Në Prishtinë botohet monografia për “Rilindasin e fundit” Thoma Kacori
Vepra “Ndriçime për Thoma Kacorin” e prof. Mimoza Hasani-Pllana mbetet me rëndësi të themi që në krye të herës se argumenti i zgjedhur prej saj është atipik, për arsye se Thoma Kacorrin mund ta konsiderojmë pa mëdyshje si “Rilindasin e fundit” (Akademik Stefan Çapaliku).
Vepra studimore për Thoma Kacorin, atdhetarin, shkrimtarin, përkthyesin dhe profesorin e parë universitar të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Sofje të Bullgarisë, botohet në Prishtinë nga autorja Mimoza Hasani-Pllana. Duke pasur parasysh veprimtarinë e gjerë kulturore, letrare, eseistike dhe të mësimdhënies, libri studimor është strukturuar në tri rrafshe: 1. Kontributi i Thoma Kacorit në shoqërinë shqiptare të Sofjes; 2. Kontributi i Thoma Kacorit në hartimin e fjalorit bullgarisht-shqip dhe librave universitar për mësimin e gjuhës shqipe nga gjuha bullgare dhe angleze dhe 3. Vepra letrare e Thoma Kacorit (fabula, tregime, romane, poezi).
Profesor Dhimitri Bello, si një prej bashkëpunëtorëve dhe miqve të njohur të Kacorit, recensent i monografisë, vlerëson se libri që na sjell studiuesja Mimoza Hasani-Pllana i cili i kushtohet njërit prej albanologëve më të mirë e më të njohur që jetoi dhe punoi në Sofje të Bullgarisë deri në fund të jetës së vet, përmban vlera njohëse për të gjithë ata që e njohin ose nuk e njohin si emër, dinë ose nuk dinë thuajse asgjë për jetën dhe veprën e Thoma Kacorit. Profesor Bello, vë në pah se në këtë libër gjejmë pjesë njohëse për dy fshatrat, Arbanasi (që mendohet se është themeluar nga komunitei shqiptar në Bullgari) dhe Mandrica që edhe sot kemi shqiptarë të vendosur atje prej shumë kohësh; veprimtari të kolonisë së Sofjes me biografi të shkurtër të disa prej tyre; një fjalor i rëndësishëm bullgarisht-shqip të gjetur në Malin e Shenjtë; pjesë nga veprat e tij artistike në poezi dhe prozë etj. Pavarësisht se veprimtaria e tij është mjaft e gjerë dhe e gjithanshme, sidomos pjesa që lidhet me gjuhën shqipe, si lektor dhe studiues i saj, Bello vlerëson se vepra e Hasani-Pllanës ndriçon mjaft pjesë të jetës së tij. Një libër i tillë i ka munguar publikut shqiptar, me bindjen se ky do jetë vetëm fillimi, vlerëson ai. Tutje në recensën e tij, profesor Bello shton se shfletimi i këtij libri e ktheu vite më parë dhe nëpërmjet rreshtave kujtoi fytyrën e dashur e gjithmonë të buzëqeshur të Thomait, duke vë në dijeni se me Thoma Kacorin ishte njohur gjatë studimeve universitare dhe doktorale në Bullgari (prej vitit 1993), dhe se kishte vazhduar miqësinë edhe pas kthimit në Shqipëri, deri në fund të jetës së tij. “Profesor Kacori është njeriu që së bashku me miken dhe bashkëpunëtoren e tij, njëkohësisht udhëheqësen time shkencore, Prof. Petja Asenova, më ka përkrahur dhe ndihmuar me shumë materiale gjuhësore që më duheshin për temën doktorale, por edhe si lektor i gjuhës shqipe në Bullgari. Dhoma e tij e punës, e rrethuar në të gjitha anët me bibliotekën që përmbante me mijëra kopje librash, u bë burimi im i informacionit dhe plotësimit me literaturë”, kujton profesor Dhimitri Bello.
Ndërsa akademik Stefan Çapaliku, vepra letrare e të cilit është përkthyer dhe promovuar në gjuhën bullgare, e që po ashtu është recensent i monografisë “Ndriçime për Thoma Kacorin”, potencon se Thoma Kacori pak i njohur ndër shqiptarë, ishte një figurë ndriçuese sidomos për koloninë historike të shqiptarëve të Bullgarisë. Ai veproi ndër kohë relativisht të vështira dhe të pafavorshme për të mbajtur gjallë relatat historike mes popullit shqiptar dhe atij bullgar, duke u përpjekur me vepra humane dhe vepra letrare ta forconte dhe ta nxiste këtë marrëdhënie. Ndaj, duke shqyrtuar nga afër veprën e prof. Mimoza Hasani-Pllana mbetet me rëndësi të themi që në krye të herës se argumenti i zgjedhur prej saj është atipik, për arsye se Thoma Kacorrin mund ta konsiderojmë pa mëdyshje si “Rilindasin e fundit”. Çapaliku shton se autoria e ka rrokur krejtësisht argumentin antropologjik të quajtur “Thoma Kacorri” dhe ia ka dalë të ndërtojë një tekst që i nxit lexuesit kurreshtjen për njohjen në themel të kësaj figure simpatike. Ajo përdor teknologjinë e pozitivizmit, duke ia dalë që ta shpjegojë veprën e Thoma Kacorrit nëpërmjet jetës së tij. Gjithashtu, autoria është treguar mjaft e kujdesshme ta vështrojë figurën brenda kontekstit politiko-historik të kohës kur veproi Kacori. Autoria është e ndërgjegjshme për funksionalitetin e letërsisë dhe filologjisë së Thoma Kacorrit dhe ndaj mbështetet fort në analizën përmbajtësore të këtyre veprave, vlerëson Çapaliku.
Monografia “Ndriçime për Thoma Kacorin” është botuar nga shtëpi botuese OLYMP në Prishtinë me përkrahjen e Këshillit të librit, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Bisedë me profesoreshën kroate, Maximiljana Baranćić
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza
Hasani Pllana: Profesoreshë Baranćić, sa është e zhvilluar albanologjia në
shtetin kroat, a mund të thuhet se ka trashëgimtar të denjë të albanologut të
njohur Prof. Dr. Aleksandër Stipćević?
Maximiljana
Baranćić: Në fakt nuk ekzistojnë studime albanologjike në Kroaci. Me sa di unë,
gjer më tani, nuk ka trashëgimtarë të denjë të albanologut dhe ilirologut prof.
dr. Aleksander Stipčević.
M.: Në
studimet tuaja të fundit shohim një interesim më të madh për të folmen
arbënishte, studimin e së cilës e keni zgjedhur për temën tuaj të doktoratuës,
a mund të veçoni disa elemente karakterizuese të kësaj gjuhe?
M.B.: Në studimet
e mia doktorale kam vënë theksin në disa karakteristika kryesore të së folmes
së dialektit tonë Arbënishtes. I kemi humbur disa zanore, p. sh: nuk kemi themi
”thana” por ”sana”, me ”than” por ”san”, derisa në gjuhën shqipe e kemi ”th” ne
e përdorim “s”. Nuk ekziston ndonjë dallim kur ne përdorim ”q” dhe ”ç”, dallim
që ekziston edhe në gjuhën kroate. Ne përdorim diçka në mes, që në gjuhën
kroate tingëllons si ”č”. E foljma jonë është e përafërt me dialektin
shqiptar, e vetmja gjë është se pas shumë viteve ne kemi humbur shumë fjalë dhe
po ashtu artikulimi ka ndryshuar lehtësisht. Por, kur unë flas, njerëzit në
Kosovë dhe Shqipëri më kuptojnë plotësisht. Kur ata flasin me mua nganjëherë
nuk i kuptoj, në veçanti nëse flasin shpejt.
M.: Përveç
studimeve lidhur me të folmen arbëreshe, tanimë keni publikuar edhe studimin
për ndikimet e fjalëve italiane në gjuhën arbëreshe, cilat janë rezultatet, sa
ka arritur arbërishtja e sotme të ruaj origjinën e saj, që nga koha e emigrimit
të komunitetit shqiptarë?
M.B.: Kam
shkruar një artikull dhe vitin e kaluar kam mbajtur një prezantim të atyre
kërkimeve në Kosovë mbi ndikimin e gjuhës italiane në dialektin tonë Arbanasi.
Ka shumë fjalë me origjinë italiane, të cilat kanë ardhur drejtpërdrejtë apo
indirekt përmes dialektit kakavian, që vjen si rezultat i jetesës në
komunitetit, me këta banorë. Arbënishtja është ruajtur në 35% të origjinës së
saj, që nga koha kur ka ndodhur emigrimi nga mëmëdheu Shqipëria, duke qenë kjo
një fenomen në vehte meqë nuk kanë ekzistuar shkolla, institucione etj.
M.: Keni
botuar edhe një libër për mësimin arbënishtes, si u mirëprit nga komuniteti
arbëresh?
M.B.: Është
pritur mjaft mirë nga komuniteti Arbëresh.
M.: A është
i mjaftueshëm organizimi i konferencave, seminareve, tryezave që organizohen në
Kosovë dhe në Shqipëri dhe sa ndihmojnë në zhvillimin dhe prezantimin e
hulumtimeve të studiuesve të huaj lidhur me studimet e gjuhës, letërsisë dhe
kulturës shqiptare?
M.B.: Besoj
se konferencat, seminaret dhe tryezat e rrumbullakëta, që organizohen në
Kosovë, Shqipëri, janë shumë të nevojshme dhe ndihmojnë shumë në zhvillimin,
ruajtjen e hulumtimit akademik mbi gjuhën shqipe, letërsinë, kulturën; parë
veçmas si dialogim debatues për nivelin ku kanë mbërritur kërkimet
albanologjike, të gjuhës dhe letërsisë shqipe, në rajonin e Ballkanit dhe më
gjerë. Unë kam marrë pjesë tre herë deri më tani në seminaret ndërkombëtare që
mbahen në Kosovë.
M.: Çfarë
mendoni për bashkëpunimin dhe përkrahjen që ofrojnë katedrat e gjuhës shqipe në
Kosovë dhe Shqipëri?
M.B.: Mendoj
se bashkëpunimi dhe përkrahja në nivel universiteti në Kosovë dhe Shqipëri për
studiuesit dhe studentët e huaj është e mirë dhe i nevojshëm, por megjithatë në
lëmin e shkëmbimit të përvojave, gjithnjë ka nevojë për thellim dhe për plotësime.
M.: Sipas
mendimit tuaj, sa është e njohur letërsia shqipe në Koraci?
M.B.: Më
duhet ta pranoj se letërsia shqipe nuk është mjaftueshëm e njohur në Kroaci, e
prandaj ka nevojë për zgjerim të hapësirave të komunikimit.
M.: Sot, në
mbarë Kroacinë kemi emra të njohur arbëreshë që përfaqësojnë kulturën e vendit
në fusha të ndryshme, sa vlerësohen dhe respektohen nga shteti kroat?
M.B.: Po,
ekziston një respekt dhe vlerësim i merituar tek shoqëria dhe institucionet
kroate. Mund t’i përmend disa: nga familja Deshpalj kemi dirigjentin e njohur
Pavle Deshpalj, vëllain e tij violinistin Valter dhe motrën e tyre Maja; Ennio
Stipčević, muzikolog i njohur (djali i Aleksandër Stipčević); prof. dr. sc.
Serdo Dokoza (historian që punon në Universitetin e Zarës) etj.
M.: Aktualisht,
a jeni duke punuar në ndonjë projekt lidhur me studimet në fushën e
albanologjisë?
M.B.: Në
këto momente jam duke punuar në fjalorin Kroat-Arbanas, ende duke punuar në
detaje dhe shpresoj të publikohet këtë vit. Në maj planifikohet vënia në skenë
e dramës ”Nita” në teatrin kombëtar në Zarë (kombinim i gjuhës kroate dhe
arbënishtes), ende vazhdoj me kursin e së folmes Arbënishte, që prej katër
vitesh tashmë.
Maximiljana
BARANĆIĆ, ka mbaruar studimet bazike në Fakultetin Filozofik, në Universitetin
e Zagrebit, ndërsa studimet pasuniversitare për gjuhësi i mbaroi në
Universitetin e Splitit. Aktualisht është duke punuar në disertacionin e
doktoraturës me temën “Lexisi i të folmes së Arbanasit si reflektim i gjuhëve
në kontakt”. Punon si ligjëruese në Departamentin e Anglishtes në Universitetin
e Zarës. Kërkimet e saj janë të përqëndruara në studimet e emrave, mbiemrave
dhe pseudonimeve, veçanërisht nga Arbanasi, pastaj ka realizuar studime për
identitetin etnolinguistik të arbanasëve, studime për poezinë, etj. Është e
njohur për përkthimin e disa librave me poezi dhe zhanreve tjera letrare.
Intervista u shkëput nga libri: Shtegtimi i shqipes në Europë. Autore: Mimoza Hasani Pllana. Boutes: OLYMP, Prishtinë, 2019./KultPlus.com
Bisedë me Ekaterina Tarpomanova, profesoreshë dhe udhëheqëse e Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme Indoeuropiane dhe Ballkanike.
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza
Hasani Pllana.: E nderuar profesoreshë
Ekaterina, ju keni studiuar në Katedrën
e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike pranë Fakultetit të
Sllavistikës të Universitetit të Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, në këtë
katedër ofrohen programe të gjera studimi edhe për gjuhë të tjera ballkanike,
çfarë ju tërhoqi më shumë te gjuha dhe letërsia shqipe që zgjodhët për ta
studiuar?
Ekaterina
Tarpomanova: Kam studiuar në Universitetin e Sofjes, në degën e Ballkanistikës.
Katedra është themeluar para shumë viteve, por studimet e Ballkanistikës që
ofrohen në Universitet janë diçka relativisht më e re, që u themeluanë në vitin
1994 nga profesotërt tanë, Petja Asenova dhe Zhivko Bojaxhiev. Në qendër të
studimeve të ballkanistikës vihet Bashkimi gjuhësor ballkanik, pra
bullgarishtja, shqipja, rumanishtja dhe greqishtja – gjuhët, që në saje të
kontakteve shekullore kanë zhvilluar karakteristika të përbashkëta gramatikore.
Ideja e themeluesve të degës ishte që studentët të mësojnë tri gjuhët e huaja,
me numër të barabartë të mësimeve. Këtë ide e respektojmë deri më sot. Kështu
që studentët e Ballkanistikës nuk kanë për të bërë zgjedhje ndërmjet gjuhëve, i
mësojnë të gjitha gjuhët. Për mua, mund të them se edhe unë nuk e bëra
zgjedhjen time vetë, disi dhe më tepër e bëri fati, duke më takuar me
profesoreshë Rusana Bejlerin. Asaj ia detyroj dashurinë që kam për gjuhën
shqipe.
M.: Pas mbarimit të
studimeve u angazhuat si profesoreshë, ndërkaq tani e drejtoni vetë katedrën, a
mund të na flisni më shumë për programet që ofroni për studimin e gjuhës dhe
letërsisë shqipe?
E.T.:
Universiteti i Sofjes ishte vendi i parë në Bullgari, ku ofrohej studimi i
gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pastaj edhe universitetet e tjera, duke ndjekur
modelin tonë, ofrojnë studime të ngjashme. Që nga krijimi i progamit të degës
së Ballkanistikës, ndërkaq janë bërë pak ndryshime, kemi ruajtur konceptin e
profesorëve tanë. Lëndët e degës mund t’i ndajmë në tri pjesë – gjuhë (dhe
gjuhësi), letërsi dhe histori. Mësohen tri gjuhët ballkanike – shqipja,
greqishtja dhe rumanishtja. Studentët mund të formohen si përkthyes
profesionistë me çdonjërën nga këto. Cikli gjuhësor përfundon me gjuhësi
ballkanike, lëndë, e cila i njeh studentët me tiparet e përbashkëta të gjuhëve
ballkanike, si dhe me shkaqet për zhvillimin e tyre. Studentët njihen me
letërsitë kombëtare të Ballkanit dhe po kaq me kulturën e popujve ballkanikë.
Në mënyrë të ngjashme, dituritë për letërsitë kombëtare, njihen dhe
përgjithësohen me një lëndë të pasur krahasuese. E gjitha kjo, prezantohet në
sfondin e ngjarjeve historike, që nga periudha antike deri në zhvillimet
bashkëkohore. Krenohemi se studentët tanë bëhen specialistë me një pikëpamje
shumë të gjerë për Ballkanin në kontekst europian dhe botëror.
M.: Të mbash gjallë dhe të thellosh studimet
për një gjuhë të vjetër që flitet në disa vende të vogla europiane, siç është
gjuha shqipe, sigurisht që nuk është e lehtë. Në raste të tilla na intereson më
shumë që të dimë nëse keni mbështetje nga Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës, apo vetëm nga Qeveria
Bullgare?
E.T.:
Kemi kontakte shumë të mira me disa universitete në Shqipëri dhe Kosovë,
veçanërisht me Universitetin e Prishtinës, por përgjithësisht na mungon
mbështetja në nivel shtetëror dhe qeveritar. Më tepër shpresojmë te kontaktet
tona personale me kolegë nga Shqipëria dhe Kosova. Çdo vit, për shembull
studentët tanë marrin pjesë në Seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës
shqipe që organizohet nga Universiteti i Prishtinës. Disa vite me radhë kemi
paraqitur studentë edhe në seminarin e gjuhës shqipe në Universitetin e
Tiranës, por për të aplikohet në Ministrinë e Arsimit dhe procedura e mundësisë
për të qenë të pranishëm, është mjaft e komplikuar.
M.: Sa është sfidues
procesi i plotësimit të nevojave me staf të plotë akademik për lëndët e gjuhës
dhe letërsisë shqipe dhe në mesin e profesorëve a ka ndojë profesor/eshë që
vjen nga Shqipëria dhe Kosova?
E.T.:
Meqenëse gjuha dhe letërsia shqipe studiohen në kuadër të proceseve të
Ballkanit, ne parapëlqejmë specialistë me profil më të gjerë. Aktualisht kemi
një specialiste të shkëlqyer në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe,
profesoreshë Rusana Bejleri. Me mësimet e gjuhës merret gjithashtu kolegu Anton
Pançev. Profesorë nga Shqipëria dhe Kosova na vizitojnë, kur kemi raste të
veçanta, por nuk kemi mundësi të mbajmë profesorë të rregullt nga vendet e
huaja.
M.: Sofja është e njohur si një nga qendrat që
ka siguruar qëndrueshmëri në zhvillimin e programve dhe numrin më të madh të
studentëve, të cilët janë të interesuar për gjuhën dhe letërsinë shqipe, si
janë prirjet e fundit dhe cilat janë arsyet më të shpeshta që të rinjtë
bullgarë zgjedhin për të mësuar dhe studiuar këtë gjuhë?
E.T.:
Zakonisht pranojmë 15-20 studentë, sipas përvojës së deritanishme ky është
numri i mundshëm për degën tonë. Dëshira jonë është që të tërheqim të rinj me
interes të thellë ndaj Ballkanit dhe proceseve gjuhësore, kulturore, historike
dhe politike në rajonin tonë. Pastaj gjatë studimeve çdonjëri orientohet dhe
zgjedh atë fushë që i duket interesante ose e dobishme, për të thelluar njohjen
dhe komunikimin e zgjeruar. Puna jonë është që t’u ofrojmë mundësi të ndryshme
të rinjve. Pas mbarimit të studimeve në këto fusha, ata kanë rrugë të ndryshme
profesionale si specialistë të shkolluar për çështjet ballkanike. Për gjuhën
dhe letërsinë shqipe i motivojmë me argumentet se do të jenë specialistë të
vlerësuar, sepse në kohët tona çdonjëri e di anglishten, por sa janë njerëzit
që e njohin mirë një gjuhë të rrallë si shqipja dhe një kulturë interesante si
kultura shqiptare?
M.: A mund të na njoftosh
për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit për studentët jo bullgarë, meqë
gjithnjë e më shumë kemi të interesuar nga Kosova që dëshirojnë të studiojnë në
Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit”, si një nga universitet më prestigjioze
në Bullgari?
E.T.:
Procedurat edhe për këtë universitet janë standard, si për çdo të huaj që
dëshiron të aplikojë në një universitet bullgar, nuk ka diçka të veçantë për
degën tonë. Por studentët e huaj duhet të kenë parasysh se tani për tani ne
ofrojmë studime vetëm në gjuhën bullgare, pra atyre u ofrohen kurse të
bullgarishtes, të cilat zakonisht zgjasin një vit. Një mundësi tjetër dhe shumë
e mirë janë programet e mobilitetit të studentëve, për shembull programi
Erasmus. Universiteti i Sofjes ka marrëveshje me Universitetin e Tiranës, por
ndërkohë po përgatitet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës, e cila
shpresoj se do të jetë gati vitin tjetër. Pra studentët e secilës hapësirë, që
kanë dëshirë të aplikojnë, i pranojmë me kënaqësi.
