Migjeni, nji urdhnesë e shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë e vullnete t’epërme zotnimi

Nga Albert Vataj

Asht ai emër, ai za, ai kushtim që vjen dhe rivjen te sekush prej nesh, për të dëshmu, për të kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne, vullnesën njerëzore. Po atë forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt kërkojnë fluturimin, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet me mposht mitin antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarr sa her koha prêt me padurim ngulmin e asaj hazdisje.

E qe besa i duhet dhanë tançka Migjeni i madhe dha në ato pak vite të zorshme jetë, në atmot të hoveve të mëdha, ndryshimeve të potershme e shumëçkasë tjetër që thepiste shtegun përnga kalonte kalvari i të përditshmes së asokohëshme e të tashmes, domosdo.

Kurrkush tjetër nuk ka mujt me mbetun në letërsinë shqipe i fuqishëm, vërshues, kushtrues e panikndjellës si Migjeni, si vargu i tij, e shkulmi i tij i zashëm i brendisë gufuese n’vedvedi.

Jo të gjithë  munden me mbet “përdhunshëm”, siç ka mujt me met vetëm ai, në gjinin e visareve, e me u përkund në përjetësi, si jeta prej nga ne marrim mëkimin e kungimit, nervin e vetëtimës, turrin e stuhisë, thellësinë e të pambarimtes, e bekimin e Zotit, atij etern e atij tokësor.

Megjithë se regjimet nuk reshtën së anatemuari kryeveprën që skaliti me rrufe e zemëratë, zanin buçitës të revoltës që mruni në britma dhe dhimba, ai asht si atmot e tash, po kaq i magjishëm me vargun të farkëtuar në shpirtin e mraztë e trupin delikat, në zemrën e Vezuvtë e shëndetin e stërkequn.

Çfarëdo që është rrekun për me përplotësu mitiken e penës vetëtitëse të Migjenit, e mangët metet, e paplotsume shkon rrëshqan, ndërsa vargu i tij tingllon si pslam i një libri t’shenjtnum ndër jetë njerëzish, toksorësh t’dhanun me mish e me shpirt dashnis e dijes, krenis e kumtimit. E pamujtin orvatet çdo ngut e ngulm, për me e sos n’nji imazh apo n’nji përfytyrim, qi nuk len tjetërçka me hy n’te si nji nevoj përsosjeje, ndërsa zani i zashëm i shpirtit të tij, gurrueshëm cyt ndër t’hovshme ngulme për me mujt me zotnue t’tashmen e përgjithmonshme të të drejtës së gjithkujt me ken dhe me u ndi Zot i fatit t’vet.

Britma i atij zani dhe paqtia e asaj hukame qi përtrini jetën e fikun prej shtërzimit e zorit, idhnimit dhe hekave, janë si nji predikim, si një udhëprimje e nji dishtrimi t’hyjshëm qi nxinet për me premtue besim e me dëbu t’keqen, shpirtit me i dhanë gajret, dritë me shpërthy ku terri s’ka mëshirë për kurrçka tue përly, e mirësi me mëku ku skamja ngërthen thonjt n’kurme t’shterruna.

Migjeni, ai shtat i drobitun prej s’munjet, ai shpirt i shterrun dihamsh e dhimbjesh qi koha i’a mylmeu me trazim e pezëm, mujti me jetu njaq pak dhe diti me na dhan njaq shumë, ndoshta gjithçka që kishte z’brendshmi, ndoshta tançka qi na e meritonim.

Ai erdhi si një misionar. Nuk pruni asnji dogmë me vedi. Nuk mëtoi asnji skizëm. Nuk \thirri në këndimin e vet gjëmues asnji forcë supreme. Krejt ç’ka përbani kacafytjen prej ngadhnjyesi ishte njaq toksore, sa gjithçka tjetër qi erdhi e xuni vend si kumtimet e një premtimi. Ju desht me ik, ndoshta përdhunshëm, por pa i marrë me vedi në amshim kurrgja veç shtatin e shterrun ligshtimit e eshtnat e grryeme prej kujës. Krejtçka tjetër qi u ngjiz, u rrit e u hyjnizue me te, mujti me met nër ne, jo vetëm si nji amanet por edhe si një parathanje e nji të tashme qi idhnushëm përsëritet e bahet nji e ardhme fatkeqe, n’se nuk ka “nji grusht t’fuqishëm” qi nuk e godet.

