian. Kështu, në vitin 1949, gjatë realizimit të një reportazhi për artistët pamorë më të mëdhenj të shekullit XX, Gjon Mili takon Pablo Picasson në shtëpinë e tij në rivierën franceze. Aty ai realizon një varg fotografish me teknikën e tij origjinale, ku më e famshmja mbetet ajo që do të quhet: “Picasso duke vizatuar Kentaurin me dritë”. Një vit më vonë, në janar të vitit 1950, koleksioni i fotografive me Picasson ekspozohet në Muzeun e famshëm të New Yorkut, MoMA, ku do të përcillet me kërshëri të jashtëzakonshme si nga kritika ashtu edhe nga publiku amerikan.
Në vitin 1966, Gjon Mili përjeton një tragjedi: shkaku i instalimit të vjetër të rrymës elektrike, studion e tij në Rrugën 23 të New Yorkut e kaplojnë flakët e pakontrolluara, të cilat ia shkatërrojnë dy të tretat e materialeve të vlefshme (fotografi, negativë, dokumente e letërkëmbime të rëndësishme). Gjatë përpjekjes për ta shuar zjarrin e madh në studion e tij, vdesin 12 zjarrfikës.
Gjatë karrierës mbi 45-vjeçare artistike, Mili realizoi edhe disa filma të shkurtër artistikë, nga të cilët duhet të veçohet ai kushtuar xhaz muzikantëve të mëdhenj të kohës, “Jammin’ the Blues”. Shkaku i vlerave artistike dhe risive regjisoriale, ky film u nominua për çmimin Oscar në edicionin e vitit 1944.
Për veprën fotografikë të Gjon Milit janë botuar tre libra. Në vitin 1960 botohet libri “The Magic of Opera” – libër i panjohur deri tani për opinionin shqiptar, që i kushtohet historikut të Operës Metropolitane. Tri të katërtat e këtij libri janë të ilustruara me 68 fotografi të Milit, nga të cilat duhet të veçohet ajo e divës së operës botërore, Maria Callas. Tekstin e librit e ka shkruar kritikja e teatrit dhe muzikës, Mary Ellis Peltz.
Në vitin 1970 botohet libri “Picasso’s third dimension”, i redaktuar nga vet Gjon Mili, ku përfshihen fotografitë e realizuar nga dy vizitat – më 1949 dhe më 1967 – që ia ka bërë piktorit më të madh të shekullit XX. Libri përfshinë serinë e fotografive të “vizatimit me dritë”, disa portrete – në mesin e të cilëve është ajo emblematikja, e Picassos me lulen e kuqe në vesh – si dhe fotografitë e dhjetëra veprave artistike që piktori i kishte në atelienë e tij. Teksti shpjegues i Milit karakterizohet nga një stil i rrjedhshëm dhe lehtë i kuptueshëm.
Në vitin 1980 botohet vepra “Gjon Mili-Photographs & Recollections”, që mund të konsiderohet si libër monografik i gjeniut shqiptar, i botuar tërësisht nën mbikëqyrjen e tij. Në tekstin e shkruar nga vet Mili, shpjegohet rrugëtimi i tij krijues – qysh nga fotografia e tij e parë artistikë e realizuar në vitin 1931 (portreti i çelistes Margaret Aue), si dhe porosia e parë e bërë nga revista LIFE në vitin 1938 (ku portretizohet kampioni i tenisit në SHBA, Bobby Riggs).
Qysh në fillim të tekstit të kësaj monografie, Mili përmend shoqërimin e tij me Faik Konicën, për të cilin thotë se “ishte një shok i moshuar shqiptar; një shkrimtar i shkëlqyer; një humanist dhe një intelektual i mprehtë. Konica ka marrë mundin për të zgjeruar interesimin tim për artet, sidomos për filmat, të cilët i pëlqente dhe i konsideronte si një formë artistike më rëndësi…”, ka shkruar ai.