M.: Gjatë studimeve
tuaja, në cilën periudhë letrare dhe tek cilët autorë jeni ndaluar më shumë dhe
pse?
E.T.:
Përpiqemi t’i përfshijmë të gjitha periudhat e letërsisë shqiptare, me autorët
më përfaqësues, që nga autorët e vjetër – Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër
Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, pastaj letërsia e Rilindjes me autorët më
të rëndësishëm – Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Asdreni,
etj. , deri në periudhën moderne me Ismail Kadarenë, Rexhep Qosjen etj.
Prezantojmë gjithashtu vepra të prozës, poezisë dhe të dramës.
M.: Tani, për vendet e
Ballkanit Perëndimor ofrohen programe të ndryshme bashkëpunimi (në nivelin e
arsimit të lartë), sa jeni të përfshirë në këto programe, gjithnjë në funksion
të bashkëpunimit rajonal?
E.T.:
Nuk kemi programe të posaçme për Ballkanin Perëndimor përsa i përket arsimit të
lartë. Bashkëpunimi, kryesisht realizohet ndërmjet marrëveshjeve midis
universiteteve, kurse në nivel shtetëror veprohet përmes marrëveshjesh
ndërshtetërore.
M.: Në gjuhën bullgare,
krahasuar me gjuhët e tjera ballkanike, kemi të përkthyer një numër të
konsiderueshëm shkrimtarësh shqiptarë (rreth 100), falë kontributit të çmuar të
pararadhësve tuaj në Universitet. Kjo traditë e mirë e përkthimit po vazhdon
edhe nga studentët aktualë, por a mund të flasim për përzgjedhjen e autorëve
vepra e të cilëve hyn në procesin e përkthimi, si bëhët përzgjedhja?
E.T.:
Kur fjala është për studentët, përkthimi ka dy qëllime – nga njëra anë të
popullarizohet letërsia shqiptare para publikut bullgar, pra të njihet sa më
gjerë, por nga ana tjetër përkthimi është një fushë e veçantë, e cila është e
dobishme për vetë studentët. Studimi i çdo gjuhe në degën e Ballkanistikës
përfundon me një provim, i cili në mes të tjerash përmban përkthimin e një
vepre origjinale. Zgjedhja e autorit, zakonisht bëhet nga studentët. Të rinjtë
me talent të shfaqur, të cilët kanë dëshirë të merren me përkthim artistik, pa
e vënë në dyshim, kanë mbështetjen tonë. Frymëzimin e marrin nga pedagogët e
tyre, Rusana dhe Antoni, ne si institucion përpiqemi që të sigurojmë botimin e
librit dhe prezantimin e tij para publikut.
M.: Bazuar në mendimet e
kritikës letrare, por edhe interesimet e studentëve, cilët janë shkrimtarët më
të vlerësuar?
E.T.:
Në Bullgari, pa dyshim autori më i njohur është Ismail Kadareja, ai njihet si
nga kritikët letrarë, ashtu edhe nga lexuesit. Fatkeqësisht letërsia shqiptare
nuk është aq e njohur tek ne, por ne përpiqemi ta ndryshojmë këtë. Mendoj se
pas dështimit të regjimeve komuniste, lidhjet midis vendeve të Ballkanit kaluan
në një nivel të ndryshëm. Ne dalëngadalë po hapemi për njëri-tjetrin, e
zbulojmë njëri-tjetrin, kapërcejmë dyshimin, indiferencën, konfliktet. Jam
optimiste për të ardhmen e Ballkanit në Europën e bashkuar. Besoj se rruga më e
mirë është njohja e gjuhës, letërsisë dhe kulturës. Ja këtu e sheh rolin e madh
të studimeve që ne ofrojmë.
M.: A mund të na thoni se
me çfarë jeni duke u marrë aktualisht në fushën e filologjisë dhe albanologjisë?
E.T.:
Unë jam gjuhëtare dhe merrem me analizën e proceseve në situatën e bashkimit
gjuhësor ballkanik, me theks të veçantë mbi studimin krahasues të bullgarishtes
dhe shqipes. Vitin e kaluar me disa kolegë nga universiteti fituam financim për
një projekt të madh shkencor me titull “Gjuhët ballkanike si thelbi i
bashkësisë etnike dhe kulturore të Ballkanit”. Përveç punës sime shkencore po
merrem me përthime të romaneve të autorëve bashkëkohorë shqiptarë. Bashkë me
pronarin e shtëpisë botuese “Izida”, Plamen Totev, një njeri i dhënë shumë pas
letërsisë, kemi në plan të popullarizojmë romanin modern shqiptar. Vitin e
kaluar botuam dhe prezantuam librin e Ben Blushit “Otello, Arapi i Vlorës”,
tani jam duke përkthyer romanin “Mëria e zanave” të Grigor Banushit, kurse për
vitin tjetër kemi përgatitur për ta përkthyer një roman të Rudi Erebarës. Këta
shkrimtarë i zgjodhëm, sepse janë nominuar ose janë mbajtës të çmimit të Komisionit
Europian. Pra, përpiqemi ta mbajmë të gjallë shpirtin e kulturës dhe letërsisë,
sepse kjo është rruga e njohjes së vërtetë midis popujve, midis kulturave të
tyre.
Ekaterina TARPOMANOVA,
studioi në Universitetin e Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” në dy degë,
Ballkanistikë dhe Filologji Franceze. Më vonë doktoroi në po këtë universitet,
nën mentorimin e profesoreshës Petja Asenova. Punoi më shumë se 10 vjet në
redaksinë shqipe të Radios Kombëtare Bullgare, njëkohësisht vazhdoi të merrej
me punë shkencore në Seksionin e Gjuhësisë Kompjuterike pranë Akademisë
Bullgare të Shkencave. Në Universitetin e Sofjes u kthye si profesoreshë gjatë
vitit 2011 dhe iu përkushtua punës me studentët, duke mbajtur ligjërata të
gjuhësisë së përgjithshme. Ka përkthyer disa krijime autorësh shqiptarë në
gjuhën bullgare. Në kohën e lirë i përlqen të përkthejë libra dhe të udhëtojë.
Intervista u shkëput nga libri: Shtegtimi i shqipes në Europë. Autore: Mimoza Hasani Pllana. Boutes: OLYMP, Prishtinë, 2019./KultPlus.com
Intervistë me Clare Azzopardi, shkrimtare, përkthyese e letërsisë dhe ligjëruese letërsie në Universitetin Malta Junior College.
Bisedoi:
Mimoza Hasani Pllana
Mimoza
Hasani Pllana: Veprat tuaja të
shkruara në gjuhën malteze janë
përkthyer në disa gjuhë. Çfarë do të thotë për ju kur vlerësohen, përkthehen
dhe pëlqehen tekstet tuaja nga lexuesit e huaj?
Clare
Azzopardi: Një libër i përkthyer sjell një rrëfim, personazhe dhe kulturë si të
përthyer në pasqyrë. Ai krijon një marrëdhënie në mes të autorit dhe
përkthyesit dhe gjithashtu ndërton një dialog të hapur në mes të kulturave dhe
gjuhëve. Përkthimi pasuron letërsinë e vendeve dhe ndihmon autorin/përkthyesin
të lexoj.
M.:
Përveç se jeni autore, keni përkthyer
edhe tekste letrare nga anglishtja dhe italishtja në gjuhën malteze, sa sfidues është ky
proces?
C.A.:
Natyrisht se është sfiduese, por edhe shpërblyese gjithashtu. Është një
shkëputje nga shkrimi, më duhet të them një pushim intensiv dhe përmirësues, si
në përjetimin e dy gjendjeve. Kohët e
fundit kam përkthyer vetëm libra për fëmijë (nga gjuha angleze dhe italiane në
gjuhën malteze), kryesisht libra me vizatime. Disa prej këtyre librave janë
shumë sfiduese për shkak të fjalëve me rimë, pastaj ritmit dhe muzikalitetit të
tekstit. Zakonisht janë tekste të shkurtëra, kështu që nëse humbas ritmin këtu
dhe aliteracionin atje, shumë lehtë mund të përfundoj në një tingëllim/kuptim
mishmash.
M.:
Cilat teknika të përkthimit përdorni?
C.A.:
Në veçanti asnjë. Unë kurrë nuk kam studiuar mbi përkthimin, andaj për mua
përkthimi është një proces intuitiv, por që nuk do të thotë që nuk bëj ndonjë
kërkim/studim. Përkundrazi, duhet të bëjmë kërkime dhe bashkëpunime me
përkthyesit e tjerë nëse duam të kemi një përkthim të mirë dhe të besueshëm.
M.:
Për aq sa kemi njohuri letërsia shqipe në
gjuhën malteze përfaqësohet fare pak, për të mos thënë aspak. A do të thotë kjo
se mungon intersimi për letërsië shqipe, apo mungon komunikimi?
C.A.:
Me aq sa kam njohuri unë një autor shqiptar ka qenë i ftuar në Festivalin
Mediteran të Maltës, por nuk jam e sigurt nëse ndonjë autor maltez ishte ftuar
ndonjëherë në Shqipëri. Unë besoj se Immanuel Mifsud ka një libër që është përkthyer dhe botuar atje, ky është i vetmi
që njoh. Nuk them se është mungesë interesimi, më shumë është mungesë njohurishëx
dhe mungesë fondesh, ndoshta, e mbi të gjitha mungesë komunikimi. Nuk jam në
një pozicion shumë të mirë që të përgjigjem në këtë pyetje. Për një kohë të
gjatë kam qenë pjesë e këshillit organizativ të Festivalit Mediteran të Maltës,
por tani nuk jam më dhe zgjedhja e autorëve nuk varet nga unë.
M.:
Puna juaj letrare është vlerësuar me
çmime për shkrim dhe redaktim, sa ju motivojnë vlerësimet e tilla?
C.A.:
Po edhe jo. Nuk shkruaj për të marrë çmime. Unë shkruaj sepse dua të shkruaj.
Kur vjen ndonjë çmim e mirëpres, por nuk dua të bëjë bujë të madhe për të.
Shpërblimet/çmimet më të mira asnjëherë nuk janë titujt, por lexuesit e mi, si
të rinjë ashtu edhe të moshuar, të cilat nuk janë më të gjata se disa fjalë ose
fjali, të cilat i pranoj me dashuri.
M.:
Duke qenë se shkruani letërsi për fëmijë
dhe të rritur, cili është zhanri juaj më i preferuar?
C.A.:
Unë shkruaj më shumë për fëmijë. E dua librin me fotografi/ilustrime më shumë
se gjithçka. Ndoshta, sepse kjo më jep mundësinë për të bashkëpunuar me
ilustrator, kam patur bashkëpunime të mrekullueshme në të kaluarën. Shkrimi për
të rritur zgjatë më shumë dhe është më i kërkuar, por unë besoj se është më
mirë t`i kultivosh të dyja.
M.:
Cili është komunikimi juaj me komunitetin
e shkrimtarëve shqiptarë, a keni marrë pjesë ndonjëhere në seminare, konferenca
gjuhësore dhe filologjike në Kosovë apo Shqipëri?
C.A.:
Jo, ose më sakt jo akoma. Shpresoj të marrë pjesë në të ardhmen.
Clare Azzopardi, është
shkrimtare për fëmijë dhe të rritur. Është udhëheqëse e departamentit të gjuhës
malteze në Universitetin Malta Junior College dhe për shumë vite ka qenë
anëtare aktive e Inizjamed, një OJQ misioni i së cilës është promovimi i
letërsisë në Maltë dhe jashtë. Me Inizjamed, ajo ka qenë bashkëorganizatore e
festivaleve dhe punëtorive të letërsisë, shpesh në bashkëpunim me Literature
Across Frontiers (LAF). Puna e saj është përkthyer në disa gjuhë dhe ajo është
prezantuar në një numër përmbledhjeh përfshirë
Transcript, In Focus, Cúirt Skald, Words Without Borders dhe Novel of
the World. Shfaqja e saj L-Interdett Taht is-Sodda (Merlin Publishers) është
botuar në gjuhën frënge (Éditions ëThéâtrales) dhe në gjuhën arabe (IACT).
Azzopardi ka botuar 2 libra me tregime të shkurta për të rritur, ku të dyja
kanë fituar Çmimin Kombëtar të Librit për Letërsi. Përmbledhja e saj e fundit
është botuar në gjuhën kroate (VBZ), gjuhën hungareze (Noran Libro) dhe gjuhën
arabe (Sefsafa Publishers). Clare Azzopardi ka marrë pjesë në një numër
festivalesh dhe më 2015 ajo është përzgjedhur pjesë e Zërave të Rinj të Europës
(Europe’s New Voices). Ajo sapo ka publikuar novelën e saj të për të rritur
Castillo (Merlin Publishers) dhe momentalisht është duke punuar në novelën e
saj të re. Clare Azzopardi është fituese e disa çmimeve në letërsi.
Intervista u shkëput nga libri: Shtegtimi i shqipes në Europë. Autore: Mimoza Hasani Pllana. Botues: OLYMP, Prishtinë, 2019./KultPlus.com
Bisedë me Anton Markun, poet dhe veprimtar për promovimin e letërsisë shqipe në Austri
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza
Hasani Pllana: Marrëdhëniet letrare shqiptaro-austriake prej themelimit janë zhvilluar
pa shkëputje. Meritë për këtë vazhdimësi janë padyshim shtetasit austriakë, por
edhe ata shqiptarë, që kontribuan për promovimin dhe pasurimin e vlerave
letrare të letërsisë shqipe, në këtë vend. Kjo trashëgimi e gjerë po vazhdon
edhe me punën tuaj, duke qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, si
dhe i klubeve letrare shqiptare dhe austriake, pëmes të cilave keni arritur të
përktheni për lexuesin austriak një numër të konsiderueshëm të veprave letrare
shqipe. A mund të na flisni për trendet dhe binarët e përkthimit të letrave
shqipe, prej kohës kur jeni pjesë e kësaj fushe?
Anton
Marku: Të shkruash do të thotë të mendosh, të dialogosh me vetveten, të hysh në
thellësi të botës tënde, të komunikosh me të tjerët, të shprehesh për
realitetin objektiv dhe atë fiktiv në mënyrë artistike. Personalisht, përpos
disa sprovave, ende nuk kam filluar që aktivisht të merrem me përkthime letrare
nga gjuha shqipe në atë gjermane dhe anasjelltas. Deri para dy viteve, krijimet
e mia, qoftë në prozë apo në poezi, kam tentuar t’i përkthej dhe për shtatë
vetë, ndërsa korrigjimet ia kam besuar një autori gjermanofolës, sidomos Peter
Paul Wiplinger-it, njërit ndër shkrimtarët më të njohur austriakë, mik i
shqiptarëve dhe anëtar nderi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë
në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ (LShKShA). Në dy vitet e fundit kam filluar që
të shkruaj direkt në gjuhën gjermane dhe ato shkrime të ndryshme t’i lexoj po
në këtë gjuhë para publikut austriak. Në anën tjetër, një pjesë e
konsiderueshme e autorëve shqiptarë në Austri në dhjetë vitet e kaluara kanë
përkthyer librat e tyre në gjuhën gjermane dhe atë proces e ka bërë të mundur,
kryesisht nga Dr. Kurt Gostentschnigg, përkthyes, albanolog, poet dhe njohës
shumë i mirë i gjuhës shqipe. Një përkthyese tjetër, shumë e mirë në Austri,
është edhe Adrea Grill.
M.: Në takimet e ndryshme letrare ku ju jeni
pjesë, anëtarët e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, të PEN Klubit të Austrisë
dhe pjesëmarrës të tjerë prej komunitetit letrar nga vendet e ndryshme (pra në
takimet e zakonshme me përfaqësim shumëkombësh dhe shumëkulturor), si
vlerësohet letërsia shqipe krahas letërsive të vendeve tjera europiane, çfarë e
përafron dhe e dallon?
A.M.:
Në njëfarë mënyre autorët shqiptarë kanë sjellë risi në letërsinë austriake, si
për nga temat që trajtojnë, stili i shkrimit apo qasja ndaj fjalës së shkruar,
si shenjëzim estetik. Kjo dhe është një ndër arsyet kryesore që letërsia
shqipe, jo dhe aq e njohur në këtë shtet, po vlerësohet çdo ditë e më shumë, si
vlerë e shtuar.Me letërsinë e vendeve tjera europiane atë po e përafrojnë
harmonia mes mendimeve, larmia e narracionit, meditimi reflektiv apo mesazhi
artistik, por edhe pasuria e figurave stilistike, si metafora, simboli,
krahasimi, etj. Dallimet, kryesisht kanë
të bëjnë me faktin se letërsia shqipe që krijohet në diasporë është në një masë
të madhe patriotike, politike e me tone melankolike, e cila shumë rrallë ia ka
dalë të lirohet nga historia, temat e luftës dhe nostalgjia për ‘‘kohërat e
vjetra’’. Ajo ende po ka vështirësi që të transformohet, reformohet dhe
përshtatet me trendet dhe kahjet ligjërimore, që sot po ndodhin në letërsinë
bashkëkohore, e cila sot shkruhet shkurt, qartë; është më dinamike, më reale,
precize, shumëdimensionale, universale, më e hapur, më përparimtare dhe më
avangardiste.
M.: Bazuar në përvojën tuaj disavjeçare në
funksion të njohjes dhe promovimit të letërsisë shqipe në shtetin austriak,
cilët janë autorët shqiptarë më të lexuar?
A.M.:
Për fat jo të mirë, jo shumë shkrimtarë shqiptarë janë të përkthyer në gjuhën
gjermane dhe të njohur në Austri. Përjashtim bëjnë emrat e mëdhenj të letërsisë
shqipe, si Ismail Kadare, Martin Camaj, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rexhep
Qosja, Fatos Kongoli, Besnik Mustafaj, Kasëm Trebeshina, Kim Mehmeti, etj. Nga
brezi më i ri njihen veprat e Lindita Arapit, Beqë Cufajt, Shaip Beqiri, Jeton
Neziraj, Ilir Ferrës, Anila Ëilms, Jeton Kelmendit, etj. M.: Si qëndrojnë marrëdhëniet tuaja me
qendrat e mëdha shqiptare, sa bashkëpunoni me organizatat simotra:
institucionet nga Kosova dhe Shqipëria? A.M.: LShKShA është bashkëthemeluese e
Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKShM), e cila u krijua në vitin
2013 dhe në kuvendin konstituiv, të së cilës
morën pjesë autorë shqiptarë nga 13 shtete të botës. Që nga ajo kohë ne
takohemi së paku dy herë në vit: një herë në Gjermani, ku gjendet dhe selia e
LKShM dhe gjatë muajit gusht në Kosovë dhe Shqipëri, përgjatë ‘‘Muajit të
Mërgatës’’. Deri më tani kemi mbajtur disa orë letrare, përurime librash,
konkurse letrare, si dhe kemi botuar disa antologji, ndër të cilat vlen të
veçohen ato për Shën Terezën dhe Gjergj KastriotinSkënderbeun. Po ashtu, edhe
pse rastësisht, e jo shumë i strukturuar, nuk mungon bashkëpunimi me Lidhjen e Shkrimtarëve të
Kosovës dhe PEN Klubin e Shqipërisë.
M.: Duke qenë se jeni poet dhe deri tani keni
publikuar disa libra me poezi, si dhe jeni përfaqësuar në disa antologji në
gjuhën gjermane, si e vlerësoni procesin e përkthimit të poezisë shqipe në
gjermanisht; sa është e vështirë dhe e mundur që të ruhet origjinaliteti i
poezisë shqipe gjatë përkthimit në gjuhën gjermane?
A.M.: Procesi i përkthimit në cilëndo gjuhë
është sa specifik aq dhe kompleks. Përkthyesi duhet të jetë njohës shumë i mirë
i të dy gjuhëve, mundësisht të jetë edhe vet krijues, t’i mbetet besnik sa më
shumë që është e mundur orgjinalit, por dhe t’i japë vetes lirinë që të përdorë
nuanca dhe variante alternative gjuhësore, që do ta pasuronin veprën, gjithnjë
pa rrezikuar që të humbet kuptimi i saj. Konsideroj se një ndër të tillët ishte
dhe tashmë i ndjeri Hans-Joachim Lanksch, që ka realizuar përkthime në
gjermanisht të shumë autorëve të poezisë shqipe. Ajo çfarë në asnjë rast nuk do
të duhej të ndodhte është përkthimi i drejtëpërdrejtë, fjalë për fjalë, i një
teksti nga një gjuhë në tjetrën. Edhe mua më ndodh, që të kem përshtypjen se
ndonjë nga poezitë e mia të shkruara në gjuhën amtare nuk e kanë fuqinë e
njëjtë të shprehjes, estetikën, ngjyrën, tingullin dhe elegancën e njëjtë në
gjuhën gjermane. Ajo, që në këto raste bëj është të lëviz apo zhvendos ndonjë
fjalë, të shkurtoj apo zgjas ndonjë varg, apo dhe të përdor ndonjë sinonim, në
mënyrë që në gjuhën tjetër krijimi të jetë sa më i kuptueshëm për lexuesin.