Prej penës së tij, prej andjes dhe zemrës, kaq shumë të dhanun ligshtimit, ai skaliti me zjarm rrufeje vargje dhe strofa, poezi dhe himne, t’cillat kan met urdhnuese e kushtrus në vetëdijen e brezave. E kush erdhi këso jete e u mëkue prej kësaj fryme të shenjtë, e nuk u ba një zelltar i përkushtuem i këtij shenjtori, këtij besimi, kësaj force përtrimjet, këtij shkasi motivimesh t’epërme e ngulmesh t’zjarmta.

Historia, e bashkë me të, kujtesa jonë kolektive, pak e sëmbueme prej pushtetesh e poshtnimit, dogmash e demagogjishë, dhanun babzish e shterrimit, skllavnumun harbimit e hazdisë, ka dëshmu, noshta edhe me përdhuni, se kush duhet me met, edhe jo vetëm me met, por me e pa ndërsa rrin e rritet përplot hir dhe madhështi në panteonin e vlerave dhe kumteve. Për me e pa e çmue si një dishepull të një urdhnese t’shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë. Ajo vepër, ai za gjimues, metet ndër dëshirime t’tona, ndër njata vullnesat tona, t’njituna njaq nalt sa me e ndi dorën e plotkivetshme e hirin e shenjtnum thirrun prej tharmit të tokës e qiellit. Vitet deng me vërshim, e kanda jonë, punon me themel, duke ken e pamëshirshme dhe ngulmuese. Përmes lojës së saj të evoluimit, historia, në dukje-absurde e paradoksale, e ka ba dhe e ban masmiri të sajen, duke gozhdu në panoramën e habisë, brezat që vijnë, me rreptësinë seleksionuese të shoshës së saj. E si për me dash me sfidu garrametjet e kacarritjet e përbaltjeve, në fundin e mbram ajo e vendos në vendin e vet, kungimin e forcës për të jetu njeriun brenda nesh, tan brezat e tana kohnave, përkundër soj-soj sunduesish e tiranish.

Koha asht gjykatësja ma e rreptë dhe njikohësisht ma e pamëshirshme, ajo përmbys figura të ngritura përdhunshëm në piedestal, shpërndan shkëlqime breroresh të rreme edhe kur balsamosen për t’u ruajtur përjetësisht në gjirin e saj, ajo i flak tej si byk i kalbun dhe i braktis përfundimisht tue i gjujt me ngulmin e zemëratës në zgafellat e terrta të harresës.

Kanda dhe vlera, amshti i përjetësisë e forca e ngulmimit në çdo zemër e nji bukurie të ashpër por kumtuese, nga qielli na bien në prehër edhe pas ma shum se nji shekulli. Asht ai emën, ai za, ai kushtim që vijnë e rivijnë te sekush prej nesh, për të dëshmu, për të kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne, vullnesën njerëzore. Po atë forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt kërkojnë fluturim e zapti, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet me mposht mitin antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarm sa her koha prêt me padurim ngulmin e asaj hazdisje me e rrok.

E qe besa i duhet dhanë tançka Migjenit të madh, por përmbi krejt i duhet lshu rrah e krah nji qiell qi mundet me e xan britmën e dhimbës e kushtrimit, njat ngulm qi ka met atëditë e sod si nji nevojë çlirimi.

Migjeni ishte dhe ka mujt me met atëditë e sod, njaj qi sekush din me e lexu e me e kuptu, jo tjetërqysh. Anipse ka kalue ma shumë se nji shekull qysh prej kur shkrepi kjo rrufe shgjetare ndër qiejt e mrrylun të të atëhershmes, zani që plazmoi në eter si një kushtrim kumbon papra edhe tash. Jo të gjithë munden me mbet “përdhunshëm”, siç ka mujt me met vetëm ai, në gjinin e visareve, e me u përkund në përjetësi, si jeta prej nga ne marrim mëkimin e kungimit, nervin e vetëtimës, turrin e stuhisë, thellësinë e të pambarimtes, e bekimin e ten’Zot, t’gjithëfuqishmit, atij etern e atij tokësor. Kurrkush tjetër nuk ka mujt me mbetun në letërsinë shqipe i fuqishëm, vërshues, kushtrues e panikndjellës, shkundullitës, si Migjeni, si vargu i tij, e shkulmi i zashëm i brendisë së nji shtati t’lënguem prej smundjes e thelbit të nji shpirti t’krisun prej idhnimit.