Shoqërimi i Milit me Konicën i ka fillet tek Federata Panshqiptare “Vatra” (e themeluar në Boston, në vitin 1911 nga Fan Noli), të cilën Gjoni i sapoardhur në New York, e vizitonte shpesh. “Vatra” për te u bë nji “strehë shqiptare” në Amerikën krejtësisht të panjohur për te, si dhe një mundësi për të krijuar miqësi me shqiptarët që mblidheshin rreth saj si dhe rreth gazetës “Dielli”që ishte organ zyrtar i saj. Sipas Dalip Grecës një ish-botues dhe redaktor i gazetës “Dielli”, Gjon Mili pas arritjes në Amerikë e fliste shqipen me vështirësi dhe ishte pikërisht, lidhja e tij me “Vatrën”, ajo që atij ia mundësoi mësimin e shqipes së folur por edhe të shkruar, të cilën Mili shumë intelegjent, në dekadën e parë të jetës së tij në “tokën e ëndrrave”, e përdori për të shkruar shumë artikuj lidhur me aktivitetet politike dhe kulturore të shqiptarëve të Amerikës por në raste të caktuara edhe të përkthente tregime nga gjuha rumune, në shqip.
Gazeta “Dielli” e datës 25 maj 1928 jep këtë shënim të redaksisë për Gjon Milin: “Zoti Gjon Mili ish-arkëtar i Vatrës, i rritur në Rumani, kur erdhi në Amerikë, nja pesë vjet të shkuara, nuk e dinte mirë shqipen. Po të marrim atë gjë në sy, do të shohim nga përralla e përkthyer se përparimi që ka bërë me shqipen është me të vërtetë për të vënë re”. Z. Greca na jep edhe një detaj tepër interesant që tregon lidhjen e fortë të Milit me Federatën “Vatra” dhe përkrahjen financiare që ai ia jep asaj herë pas here. Vetëm në vitin 1928 gjatë një fushate për ta ndihmuar këtë shoqatë të rëndësishme shqiptare, Mili i dhuron 2,500 dollarë të cilat nëse përllogariten me kursin e sotëm të valutës amerikane, na del shuma prej 120,000 dollarësh! “Ka shënuar rekord, askush nuk ka dhuruar sa ai. E konfirmon këtë fakt dokumenti që ndodhet në arkivin e Vatrës. Gjon Mili kishte kryer edhe detyrën e arkëtarit të Vatrës. E vërteton këtë fakt një urim që botoi Dielli në numrin e marsit 1930, përmes të cilit mësojmë se Mili ishte në Boston, pas një problemi shëndetësor,që e kaloi. Pas shtrimit në spital gjithçka shkoi mirë. Në fakt edhe në një numër të mëparshëm, atë të 7 Marsit, Dielli e njoftonte shtrimin në spital të Milit, ndërsa numri i 11 marsit 1930 i uronte shërim të plotë ish arkëtarit të Vatrës. Derisa publikohen këto lajme rreth tij, kuptohet se që në atë kohë ai ishte një personalitet që përbënte lajm. Saktësojmë se Gjon Mili nuk ka qenë kryetar as i ndonjë dege të Vatrës, as i qendrës, siç kanë përcjellë informacione të pasakta disa shkrime, apo intervista. Ai ka luajtur disa herë rolin e Chairman-it në kuvendet e degës nr. 42, por kjo nuk do të thotë se ai kryente funksionin e kryetarit,-Chairmani kishte mandat vetëm për Kuvendin.