M.: Meqë janë disa vite që jetoni dhe veproni në
Austri, si i vlerësoni marrëdhëniet shiptaro-austriake nga fusha e
Albanologjisë dhe Filologjisë? Cilat janë ngjarjet dhe emrat më të spikatur
austriakë, që gjatë historisë kontribuan në këto dy fusha për ndërtimin e urave
në mes dy kulturave?
A.M.:
Albanologët gjermanofolës, sidomos ata nga Austria ishin prijetarë të shkencës
së albanologjisë, filluar nga Johannes Georg von Han, Gustav Mayer, Norbert
Jokli, Franz Nopsca, Maximilian Lambertz, etj. Që në vitet e hershme të shk
XVIII, ata treguan interes të jashtëzakonshëm, për gjuhën dhe kulturën shqipe,
duke botuar studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes; kërkime
gjuhësore – kulturore historike nga fusha e shqipes. Po ashtu, një numër i madh
i albanologëve të shquar shqiptarë, po ashtu studiuan në Austri. Ndër ta, si më
të shquarit, dallohen: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Pekmezi, etj. Në lidhje
me këtë temë, përmes hulumtimeve dhe shkrimeve të paraqitura në disa të
përditshme tona, kontribut të madh është duke dhënë publicisti Hazir Mehmeti, i
cili ka vite që jeton në Vjenë.
M.: A
mund të na thoni çfarë jeni duke punuar aktualisht në funksion të njohjes së letërsisë shqipe nga
lexuesi austriak?
A.M.:
Me themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri
‘‘Aleksandër Moisiu’’, në vitin 2011, krijuesit shqiptarë në Austri, më në fund
arritën të kenë: një adresë të tyre, një emër, një shenjë dalluese, një ‘‘kulm
mbi kokë’’, qoftë ai dhe virtual. Lidhja u vu në jetë nga entuziazmi i
themeluesve të saj dhe për një periudhë të shkurtër kohore arriti që të
identifikojë, anëtarësojë mbi 30 krijues/e nga të gjitha rajonet e Austrisë. Në
dy vitet e para të veprimtarisë së saj u organizuan më se 20 orë letrare në
gjuhën shqipe, jo vetëm në Vjenë, por dhe në qytetet të tjera, si Linz, Graz,
Salzburg, Wiener Neustadt, Baden, Kapfenberg, Knittelfeld, etj. Nga viti 2013
orët letrare, tashmë mbahen në të dy gjuhët, atë shqipe dhe gjermane. Që nga
ajo kohë, anëtarët e Lidhjes kanë botuar mbi 40 libra individualë, ndërsa u
publikuan edhe dy antologji të përbashkëta, po ashtu në të dy gjuhët ‘‘Illyrcum
1’’ dhe ‘‘Illyricum 2’’. Në anën tjetër u vendosën, u thelluan kontaktet dhe
bashkëpunimi me shtëpi botuese, institucione shtetërore, organizata
joqveritare, etj. LShKShA qëllim parësor ka promovimiin e kulturës, e sidomos
artit dhe letërsisë shqiptare në Austri, si dhe krijimin e urave të miqësisë me
autorë vendas dhe të huaj që jetojnë në këtë vend. Që nga viti 2013 marrim pjesë në
manifestimet ‘‘Javët e Integrimit në Vjenë’’ dhe në ‘‘Muajt e Kulturës
Shqiptare në Austri’’, madje duke organizuar orë letrare në gjuhën gjermane, e
në të cilat ftojmë autorë gjermanofolës dhe me prejardhje të huaj, të cilët
jetojnë në këtë shtet mik.
Anton MARKU, u lind më 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore, të mesme dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe, e mbaroi në Gjakovë. Studimet Universitare i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë përfundoi studimet master në shkencat politike. Jeton dhe punon në Austri, ku është anëtar i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Ëords and Ëorlds‘‘, i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IËA Bogdani etj. Ka botuar libra me poezi në gjuhën shqipe, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune./KultPlus.com
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, sot është bërë promovimi i librit të autores Mimoza Hasani-Pllana, i cili përmbledh brenda njëzet e tetë intervista nga njëzetë shtete të Evropës. Në këto intervista, autorja Hasani-Pllana ka intervistuar dhjetëra albanologë shqiptarë dhe të huaj, shkruan KultPlus.
“Shtegtimi i shqipes në Europë” mban titullin libri i Hasani-Pllanës që u promovua sot para një audience të zgjedhur. Në panel ishin të pranishëm profesori dhe studiuesi, njëherit redaktori i librit, Behar Gjoka, profesoresha dhe studiuesja e mirënjohur Rusana Bejleri, drejtoresha e gazetës online KultPlus Ardianë Pajaziti si dhe autorja Mimoza Hasani-Pllana.
Për këtë libër të botuar nga Shtëpia Botuese në Prishtinë OLYMP, u thanë fjalë të mira nga studiuesit dhe shkrimtarët e pranishëm.
Në fjalën e tij, profesor Gjoka tha se “nuk jemi aq të izoluar dhe të shkëputur aq sa mendojmë, sepse gjuha dhe letërsia na japin shansin që të komunikojmë me njëri-tjetrin në secilën gjuhë dhe hapësirë”.
“Në morinë e intervistave, secila prej tyre ka kontributin dhe prurjet e saj, ka shqetësimin se si po shkon letërsia tek të tjerët. Autorja kryen detyrën e vet, dhe teksti është ai që komunikon kurse lexuesi është i pafundmë, andaj është momenti të dëshmojmë atë që na jep gjuha dhe komunikimi me të tjerët dhe unë i çmoj intervistat sepse secila ka nga një përvojë personale. Kultura i rrëzon muret, gjuha dhe letërsia janë për të shembur mure dhe për të ndërtuar ura të komunikimit”, tha ai.
“Në këtë libër ka informacion për secilin nga të intervistuarit, andaj them se duhet përshëndetur autoren, duhet uruar, duhet që secili që gjen hapësirë dhe kohë ta lexoj librin, unë e kam lexuar si redaktor, tani do ta lexoj prapë si lexues”, përfundoi profesor Gjoka.
Për librin foli edhe profesoresha dhe studiuesja Bejleri, e cila lavdëroi autoren për koncizitetin e këtyre intervistave të plota që ajo arriti t’i realizojë.
“Letërsia dhe poezia janë mënyra më e mirë për ta njohur një popull tjetër pa iu imponuar atij. Mimoza ka kohë që ka punuar në këtë libër, dhe besoj se ky libër do të jetë pjesë e kolanës dhe të traditës së librave të dalluar, ne kemi edhe një plan tjetër me Mimozën edhe në pikëpamjen gazetareske dhe shkencore. Besojmë se do të vazhdojmë me Mimozën për të sjellë edhe materiale tjera në vazhdim”, potencoi Bejleri.
Ardianë Pajaziti, drejtoresha e gazetës së vetme që i dedikohet tërësisht kulturës, u shpreh e lumtur që gazeta online “KultPlus” ka arritur të ketë ndikim të madh tek shkrimtarët dhe studiuesit e gjuhës dhe letërsisë shqipe. KultPlusi shihet nga shumë shkrimtarë dhe studiues si hapësirë e mirë për t’i publikuar materialet e tyre, dhe bashkëpunimi i tyre me mediumin ka qenë gjithmonë frytdhënës.
“Çfarë kam vlerësuar në këto intervista, është intervistimi i shumë figurave që ia kanë kushtuar jetën gjuhës dhe traditës shqipe, kurse ne kemi përfituar nga puna e tyre që kultura jonë të depërtojë nëpër shumë shtete të botës, dhe mendoj se këto figura që Mimoza ka intervistuar ia kanë bërë promovimin më të madh kulturës sonë. Përpos urimeve të sinqerta për sjelljen e këtij libri, theksoj se ky libër do të jetë në këndin tonë të bibliotekës në shitje që prej nesër”, tha ndër të tjera Pajaziti.
Kurse, autorja Mimoza Hasani-Pllana u shpreh e lumtur me pjesëmarrjen e madhe në këtë ngjarje. Ajo ndau përvojat e saj nga këto shtete dhe tregoi për rrugëtimin e këtij libri deri në botim, dhe arritjen e tij në duart e lexuesve, po ashtu ajo lavdëroi KultPlusin si medium që i dedikohet tërësisht kulturës dhe që është çdoherë afër njerëzve të gjuhës dhe artit.
“Pas një takimi që pata me profesorin Bashota, ai më foli mirë për degën e albanologjisë në Sofje, në qendrën ballkanike dhe evropiane. Kështu fillova punën për studimet strukturale në Sofje dhe ishte një sfidë e madhe, sidomos ngaqë Kosova nuk është pjesë e BE-së. ”Shtegtimi i shqipes në Europë”, vjen si rrjedhojë e bisedave të gjata me profesorin Gjoka. Kërkimet tona ishin te një kapitull brenda tekstit të doktoraturës ku e kishim njohjen e poezisë shqipe të viteve ’90 në hapësirat ballkanike dhe evropiane”, tregonte Mimoza e cila tutje tregoi se kur filluan ta strukturojnë ishte mjaft e vështirë, për arsye se mungonin tekstet e lidhura për poezitë e përkthyera, e madje konteksti socio-politik dhe socio-ekonomik ndryshonin në këtë periudhë, shqipja hapet, Kosova mbyllet në vitet e 90, kurse Maqedonia në kushtetutën e saj e ndryshon pozicionin shqiptar. Pra kalohet nëpër një periudhë të vështirë dhe krijohen mure në letërsi. Mimoza Hasani-Pllana vazhdoi tutje duke folur për gjuhën shqipe.
Ajo theksoi se “studiuesit që do të merren me gjuhën dhe letërsinë shqipe duhet të kenë aftësi të veçanta shkencore dhe njohuri të thella sociologjike dhe politike. Duhet të jesh domosdoshmërisht antropolog dhe deri dikund historian”, u shpreh Hasani-Pllana.
“Libri përmban 28 intervista, secila më mbresëlënëse për mua, nuk e di si do të jetë për ju. Gjithë punën time e kam orientuar nga bisedat e drejtpërdrejta sepse mendoj se kështu rezultatet janë më të mira”, potencoi autorja, e cila më pas nënshkroi librin dhe bisedoi me lexuesit në koktejin e rastit. Vlen të theksohet se disa nga intervistat e autores të përmbledhura në këtë libër, janë publikuar me radhë edhe në gazetën online KultPlus.
Libri që nga nesër do të jetë i disponueshëm në bibilotekën e kafe-galerisë KultPlus. /KultPlus.com
“Shtegtimi i shqipes në Europë” me
autore Mimoza Hasani Pllana është një libër që brenda vetës ka mbledhur plotë
njëzet e tetë intervistat e autores, nga njëzetë shtete të Europës me dhjetëra
albanologë, të huaj dhe shqiptarë, shkruan KultPlus.
Këto intervista janë
publikuar me radhë edhe në gazetën online KultPlus, ndërsa tani do ta
përjetojnë edhe promovimin në një libër.
Ky promovim do të mbahet
sot në KultPlus Caffe Gallery, në ora 12:00.
Në këtë promovim do të
flasin: Behar Gjoka, shkrimtar dhe studiues dhe Rusana Bejleri, albanologe.
Shkrimtari dhe
studiuesi, Behar Gjoka është shprehur se libri “Shtegtimi i shqipes në Europë”,
i autores Mimoza Hasani Pllana, hap një dritare të munguar të komunikimit të
letërsisë dhe kulturës shqiptare me botën. Nëpërmjet intervistave të bëra me
dhjetëra albanologë, të huaj dhe shqiptarë, të një dialogimi të hapur, ofrohet
një pasqyrë e lidhjeve dhe mungimeve, të shqipes me Europën, mundësuar nga
përkushtimi dhe aspiratat kërkimore të autores, si dhe është një sinjal se duhet
zgjeruar studimi, gjer aty ku ka mbërritur kumbimi i shqipes.
Ndërsa, albanologia
Rusana Bejleri ka thënë se “Gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare kanë nevojë
për njohje në Europë dhe ky është një mision i vazhdueshëm për institucionet në
trojet shqipfolëse dhe për intelektualët shqiptarë kudo që ndodhen.”
Libri u botua nga shtëpia botuese OLYMP në Prishtinë, 2019. / KultPlus.com
“Shtegtimi i shqipes në Europë” me autore Mimoza Hasani Pllana është një libër që brenda vetës ka mbledhur plotë njëzet e tetë intervistat e autores, nga njëzetë shtete të Europës me dhjetëra albanologë, të huaj dhe shqiptarë, shkruan KultPlus.
Këto intervista janë publikuar me radhë edhe në gazetën
online KultPlus, ndërsa tani do ta përjetojnë edhe promovimin në një libër.
Ky promovim do të mbahet nesër në KultPlus Caffe Gallery, në
ora 12:00.
Në këtë promovim do të flasin: Behar Gjoka, shkrimtar dhe
studiues dhe Rusana Bejleri, albanologe.
Shkrimtari dhe studiuesi, Behar Gjoka është shprehur se libri
“Shtegtimi i shqipes në Europë”, i autores Mimoza Hasani Pllana, hap një
dritare të munguar të komunikimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare me botën.
Nëpërmjet intervistave të bëra me dhjetëra albanologë, të huaj dhe shqiptarë,
të një dialogimi të hapur, ofrohet një pasqyrë e lidhjeve dhe mungimeve, të
shqipes me Europën, mundësuar nga përkushtimi dhe aspiratat kërkimore të
autores, si dhe është një sinjal se duhet zgjeruar studimi, gjer aty ku ka
mbërritur kumbimi i shqipes.
Ndërsa, albanologia Rusana Bejleri ka thënë se “Gjuha,
letërsia dhe kultura shqiptare kanë nevojë për njohje në Europë dhe ky është
një mision i vazhdueshëm për institucionet në trojet shqipfolëse dhe për
intelektualët shqiptarë kudo që ndodhen.”
Libri u botua nga shtëpia botuese OLYMP në Prishtinë, 2019. / KultPlus.com
Marrëdhëniet ndërkulturore në mes shqiptarëve dhe bullgarëve janë të hershme, madje janë të njohura nga koha e Perandorisë Osmane. Ndërsa, në kohën e Rilindjes Kombëtare, Sofja bëhet një nga qendrat e mëdha të diasporës shqiptare, ku organizonin veprimtari të ndryshme, shoqëritë atdhetare si: “Dëshira” (1893), e cila përmes revistës në gjuhën shqipe “Kalendari Kombiar” (1897) botonte materiale letrare, kulturore, fetare dhe politike, tek shtypshkronja “Mbrothësia”, misioni i së cilës ishte shtypja e librave në gjuhën shqipe me destinim tokat shqiptare. Më vonë edhe revista “Drita” ku promovoheshin idetë, veprat letrare të rilindasve shqiptarë. Nga gazetat e botuara në këtë qendër është e njohur “Shqypeja e Shqypnisë”. Pas pavarësisë së Shqipërisë, veçojmë ngjarjen më të madhe, organizimin e kurseve të para të gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit” (1962), të mbajtura nga atdhetari i shquar korçar, Thoma Kacorri. Ndërsa, në vitin 1994, me themelimin e degës së Ballkanistikës, në Fakultetin e Sllavistikës, arrihet deri te zyrtarizimi i mësimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, krahas gjuhëve tjera ballkanike. Mbështetje të madhe, zhvillimit të programit të gjuhës shqipe në Universitet, i dha ballkanologia e njohur bullgare, Prof. Petja Asenova. Ndërsa, brezi i ri i profesorëve të gjuhës dhe letërsisë shqipe, nga ajo kohë dhe sot, janë: Prof. Dr. Rusana Hristova-Bejleri, më vonë Prof. Dr. Anton Pançev dhe së fundi Prof.Dr. Ekaterina Tarpomanova. Brezi i ri i profesorëve, përveç zhvillimit të programeve universitare, ka arritur që të përkthejë në gjuhën bullgare veprën e mbi 50 autorëve shqiptarë, nga zhanri i poezisë, prozës, dramës, si dhe të trashëgojë pasionin për përkthimin tek studentët, që shprehin interesimin e shtuar për gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Bisedë me albanologen më të njohur bullgare, profesoreshën Rusana Hristova Bejleri e realizoi Mimoza Hasani Pllana.
Mimoza Hasani Pllana: E nderuar profesoreshë Hristova Bejleri, a mund të na tregoni si e mësuat gjuhën shqipe dhe si vendosët të studioni për gjuhën dhe letërsinë shqipe deri në nivelin më të lartë akademik?
Rusana Hristova-Bejleri: Kam mbaruar gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Shën Peterburgut në vitin 1992. U nisa me bursë të Radio Sofjes, për programin në gjuhën shqipe. Atje gjeta një ambient nxitës dhe mbështetës në të gjitha nivelet: në grup ishim tetë veta, te gjithë të motivuar, ndër të cilët më i njohur u bë albanologu prof. Aleksandër Novik. Pedagogët tanë ishin të ndjerat Desnickaja, Voronina dhe Ejntrej, zonja me kulturë, përgatitje të thellë shkencore dhe me aftësi pedagogjike të jashtëzakonshme në mësimin e shqipes si gjuhë të huaj. Që kur ishim studentë u përfshimë në një atmosferë shqipdashëse, që i përkiste si Tiranës së mbyllur ende, ashtu edhe Prishtinës, ku kemi bërë kurset e para në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
M.: Kurset e para të shqipes në universitetin e Sofjes “Shën Klimentï i Ohrit”, ku punoni aktualisht, filluan në vitin 1962, ndërsa zyrtarizimi u bë në vitin 1994. Prej asaj kohe, deri më sot kontributi juaj në mësimin dhe zhvillimin e programeve të shqipes është i madh. Sa ishte sfidues gjithë ky proces i gjatë?
R.H.B.: Lektorati i gjuhës shqipe, si lëndë fakultative u themelua në vitin 1962 nga gjuhëtarët e famshëm të gjuhësisë së përgjithshme, që ishin edhe ballkanologë. Ata u bënë nxënësit e parë të zellshëm të shkrimtarit Thoma Kaçorri. Në vitin 1994 nën kujdestarinë e prof. Petja Asenovës u themelua dega e Ballkanistikës, në të cilën shqipja zuri vendin e merituar, të barabartë me gjuhët e tjera të Bashkësisë Gjuhësore Ballkanike – rumanishtja, greqishtja dhe bullgarishtja. Aktualisht studentët kanë në program deri në 600 orë të shqipes për 5 vitet e studimit dhe 90 orë ligjerata të letërsisë shqiptare. Ata që dëshirojnë mund të zhvillohen edhe më tutje në doktoraturë, shkallë për të cilën sistemi aktual në vendin tonë, është shumë i favorshëm në kuptimin e vendeve dhe të bursave.
M.: Shteti bullgar nga fundi i shek. XIX, fillimi i shek. XX dhe tutje është i njohur për kontributin e jashtëzakonshëm, që fillimisht dha për krijimin e shtetit shqiptar, më pas për zhvillimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, përmes shoqërive të njohura atdhetare, kulturore, si: “Drita”, “Dëshira”, më vonë edhe “Gjergj Kastrioti”. Sa ruhet vepra e të gjitha këtyre shoqërive në institucione bullgare, a ka interes për këtë veprimtari nga studentët e gjuhës dhe letërsisë shqipe?
R.H.B.: Arkivat bullgare janë të pasura me materiale. Madje sipas kolegëve akoma nuk janë studijuar shumë faqe arkivore. Bojka Sokollova, Thoma Kacori dhe Elena Atanasova janë marrë me historikun dhe trashëgiminë e organizatave shqiptare në Bullgari. Revista “Kalendari Kombiar” e botuar në Sofje në fund të shekullit ХIX para një viti u ribotua e plotë nga fondacioni ALSAR në Tiranë, mund të shkarkohet edhe në formë elektronike dhe akoma pret studiuesit e saj.
M.: Prej themelimit të Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike, në kuadër të së cilës mësohet gjuha dhe letërsia shqipe, universiteti i Sofjes “Shën Klimentï i Ohrit”, u bë urë komunikimi në mes të kulturës bullgare dhe asaj shqiptare. A keni gjetur mbështetje nga Qeveritë e Shqipërisë, Kosovës për promovimin dhe zhvillimin e shqipes, kuptohet si gjuhë dhe letërsi, në këtë qendër të njohur ballkanike?