Megjithë se regjimet nuk reshtën së anatemumii kryeveprën e tij, zanin buçitës i këtij krahnori t’gufum prej revoltës, si atmot e tash, ka diçka me than, ka nji za me lshu ndër kohna t’zatetuna përnën thundrën e nënshtrimit, ka nji dhimb me kumtue ndër vullnete t’ndryshuna. Ai asht krejtkund ti mundesh me lshue shikimin, gjithkah ku hapi jot çapit n’trotuare t’lvorume ku nji dor e përvujshem shtrihet me lyp, por qi nep tançka ka n’vedi, nep kreninë, shet erzin, e qe besa thonjt në fyt i’a ngul t’tashmes që hiqet zvarrë si një agoni q’i s’ka vorr qi e xen.

Migjeni ishte dhe mbeti një nga kolonat vertebrale të letërsisë së viteve ’30, një nga shpërthimet më të befasishme të kohës, një nga tundimet më zemëratëse të forcës për të ngritur krye, për me kërku ndër ne një grusht t’paligjshëm për me i ra n’zemër malit që s’bzan.  Migjeni ishte shkrimtari më modern i viteve 30 dhe një lajmës i të kenit i gjithmonshëm, sa kushtrues aq edhe i dhimbshëm, sa i lëndum aq dhe kurajshëm. Plagë ishte dhe meti në kurmin e drobitun hekash e në shtatin çjerrun përpjekjesh. Ai si kurrkush tjetër, gjithë landën jetësore që barti i’a nënshtroi një këndi me të pamëdyshtë të ri shikimi, atij ekzistencial, të njëmëndtë. Fati i njeriut në botë, lumnia e fatkobi i tij, kjo ishte tematika zotëruese në krijimtarinë e Migjenit, kjo ishte hea e breznive, kafshata e idhët e mrumun me lot e gjak. Larg çdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik, të cilin munet me e shkel çdo këmbë. / KultPlus.com

‘Vuejtja’

Poezi shkruar nga: Migjeni

Vuejtja

Ka do dit
që po shof fare mirë
se si nga vuejtja syt po më madhohen,
nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen
e si buzqeshja m’asht e hidhun…
… dhe po ndij
se si mëngjeset e mia
nukjanë ma mëngjese hovi e pune,
as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë
e një jete që s’durohet.
Dalngadalë po shof
si jeta një nga një
secilin ndjesi
me tradhti
po ma vulos
dhe s’po më mbetë asgja
që me u nda
si shej gëzimi,
përpara
nuk e dishe, ojetë,
se kaq i tmerrtë
asht grushti i yt
që mbyt
pa mëshirë.
Por kot
në pasqyrë po shof
se si nga vuejtja syt po më madhohen
nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem
flamur i vjetruem
i rreckuem
ndërluftat e jetës. /KultPlus.com

‘Melodi e këputun’, poezia e Migjenit që rrëfen dhimbjet më të mëdha të një gruaje

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla

Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.

Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çastet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.

Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodin e këputun).

Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.

Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun. / KultPlus.com

“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi…”

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni

Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.

e mbi ta n’ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti.
mjerimi ka vulën e vet t’shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin –
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t’mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t’cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.

mjerimi s’ka fat. por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t’shkyem dhe të coptuem me t’dalun bese.

mjerimi tërbohet n’dashuni epshore.
nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t’qelbta, t’ndyta, t’lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t’verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
dhe aty zajnë fillin t’marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

mjerimi në dritzën e synit t’kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t’tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt’ i keq
tu’ ndukë gjitë e shterruna t’zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
foshnj’ e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s’e don, por vetëm mallkon.
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t’u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t’i iki grushtit q’i kërcnohet,
atij grusht që n’gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij’ e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
nji fryt kur s’piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n’bark t’dheut mbaron.

mjerimi punon, punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n’gjujë, n’baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh
në ditë – vetëm: lekë tre-katër dhe “marsh!”.

mjerimi kaiher’ i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s’ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.

mjerimi gjithashtu len dhe n’trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n’gjoks ndoj dhimbë,
mund që t’len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz’ i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin’ e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan’ i njeriut që vdiste nën tra.
kështu nën kambët’randë t’zotit t’egërsuem –
thotë prifti – vdes ai që çon jetë të dhunuem.

