Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva, dyshja që mbërtheu publikun brenda botës pianistike në ‘DAM Fest’

Era Berisha

Një dyshe pianistike mbushi sallën në natën e pestë të Festivalit Dam në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke mbledh rreth vetes artdashës të shumtë të cilët patën rastin të shijojnë nga afër interpretimin unik të Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva nga Maqedonia e Veriut, me ç’rast loja e tyre mjeshtërore në një piano të vetme mbizotëroi jo vetëm atmosferën por edhe vëmendjen e të pranishmëve duke i futur ata brenda vorbullës melodike që krijohej vazhdimisht gjatë tërë natës, shkruan KultPlus.

Për pesë netë me radhë, skena e cila ndërronte vetëm prezencën e instrumenteve në kuadër të mbrëmjeve muzikore, kësaj here kishte ndërruar edhe ndriçimin. Gjithsej 12 drita të ngrohta të vendosura lart në hapësirë ishin vënë pingul mbi instrumentistët dhe pianos gjigande të zezë e cila ishte vendosur mu në mes të skenës, ndërsa tetë reflektorë me ngjyrë të kaltër si dhe perdet e zeza po vazhdonin të lenin gjurmë të dukshme në pamjen e këtij festivali. Po ashtu, reflektori i vënë anash në një kënd perfekt po vinte në pah interpretimin pianistik të dyshes që solli vepra të shquara para publikut.

Mbrëmë, jo vetëm skena por edhe çelësat e pianos u pushtuan nga tingujt tundues të cilët furishëm dilnin nga kontrolli për të sjell kështu nota të sakta të kompozitorëve botërorë si: Franz Schubert, Sergei Rachmaninoff dhe Maurice Ravel. Lëvizjet trupore të lehta, lëvizjet e kokës poshtë e lart, shtypja e petaleve, pasioni i zjarrtë e i ëmbël në sytë e dy pianistëve, ishin vetëm disa nga elementet kryesore që tregonin efikasitetin, saktësinë dhe elegancën e interpretimit të tyre brenda qetësisë absolute që solli publiku.

Duke nisur nga lëvizjet më të lehta e deri tek ato me më shumë dinamikë, veprat si: “Fantazi në f-mol D.940”, “6 Morceaux, Op.11” dhe “La Valse”, erdhën me një magji dyshe e të pakrahasueshme. Krah më krah, e duar me duar, brishtësia e tingujve vazhdonte ritmin deri në një thyeshmëri që në mënyrë drastike ndërrohej për të sjell çmendurinë delikate të melodive unike.

Përgjatë pothuajse një ore, këto vepra dëshmuan se teknika e goditjeve të tasteve jo vetëm me të gjitha gishtërinjtë por edhe me një të vetëm, nuk lë vend për shpërqendrim e aq më pak kur puna mjeshtërore e interpretimit të tyre e hipnotizon publikun qysh në sekondën e parë kur melodia e parë fut rrënjët në sallë dhe vazhdon ti lë ato rrënjë brenda secilit të pranishëm edhe pas përfundimit të vijës melodike.

Kështu krejt në fund, ishte publiku që në pamundësi për të duartrokitur për arsye se e djeshmja ishte ditë zie, ai i cili vështronte me një admirim të veçantë në sy e një dëshirë të madhe për të falënderuar këta dy pianistë të rinj që posedonin një talent të jashtëzakonshëm i cili shndërrohej në një mrekulli mahnitëse kur talentet e tyre të posaçme gërshetoheshin në një të vetëm.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të tij, për KultPlus folën pianistët Kristijan Karovski dhe Mimi Ducheva.

“Ndihemi shumë mirë, është diçka e pashpjegueshme ku vendos gjithçka që ke në jetë, gjithë energjinë tënde në të. Andaj edhe është një proces shumë individual e real dhe është gjithashtu shumë i vështirë për t’u shpjeguar”, thotë dyshja.

Sipas tyre, ata kanë luajtur së bashku sepse kanë gjetur cilësi të brendshme tek njëri-tjetri për të shfaqur muzikë.

“Ne besojmë në të njëjtat cilësi dhe është gjithashtu shumë e vështirë të flasësh për muzikën sepse nuk është një proces i thjeshtë edhe pse duket i tillë. Ndërsa, ajo që na bëri më shumë përshtypje është audienca. Jemi shumë të kënaqur me audiencën sepse njerëzit në fakt po dëgjonin”, përfundon dyshja.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë e përjetojë koncerte të artistëve të shkëlqyer nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com