Rasti i Gjon Milit konfirmon edhe një herë faktin se Gazeta “Dielli” ka qenë një shkollë e vërtetë për t’i edukuar shqiptarët me frymën kombëtare…”, thuhet në shkrimin e Dalip Grecës të botuar në gazetën “Dielli”, me 02 mars të vitit 2015 i cili ma tutje na jep edhe të dhëna për vdekjen e Milit: “Mjeshtri u shua pas një sëmundje të rëndë të mushkërive. Dha shpirt në Courtland Garden, në Stamford, Connecticut. Shërbimet mortore u kryen në Manhattan, qendra metropolitane e famshme në të gjithë botën, veçanërisht për galeritë dhe muzetë, ku Mili kishte shkëlqyer, duke punuar disa dekada për revistën e njohur”LIFE”, bashkëpunim që e kishte nisë që më 1937 dhe përfundoi në fund të jetës më 1984. Atë të premte shkurti të vitit 1984, në shtëpinë mortore Frank E. Campbell, në 81 Street dhe Madison Avenue, ne Manhattan-NY, kishte fare pak shqiptarë. Vlen të përmendet mikja e tij, zonja e Vatrës, kryetarja degës së Nju Jork-ut dhe zëvendës/kryetare e Federatës Vatra, gazetarja dhe Shkrimtarja Nexhmije Zajmi, e cila ishte një nga shqiptaret e pakta që nuk i ishte ndarë deri në çastet e fundit të jetës.” Sipas një deklarate që ish-Nënkryetari i Federatës Panshqiptare “Vatra” Sergio Bitici i kishte dhënë gazetës “Dielli” pas ceremonisë mortore të Gjon Milit, del se në funeral kishin mar pjesë vetëm tre shqiptarë: veç atij edhe mikja besnike e fotografit, zonja Nexhmije Zajmi dhe Tonin Mirakaj, patriot i dalluar dhe një kohë edhe kryetar i Federatës!
Nëse për shqiptarët indiferentë dhe shpesh të pakuptueshëm, nuk ishte bërë bujë e madhe rreth vdekjes së shqiptarit më me nam në Amerikë dhe Europë, tepër mbresëlënëse janë reagimet e ditores njujorkeze “The New York Times” dhe revistës mujore “Popular Photography” që konsiderohej më e specializuara dhe më e madhja për fotografinë amerikane dhe botërore.
Dy ditë pas funeralit të Gjon Milit (16.02.1984), gazeta “The New York Times” boton shkrimin e William. R. Greer me titullin “Gjon Mili, Life Magazine Photographer, dies” ku veç arsyeve dhe vendit të vdekjes dhe të dhënave për ceremonin mortore të fotografit shqiptar, jepen të dhënat kryesore që identifikojnë aktivitetin dhe artin fotografik të Gjon Milit.
“Z. Mili, një bashkëpunëtor për një kohë të gjatë në revistën Life, filloi të përdorte blicin elektronik në vitin 1937. Me të, ai ngrinte një moment veprimi në një fotografi ose, me një seri të shpejtë shkrepjesh të njëpasnjëshme, bënte një studim-frize të fazave të njëpasnjëshme të të njëjtin veprim.
Pikërisht me një teknikë të tillë, të quajtura fotografi stroboskopike, ai e krijoi versionin e tij të pikturës së Duchamps “Nude Descending a Staircase”…
Tutje nuk lihet pa u përmendur edhe fotografia ikonike e Milit që tregon gjeniun Picasso duke vizatuar me një llambë drite një kentaur, e që gazetari e quan “The Definitive Picture”.
Revista amerikane “Popular Photography” në edicionin e saj të muajit korrik të vitit 1984), vdekjes së Gjon Milit ia kushton editorialin e saj të shkruar nga një mik i vjetër i fotografit shqiptar, editori, shkrimtari dhe fotografi Arthur Goldsmith i cili veç tjerash jep të dhëna për karakterin e “gjeniut shqiptar” dhe shpjegon relacionin miqësor me të cilin jo çdo herë shkonin gjërat lehtë. “Mili ishte një personalitet jashtëzakonisht individualist, i flaktë, i zjarrtë dhe rast i rëndë për t’u përballur edhe për miqtë dhe admiruesit e tij të shumtë, por ishte më bujar me ata që i pëlqenin. Ai dhe unë patëm një grindje që lindi nga arsyet më të parëndësishme personale dhe nuk folëm për më shumë se një dekadë. Pastaj, në një ceremoni, iu afrova për të thyer akullin dhe dita tjetër na gjeti së bashku. Ai më tha atë natë se nuk mendonte se isha njeriu që shkruaja më së miri për fotografi dhe se gjatë atyre viteve sa nuk kishim folur, ai kishte lexuar gjithçka që kisha shkruar.