R.H.B.: Në fakt Katedra e Gjuhësisë së Përgjithshme daton shumë para se të merrte edhe ngjyresën e saj ballkanike. Ajo përgjigjet për lëndën në fjalë jo vetëm në fakultetin tonë, por në gjithë fakultetet e tjera ku është pjesë e programit. Sa për kontaktet, duhen falenderuar fillimisht organizatorët dhe administratorët e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në Kosovë, të cilat pranojnë çdo vit një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish nga vendi ynë, të cilët janë kryesisht studentë dhe doktorantë të Universitetit tonë. Me Shqipërinë kemi pasur për dekada marrëveshje ndërshtetërore për pjesëmarrje në Seminarin e gjuhës shqipe në Univeristetin e Tiranës. Është e udhës të falenderoj kolegët, që ky bashkëpunim u zgjat edhe jashtë marrëveshjes zyrtare dhe tani jemi në nivelin e shkëmbimit në programin Erasmus.
M.: Përveç punës në universitet, emri juaj është bërë i njohur edhe përmes veprave albanologjike dhe letrare që krijuat. Në librin “Letërsia shqipe si pasqyrë e shpirtit të popullit”, pasqyroni një thesar letrar të shqipes, si u prit libri nga lexuesit dhe sa ka interes lexuesi bullgar për letërsinë shqipe?
R.H.B.: Libri u botua kryesisht për të ndihmuar studentët me një tekst akadamik. Do të dëshiroja të besoja se ka pasur shumë lexues të tjerë, por ka pak të ngjarë, sepse tregu i librave është shumë konkurrent në fusha të ndryshme.
M.: Gjatë karrierës suaj albanologjike dhe filologjike, keni publikuar dhjetëra punime studimore për gjuhësinë dhe letërsinë shqipe. Veçojmë këtu, jo rastësisht, studimet krahasimtare të letërsisë shqipe dhe asaj bullgare, po marrim sa për ilustrim përqasjen që keni bërë në mes shkrimtarit shqiptar Migjeni dhe atij bullgar Hristo Smirnenski, a mund të përmendni elementët e përbashkëta letrare, që keni parë te këta dy autorë?
R.H.B.: Migjeni me Smirnenskin kanë poezi që trajtojnë motivin e varfërisë ekstreme në kohën kur jetojnë, që shpërfaqen me figura çuditërisht të afërta, vjershat ngjasojnë edhe nga ana tingullore dhe këtë e kanë vënë re vetë studentët gjatë leximit të poezive në përkthim. Migjeni është përkthyer në bullgarisht nga Marina Marinova, në një mënyrë shumë poetike dhe librit që ekzistonte vetëm në Bibliotekën Kombëtare i dhamë një jetë të re duke e vendosur në internet.
M.: Bashkë me studentët tuaj keni realizuar ekspedita universitare tanimë në fshatin e vetëm të banuar me shqiptarë, Mandrica. Si zhvillohet jeta në këtë fshat, sa është e ruajtur gjuha shqipe, sa është ndikuar gjuha shqipe nga gjuha bullgare dhe çfarë e karakterizon këtë fshat të banuar ende me shqiptarë nga fshatrat bullgare?
R.H.B.: Në Mandricë kemi shkuar disa herë me studentët. Fshatarët janë pak, 58 banorë gjithsej sipas statistikës, pa llogritur fëmijët e tyre që kanë dalë nga fshati. Njëri prej tyre, Ivajlo Petrov, ka themeluar Shoqatën e Rilindjes së Mandricës, ka investuar paratë e tij personale në ndërtimin e hotelit dhe në ringjalljen e disa zanateve si p.sh. pjekja e tullave karakteristike etnografike.
M.: Në listën e veprimtarisë suaj gjejmë të renditur pjesë nga vepra e më shumë se 20 autorëve shqiptarë që keni përkthyer në gjuhën bullgare. Sa vlerësohet letërsia shqipe në Bullgari në raport me letërsitë e vendeve të tjera ballkanike?
R.H.B.: Autorët e përkthyer janë mbi 50, për të cilët kemi punuar në projekte të përbashëta me studentët. Kryesorja është që letërsia shqipe të jetë e pranishme në internet në gjuhën bullgare dhe njerëzit e interesuar, por edhe specialistët të kenë mundësi për ta shfrytëzuar, pra të kenë akses. Web faqja funksionon nga viti 2004 dhe më gëzon fakti se shpesh e gjej të përdorur në punime të ndryshme.
M.: Si mendoni, a studiohet letërsia shqipe e përfshirë në kontekstin akademik ballkanik?
R.H.B.: Po, letërsia shqipe është lëndë më vete, por edhe në kuadrin e shkencës letrare krahasuese ballkanike. Universiteti ynë është ndër vatrat akademike, e cila me kalimin e viteve zhvilloi një kapacitet të pavarur shkencor në fushën e albanologjisë, ku ka patur vëmendje të shtuar edhe për letërsinë shqipe, për autorë dhe tekstet të ndryshme letrare. Kjo ka ndodhur ngadalë, me formimin e specialistëve të rinj, që u afirmuan edhe në fushën e tyre të preferuar të specializuar, më në thellësi të problematikave, edhe në shqipe.
M.: Duke qenë se kanë kaluar 20 vjet që kur punoni me studentë, a mund të na thoni cilat janë motivet më të shpeshta që i shtynë ata të studiojnë një gjuhë dhe letërsi, në këtë rast shqipen, jo shumë të njohur në Europë?
R.H.B.: Studentët tanë mësojnë në degën e Ballkanistikës dhe motivi i tyre është të mësojnë disa gjuhë ballkanike përnjëherë. Duket shumë joshëse për të rinjtë. Kur e kuptojnë në kurriz se 3 gjuhë janë shumë, thellohen në njërën prej tyre. Profilizimi i mëtejshëm nuk është institucional, por intuitiv, i bazuar në interesat e tyre dhe këtu gjejmë edhe shpresat tona që orientohen në fushën e shqipes më shumë sesa drejt gjuhëve të tjera.
M.: A mund të na tregoni për projektet tuaja aktuale në lidhje me gjuhën dhe letërsinë shqipe?
R.H.B.: Duhet të përgatitemi për 100 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Thoma Kacori (1922-2008). Besoj të përgatisim së bashku një studim të thelluar për jetën dhe veprën e tij me ndihmën edhe të bashkëshortes Violeta Kacori.
Russana HRISTOVA BEJLERIi, në vitin 1986, mbaroi studimet në Kolegjin Anglez në Sofje, më1991 mbaroi studimet në Filologji shqipe në Universiteti Shtetëror të Shёn Peterburgut në Rusi, ndërsa studimet doktorale i mbaroi më 1995 nё Institutin e Gjuhёsisё dhe tё Letёrsisё nё Tiranё. Në vitin 2000 fillloi punën në Universitetin e Sofjes “Sh. Kl. Ohridski”si profesoreshë e gjuhёs dhe letёrsisё shqipe ku punon edhe sot. Nga viti 2013-2017, drejtoi Departamentin e Gjuhёsisё sё Pёrgjithshme në Universitet, ndërsa nga viti 1991-2000 punoi në Radion Bullgaria në emisionin nё gjuhёn shqipe. Përveç si ligjëruese, Hristova Bejleri është e njohur përmes punimeve (mbi 50 të tilla) të shumta shkencore në fushën e letërsisë dhe albanologjisë dhe librave letrarë: Letёrsia shqipe si pasqyrё e karakterit kombёtar Sofje 2009, Fjalori frazeologjik ballkanik (bashkёautore) Tiranё 1999, Albanian Identities (bashkёautore) Sofje, 2000. Po ashtu, ka përkthyer veprën e shumë autorëve shqiptarë në gjuhën bullgare, ka krijuar dhe mirëmban faqen e interneti pёr albanolgojinё nё Bullgari www.albanianbg.com.
Biseda është shkëputur nga libri i autores Mimoza Hasani Pllana, “Shtegtimi i shqipes në Europë”, botuar nga OLYMP, Prishtinë, 2019. / KultPlus.com
Bisedë me Tomorr Plangarica, profesor i disiplinave gjuhësore dhe letrare në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) në Paris.
Instituti i Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) është një institucion me një traditë mëse dyqind e njëzet vjeçare në sistemin e arsimit të lartë në Francë, ku mësohen dhe jepen njohuri për më shumë se 100 gjuhë. Në këtë institucion edhe mësimdhënia e gjuhës shqipe dhe qytetërimit shqiptar ka përvijuar tashmë një përvojë gati njëqindvjeçare, duke mbajtur gjallë atë traditë që ishte përvijuar edhe më parë në Francë për njohjen e studimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë së këtij populli, në një cikël shkollimi në tri nivele: formim bazë trevjeçar (studime bazike), master dhe doktoratë… Por, le të kujtojmë kalimthi se Shqipëria, historia dhe kultura e saj, heronjtë dhe bëmat e tyre kanë qenë të pranishme edhe në penat e klasikëve francezë, për shembull, te Ronsari (Pierre de Ronsard) dhe Lamartini (Alphonse de Lamartine) apo në veprat e konsujve a udhëtarëve francezë të shekujve të kaluar (Tomorr Plangarica).
Bisedën e realizoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana: I nderuar profesor Plangarica, ju jeni nga studiuesit e rrallë që keni kryer studimet doktorale në fushën e psikolinguistikës; gjithsesi ju keni ligjëruar edhe në disa fusha të gjuhësisë dhe letërsisë shqipe, nga fonetika, stilistika, analiza e tekstit deri te pragmatika e analiza e diskurseve. Sa janë në funksion të njëra-tjetrës të gjitha këto disiplina?
Tomorr Plangarica: Përgjithësisht angazhimi në një fushë a në fusha të caktuara studimi kushtëzohet nga ndikimi i një morie faktorësh, sa të natyrës subjektive, që kanë të bëjnë me parapëlqimet, interesimet e veçanta, joshjet dhe kureshtitë, po aq edhe të natyrës objektive, që kanë të bëjnë me nevojat e shfaqura në kontekste a lëminj të caktuar studimorë në një hapësirë a çast të caktuar. Unë i përkas atij brezi mësimdhënësish universitarë e studiuesish, që pati shansin t’u përkushtohet me më shumë lehtësi disa fushave të mendimit gjuhësor të cilat “prisnin”, prej kaq kohësh, trajtime të thelluara, por që në kushtet e para viteve 1990 në Shqipëri nuk ishte shumë e mundur të lëvroheshin, si pasojë e mungesës së kontaktit më të gjerë me literaturën e huaj, mungesës së njohjes sa duhet të përvojave perëndimore apo paragjykimeve të natyrës ideologjike a metodologjike. Ndryshimet e thella politike dhe shoqërore në vitet 1990 mundësuan t’i qasemi me më shumë zell dhe kompetencë edhe dukurive e problemeve që shqetësonin mendimin gjuhësor në të ashtuquajturën “gjuhësi e jashtme”, që parakuptonte shqyrtimin e dukurive gjuhësore përtej njësive të sistemit. Në fakt, joshja për shqyrtime më të thelluara në këto fusha studimi lind natyrshëm edhe ndërsa studiuesi kërkon t’i krijojë një bazë sa më të qëndrueshme teorike edhe vetë shqyrtimit të njësive të sistemit, ndërsa thellohet në shqyrtimin e përvetësimin e njohurive që përpunohen në hapësirën e gjuhësisë teorike dhe filozofisë së ligjërimit, shkollave e kahjeve teorike që priren t’i shqyrtojnë në mënyrë sistemore dukuritë gjuhësore, në rrafshin e regjistrave të ndryshëm ligjërimorë të shfaqjes së tyre, në sfera e nivele të ndryshme moshore të përdorimit të gjuhës etj. Kontakti me përvojat europiane, shumë më i mundshëm dhe më i lehtë pas vitit 1990, krijoi mundësinë që kjo problematikë të zinte vend shkallë-shkallë edhe në studimet tona: bëhet fjalë për përfshirje në një “gjuhësi të re”, pra për një hapësirë shqyrtimi ku objekti i studimit, metodologjitë, konceptet dhe terminologjia janë shfaqur e po përvijohen këto 3-4 dhjetëvjeçarët e fundit edhe në shkollat më në zë të gjuhësisë, në atë anglo-saksone, në atë latine (kryesisht në përvojat shqyrtuese franceze) dhe në atë gjermanike. Është fjala, pra, për atë gjuhësi që po njihet gjithnjë e më shumë si gjuhësi jo e sistemit, por si gjuhësi përtejfrazore, si gjuhësi që do të diferenconte llojet e diskursit në komunikim, një gjuhësi që do të kishte një përgjigje për vetjet a thënësit (énonciateur) në komunikim dhe mënyrën e adresimit të mesazheve, një gjuhësi që të shihte përtej dikotomisë “i shenjuar/shenjues”, që me dallimin edhe të referentit e procesit të referencës, të 68 shqyrtonte situatën e të thënit, që ta konsideronte kuptimin e mesazhit jo thjesht domethënie të bartur te fjala e fjalia, por të ndërtuar në procesin e të dëgjuarit/lexuarit në bashkëmarrëdhënie me bashkëfolësin a bashkëthënësin…, një gjuhësi, pra, e rendit të tretë (pas asaj të fjalës – Sosyri, dhe asaj të fjalisë – Çomski), që të sillte interpretime përtej domethënieve të atyre njësive.; e po ashtu, bëhet fjalë për disiplina, autonomia e të cilave vishet me një mantel të veçantë; madje flitet më së tepërmi për marrëdhënie ndërdisiplinore sesa për kufij ndarës, autonomi a përkatësi të dijeve në një hapësirë të caktuar; prej nga, më së shumti, në shkollën franceze flitet më shumë për shqyrtime në kuadër të shkencave të ligjërimit. Nga ana tjetër, realiteti përdorimor i shqipes në vitet ’90 të shekullit të kaluar po njihte zhvillime të dukshme, të cilat po parashtronin kërkesa të ngutshme për studimin e tyre.
Pjesë përbërëse e atij realiteti përdorimor të shqipes ishte edhe kompetenca gjuhësore e nxënësit e grupmoshave shkollore të caktuara. Për më tepër, reformimi i mësimdhënies së shqipes, që në sistemin arsimor në Shqipëri kishte filluar qysh në fund të viteve 1970, kërkonte tashmë mbështetje më të qëndrueshme teorike dhe analiza më të drejtpërdrejta të dukurive gjuhësore që shfaqeshin në ato grupmosha dhe interpretime të atyre dukurive nga këndvështrimet e teorive gjuhësore të përpunara kryesisht në fushën e psikolinguistikës, por edhe më gjerë nga disiplinat e ndryshme të shkencave të ligjërimit. Në këtë kuadër mund ta përfshij angazhimin tim fillestar në këtë fushë, në studimin e veçantive të formimit gjuhësor në grupmoshat shkollore. Është një punë të cilën jam munduar ta zgjeroj e shtrij në vitet e mëpastajme, duke qenë i 69 bindur se kompetencën gjuhësore të çdo individi shqipfolës s’mund ta drejtojmë në nivelin e duhur pa i kushtuar vëmendje të veçantë formimit gjuhësor në shkollë, formim që do të jetë më i plotë nëse i tërë procesi i arsimimit do të përfitojë edhe nga prurjet e sotme të shkencave të ligjërimit; kam parasysh këtu edhe zhvillimet në didaktikën e gjuhës e të letërsisë, të teorive të të lexuarit (atij letrar në veçanti), të semiotikës, pragmatikës, etj. , etj. Bëhen përpjekje jo të pakta sot në Shqipëri e Kosovë, por prurjet nuk janë sistemore, dija në këto fusha mbetet ende fragmentare. Por, duke qenë mësimdhënës në universitet, pranë departamentit të gjuhësisë të UE “A. Xhuvani”, periudha e ndyshimeve në Shqipëri na nxiti, na angazhoi dhe na vuri para detyrimit intelektual që në programet universitare të studimeve të gjuhës dhe letërsisë të përfshinim edhe njohuritë që mungonin, por që ishin të domosdoshme nga fusha e kësaj gjuhësie. Ndaj u angazhova në përgatitjen e ligjëratave në fushën e psikolinguistikës, filozofisë së ligjërimit, analizës së tekstit, analizës së diskursit, pragmatikës, krahas stilistikës, etj. , çka sillte dobi për studentët, por edhe për mua, sepse mundësonte thellim në dije, pa të cilat formimi i studiuesit do të ishte gjithsesi i gjymtë. Sigurisht që ishte një “endje” në një hapësirë tejet të gjerë, që mund të pengonte disi thellimin në një fushë më të ngushtë, por ishte e domosdoshme dhe e vlefshme. Vërej me kënaqësi që kahje të tillë ka pasur puna edhe e shumë kolegëve të mi në Shqipëri dhe në Kosovë dhe mund të pohoj që tashmë interesimi për problemet e studimit të ligjërimit janë të pranishme në tavolinat e studiuesve po aq sa edhe ato të sistemit të gjuhës shqipe, të dukurive të natyrës fonetike, morfologjike a sintaksore.
M.: Tani jeni profesor albanologjie në seksionin e gjuhës shqipe të Departamentit të Gjuhëve të Europës Juglindore në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) në Paris, ku në mes gjuhëve të tjera, studiohet edhe gjuha shqipe. A mund të na shpjegoni më shumë për këtë institucion dhe si janë të strukturuara progamet nëpër nivele të ndryshme të arsimit të lartë atje?
T.P.: Interesimi për gjuhën shqipe, kulturën dhe artin shqiptar, trashëgiminë, traditën dhe bashkëkohësinë janë pjesë e interesimeve shkencore të studiuesve francezë në universitete e departamente të ndryshme, në institucione universitare në qytete të ndryshme të Francës. Por nëse prurjet në këtë fushë janë përgjithësisht produkte të punës individuale shkencore të studiuesve a profesorëve të caktuar, INALCOja është i vetmi institucion në të cilin në mënyrë të organizuar jepet mësim në fushën e albanologjisë, jepen njohuri për gjuhën dhe qytetërimin shqiptar në një cikël shkollimi në tri nivele: formim bazë trevjeçar (licence), master dhe doktoratë. Në fakt INALCO-ja është një institucion me një traditë mëse dyqind e njëzetvjeçare në sistemin e arsimit të lartë në Francë, ku mësohen dhe jepen njohuri për më shumë se 100 gjuhë dhe kontekstet kulturore, letrare e qytetëruese në të cilat ato gjuhë janë zhvilluar; krahas mësimdhënies së këtyre gjuhëve bëhen njëherazi kërkime shkencore mbi gjuhët e Europës Qendrore e Lindore, të Afrikës, të Lindjes së Mesme, të Azisë, të Oqeanisë dhe popullsive vendëse të Amerikës përmes disiplinave të tilla si gjeografia, historia, antropologjia, shkencat politike, ekonomike e sociale, të mbështetura nga ekipe profesorësh të këtij institucioni ose në bashkëpunim me qendrat a institutet kërkimore shkencore. Në këtë institucion edhe mësimdhënia e gjuhës shqipe dhe qytetërimit shqiptar ka përvijuar tashmë një përvojë gati njëqindvjeçare, duke mbajtur gjallë atë traditë që ishte përvijuar edhe më parë në Francë për njohjen e studimin e gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë së këtij populli; për më tepër, përmes një profesorati cilësor që u angazhua në studime në fushën e albanologjisë dhe dha produkte konkrete. Në botime të ndryshme të këtij institucioni, në revistat e tij shkencore dhe botime të tjera janë të pranishme këto kontribute. Një vështrim përmbledhës është bërë edhe në botimin e bërë me rastin e 200-vjetorit të këtij institucioni (1995). Le të kujtojmë kalimthi se Shqipëria, historia dhe kultura e saj, heronjtë dhe bëmat e tyre kanë qenë të pranishme edhe në penat e klasikëve francezë, për shembull, te Ronsari (Pierre de Ronsard) dhe Lamartini (Alphonse de Lamartine) apo në veprat e konsujve a udhëtarëve francezë të shekujve të kaluar. Në emrat më të njohur të kësaj trashëgimie, në suazën e kontributeve të studiuesve francezë për albanologjinë, spikatin emra të shquar si Lui Lysiën Bonoparti (Louis-Lucien Bonaparte), Ogyst Dozoni (Auguste Dozon), Lui Benlëvi (Louis Benloeë), Lui Pod’horski (Louis Podhorszky), Mario Roku (Mario Roques), Gabriel Anceu (Gabriel Ancey), Robert d’Anzhëli (Robert d’Angely), Hanri Buasëni (Henri Boissin), Kristian Gyti (Christian Gut), Zhorzhë Dretasi (Georges Drettas), Kristianë Montekoja (Christiane Montecot), Odilë Danieli (Odile Daniel), Zhan-Lui Dysheja (Jean-Louis Duchet), Odetë Marké (Odette Marquet)etj. Për një rastësi të lumtur, por jo vetëm për rastësi, mes tyre ka figura të rëndësishme me prurje të konsiderueshme edhe për kulturën dhe studimet europiane. Gjithsesi, në mjedisin francez Mario Roku konsiderohet si pionier i kërkimeve gjuhësore franceze të albanologjisë, kontribute të dhëna në kuadër të interesimeve që nxiteshin në lidhje me shqipen në Shkollën e Gjuhëve të Lindjes, sot INALCO. Romanist në zë, ishte ai që filloi mësimdhënien e shqipes në këtë institucion qysh më 1927-ën dhe që botoi po ashtu në një koleksion të Bibliothèque de l’Ecole dy vepra mbi tekstet e vjetra shqipe: Fjalori shqip i 1635-ës i Frang Bardhit, me një hyrje dhe tregues, në vitin 1932 dhe Kërkime mbi tekstet e vjetra shqipe, më 1934-ën. Pas tij mësimdhënia e shqipes dhe qytetërimit shqiptar pati të tjera personalitete me kontribute edhe në fushën e albanologjisë, si H. Buaswnin, K. Gytin, O. Danielin etj. H. Buaswni(ww), specialist i gjuhëve sllave, e dha mësim shqipen në këtë institucion për gati 25 vjet dhe hartoi gjithashtu edhe një “Gramatikë të gjuhës shqipe”, shumë artikuj gjuhësorë dhe përktheu edhe shumë krijime të epikës shqiptare. K. Gyti, student dhe më tej vijues i punës së Buasënit, drejtues për disa vjet edhe i Departamentit të Gjuhëve të Europës Juglindore përveç mësimdhënies u angazhua në mënyrë intensive në studimin e kulturës dhe historisë së Shqipërisë, botoi studime me natyrë historike, kulturore e gjuhësore, përktheu në frëngjisht vepra të autorëve shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, botoi një monografi për Pashko Vasën dhe përktheu në frëngjisht edhe Kanunin e L. Dukagjinit, që nga specialistët konsiderohet ndër përkthimet më të mira të këtij kodi zakonor. Po ashtu edhe Odile Daniel, pas një periudhe të gjatë të mësimdhënies së shqipes dhe drejtimit të Departamentit të Gjuhëve të Europës Juglindore, kontribuoi njëherazi në fushën e albanologjisë me studime për kulturën shqiptare, gjuhën shqipe dhe dialektet e saj dhe përktheu në frëngjisht shkrimtarë shqiptarë, mes të cilëve edhe veprën e at Zef Pllumit Rrno për me tregue. Duhet theksuar që pjesë e ekipit mësimdhënës të shqipes në këtë institucion kanë qenë në vijimësi edhe profesorë shqiptarë; deri në vitet 1970, profesorë shqiptarë që gjendeshin në Francë, si Petraq Pepoja, Nuçi Kota, Milto Noçka; dhe më tej gjuhëtarë në zë, të dërguar nga Instituti i Gjuhësisë në Tiranë, si R. Përnaska, Menella Totoni, Enver Hysa, Bahri Beci, etj. , apo njohës e studiues shumëprofilësh të letërsisë e kulturës shqiptare, si Mihal Hanxhari, Aurel Plasari, Ardian Marashi etj. Duhet theksuar gjithashtu që mjedisi në këtë institucion, jeta kërkimore-shkencore dhe njohja më e thelluar e zhvillimeve të gjuhësisë në Francë ka mundësuar edhe një ndikim të tërthortë në albanologji përmes veprës së këtyre personaliteteve, duke sjellë interpretime të dukurive të shqipes edhe mbi baza teorike të mendimit të përvijuar tashmë në Francë.