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle.
e gota e turbull, gota satanike
tu’ e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
tê gjitha hallet skami n’gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q’i ban shkrum shkreptima.

mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t’bajnë t’çmendesh,
që t’ap in litarin të shkojsh fill’ e t’varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafësh.

mjerimi s’don mshirë. por don vetëm të drejt!
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.

mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n’ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj. / KultPlus.com

“Melodi e këputun”, poezia e Migjenit që rrëfen dhimbjet më të mëdha të një gruaje

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla

Melodi e këputun – lot i kjartë nga syni
i një grues së dashun…
andje e përplasun,
xhevahir i tretun,
një andërr e shkelun,
buzë e paputhun
në melodin e këputun.

Nga vaji i heshtun shkunden supat e zhveshun,
verbojnë nga zbardhimi…
e ther, ther hidhnimi
për çastet e rrëshqitun,
për fatin e ikun,
për gëzimin e humbun
në melodin e këputun.

Brrylat ndër gjujë të mpshtetun, ftyrë në shplakë e fundosun:
Qan grueja e pikllueme
me zemër të piskueme
(një kitarë e gjymtun,
za kange i mbytun
në buzë nga dhimb’ e puthun
në melodin e këputun).

Hesht njeriu pran grues që qan e turpnueme…
syni i venitet
në të loti vërvitet,
diçka nxjerr nga xhepi
grues ia lë – dhe së shpejti
e len gruen e humbun
në melodin e këputun.

Por kur vjen ndoj tjetër, epshi kapërthehet,
gjaqet turbullohen,
përzihen, përvlohen,
çohen peshë, tërbohen
… e vetëm ndëgjohen
ahtët e molisun
në melodin e grisun. / KultPlus.com

Një natë pa gjumë…

Millosh Gjergj Nikolla.

Pak dritë!
Pak dritë!
Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen, kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen, urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.

Pak dritë!
O burrë!
O hero’ ngado që të jesh. ….Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh, se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.

Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate ta shkruejshe kushtrimin…

Ehu Burrë i tretun Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate. Por pishë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët…Dergjem n’errsin pa gjumë dhe pa dritë…Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot…Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt. Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita – Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala e jote?Kur ti këndon thonë se asht afer drita…Por un s’besoj sonte në Çalët e ksaj bote.

Hiqmuni qafe, mendimet O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin, më fal atë që due: gjumin dhe andm’min e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin./KultPlus.com

Fjalët e fundit nga Migjeni

Dje ishte 80-vjetori i vdekjes së 27-vjeçarit që pavarësisht rock-ut të papërsëritshëm të prozës së vet – arkapi(je) e vërtetë kah shtrëngatave letrare europiane të viteve ‘30 – nuk u bë dot kurrë pjesë e Club 27.

Dëshmia e tij e fundit me shkrim qe nga një spital italian, ku ishte çuar për t’u kuruar nga tuberkulozi:

“15 Maj 1938 – Ka kohë që më sillet ndër tru mendimi të marr shënime në shtëpinë e të dëshpruemve – në sanatorium. Sot, ma tepër se kurr, m’asht duke kjo banesë shtëpi e të dëshpruemve, mbasi nuk ndihesha mirë fizikisht, e kur nuk ndihem mirë fizikisht, vuej dy herë ma tepër shpirtnisht. Mbasi e diela – erdhën Olga, Arta T. Dhe Ankthim K.*

Biseduam mbi temën e ditës: politikën, mandej mbi mizat e ngordhuna nëpër tokë nga formalina. Në korriz të politikës së ditës dhe në korriz të mizave të ngordhuna e bamë pak gaz. Kur shkuen këta, ndihesha ma mirë dhe në darke ngrana mjaft mirë.”

Millosh Gjergj Nikolla./ KultPlus.com

Kanga e rinisë

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni.

Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit te përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na – se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.