Epo, ndoshta e gjithë kjo nuk ishte fjalë për fjalë e vërtetë, por mund ta imagjinoni se si u ndjeva, dhe isha i lumtur që në dekadën e fundit marrëdhënia jonë ishte aq e përzemërt.”, shkruan Goldsmith.
“Mili pati një ekspozitë mbresëlënëse retrospektive në Qendrën Ndërkombëtare të Fotografisë në Nju Jork (1980), të cilën Harvey Fondiller e prezantoi me entuziazëm në POP PHOTO (Popular Photography v.j.)… Më vjen mirë që ndodhi kur ai ishte ende në gjendje të mirë shëndetësore për ta shijuar atë. Ai, së bashku me Edgerton, do të zbarkojnë në historinë e fotografisë në një nivel me Eadweard Muybridge si zgjërues të përceptimit vizual njerëzor.”, vazhdon ai.
Arthur Goldsmith përshkruan edhe trajektoren e suksesit të Gjon Milit që nga mbëritja e tij në New York.
“Gjon Mili 79 vjeç, vdiq nga pneumonia me14 shkurt 1984. Me origjinë shqiptare, ai erdhi në SHBA në vitin 1923 për të studiuar inxhinierinë elektrike në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT). Pas diplomimit, ai punoi për 10 vitet e ardhshme si inxhinier ndriçimi për General Electric (Westinghaus) ndërsa ndoqi fotografinë si hobi. Në vitin 1937, ai takoi prof. Harold Edgerton, njeriun që zhvilloi flashin elektronik dhe filloi një bashkëpunim të gjatë që i mundësoi Milit të kombinonte elektronikën dhe fotografinë. Nëpërmjet atij kombinimi, bota e fotografisë u transformua dhe vizioni njerëzor u zgjerua. Duke bashkuar ekspertizën e tij elektronike të teknologjisë së lartë me ndjeshmërinë estetike dhe fuqinë e personalitetit të tij, Mili përfundoi një punë të mahnitshme: imazhe tani të marra si të mirëqena, por që fillimisht konsideroheshin shpesh si të falsifikuara, sepse nuk ishin parë kurrë më parë. Ato varionin nga pjesë milisekondëshe të kohës, një predhë 37 mm e ngrirë që lëvizte me një shpejtësi prej afro 3000 këmbë (afërsisht 1000 metra v.j.) për sekondë, te pamjet stroboskopike në skenat e kërcimit të vallëtarëve dhe fotografia e Pikasos duke vizatuar me një laps-llambë (vizatim me dritë v.j.). Edhe pse asnjëherë nuk ishte pjesë e stafit të Life, Mili ishte i shumë i lidhur me të. Life riprodhoi shumë imazhe të tij mahnitëse dhe e mbështeti atë pasi Studio e tij në Union Square (një studio e njohur fotografike) u dogj në vitin 1966.”
Në fund të këtij shkrimi përkujtues për këtë figurë të jashtëzakonshme që në rrafshin ndërkombëtar e lartësoi emrin e shqiptarit për 60 vjet pa ndërprerje dhe në rrafshin kombëtar dha kontributin e tij të padiskutueshëm intelektual dhe financiar, në forcimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, në mënyrë që kjo shoqëri ta lunate rolin e saj të padiskutueshëm në promovimin e kulturës dhe politikës shqiptare në periudhën kruciale për ekzistencën e shtetit shqiptar që sulmohej pandërprerë nga fqinjët e tij hijena, që tentonin zhbërjen e asaj që u themelua me 28 Nëntor të vitit 1912, shqiptarët (shoqëritë dhe politika në Shqipëri e Kosovë) akoma nuk e vlerësojnë si dhe sa duhet! Gjon Mili e ka merituar që në Korçë, Tiranë dhe në Prishtinë t’i ngritet një bust apo shtatore në ndonjë nga parqet apo sheshet e tyre në mënyrë që ata që e vlerësojnë jetën e veprën e tij madhore, ta kenë një vend ku do ta nderojnë ate qoftë me një lule të freskët!/KultPlus.com