M.: Sa janë të interesuar studentët e huaj për të ndjekur studimet e albanologjisë në këtë institucion?
T.P.: Aktualisht mësimdhënia e gjuhës shqipe dhe e qytetërimit shqiptar në këtë institucion bëhet në të tria ciklet e shkollimit universitar, me diplomime në formimin bazë trevjeçar (licence), master dhe doktoratë. Epoka në të cilën jetojmë, ndërkaq ka krijuar një status, disi më të ndryshëm në lidhje me përkatësinë e studentëve. Tashmë, me bashkëpunimet mes institucioneve nga vende të ndryshme, lëvizja e studentëve përmes programeve universitare, kurset e mësimdhënies me studentë francezë vijnë e zgjerohen edhe me studentë të ardhur nga vende të tjera; për shembull, në vite të ndryshme pjesë e këtyre kurseve ka qenë edhe pjesëmarrja e studentëve nga vende të tjera, për shembull, nga Polonia, Finlanda, Çekia; madje edhe studentë nga Australia dhe Kina.
M.: Po shqiparët?
T.P.: Vërehet sërish një veçanti që lidhet me epokën në të cilën jetojmë. Nëse më parë, kur njohja e gjuhës shqipe dhe qytetërimit shqiptar përthithte interesime intelektuale të francezëve për t’iu përkushtuar fushave të tilla si ajo e kulturologjisë, diplomacisë e sidomos të përkthimit, dhe njohjes së kësaj gjuhe për nevoja të shtetit francez dhe institucioneve të tij, tani këto nevoja mund t’i përmbushë edhe një brez i ri studentësh francezë, me origjinë shqiptare (nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut a Mali i Zi), të lindur ose të rritur në Francë, të cilët nisin e i përkushtohen jo thjesht mësimit të gjuhës, por sidomos njohjes së thelluar të saj dhe kulturës shqiptare, për të konkuruar më tej në tregun francez të punës. Ndaj tani, pjesë e studentëve, janë edhe këta të rinj. Presim tashmë, që përkthimet në frëngjisht të shkrimtarëve apo studiuesve shqiptarë të jenë edhe me nënshkrimin e këtij brezi.
M.: Studiues e shkrimtarë të njohur shqiptarë janë të lidhur me kulturën letrare franceze, nëpërmjet studimeve apo krijimtarisë letrare që zhvilluan në këtë qendër të kulturës dhe civilizimit europian e botëror, po lexuesi francez sa mendoni se e njeh letërsinë shqipe?
T.P.: Ka gjithnjë një publik të interesuar për letërsinë dhe kulturën e një vendi, qoftë edhe ky një vend i vogël apo me gjuhë të veçantë. Për më tepër, në kohën e sotme, kur qarkullimi i vlerave kulturore, mundësohet nga një teknologji tejet e efektshme dhe forma organizimi më intensive (panairet e librit, konferencat, informacionet përmes masmedias etj.) edhe letërsia e kultura shqiptare në Francë ka të interesuarit e vet. Por në mjedisin francez kemi edhe një shans të madh: hapësirën e gjerë të ndriçuar në lidhje me këtë letërsi, histori e kulturë nga I. Kadareja, hapësirë që lehtëson gjithsesi të vihen në dukje dhe të përthithet interesim edhe për vlerat e tjera të krijuara nga shkrimtarët shqiptarë, që po ashtu janë përkthyer e vijojnë të përkthehen në frëngjisht. Për më tepër, qendër e njohjes së këtyre vlerave tashmë nuk është vetëm Parisi, por edhe qytete të tjera të Francës ku jetojnë e kryejnë veprimtarinë kërkimore jo vetëm studiues e krijues francezë, por edhe studiues e krijues shqiptarë, si Strasburgu, Lila, Puatjeja, Lioni, Marseja etj. (dikush më i informuar se unë mund të shtojë me siguri edhe qytete të tjera, madje edhe më gjerë, në vendet e tjera frëngjishtfolëse, si Belgjika a Zvicra).
M.: Amund të na thoni cilët autorë shqiptarë janë më të kërkuar dhe cilët mund të gjenden në raftet e librarive franceze me veprat e tyre të përkthyera në frëngjisht?
T.P.: Duke iu shmangur listimit të emrave të shumtë të shkrimtarëve shqiptarë që janë tashmë në frëngjisht, për të mos bartur pengun e mospërmendjes së ndonjë autori, mund të pohoj se shkrimtarët më në zë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova janë tashmë në raftet e librarive a bibliotekave në frëngjisht. Pothuaj çdo vit bëhen përurime të veprave të autorëve shqiptarë bashkëkohës a të traditës në frëngjisht. Në bibliotekën e INALCO-së është i pasuruar fondi i librit me vepra të autorëve shqiptarë në gjuhën frënge jo vetëm i veprave letrare, por edhe i fushave të tjera të shkencave shoqërore, sidomos të veprave me natyrë gjuhësore, letrare, historike, antropologjike, kulturore etj. Por në këto raste asnjëherë arritja nuk mund tëquhet e mjaftueshme.
M.: Gjuha shqipe, në mesin e pak miqve të saj, ka të renditur edhe albanologë të shquar francezë, si Christian Gut, që nuk jeton më mes nesh, apo Odette Marquet, e cila ende kontribuon për promovimin dhe njohjen e vlerave të letërsisë shqipe. Ch. Gut, gjatë jetës së tij, pa reshtur, promovoi letërsinë shqiptare për lexuesin francez, nëpërmjet studimeve, përkthimeve të veprës së shkrimtarëve modernë si dhe punës si profesor në INALCO dhe Sorbonë. Ndërsa, albanologia O. Marquet, kthehet te letërsia filobiblike duke nxjerrë një vepër të re për autorin dhe atdhetarin e madh shqiptar, Pjetër Bogdani. A mund të na thoni sa ishin dhe sa janë të zhvilluara bashkëpunimet tuaja me albanologët e njohur francezë, përfshirë edhe dy emrat e njohur që përmendëm?
T.P.: Është gjithnjë relativ përcaktimi i përllogaritjes së miqve ndaj një gjuhe a kulture të caktuar. E rëndësishme është që gjuha shqipe dhe kultura shqiptare është e pranishme në interesimet shkencore e kulturore të studiuesve francezë. Unë kam pasur rastin të vëzhgoj nga fare pranë pasionin dhe dashurinë me të cilën Kristian Gyti përkthente Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe hartonte monografinë për Pashko Vasën. Kam ndjekur ligjëratat e tij në Ecole des Hautes Etudes dhe kam parë se si integrohej natyrshëm një vlerë kulturore e kodit zakonor shqiptar në mjedisin francez e më gjerë. Kam mbetur i mrekulluar nga përkujdesja, dashuria dhe kureshtja e pandalshme e Kristian Montekosë për të njohur ndërkohë vlerat që përftoheshin në Shqipëri, sidomos interesimi që tregonte ndaj shkrimtarëve bashkëkohës shqiptarë dhe përkushtimi i saj për t’i sjellë ata në frëngjisht. Një shpirt që iu përkushtua pa rezerva kulturës e letërsisë shqiptare dhe që e pati të pranishme në interesimet e saj deri në vdekje. Po ashtu kam parë nga afër entusiazmin e përkthyeses dhe profesoreshës Odilë Daniel ndaj vlerave e mesazheve të gjithëkohshme që përçon vepra e at Zef Pllumit. E vlertë po ashtu mbetet edhe puna e motrës Odetë Marké për Bogdanin, por edhe kontributet e tjera të saj për kulturën arbëreshe apo në fushën e përkthimit. Pasionet e mëdha ndaj kulturës nxiten nga universe kulturore që përftohen edhe në gjuhë që kanë shtrirje a përdorues jo të shumtë në numër. Gjuha shqipe ka provuar që e meriton respektin dhe miqësinë, që sa më shumë bëhet e njohur përmes këtyre produkteve, aq më shumë zgjeron edhe rrethin e miqësive.
M.: Si e vlerësoni komunikimin ndërkluturor dhe ndërdisiplinor në mes qendrave shqiptare të mësimdhënies në vende të ndryshme europiane?
T.P.: Qendra të mësimdhënies së shqipes ekzistojnë në vende të ndryshme të Europës, por edhe përtej saj, deri në Kinë apo SHBA. Është koha të vendosen bashkëpunime të drejtpërdrejta mes tyre, për të disiplinuar energjitë e shpenzuara në funksion të studimeve e po kaq për të mundësuar qasje edhe më komplekse dhe të thelluara në shqyrtimet e profileve të ndryshme të albanologjisë.
M.: Ndër lexuesit shqiptarë, Franca kujtohet edhe si vendi që vlerësoi lart krijimtarinë letrare të shkrimtarit më të njohur shqiptar të të gjitha kohërave, Ismail Kadare. Sipas perspektivës suaj, sa është e vështirë që një i huaj të arrijë majat e vlerësimit nga lexuesi, botuesi dhe kritika letrare franceze?
T.P.: Shembulli i Kadaresë është tejet domethënës për të kuptuar se vlerat e përftuara i tejkalojnë kufijtë e ngushtë të një vendi a të një hapësire, të një gjuhe a kulture të një vendi sado i vogël qoftë ai. Angazhimi i studiuesve të ndryshëm francezë për shqyrtimin e veprës së Kadaresë nuk resht; temat studimore, doktoratat, monografitë për aspekte të ndryshme të krijimtarisë së tij apo vështrime për ta vendosur atë në piedestalin e shkrimtarëve më të mëdhenj bashkëkohës në Europë e më gjerë janë të shumta. Para disa vjetësh, nga dy qendra të rëndësishme studimore të universiteteve në Francës u organizua një konferencë shkencore me pjesëmarrje të mbi 50 studiuesve nga universitete të ndryshme të botës, jo vetëm në Europë, por edhe me studiues nga SHBA-të dhe Australia, në të cilën u analizua pikërisht ky status i merituar që Kadareja ka përvijuar tashmë në letërsinë bashkëkohore, aktet e së cilës u botuan në vitin 2011 nën titullin Lectures d’Ismail Kadaré nga profesoret e studiueset e letërsisë V. Gely dhe A. Eissen. Herë pas here vetë Kadareja është i pranishëm me intervista në shtypin francez a në stacione të ndryshme televizive franceze; për më tepër, vepra e tij është e rekomanduar në programet e shkollave të mesme franceze, ndër shkrimtarët e studiuar në atë cikël studimi; veçse para disa muajsh, një tjetër monografi prej qindra faqesh u botua nga J. P. Shampseja (Jean-Paul Champseix), një studiues i mirinformuar që mes të tjerëve i ka kushtuar vite të shumta pune studimit të veprës së Kadaresë. Dhe kur vlerat e përftuara nga një shkrimtar i vendit tënd fitojnë këtë përmasë, nuk ndien thjesht krenari e 79 kënaqësi, por ato bëhen nxitëse për ridimensionim të përpjekjeve për njohjen dhe propagandimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në përmasa më të gjera të saj. Ndaj theksova pak më parë që e kemi tashmë një hapësirë të ndriçuar qartë në kontekstin e kulturës franceze, në të cilën autorë të tjerë sjellin kontribute për t’i zgjeruar përmasat.
M.: A mund të na thoni se çfarë jeni duke punuar momentalisht në fushën e albanologjisë dhe shkencave të ligjërimit?
T.P.: Dy studime kam tashmë në proces pune: Njëri,që rreket të trajtojë një problematikë, që do ta përmblidhja në këtë mënyrë: Analiza diskursive e tekstit si sfidë teorike dhe mundësi për interpretim e ri-ndërtim më të efektshëm të mesazheve tekstore/diskursive. Është një kahje studimi ku ngërthehen një mori treguesish dhe një problematikë e natyrës teorike tejet e pranishme sot në mendimin gjuhësor europian e më gjerë, ku duhet të integrohen natyrshëm shqyrtimet e tipave të ndryshëm të teksteve në gjuhën shqipe. Në përvojat tona studimore ende nuk janë bërë paraqitje të disiplinuara dijesh të kësaj problematike, e aq më pak sinteza e përgjithësime njohurish. Është një punë që kërkon gjithsesi përkujdesje të veçantë për të bërë përqokjet e duhura e sa më funksionale në konteksin e një pasurie të konsiderueshme teorish të ndryshme tejet të suksesshme e në modë në ditët tona, me nisma në teoritë e ndryshme semantike (të frazës a të tekstit) e deri në ato pragmatike (të tekstit e diskursit); e përtej tyre, në fushën e filozofisë, psikologjisë, sociologjisë, antropologjisë, inteligjencës artificiale etj.. 80 Sigurisht që orientimi në një hapësirë të tillë, tejet të gjerë, parakupton shtrimin dhe trajtimin, më së pari, të problematikës që do të lidhet me teorinë e tekstit, gjuhësinë tekstore, teorinë e diskursit, e po ashtu edhe me analizën tekstore e atë diskursive. Në këtë rast, ndërdisiplinariteti nuk do të jetë një prirje spontane për të zgjeruar kufijtë e hapësirës së shqyrtimit, por do të jetë parakusht detyrues metodologjik për vështrime e interpretime të suksesshme. Pjesën më të rëndësishme dhe më angazhuese të kërkimit, do ta përbëjnë analizat e drejtpërdrejta të teksteve a diskurseve në gjuhën shqipe, analiza që do të synojnë jo thjesht përvijimin e modeleve analizuese në këtë fushë, por sidomos nxjerrjen në pah të dukurive të ndryshme të natyrës tekstore e diskursive që shfaqin e bartin veçanti në gjuhën shqipe (kohësia, aspektualiteti, situata thënësore, etj.etj.). Studimi i dytë ka të bëjë me një synim më të hershëm për të përvijuar një historik të kontributeve të
INALCO-së në albanologji, për vlerat që përmenda më lart në kuadër të kësaj interviste, që mund ta përmbledhim në këtë mënyrë: Mësimdhënia e shqipes për të huajt në INALCO, Paris – përvojë e traditë e vyer. Duke menduar se institucionet e mësimdhënies së shqipes si gjuhë e huaj jashtë Shqipërisë janë pjesë e historisë së studimit, kultivimit e mësimit të shqipes në tërësi, dhe produktet studimore në ato institucione janë kontribute edhe për albanologjinë, e konsideroj të rëndësishëm studimin e përvojës së grumbulluar në ato vatra të studimit e mësimdhënies së shqipes, si dhe bashkëpunimin me studiuesit e interesuar të atyre institucioneve për të përvijuar jo thjesht një histori përvoje, por edhe vendin e mësimdhënies së shqipes mes gjuhëve të tjera që po ashtu mësohen atje si gjuhë e huaj. Për më tepër, ky interesim na duket edhe më i motivueshëm kur bëhet fjalë për shqipen në institucione me përvojë mbi dyqindvjeçare në mësimdhënien e studimin e gjuhëve të huaja, siç është Instituti i Gjuhëve e Qytetërimeve Lindore (INALCO) në Paris, ku edhe mësimdhënia e studimi i shqipes ka një përvojë gati njëqindvjeçare. Puna në vijimësi për hartimin e këtyre dy studimeve shkon paralelisht edhe me angazhimet e tjera shkencore që nxiten nga përditshmëria dhe detyrimet e tjera të një mësimdhënësi dhe studiuesi.
Tomorr Plangarica, është mësimdhënës për një kohë të gjatë i disiplinave gjuhësore, si Fonetika e gjuhës shqipe, Stilistika, Pragmatika, Psikolinguistika, Gjuhësia e tekstit, Analiza e tekstit, Analiza e diskursit etj. Nga viti 2003, vit në të cilin ai filloi mësimdhënien si lektor pranë Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) në Paris, ai ka ndarë kohën mes mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në Paris, duke e konsideruar përvojën në atë institucion si mundësi për të njohur më nga afër një përvojë e mendim shkencor që në fushën e shkencave të ligjërimit qëndron gjithnjë në kuotat më të larta të zhvillimit të mendimit gjuhësor europian e më gjerë, dhe vijimit të bashkëpunimit e mësimdhënies universitare në Shqipëri. Nga viti 2017, ndërsa vijon mësimdhënien si profesor i jashtëm (chargé de cours) pranë INALCO-së dhe punon për realizimin e dy projekteve në fushën e shkencave të ligjërimit. Ai është angazhuar me punë në Departamentin e Leksikologjisë, Terminologjisë e Gjuhësisë së zbatuar të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Intervista është shkëputur nga libri i autores Mimoza Hasani Pllana, “Shtegtimi i shqipes në Europë”, botuar nga OLYMP me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Bisedë me Jovan Nikolaidis, shkrimtarin, përkthyesin dhe botuesin malazez (ballkanas), të lindur në Ulqin të Malit të Zi
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana: I nderuar z. Nikolaidis, keni lindur në një qytet të bukur mediteran, në Ulqin, të banuar me shumicë shqiptare dhe të vizituar shumë nga shqiptarët gjithashtu. A mund të jetë kjo arsyeja që mësuat shqipen dhe vazhduat të mos e harroni këtë gjuhë, jo vetëm për komunikim por edhe për zhvillim kulturor?
Jovan Nikolaidis : E nderuar Mimoza! Po, jam lindur pranë bregdetit, kam shtëpinë tek ullishtet, jam i rrethuar me fqinjë shqiptarë dhe kjo është një prej rrethanave të lumtura në jetën time. Tani, në moshë të shtyer, e falënderoj Zotin që e kam kaluar jetën me njerëz të mirë dhe të qetë. Gjuhën shqipe nuk e kam mësuar për shkak të turizmit, më së paku për shkak të turizmit. Gjuha shqipe, krahas gjuhës malazeze në të cilën shkruaj, ka qenë dhe mbetet gjuhë edhe e familjes sime. I jam mirënjohëse nënës malazeze sepse ka insistuar, që përvec gjuhës amëtare, më duhet ta mësoj edhe gjuhën e fqinjve dhe të miqve. Le të jetë e bekuar nëna ime e meçme dhe bujare!
