35 vjet nga fjalimi i Millosheviqit në Gazimestan

Miti i sajuar i Kosovës, klerofashizmi serb dhe shteti i Kosovës…

Jusuf Buxhovi

Para 35 vitesh në Gazimestan, para turmës një milionëshe serbe, me fjalët se “pas gjashtë shekujsh, prapë gjendemi para betejave dhe në beteja, të cilat nuk janë të armatosura, por sado që të tilla nuk përjashtohen”, Milosheviqi, hapi kapitullin e përgjakshëm të rrënimit të Jugosllavisë me pasoja tragjike për popujt e saj.

Në këtë ditë, në tribinën e Gazimestanit, para kryesisë së shkërmoqur jugosllave dhe sy botës së hutuar me ato që po ngjisnin me trashëgimin e Titos, u promovua “vozhdi” serb i reinkarnuar nga Lazari i Kosovës që ta rikthejë “lavdinë histotorike serbe” dhe, si tha, “misionarizmin e serbëve për ta mbrojtur qytetërimin europian” (kuptohet nga shqiptarët pushtues të tokave të shenjta serbe)!

Po ato ditë, diku afër Gazimestanit, dr. Ibrahim Rugova, asokohe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në një intervistë historike dhënë magazinit gjerman “Der Spiegel”, ndër të vetmit, në emër të ndërgjegjes intelektuale, historike, kulturore dhe politike (ndonëse pa mandat të saj), ia ktheu përgjigjen kërcënimeve të Millosheviqit drejtuar shqiptarëve po edhe të tjerëve në festën klerofashishte të Vidovdanit serb.

Me pak fjalë, kundërpërgjigja e Dr Rugovës Millosheviqit, në të përjavshmen më të fuqishme gjermane dhe europiane të kohës, ishte se në mars të atij viti, në ditën e 23-të, Millosheviqi, me tanke dhe në rrethanat e gjendjes së jashtëzakonshme, rrënoi autonominë e Kosovës, si njësi federative. Me këtë bëri puç ndaj kushtetutës jugosllave. Ky veprim nga shqiptarët shikohet si ripushtim i Kosovës, mbas atij të vitit 1945. Me këtë rast Rugova tërhiqte vërejtjen serbëve se “sa herë ndonjë popull i vogël, e të tillë janë edhe serbët, kanë provuar të vejnë hegjemoni në Ballkan, kanë përfunduar tragjikisht”.

Pra, orgjia klerofashishte serbe e qershorit të vitit 1989, përfundoi siç parashikonte dr Rugova në magazinin gjerman. Por nga këndvështrimi i sotëm historik, Gazimestani nxori në pah dy nga akterët më të rëndësishëm të saj, që shënuan epoka me kah të kundërt.

Në njërën anë, Millosheviqin – humbës të saj, i cili në vitin 2003, si president i mbetjes jugosllave, përfundoi në Trtibunalin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte kundër njerëzimit ku edhe vdiq gjatë procesit në vitin 2006.

Dhe, në tjetrën anë – dr Ibrahim Rugovën, si lider historik të shqiptarëve, i cili, me themelimin e LDKs-ë më 23 dhjetor të vitit 1989, me mandatin e votës së lirë nga zgjedhet presidenciale dhe parlamentare në vitin 1992 dhe 1998, mori përgjegjësinë historike të rezistencës institucionale (me shtetin paralel) deri te ajo e armatosur, e cila solli ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.

Historia, midis demistifikimit të mitit të sajuar serb të Kosovës për qëllime hegjemoniste dhe të lirimit të Kosovës prej tij që për epilog pati shtetin e pavarur të Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, mund të thuhet se fillimin e fundit e pati më 28 qershor 1989 në Gazimestan.

Ky kapërcim i jashtëzakoshëm historik, megjithatatë, ka lënë prapa frymën e klerofashizmit serb, i cili, në çdo Vidovdan, përpiqet që në Kosovë, ta mbajë të gjallë mitin mesjetar të “Kosovës djep historik serb”, sadoqë realiteti (shteti i Kosovës dhe përkatësia perëndimore e shqiptarëve) e ka zhvlerësuar deri në anakronizëm!/KultPlus.com

Millosheviq “kthehet në Kosovë”, nesër premiera e shfaqjes “Slobodan Show”

Slobodan Millosheviq, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, por që nga vendasit e tij cilësohej hero, do të rikthehet në Kosovë, por tani si një lojë në teatër nga një trup serbe. “Slobodan Show” e ka premierën të martën në Graçanicë.

“Me këtë lojë ne duam të përballemi me demonët tanë, me një periudhë të pamëshirshme për ne”, ka thënë Nenad Todoroviq, regjisori i dramës muzikore.

“Ne kemi hapur një dollap nga i cili po dalin skeletet”.

Jelena Bogovac, që ka shkruar pjesën, tha se donte të hapte një dialog në krizën identitare të serbëve që kanë dështuar të arrin një konsensus në fajin dhe pafajësinë e Millosheviqit.

Teksti në përgjithësi është marrë nga fjalimet e Millosheviqit, librat dhe ditari i gruas së tij Mira Markoviq.

Drama fillon me Markoviqin që thërret duke i thënë burrit të saj “Mos shko në Kosovë”, dhe më pas duke shtuar “Ai nuk më dëgjoi”./ KultPlus.com