Gjuha shqipe është e bukur, melodike dhe me shumë
mundësi që ta plotësojë dhe fuqizojë misionin. Ajo është gjuhë e shpirtit dhe
proverbave. Me të edhe melodia rrjedh pa ndalë, fjalët dhe tonet janë në përputhje.
Kjo gjuhë më ka ndihmuar ta njohë Shqipërinë, vend të cilin e kam vizituar
shpeshëherë, vend të cilin e dua, me njerëzit e së cilës ndajë fryte të shëndetshme
të miqësisë së sinqertë. Shqiptarët e duan bisedën dhe këngën!
Mimoza Hasani Pllana: Duke qenë se jeni djalë e nip i një familje të përbërë nga kombësi e kultura të ndryshme ballkanike, se jetoni në Ulqin, keni jetuar disa vite në Saravejë dhe jeni botues i njohur në vendet sllave, a mund të bisedojmë me ju për njohjen e letërsisë shqipe në kontekstin ballkanik, në veçanti nga lexuesi malazez, boshnjak, serb dhe maqedonas, sa është e njohur letërsia shqipe nga këto vende ballkanike?
Jovan Nikolaidis: Po, në gjakun tim janë të ndërthurura gjene malazeze, greke, shqiptare dhe vllehe. E falënderoj Zotin që nuk jam i përbërë vetëm prej njërit! Ballkani e ka paguar dhe vazhdon ta paguajë shtrenjtë garën e të qenurit autokton dhe autentik, Ballkani lëngon nga sëmundja e rëndë fisnore e egoizmit, gjithë kjo e rëndon të ardhmen e tij. Ballkanasit duhet ta dinë se kush janë dhe nga janë, është e rëndësishme të dihet prejardhja. Por, për mua gjithmonë më e rëndësishme ka qenë të jem Ballkanas sesa vetëm shqiptar apo malazez. Gënjejnë ata që thonë se në Ballkan ekzistojnë popuj me gjenezë të pastër etnike. Nga pellazgët e deri tek popujt e sotshëm të Balkanit kanë kaluar shtrëngata të panumërta, janë krijuar labirinte etnike, është budallallëk të thuhet se je i pastër – atëherë do të jesh më i papastërti. Çfarëdo insistimi në atë qëndrim fuqizon nacizmin dhe fashizmin. Shovinizmi është sëmundje e rëndë. Nuk i duhet Ballkanit një rrezik i tillë. Ruaj tënden, por mos e vendos aty ku nuk e ka vendin, kështu bëjnë ideologët rrugeçër. Më e bukur është dhe ka aromë më të këndshme tufa me lule të ndryshme, sesa me vetëm një lule. Në kopshtin e quajtur Ballkan rriten lule të llojllojshme, por edhe Zoti e pëlqen një përzierje të tillë. Kjo është ajo që do të insistojë deri në fund të jetës. Të pres që ballkanasit të pajtohen, bashkohen dhe si të tillë ta kthejnë drejtë Europës fytyrën e vet të bukur dhe të shëndoshë. Kush mendon ndryshe ndjell katastrofë dhe shkatërrim. Në Sarajevë kam mbajtur këtë qëndrim: të jem i ndryshëm por i njëjtë – njëlloj mysliman, katolik dhe i krishterë. Më së shumti Qytetar. Është e mundur që të pritet paqja dhe të gjinden vlera në jetesën e përbashkët. Për këtë arsye më vjen keq që popujtë sllavë të Ballkanit pak i njohin zakonet e shqiptarëve. Duhet ti njohin, në diversitetin e tyre ka vend për secilin njeri.
Mimoza Hasani Pllana: Sa lexohet dhe pranohet letërsia shqipe nga kritika letrare dhe lexuesit sllavofolës?
Jovan Nikolaidis: Pak, për keqardhje pak! Në librin tim “Shqiptarët dhe unë” (lexojeni kapitullin e katërt “Mbrëmje në Petrelë”) në një mbrëmje mistike kur isha në shoqëri të vëllezërve për nga idetë, shumë qartë e kam vënë theksin në këtë mangësi. Është shumë keq të mos njihet fqiu. Nëse nuk e don fqiun, nuk do ta duash as vëllaun, sepse fqiu është përkrah jush për t’ua shtrirë dorën ndërsa vëllau nganjëherë mund të jetë më larg. Babai im thoshte: “Zot, më jep fqiun, më largo nga kushërinjtë. Fqiu nuk i peshon gjërat në kandar, kushëriu gjithcka peshon në kandar”. Unë jam rritur dhe jetoj i rrethuar me shqiptarë, asnjëherë nuk më ka rastis të humbas nga fqinjësia me ta.
Mimoza Hasani Pllana: Sipas mendimit tuaj, a është e vështirë të përkthehet letërsia shqipe në gjuhët sllave?
Jovan Nikolaidis :Është e vështirë që të përkthehet autori shqiptar. Gjuha shqipe është e bukur, por në të njëjtën kohë komplekse. Tani, kur jam në një moshë që nuk premton shumë, vetëm tani shoh sesa kohë më tepër më duhet që ta mësoj gjuhën e fqiut tim. Megjithatë, nuk ndalem. Mësoj. Në veçanti e kanë vështirë ta mësojnë popujt sllav. Paragjykime dhe keqkuptime. Gjuha shqipe ka ndërtim linguistik ndryshe nga gjuhët sllave – është e kundërt me to. Por, kjo nuk është arsyeja pse të gjithë në Ballkan nuk e njohim njëri tjetrin. Ndërsa, kjo arrihet më së miri përmes gjuhës dhe shkëmbimit kulturor.
Mimoza Hasani Pllana: Ballkani, njihet si një vatër e Evropës që gjithmonë qëndron e nxehtë, e gatshme për t`u ndezuar, sipas mendimit tuaj, Ballkani, a është “vullkanik”, apo ofron mundësi jetesë në paqe dhe tolerancë ndërkulturore?
Jovan Nikolaidis :Nuk është Ballkani vatër e gatshme për tu ndezur. Nëse është ashtu siç thuani, atëherë fajin për këtë e ka Europa më shumë sesa vetë Ballkanasit. Europa është shpesh e ashpër, e pasinqertë dhe arrogante. Por ajo e din shumë mirë që ne jemi e ardhmja e saj. Ballkani është shpresa e Europës. Gjithmonë na kanë vështruar si njerëz jomikpritës, neve na mveshet përkufizimi mitologjik për banorë të errët dhe barbar, njerëz të cilët sillen me bagazh (kufera), presin drunjë, pastrojnë mutëra europian. Dhe heshtin, të hedhur nëpër geto të Europës, duke ëndërruar vendlindjen e largët dhe familjen e varfër në kodrat malore. Mendimi i Europës për ne është një gënjeshtër e vjetër shumëshekullore. Pozicioni i Ballkanit nuk është më fatlumi: është në udhëkryq ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Dhe gjithmonë i ka shërbyer edhe njërit edhe tjetrit për ti realizuar planet e tyre ekspansioniste, për ti shëruar frustrimet e tyre imperiale. Nuk ekziston në planet kolonizator më i madh se Europa! Për këtë arsye Ballkani i reziston okupimit. Ne dëshirojmë të jemi në Europë, ne jemi europian, por jo më si shërbëtor, por si partnerë të mirë. Për paqe dhe tolerancë, për vlera të përbashkëta njerëzore. Ballkani nuk do të skllavërohet më. Fatkeqësisht, Ballkani më së shumti është skllav i vetvetes, ne grindemi me njëri tjetrin. Në secilën grindje më së shumti ka budallallëk. Për këtë insistoj në misionin tim privat për tolerancë, bashkëjetësë dhe afërsi. Detyra ime intelektuale është e vogël, por numri i atyre që mendojnë si unë është duke u rritur, duke u forcuar. Ndaluni njerëz! Qetësojeni zemrën, qetësojini nervat! Aq të ngjashëm jemi saqë për këtë arsye edhe grindemi me njëri tjetrin. Ta shiqojmë njëri-tjetrin përballë, pas shpinës nuk mund ta shikojmë sesa të ngjashëm jemi.
M.:Kontrastet e jetës ballkanike janë motivet kyqe të
krjimtarisë tuaj letrare, poezisë dhe prozës, pastaj keni mendime interesante
edhe për simbolet kombëtare të popujve ballkanik, a mund të na thoni cilat janë
kontrastet dhe simbolet e mëdha të këtij regjioni multikulturor dhe fetar të
cilat kanë mundur të jenë motivet e veprës tuaj letrare?
J.N.:Pyetja është e vështirë,
nuk mund të ipet përgjigja me disa fjalë. Por, unë do të përgjigjem me lehtësi
në këtë pyetje….
Analizojeni sesi sot Mali
i Zi është duke udhëhequr politikën e saj të të brendshme dhe të jashtme dhe do
ta gjeni receptin për tërë Ballkanin. Shiqojeni sesa mirë bashkëpunojnë Kosova,
Mali i Zi dhe Shqipëria dhe gjithçka do ta keni të qartë. Për atë shkruaj unë:
për miqësinë ndërmjet popujve në Ballkan, për ngjashmëritë të cilat i kemi shumë, por edhe për dallimet të cilat
mund t’i tejkalojmë. Për bukurinë e njerëzve tanë, për virtytet e fshehura,
mundësitë e mëdha të këtij territori, arritjen madhështore të Ballkanit në hartën
e botës së civilizuar. Për shpresën që njëherë të ndalemi në në një stacion më të
mirë të njerëzimit.
M.:Në këtë qendër
kulturash të përziera, shqiptarët jetojnë në katër shtete, ku kanë qendrat më të
mëdha kulturore (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal i Zi). Si mendoni,
cilët janë autorët me përfaqësues të shqiptarëve në hapësirën ballkanike, por
edhe evropiane?
J.N.:Nuk e njoh mjaftueshëm
kulturën tuaj në mënyrë që të japë mendim. Por e di që gjithmonë keni pasur
ndjesi për të bukurën: në tregime, muzikë, lojë dhe aktrim. Gjatë përkthimit të
librit të së nderuarës Edi Shukriu kam vërejtur sesa i madh është kontributi i
femrës suaj për kulturën e Ballkanit. Me çfarë respekti shenjtëror shqiptarët i
duan nënat, motrat dhe bashkëshortet e tyre. Populli i cili i vlerëson femrat,
ka ndjeshmëri të fuqishme për të bukurën…
Njoh shumë mirë veprën
letrare të Ismail Kadaresë. Ai është një shkrimtar i shkëlqyeshëm. Por – ai nuk
është shkrimtari më i madh ndër shqiptarë. Ka më të mirë se ai. Kadare ka pasur
më shumë fat politik.
M.:Nëpërmjet veprës tuaj
keni kontribuar në njohjen e letërsisë shqipe (në përgjithësi) ndër popujtë
sllavofolës dhe madje keni kontribuar edhe për njohjen e elementeve të traditës
kulturore shqiptare, duke përfshirë lidhjen tuaj me shqiptarët dhe madje keni
shkruar edhe për gratë e shquara shqiptare. Sipas kësaj, çfarë i bënë shqiptarët
të veçantë neë Ballkan?
J.N.: Shqiptarët janë
martirët më të mëdhenj të Ballkanit. Asnjë popull nuk do të mund të duronte aq
shumë telashe dhe dhimbje, e të mos humbasë gjuhën e as krenarinë kombëtare.
Asnjë popull i Ballkanit me aq shumë ndjeshmëri dhe fuqi në etnosin e vet nuk
ka mundur ta ruajë trashëgiminë religjioze (islami, ortodokcizmi dhe
katolicizmi kanë bashkëjetuar në harmoni me njëra tjetrën: keni qenë dhe keni
mbetur – shqiptar). Gjithçka tjetër është më pak e rëndësishme. Të ardhmen e
keni të shëndritshme.
Mimoza Hasani Pllana: Së fundi, shtëpia botuese “Koha”, botoi libri tuaj, “Shqiptarët dhe unë”, a mund të na thoni cilat janë lidhjet tuaja me shqiptarët?
Jovan Nikolaidis :Në Shkodër, Tiranë dhe Korçë kam kushërinj, në Shqipëri dhe Kosovë miq të mirë. Këto lidhje janë të gjera dhe të thella. Këto miqësi më përcjellin në mplakjen time. Shqiptarët e ruajnë miqësinë, ata i duan dhe i ruajnë me bujari miqtë.
Mimoza Hasani Pllana: Keni përkthyer librin “Gra të shquara shqiptare”, të autores nga Kosova, Edi Shukriu. Si u prit libri, sa kishte interesime për njohjen e kontributit të grave shqiptare nga lexuesi malazez?
Jovan Nikolaidis :Kam pasur disa promovime të këtij libri në Mal të Zi dhe Kroaci. Në Split dhe Zagreb ky libër ka ngjallë interesimin më të madh. Ka pasur edhe reagime: pse disa prej atyre grave janë radhitur në mesin e grave shqiptare? Përgjigja ime ka qenë e qartë: për shkak se ato gra janë shqiptare, dhe jo serbe, greke apo maqedonase. Me këtë përgjigja në këtë temë mori epilog.
Mimoza Hasani Pllana: Aktualisht, cfarë jeni duke punuar nga letërsia shqipe në kontekstin ballkanik?
Jovan Nikolaidis :Pothuajse gjatë tërë dekadës kam punuar në një kronikë mbi familjen time. Vitin e kaluar është publikuar romani i parë i trilogjisë “Roman o Nikoli” (Roman për Nikolën). Quhet “Naši su životi bjekstva” (Jetët tona janë jetë ikjeje). Në këtë roman (të cilin e shkruaj nën pseudonimin Joanis Arvanitas) mund të lexoni sesa Shqipëri ka në Jovan Nikolaidisin. Në proces të shtypit është pjesa e dytë e kësaj trilogjie me titull “Nemoj plakati” (Mos qaj). Në të merrem me historinë e re të Shqipërisë, ashtu si e sheh shkrimtari dhe jo historiani. Romanin e tretë (titulli punues: ““Tišina kiše” – Qetësia e shiut) tani jam duke e shkruar, duke shpresuar se nuk do të vdes para se ta kryej amanetin të cilin ua kam dhënë të parëve të mi. Të gjithë i kanë respektuar shqiptarët.
Fotografi me miqtë në Shqipëri: Besnik Bakiu, Xhevahir Spahiu, Jovan Nikolaidis, Saimir Strati, Arian Leka.
Jovan NIKOLAIDIS: u lind më 1950, në Ulqin të Malit të Zi. Është i njohur si aktivist kulturor malazes, shkrimtar, përkthyes dhe botues. Mbi dhjetë vjet punoi si gazetar në mediat e shkruara në Sarajevë dhe më pas u kthye në Ulqin ku jeton edhe tani. Nikolaidis drejton shoqatën kulturore ‘Plima’, përmes së cilës ka për qëllim të promovoj vlerat multikulturore të Ballkanit. Po ashtu, është i angazhuar edhe për zhvillimin e dialogut kulturor të shkrimtarëve të Malit të Zi dhe vendeve fqinje, si: Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Shqipëri. Ka publikuar disa libra kryesisht në prozë dhe pjesërisht studime politike, si dhe disa librat të përkthyer. Së fundi ka publikuar librin eseistik “Shqiptarët dhe unë”. /KultPlus.com
Bisedë me profesorin dhe përkthyesin holandez, Roel Schuyt, i njohur për përkthimin e letërsisë ballkanike në gjuhën holandeze dhe i nderuar me çmimin letrar në Holandë, Aleida Schot
Fascinimi me veprat e Ismail Kadaresë më nxiti interesimin tim për letërsinë shqipe (Roel Schuyt).
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana: I nderuar profesor Schuyt, pasioni juaj për njohjen e gjuhëve ballkanike është i lidhur ngushtë me ritmet muzikore të kësaj pjese të Evropës, a mund të shkëpusni nga kujtimet tuaja elementet muzikore që ju bënë për vete?
Roel Schuyt: Në fillim më ka pëlqyer muzika folklorike bullgare dhe rumune (më 1956 babai kishte marrë në Bullgari pllaka muzikore 78rpm. të gramafonit) dhe muzika nga kombësi të ndryshme të Jugosllavisë. Më vonë, fillova të interesohem për muzikën greke dhe shqiptare – p.sh. polifoninë e jugut të Shqipërisë, muzikën e Nexhmije Pagarushës nga Kosova, dhe regjistrimet e vjetra të Tefta Tashko Kocos (sot, pianoja e saj është e ekspozuar në hapësirat e Muzeut Kombëtar Historik në Tiranë). Emri i fundit më përkujton një zbulim të veçantë: ekzistencën e këngëve urbane lirike të Shqipërisë, që posedojnë të njëjtat kualitete si ato të Rusisë, Francës, Italisë dhe vendeve të Ballkanit, si Rumanisë, Bullgarisë dhe Greqisë.
Mimoza H.P.: Keni studiuar për gjuhë dhe letërsi sllave, po gjuhën shqipe si e mësuat?
Roel S.: Më 1988 lexova Daullët e shiut të Ismail Kadares dhe më vonë Kronikë në gur. Të dy veprat janë përkthyer nga versioni frëng përkthyer nga Jusuf Vrioni. Përkthimet ishin të shkëlqyera por pas pak kohe shtëpia botuese holandeze Van Gennep kërkoi që të përkthente veprat e Kadaresë drejtpërdrejtë nga gjuha shqipe. Meqë kisha përkthyer më parë Dnevnik selidbe, një libër mbi rrethimin e Sarajevës nga autori boshnjak Dževad Karahasan, shtëpia botuese Van Gennep më pyeti nëse unë kisha njohuri të gjuhës shqipe po ashtu. Ishte fundviti i 1995-es. Pasi që mësova se pyetja ndërlidhej me mundësinë e përkthimit të veprave të Kadaresë, iu thash atyre se me dëshirë do ta mësoja gjuhën shqipe. Kështu, fillimisht përktheva një libër të vogël me ermin Shkaba – The Eagle. Në fillim më ndihmuan shumë përkthimet e Vrionit, dhe mëpastaj gjithashtu përkthimet e pasardhësit të tij Tedi Papavrami. Në disa raste (si në rastin e Aksidenti), nuk kishte fare tekst në gjuhën frënge, kështu që më duhej ta përktheja novelën pa u mbështetur në përkthimet frënge.
Mimoza H.P.: Në fillim të karrierës tuaj keni përkthyer autorë të njohur të letërsisë kroate, serbe dhe asaj maqedone, ndërsa më vonë filluat të përktheni letërsinë shqipe. Nga veprat e para që zgjodhët për përkthim ishin ato të shkrimtarit shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, a ishte kjo përzgjedhje subjektive, apo e bazuar mbi mendimet e kritikës?
Roel S.: Fascinimi me veprat e Kadaresë më nxiti interesimin tim për letërsinë shqipe dhe po ashtu kërkesa nga shtëpia botuese Van Gennep ishte një mundësi e artë për të filluar përkthimin nga gjuha shqipe.
Mimoza H.P.: Cilët autorë shqiptarë keni përkthyer deri tani dhe sa pëlqehet vepra e tyre nga lexuesi holandez?
Roel S.: Emrat të cilët i kujtoj janë: Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Ardian Klosi, Albana Shala, Eqrem Basha, Xhevair Spahiu dhe Flutura Açka. Kategoria e lexuesve janë shumë interesant por njëkohësisht e pakët në numër. Në rastin kur shiten 2 mijë kopje të një libri nga ndonjë vend i Ballkanit atëherë kjo mund të quhet mrekulli….
Mimoza H.P.: Thuhet se përkthyesit janë edhe autorë duke pas parasysh se të transferosh një tekst nga një gjuhë në një gjuhë tjetër do të thotë gati t`a rishkruash atë, sa sfiduese është kjo punë për ju?
Roel S.: Mund të konfirmoj se përkthyesit Jusuf Vrioni dhe Tedi Papavrami kanë bërë një punë të shkëlqyeshme për t’i bërë të njohura veprat e Kadaresë në të gjithë botën. Pothuajse të gjitha versionet në gjuhët tjera pos frëngjishtes janë të bazuara në përkthimet e tyre. Kur kam bërë krahasimin e versionit në gjuhën frënge me tekstet origjinale, kam vërejtur se versionet në gjuhën frënge në disa raste mund të jenë ‚zbukuruar’. Por, e di që vetë Kadareja ka mbikëqyrur të gjitha përkthimet dhe se ai ka qenë dakord me të gjitha adaptimet (kryesisht të vogla) të cilat pa dyshim kanë pasur qëllim që ta argëtojnë lexuesin francez. Një prej detyrave themelore të përkthyesit është që a) ta kuptojë plotësisht tekstin origjinal dhe b) ta transferojë në gjuhën native në atë mënyrë që përmbajtja të mbetet e paprekur, dhe që në të njëjtën kohë, të gjitha rregullat gramatikore dhe të gjitha praktikat letrare dhe të së folmes së përditshme të respektohen gjatë procesit të përkthimit. Këto janë kushte themelore për ta krijuar një tekst që i ngjan përmbajtjes origjinale, dhe i cili mund të lexohet si një vepër arti e veçantë.
Mimoza H.P.: Sa është e vështirë të transferohet teksti nga gjuha shqipe në gjuhën holandeze dhe anasjelltas duke ruajtur vlerat letrare?
Roel S.: Është thuajse se njëlloj e vështirë sikur ta përkthejmë një tekst nga cilado gjuhë tjetër europiane. Shqipja bashkëndan disa veçori gramatikore me gjuhën moderne romake dhe fjalori i saj përmban huazime të shumta të vjetra latine (për shembull – Fr. par example, femër < femina, mjek < medicus, ferr < inferi, next to xhenem < T. cennem) dhe huazime nga Turqishtja (akrep, çantë) dhe nga gjuhët tjera moderne europiane (makinë, gazetë, transferoj, (i) bazuar). Në fakt, disa huazime të shqipes nga latinishtja korespondojnë me huazime fjalësh në holandisht, si p.sh. as mur – muur, qilar – kelder, vivar – vijver, mrekull – mirakel. Sa i përket aspektit të letërsisë, i referohem përgjigjes me nr. 5. Nuk kam bërë asnjëherë përkthime nga holandishtja në gjuhën shqipe. Janë disa kolegë të jashtëzakonshëm nga Shqipëria dhe Kosova të cilët janë plotësisht kompetent të bëjnë përkthime të tilla në mënyrë të shkëlqyeshme, sidomos në fushën e biznesit, diplomacisë, drejtësisë dhe letërsisë.
Mimoza H.P.: Çfarë teknika të përkthimit përdorni gjatë procesit të transportimit të tekstit nga një gjuhë në tjetrën dhe sa bashkëpunoni me përkthyes, albanologë dhe profesorë katedrash të shqipes dhe ballkanistikës në qendrat e ndryshme evropiane, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë?
Roel S.: Së pari lexoj tekstin integral përmes përdorimit të fjalorit, përkthimeve tjera ekzistuese dhe uebfaqe. Në disa vende si p.sh. Slloveni ekziston një fjalor i shkëlqyeshëm në ueb i cili menaxhohet nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Sllovenisë. Po ashtu, ekzistojnë uebfaqe të cilat ofrojnë informacione mbi gjuhën e folur të përditshme dhe atë në formë të zhargoneve: p.sh. BG-жаргон-Речник на улицата in Bulgaria, Vukajlija in Serbia, Hrvatski jezični portalin Croatia (të dyja janë të dobishme për territorin e Ballkanit) dhe Razvezani jezik në Slloveni. Pastaj, realizohet përkthimi i parë dhe vazhdimisht lexohet, ri-lexohet dhe korrigjohet nga gruaja dhe unë. Një aspekt i rëndësishëm i punës së përkthimit është verifikimi i të gjitha fakteve gjeografike dhe historike të cilat kanë peshë në tekst. Pastaj, Google ofron një ndihmesë të jashtëzakonshme. Kam filluar karrierën duke bashkëpunuar me dikë, por që nga viti 1991 unë, apo më mirë të themi, unë dhe gruaja ime punojmë të pavarur.
Mimoza H.P.: Sa është e rëndësishme për përkthyesin njohja e autorit të tekstit, në veçanti njohja e ngjarjeve të rëndësishme të cilat mund të kenë ndikuar në tekstin origjinal dhe mund të ndikojnë në procesin e transferimit të tekstit në gjuhën e përkthyesit?
Roel S.: Në fakt njohuritë mbi jetën personale të autorit dhe ngjarjet rreth jetës së tij janë të një rëndësie periferike. Unë mbledh informacione të tillë kryesisht nga uebfaqet dhe tekstet përmbledhëse. Autorët të cilët i kemi takuar personalisht janë Ismail Kadare, Dubravka Ugrešić (jeton në Amsterdam), Flutura Açka (e cila jeton në mes të Utrehtit dhe Tirana), dhe disa poetë të cilat kanë prezantuar punën e tyre në Poetry International në Roterdam. Me disa autorë të tjerë kemi kontaktuar përmes emailit.
Mimoza H.P.: A ekziston ndonjë katedër për mësimin e gjuhëve ballkanike në universitete të Holandës?
Roel S.: Në fakt, nuk ekziston një degë e veçantë e studimeve ballkanike në Holandë, por ekziston një e tillë në Universitetin e Gentit në Belgjikë. Në Holandë janë tri universitete ku mund ta mësoni gjuhën dhe kulturën e disa vendeve sllavofolëse. Sa i përket gjuhës shqipe, nuk ekziston ndonjë degë apo katedër e veçantë. U mbetet individëve që ti ndërtojnë dhe zgjerojnë shkathtësitë vetvetiu.
Mimoza H.P.: A mund të na thoni se çfarë jeni duke punuar aktualisht në fushën e përkthimeve, në veçanti përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën holandeze?
Roel S.: Aktualisht jam duke përkthyer disa libra njëkohësisht. Së fundi kam përkthyer Ostrov Krah nga Ina Vljanova, In ljubezen tudi nga Drago Jančar (Slloveni), Doba kože nga Dubravka Ugrešić, dhe Belladonna nga Daša Drndić (Kroaci). Në të njëjtën kohë jam duke përkthyer 16 poema nga përmbledhja Roja i dritës të Flutura Açkës. Të gjitha ato janë të përqendruara rreth sëmundjes tragjike dhe humbjes së djalit të saj, Jerinit, një ngjarje shumë e dhimbshme, duke qenë djali i vetëm i saj, një djalosh 17 vjeçar zemërmirë, inteligjent dhe bukurosh.
Roel Schuyt, lindi në Amsterdam në vitin 1948. Ka studiuar në Liceun Spinoza për gjuhën dhe letërsinë sllave. Ka doktoruar në Universitetin Leiden, me temën Morfologjia e sllavishtes në aspektin verbal. Nga viti 1975-1982 ka ligjëruar në Universitetin e Amsterdamit, ndërsa nga viti 1989-1995 në Universitetin Leiden. Më vonë ka vazhduar punën në fushën e përkthimit në holandisht nga gjuhët: bullgare, kroate, serbe, shqipe dhe rumune, si përkthyes dhe vlerësues i përkthimeve të veprave letrare nga gjuhët e përmendura. Në vitin 2011 është nderuar me çmimin Aleida Schot, që në Holandë nga viti 1981 ndahet çdo vit për përkthime letrare. / KultPlus.com
Bisedë me njohësin, përkthyesin e letërsisë shqipe dhe studiuesin e historisë moderne të Shqipërisë, Přemysl Vinš
Gjuha shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë të Çekisë studiohet në kontekstin historik, poltik, sociologjik dhe antropoligjik. Gjuha dhe letërsia shqipe, mësohet krahas gjuhës rumune, bullgare, kroate, serbe, dhe sllovene. Universiteti i Karlit është vendi i vetëm ku mund të mësohet dhe studiohet shqipja brenda shtetit Çek. Në Çeki shumë pak njerëz e flasin shqipen, andaj interesimet për këtë gjuhë ekzotike siç e quan Vinš nërlidhen edhe me mundësi punësimi.
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana: I nderuar profesor Vinš, fillimisht kujtojmë se përvoja juaj fillestare në raport me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është e fokusuar në studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe më pas në historinë moderne shqiptare, duke u fokusuar në periudhën e regjimit komunist në Shqipëri. A ju kujtohet si filluat mësimin e gjuhës shqipe dhe studimin e letërsisë?
Přemysl Vinš: Është një pyetje mjaft komplekse që lidhet me zanafillat e pasionit tim për historinë dhe kulturën shqiptare. Si fëmijë kërkoja çdo informacion për Shqipërinë, që në atë kohë konsiderohej në Çeki si vend i panjohur dhe pak i mistershëm. Duke marrë parasysh se që nga koha e fëmijërisë lexoj shumë, kaloja kohën e lirë në bibliotekën e lagjes sonë. Dhe atje një ditë kam gjetur përkthimin çek të romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur nga Ismail Kadare. Ky roman më ka befasuar, në atë kohë e konsiderova si një dritare të vogël, nëpërmjet së cilës mund të kuptoja disa tipare të mentalitetit shqiptar. Natyrisht më vonë kuptova se Kadareja përdor dhe punon me disa stereotipe me të cilat shqiptarët duan të krenohen dhe me të cilat mund të tërheqin vëmendje te një lexuesi i huaj, por sigurisht ky libër më ndikoi shumë. Romanet e Kadaresë më shërbenin pak si një mjet për të njohur kulturën dhe historinë e kombit shqiptar.
Por gjithmonë merresha më shumë me historinë dhe letërsia
shqiptare ishte diçka si shtesë, pasion. Deri sot më pëlqen kur në veprat
letrare pasqyrohen ngjarje reale historike. Pikërisht këtë lloj librash e
kërkova në fillim. Ju keni përmendur se fokusohem në periudhën e regjimit komunist
në Shqipëri. Është e vërtetë dhe një nga qëllimet e mia është që publiku çek të
kuptonte sa e ndryshme ishte përvoja shqiptare me komunizmin në krahasim me atë
çeke ose çekosllovake. Edhe për këtë qëllim më shërbeu letërsia, sepse ajo
pranohet më lehtë nga publiku i gjerë në krahasim me studimet historike në
revistat shkencore. Prandaj para disa vitesh kam përkthyer tregimet e njohura
të Ylljet Aliçkës dhe gëzohem nga fakti se edhe me këtë botim modest por
relativisht të suksesshëm arrita atë qëllim – disa lexues më kontaktuan për të
më pyetur nëse përshkrimet në librin e Aliçkës janë fantazia e autorit ose
kështu u duk realiteti i jetës në Shqipërinë komuniste.
Kur i përgjigjem pyetjes Suaj si fillova orientimin tim
më të madh për letërsinë shqipe duhet të pranoj se pasi u punësova në fakultet
nuk kisha një zgjidhje tjetër. Programet studimore llogarisin me mësimdhënien e
historisë së letërsisë shqipe dhe megjithatë nuk jam asnjë ekspert për
letërsinë dhe kurrë nuk u mora me letërsinë nga pikëpamja teorike, në Çeki jemi
ndoshta tre ose katër njerëz që në ndonjë mënyrë njohin letërsinë shqipe,
historinë e saj dhe që në mënyrë aktive e lexojnë letërsinë shqipe dhe përpiqen
ta përkthejnë. Pra, këto mësime unë i mora përsipër dhe duhet të punoja shumë
që mund të plotësoja me dinjitet këtë detyrë.
Mimoza H. P.: Në departamentin tuaj ofrohen programe për studime bazike dhe master në disa gjuhë ballkanike përfshirë edhe gjuhën shqipe, sa janë të interesuar të rinjtë për të ndjekur programet studimore në gjuhën shqipe, çfarë e bën tërheqëse këtë gjuhë për të rinjtë çek dhe si funksion katedra?
Přemysl V. : Departamenti ynë me emrin jo të lehtë – Departamenti i studimeve sllavo-jugore dhe ballkanike (Katedra jihoslovanských a balkanistických studií) – është pjesë përbërëse e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Karlit në Pragë. Edhe pse është i ri si departament i pavarur, disa fusha studimi kanë një traditë të gjatë. Kjo u takon sidomos gjuhëve sllave si bullgarishtja, sllovenishtja ose serbishtja. Përkundrazi, përfshirja e gjuhës shqipe ishte pak si eksperiment për shkak të mungesës së stafit dhe natyrisht të interesit. Sot, departamenti ynë është i vetmi vend në Çeki ku mund të studiohet gjuha shqipe.
Në departamentin tonë studiohen aktualisht 6 gjuhë –
shqipja, bullgarishtja, serbishtja, kroatishtja, sllovenishtja dhe rumanishtja
– në nivelin bachelor dhe master. Studimi përqendrohet jo vetëm për gjuhën që
secili student mund ta përzgjedhë, por edhe për letërsinë dhe historinë e
rajonit gjuhësor. Përveç kësaj ka disa lëndë që synojnë arritjen e një
horizonti më të gjerë. Pra, kur një student dëshiron të studiojë p.sh. gjuhën
shqipe, merret natyrisht edhe me letërsinë dhe historinë shqipe, por përveç kësaj duhet të fillojë gjatë studimit
edhe me një gjuhë tjetër ballkanike. Shumica e studentëve tanë ka interes për
situatën aktuale në rajon dhe punimet e tyre përfundimtare shpesh bashkojnë
historinë, politologjinë, sociologjinë ose antropologjinë.
Studimi në nivelin bachelor zhvillohet në gjuhën çeke,
por gradualisht rritet presioni dhe nevoja që studentët ta përdorin gjuhën e
studiuar në mënyrë aktive. P.sh. në kurset e mia letrare i detyroj të lexojnë
pjesët e veprave në origjinal, gjë që në nivelin e masterit është e natyrshme
dhe e domosdoshme. Me kalimin e kohës, sidomos në nivelin master, ka disa lëndë
që zhvillohen vetëm shqip.
Për sa u përket arsyeve të studentëve për të ndjekur
kurset e shqipes dhe të letërsisë, mund t’i dallojmë studentët në disa grupe.
Të parët janë ata që kanë ndonjë lidhje familjare me botën shqiptare. Bëhet
fjalë në disa raste për studentët nga familjet çeko-shqiptare. Disa nuk dinin
gjuhën fare, disa vetëm gjuhën e folur por
nuk dinin asgjë për letërsinë ose historinë. Grupin e dytë e krijojnë
çekët të cilët studiojnë shqipen si një gjuhë ekzotike që mund t’u hapë disa
mundësi ekskluzive punësimi duke marrë parasysh se në Çeki ka shumë pak njerëz
që flasin shqip. Këta studentë shpesh studiojnë shqipen në kombinim me një gjuhë
ose fushë tjetër. Jo rrallë dëshirojnë të kuptojnë shqip dhe të njohin botën
shqiptare që vetë mund të krahasojnë informacione për rajonin e Ballkanit nga
një perspektivë tjetër. Mendoj se pikërisht kjo arsye është mjaft e rëndësishme
në botën e sotme që është plot me lajme propagandistike dhe ku fatkeqësisht
argumentime nacionaliste nuk kanë humbur fuqinë.
Mimoza H. P.: Po literatura në gjuhën shqipe, sa është e pasuruar biblioteka e katedrës, a bashkëpunoni me Kosovën dhe Shqipërinë për sigurimin e titujve të rinjë dhe literaturës së nevojshme për studentët?
Přemysl V.:Në departamentin tonë kemi një bibliotekë mjaft interesante albanologjike plot me studime të vjetra dhe me disa origjinale të vlefshme. Më shumë kemi probleme me pajisjen e veprave dhe të studimeve të reja, por edhe kjo çështje po përmirësohet. Unë vetë kam një koleksion të pasur privat librash që shfrytëzoj edhe për mësimin. Përveç kësaj kemi lidhje mjaft të mirë sidomos me Universitetin e Prishtinës, por edhe me Universitetin e Tiranës. Para disa vitesh kemi marrë një numër të madh librash si dhuratë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe falë kontakteve në Tiranë kemi aktualisht libra të rinj mësimorë të gjuhës shqipe. Sot kemi mjaft mundësi për t’u pajisur me librat në krahasim me kohën para disa vitesh.
Mimoza H. P.: Duke qenë mësimdhënës universitar keni mundësi të identifikoni më lehtë shijet e studentëve, a mund të na thoni cilët autorë dhe periudhat letrare shqipe pëlqehen më shumë prej tyre?
Přemysl V.: Studentët por edhe publiku i gjerë çek vuajnë nga mungesa e përkthimeve të letërsisë shqipe në gjuhën çeke. Kohën e fundit është rritur numri i përkthimeve, por prapë së prapë nuk është i mjaftueshëm. Në krahasim me përkthimet e shumta të letërsisë nga gjuhët sllave kjo mungesë ndihet akoma më shumë. Pra, ky fakt vështirëson njohjen e letërsisë shqipe në Çeki. Studentët çekë gjithashtu kanë nevojë për mjaft kohë deri sa janë në gjendje të lexojnë origjinalin në gjuhën shqipe. Por nga ato çfarë kemi dhe nga ato çfarë unë u prezantoj gjatë mësimeve del se ka interes sidomos për autorët bashkëkohorë. Studentëve u pëlqejnë veprat klasike të letërsisë shqipe, pra romanet e Kadaresë, Kongolit ose Aliçkës. Por interes kanë shfaqur edhe për autorë si Flutura Açka, Ben Blushi, Ag Apolloni ose Luan Starova. Unë përpiqem që të gjejnë pasion për veprat më të vjetra dhe gëzohem se u pëlqejnë edhe tekstet e Migjenit ose vjershat e Çajupit. Këta dy autorë unë i vlerësoj shumë dhe ndoshta pasioni im bie pak edhe mbi ata… Para një viti punuam në një seminar me poezinë e bejtexhinjve dhe u kënaqa kur disa studentë shfaqën interes edhe për këto tekste leximi i të cilave për ne të huajt nuk është aspak i lehtë. Përkundrazi, duhet të pranoj se leximi i veprave të Naim Frashërit nuk ka gjetur ndonjë mirëkuptim të madh. Por kjo mund të kuptoheet sepse tekstet e bukura të Naimit ose disa rilindësve të tjerë nuk zgjojnë te studentët çekë ndjenjat patriotike siç mund të jetë te kolegët e tyre në Shqipëri ose Kosovë.
Mimoza H. P.: Sa jeni të kënaqur me përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhën çeke?
Přemysl V.: Për këtë çështje jam përgjigjur pak më parë. Jo, nuk jam i kënaqur. Pikërisht në fushën e përkthimit unë shoh potencialin tim të madh. Ndoshta kurrë nuk do të jem ndonjë shkencëtar i mirëfilltë por do të doja që të kontribuoj si përkthyes për njohjen më të mirë të letërsisë shqipe në vendin tim. Dua t’u tregoj çekëve se letërsia shqipe nuk është vetëm Kadareja të cilin natyrisht e vlerësoj shumë. Por nuk është e lehtë të bindësh ndonjë shtëpi botuese që të botonte shkrimtarë shqiptarë të cilët mbeten faktikisht të panjohur te ne. Pra kemi shumë sfidë dhe shumë për të bërë.
Mimoza H. P.: Si i vlerësoni teoritë e përkthimit, në fakt a besoni në rregulla të përgjithshme të përkthimit në funksion të ruajtjes së origjinalitetit të tekstit fillestar?
Přemysl V.: Nuk e di cilën teorinë konkrete e mendoni, por besoj se për të arritur një përkthim cilësor, çdo përkthyes duhet të përkthejë së pari në gjuhën e tij mëmë. Ky kusht banal shpesh nuk respektohet dhe fatkeqësisht pasqyrohet keq në rezultatin e përkthimeve. Së dyti mendoj se përkthyesi duhet të jetë një njohës shumë i mirë jo vetëm i gjuhës së tij mëmë (as kjo nuk është gjithmonë automatike) dhe asaj të origjinalit, por duhet të orientohet shumë mirë në historinë dhe kulturën e kombit, gjuhën e të cilit e përkthen. Kjo e takon shumë letërsinë shqipe në të cilën janë kaq të pranishme elemente historike, folklorike, shoqërore, politike etj.
Mimoza H. P.: Sipas mendimit tuaj, a mund të përkthehen të gjitha tekstet letrare shqipe në gjuhën çeke, çfarë e bën të sfidueshëm procesin e përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën çeke?
Přemysl V.: Sigurisht se mund të përkthehen të gjitha tekstet, por ka disa që do të ishin vërtetë një sfidë. P.sh. Lahuta e Malcisë nga Fishta është vepra fantastike por përkthimi i saj në gjuhën çeke do të ishte jashtëzakonisht i vështirë për shkak të gjuhës së origjinalit dhe elementeve specifike shqiptare nga fusha e historisë, mitologjisë dhe folklorit. Nuk mund të imagjinoj se një lexues çek do ta kuptonte këtë vepër pa një studim shtesë i cili do të sqaronte këto elemente. Unë vetë duhet të pranoj se nuk ndihem mjaft i aftë të përkthej poezinë. Për ta bërë duhet të bashkëpunoja me një poet i cili duhet t’i jepte përkthimit tim formën e duhur artistike.
Mimoza H. P.: Si qëndron bashkëpunimi i departamentit tuaj me departamentet ku mësohet gjuha dhe letërsisa shqipe në Kosovë, Shqipëri dhe vendet tjera të Ballkanit, në veçanti në mobilitete, seminare, konferenca dhe tryeza shkencore?
Přemysl V.: Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Tiranën dhe Prishtinën falë programit Erasmus+. Studentët tanë kanë realizuar disa qëndrime studimore në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Prishtinës, dhe vitin e kaluar dhe sivjet kemi edhe te ne në Pragë disa studentë nga Kosova. Ky bashkëpunim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Përveç shkëmbimit të studentëve përfitojmë nga mobilitetet e profesorëve nga Prishtina dhe Tirana të cilët na kanë nderuar disa herë me ligjëratat e tyre në fakultetin tonë. Vlerën shumë të madhe e ka gjithashtu tradita e pjesëmarrjes së studentëve tanë në Seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare që zhvillohet çdo verë në Prishtinë. Për shumë studentë Seminari është kontakti i parë i gjallë me botën shqiptare dhe një mundësi e shkëlqyer për të njohur kolegë dhe albanologë nga gjithë bota.
Mimoza H. P.: Duke ju falënderuar për bisedën, a mund të na thoni se çfarë jeni duke lexuar, punuar aktualisht lidhur me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare?
Přemysl V.: Aktualisht lexoj librin e kujtimeve të regjisorit të njohur shqiptar Piro Milkani i cili është njohës i mirë i gjuhës dhe kulturës çeke. Libri i tij me titullin „E pabesueshme por e vërtetë” tregon shumë detaje nga koha e studimeve të Milkanit në ish-Çekosllovaki si dhe nga periudha kur zoti Milkani shërbeu si ambasadori i Shqipërisë në Pragë, flet për shumë personalitete të njohura çeke dhe shqiptare. Mendoj se ky libër bashkon në ndonjë mënyrë të dyja kombet dhe do të meritonte përkthimin në gjuhën çeke. Shpresoj se kjo do të realizohet. Përveç kësaj kam përkthyer disa kapituj nga romani „Ku je?” i Flutura Açkës dhe do të doja ta gjëja shtëpinë botuese për të realituar botimin e plotë të këtij romani.
Přemysl Vinš ka lindur më 1982 në Çeki. Punon asistent në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Karlit në Pragë, ku merret me me letërsinë shqiptare dhe historinë moderne të Shqipërisë. Përveç punësnë Universitet jep edhe mësime private të gjuhës shqipe. Një nga qëllimet e tij është përkthimi i autorëve shqiptarë si dhe promovimi i letërsisë dhe kulturës shqiptare në Çeki./KultPlus.com
Bisedë me albanologun e njohur rus, fituesin e çmimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, “Studiuesi i ri më i suksesshëm”, profesorin Alexandër A. Novik.
Bisedën e realizoi Mimoza Hasani Pllana
Studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe në njërin nga universitetet
më të mëdha në Rusi, atë të Shën Petersburgut filluan në gjysmën e dytë të
shekullit të kaluar. Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe e themeloi gjermanologia
dhe albanologia e njohur ruse, Agnija Vasilevna Desnickaja (1912-1992), në
vitin 1957. Prej themelimit deri në fund të aktivitetit të saj krijues
Vasilevna Desnickaja udhëhoqi katedrën dhe ishte aktive në studimet gjuhësore
indoeuropiane, në veçanti në studimet ballkanike, të gjuhës shqipe, letërsisë
shqipe, arbëreshe dhe folklorit shqiptar.
Këto studime Vasilevna Desnickaja përveç se i publikoi në
konferenca dhe revista shkencore, i la të botuara edhe në librat: Rindërtimi i
elementeve të gjuhës së lashtë shqipe dhe problemet gjuhësore panballkanike
(1966), Gjuha shqipe dhe dialektet e saj (1968) dhe Letërsia shqiptare dhe
gjuha shqipe (1987). Në librin e fundit përfshihen dialektet e gjuhës shqipe të
shumë vendeve ku flitet shqipja, si: Shqipëria, Kosova, Italia, Bullgaria,
Çamëria, etj.
Pasi kujtuam shkurt punën e madhe të gjermanologes, albanologes dhe themelueses së degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shën Petersburg, Agnija Vasilevna Desnickaja, do të prezantojmë bisedën me albanologun e shquar të kohës sonë Alexander A. Novik, që me përkushtim vazhdon traditën e studimeve të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Shën Petersburgut.
Mimoza Hasani Pllana: I nderuar profesor Novik, katedra e gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Petersburgut e themeluar nga albanologia e njohur ruse Agnija Vasilevna Desnickaja , tanimë ka mbushur gjysmë shekulli që nga themelimi i saj në vitin 1957. Prej atëherë me qindra studentë kanë vijuar studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe, si është gjendja sot, sa janë të interesuar të rinjtë për studimin e shqipes?
Alexander N.: Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe është themeluar
më 1957 pranë katedrës së gjuhësisë së përgjithshme në fakultetin filologjik të
Universitetit të Leningradit (nga viti 1991 qyteti quhet prapë Sant Peterburg
si në kohën e carit rus Pjetrit të Madh). Dega jonë vazhdon të jetë një nga
degët më ekskluzive dhe me përvojë jashtëzakonisht të pasur në mësimdhënie të
gjuhës shqipe, të letërsisë shqipe, të etnografisë dhe kulturës shqiptare. Pranojmë
studentë në degën tonë një herë në dy vjet, për shembull në këtë vit mësimor ne
kemi vitin e parë, vitin e tretë të baçelorit. Pas mbarimit të studimeve gjatë
katër viteve ata të rinj që i janë përkushtuar studimeve albanologjike mund të
vazhdojnë në master. Në çdo vit mësojnë 5 studentë. Numri i studentëve varet
nga planet e Ministrisë së shkencës dhe të arsimit të lartë të Federatës Ruse.
Gjuhën shqipe në fakultetin filologjik e studiojnë jo vetëm studentët e degës
së shqipes por edhe ata të degës së greqishtes së re, të teorisë së gjuhësisë
etj.
Mimoza H.P.: Nga koha kur albanologia e njohur Vasilevna Desnickaja hartoi programet dhe metodologjinë e punës për mësimin e shqipes duke u kujdesur më pastaj edhe për mirëfunksionimin e saj dhe qëndrueshmërinë, sa janë plotësuar dhe zhvilluar ato, apo edhe sot sa përdoren programet e njëjta?
Alexander N.: Programet mësimore sipas planit universitar
plotësohen dhe janë në redaktim pothuajse çdo vit. Del nga shtypi letërsia e
re, botohen të dhënat të reja në fushën e linguistikës, etnologjisë e kështu me
radhë. Ne duhet të jemi në epiqendër të njohurive të reja si në albanologji
edhe në ballkanistikë.
Mimoza H.P.: Duke pas parasysh trajektoren e raporteve politike shqiptaro-ruse, sigurisht që edhe qëndrueshmëria e katedrës ka kaluar nëpër sfida të ndryshme, si është arritur që katedra të funksionojë edhe sot?
Alexander N.: Tek ne në kuadrin universitar vlerësohet kontributi
shkencor i çdo pedagogu në fushën e linguistikës, të studimeve të etnokulturës
etj. dhe jo konjunktura politike. Prandaj dega e shqipes funksionon pa
ndërprerje edhe sot, pas 62 vjetësh.
Mimoza H.P.: Përveç mësimdhënies, jeni nga albanologët e njohur që tanimë është shpërblyer me çmimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, “Studiuesi i ri më i suksesshëm”, për kontributin e çmuar shkencor në fushën e studimeve albanologjike, konkretisht për monografinë tuaj “Ekspedita në brigjet e Azovit: gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës”, që do të thotë se interesimet tuaja për gjuhën dhe kulturën shqiptare janë të fokusuara tek komuniteti shqiptar që për më shumë se 300 vjet jeton në Ukrainë. Përveç kësaj për lexuesin në gjuhën shqipe keni sjellur studime krahasimtare lidhur me traditën dhe mitologjinë e shqiptarëve të Ukrainës dhe atyre që jetojnë në Shqipëri, a mund të përmendni karakteristikat dhe elementet e trashëgimisë kulturore që ata ruajtën ndër shekuj përfshirë edhe ndikimet e ambientit kulturor ku jetojnë sot?
Alexander N.: Me studimin e diasporës shqiptare në ish Perandorinë
Ruse / Bashkimin Sovjetik / Rusinë e sotme dhe Ukrainën e sotme merrem një
çerek shekulli. Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës janë shpërngulur
nga trojet shqiptare në lindje të Ballkanit (në Bullgari) dhe pastaj në
Perandorinë Ruse sipas supozimit tonë në shekullin XVI. Deri në ditët tona
shqiptarët e Ukrainës vazhdojnë të flasin shqip – pas 5 shekujsh! Në fshatrat
shqiptare të Ukrainës flitet shqip, njerëzit kanë ruajtur vetëdijen etnike (dhe
kjo është kryesore!), shumë tradita etj. Ritet e lindjes, ritet e dasmës, ritet
e vdekjes kanë shumë paralele me ato të shqiptarëve të Ballkanit. Mitologjia
ndër shqiptarë të Ukrainës dhe ata të Shqipërisë dhe Kosovës ka shumë gjëra të
përbashkëta, për shembull personazhet mitologjike: gjarpri, vampirë (lugati)
etj.
Mimoza H.P.: Nga studimet e shkollës ruse kanë dalë rezultate të vlefshme për gjuhën shqipe, sa janë të mbështetura hulumtimet në fushën e albanologjisë nga Shqipëria dhe Kosova?
Alexander N.: Çdo vit ne organizojmë konferenca shkencore të
përbashkëta me homologët tanë nga Shqipëria dhe Kosova. Çdo vit organizojmë
studime shkencore në terren: në vitet e fundit në Himarë, Devoll (Shqipëri), në
rrethinën e Lipjanit, në Letnicë (Kosovë), në jug të Malit të Zi me popullsinë
shqiptare.
Mimoza H.P.: Sa ju frymëzojnë kontaktet fizike me Shqipërinë dhe shqiptarët, a ju ndihmojnë në avancimin e punës që bëni, në veçanti kur kërkohet krijimi i imazheve gjeografike ose kulturore brenda studimeve tuaja?
Alexander N.: Kontaktet fizike me Shqipërinë dhe shqiptarët janë
një pjesë e rëndësishme e punës sonë shkencore dhe pedagogjike. Ato kontakte na
ndihmojnë të jemi të saktë dhe të sinqertë në studimet tona. Për studimet
dialektologjike dhe etnografike kontaktet fizike janë të domosdoshme, pa
kontakte të tilla nuk mund të parafytyrosh studime shkencore në terren.
Mimoza H.P.: Po në Kosovë, a keni realizuar vizita dhe bashkëpunime në nivele akademike?
Alexander N.: Në Kosovë kemi kontakte akademike shumë të mira, për
shembull me Rexhep Ismajlin, Lindita Rugovën, Bardh Rugovën, Lulëzim Lajçin
etj.
Mimoza H.P.: Cili është mendimi juaj për letërsinë dhe kritikën e zhvilluar në Kosovë dhe Shqipëri?
Alexander N.: Letërsia dhe kritika letrare janë shumë të
zhvilluara në Shqipëri dhe Kosovë. Mendoj se njerëzit kanë interes për letërsinë
artistike, literaturën shkencore, kritikën letrare. Ky fakt është shumë
pozitiv.
Mimoza H.P.: Cilët janë autorët e këtyre dy shteteve më të përkthyer dhe vlerësuar në Rusi?
Alexander N.: Në rusisht janë përkthyer veprat e Ismail Kadaresë,
Dritëro Agollit, Diana Çulit etj. Më i famshmi nga autorët shqiptarë në Rusi
është Ismail Kadare. Ne duhet të përkthejmë në rusisht veprat e Ag Apollonit
dhe Ben Blushit.
Mimoza H.P.: Në përzgjedhjen e teksteve që do t`i nënshtrohet procesit të përkthimit, a bazoheni edhe në mendimet e kritikës letrare, apo përzgjedhja juaj është e bazuar në shijen subjektive?
Alexander N.: Më shumë në shijen subjektive. Nganjëherë kundër
mendimeve të kritikës letrare.
Mimoza H.P.: Meqë merreni me përkthimin e teksteve, a mund të veçoni ndonjë element sfidues që vështirëson, apo pamundëson transferimin e teksteve nga shqipja në rusisht?
Alexander N.: Shumë të vështira janë përkthimet e
frazeologjizmave, metaforave, fjalive të urta, proverbave; teksteve dhe fjalëve
dialektore.
Mimoza H.P.: Duke ju falënderuar për bisedën, a mund të flasim se çfarë jeni duke lexuar apo studiuar aktualisht për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi?
Alexander N.: Kohën e fundit, nga viti 2015 merrem me studimin e
vendbanimeve me popullsinë arnaute në rajonin e Rostovit mbi Don, në Rusi.
Verën e kaluar kam qenë bashkë me studentët e mi në terren në fshatin
Margaritovo. Tani deshifroj mbishkrime të gjetura në tulla të vjetra (supozoj
që janë bërë me shenjat e Alfabetit të Veqilharxhit). Gjithashtu merrem me
arkivin e ekspeditave tona: të gjitha materialet do të mbeten në Muzeun e
Antropologjisë dhe Etnografisë (Kunstkamera) të Akademisë së Shkencave të
Rusisë.
Alexander A. Novik, lindi më 1967 në Magadan, në Rusi, më 1992 ka
diplomuar për gjuhësi shqipe, ballkanike dhe etnologji, në fakultetin
Filologjik në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut. Më 1995, mbaroi
studimet pasuniversitare në St.-Petersburg Peter the Great Musem of Antropology
and Ethnography (Kunstkamera) pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë. Më 1997,
përfundoi studimet doktorale në Etnologjinë Ballkanike në
St.-Petersburg Peter the Great Musem of Antropology and
Ethnography (Kunstkamera) pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë.
Aktualisht është udhëheqës i departamentit për studime europiane
dhe etnografi të përgjithshme në St.-Petersburg Peter the Great Musem of
Antropology and Ethnography (Kunstkamera) pranë Akademisë së Shkencave të
Rusisë. Edhe më tutje është ligjërues i filologjisë shqipe dhe etnologji ballkanike
në Universitetin shtetëror të St.Petersburgut. Është konsull nderi i Republikës
së Shqipërisë për rajonin e St.Petersburgut dhe Leningradit. Është udhëheqës i
këshillit të ekspertëve në revistat Protokol dhe Etiketa.
Kërkimet shkencore të profesor Novik i përkasin degëve të ndryshme
nga historia e Ballkanit, kultura tradicionale shqiptare, teoria e
etnolinguistikës, historia e zejtarisë, historia etnike e Ballkanit, pastaj
kultura tradicionale e popujve të Ballkanit si dhe folklori ballkanik.
Deri tani ka publikuar mbi 500 artikuj, duke përfshirë monografi
dhe publikime shkencore në revista dhe konferenca ndërkombëtare.
Në vitin 2018, Alexander A. Novik, shpërblehet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me çmimin e parë në kategorinë “Studiuesi i ri më i suksesshëm” për monografinë e tij “Ekspedita në brigjet e Azovit: gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës”. / KultPlus.com
Me organizimin e Universitetit
të Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane
dhe Ballkanike, u promovua libri i studiueses së letërsisë Mimoza Hasani Pllana
me titull “Poezia shqipe e Kosovës e viteve `90” të shekullit XX-për lexuesin
bullgar, shkruan KultPlus.
Në kuadër të fushës së Filologjisë, letërsive të popujve të Evropës, Amerikës, Azisë, Afrikës dhe Australisë, në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, para një audience të përbërë nga profesorë të linguistikës, filologjisë bullgare dhe asaj ballkanike, studiues të Institutit të Ballkanistikës në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesorë nga Universiteti i Veliko Tërnovos “Sh. Kiril dhe Metodij”, Ambasadorit të Kosovës në Sofje SH.T.z.Edon Cana, Ambasadores së Shqipërisë në Sofje SH.S.znj.Donika Hoxha dhe diplomatëve nga të dyja ambasadat, studentëve të ballkanistikës, në Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike, në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, u promovua libri i autores nga Kosova Mimoza Hasani Pllana me titull: Poezia shqipe e Kosovës e viteve `90 të shekullit XX (për lexuesin bullgar).
Libri i Hasanit është produkt i punës trevjeçare që
autorja ka realizuar gjatë studimeve doktorale në të njëjtin universitet me
udhëheqje shkencore nga albanologia e njohur bullgare, Prof. Asoc. Dr. Rusana
Hristova Bejleri. Me këtë rast, albanologia
Hristova Bejleri, publikimin e librit e vlerëson si një kontribut të veçantë në
promovimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe në Bullgari, duke e sjellur letërsinë
dhe kulturën e Kosovës më afër lexuesit bullgar.
Sipas Bejlerit,
autorja ka realizuar një studim të shkëlqyeshëm në formë dhe përmbajtje duke përdorur
metodologji dhe analizë strukturore mbështetur në parime të larta akademike. Akademik
Shaban Sinani, librin e vlerëson si një studim analog me pamje të përgjithshme
të zhvillimit të poezisë shqipe në Kosovë gjatë viteve 1990-1999.
Sipas tij “në këtë studim
autorja spikat individualitetin e secilit prej poetëve të zgjedhur, që janë
përgjithësisht poetë antologjikë, duke iu referuar kryeshenjave të poezisë së secilit,
rendeve paraletrarë që kushtëzojnë vjershërimin e tyre, rrafshit tematologjik,
rolit të autobiografizmit, strukturave poetike dhe shumë qasjeve të tjera.
Shqyrtimi është formalist e përmbajtësor. Në metodologji autorja thekson
mbështetjen në parimet e analizës strukturore, përforcuar me metodën krahasuese
dhe metoda të tjera. Zgjedhja e strukturalizmit mund të duket fillimisht si
pretencioze, por fakti që leximi i poezisë shqipe në Kosovë në vitet 1990 nuk
mund të paramendohet pa shqyrtimin etnokulturor dhe antropokulturor na bën të
ditur për një zgjedhje sipas parimit si të jetë objekti do të jetë dhe metoda”,
tha me këtë rast Akademik Sinani.
Profesori i gjuhës bullgare në Universitetin e Tiranës Raki
Bello ndër tjerash përmendi që ky libër do të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet
të dyja letërsive dhe kulturave i cili sjell vecanti të ndjeshme poetike të një
periudhe të ndjeshme të popullit shqiptar të Kosovës. Ambasadori Cana duke përshëndetur
dhe cmuar kontributin e dhënë nga autorja Hasani Pllana me këtë libër, po ashtu
vlerësoi lartë kontributin e Katedrës së Gjuhësisë në kuadër të Universiteti të
Sofjes ku mësohet gjuha shqipe dhe nënvizoi se Ambasada në Sofje dhe
institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përkrahjen për promovimin e gjuhës dhe
letërsisë shqipe në Bullgari me forma konkrete. Në anën tjetër, Ambasadorja
Hoxha u shpreh e lumtur për kontributin që ipet nga Universiteti i Sofjes,
Katedra e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike, dhe librin e
sjellë nga Hasani Pllana si vazhdimësi të bashkëpunimit dhe ndërveprimit shumështresor
në funksion të promovimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Në
librin “Poezia
shqipe e Kosovës e viteve `90 të shekullit XX”, autorja
ka përzgjedhur krijimtarinë disa vjeçare të poetëve shqiptarë të Kosovës: Azem
Shkreli, Ali Podrimja, Agim Vinca, Abdullah Konushefci, Din Mehmeti, Edi
Shkuriu, Fahredin Gunga, Sabri Hamiti, Rrahman Dedaj, krijimtarinë poetike të
poeteve të reja: Fakete Rexha, Habibe Maliqi, Naime Beqiraj, Xheraldina Vula, etj,
pjesë nga poezitë e shkruara nga të burgosurit politik kosovarë gjatë viteve
`90 dhe poezinë e migracionit.
Struktura e librit është e ndarë në katër kapituj ku
përfshihen fenomene dhe veçori të përgjithshme themelore që e dallojnë këtë
dekadë nga dekadat tjera letrare të shekullit XX. Në kapitullin e parë
trajtohet krijimtaria dhjetëvjeçare e poetëve të formuar (siç i quan autorja),
pastaj krijimtaria poetike e autoreve të reja, që sipas autores konsiderohet si
fenomen i dekadës së fundit të shekullit të kaluar, poezia shqipe e këtij
dhjetëvjeçari e përkthyer në gjuhët ballkanike, e njohur nga lexuesi ballkanik
dhe në fund trajtohet shkurtë edhe poezia e shkruar nga të burgosurit
poltik dhe ajo e migracionit.
Libri
u publikua në gjuhën bullgare pas përkthimit, vlerësimeve dhe rekomandimeve që
mori nga profesorët e Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe
Ballkanike pranë Fakultetit të Sllavistikës të Universitetit të Sofjes “Sh.
Kliment Ohridski”, si një libër i rëndësishëm për studentët e letërsisë
ballkanike./ KultPlus.com