Rrëfimi ballkanik është i pranishëm çdo vit në festivalin Passagi në sesionin “Europa / Mediterraneo”. Edicioni i këtij viti i mbajtur në Fano, i cili është edhe i dhjeti që organizohet mirëpriti dy autorë shqiptarë. I pari foli Tom Kuka (pseudonimi letrar i Enkel Demi; Tiranë, 1972), shkrimtar, gazetar dhe drejtues radiofonik, i cili prezantoi Flamën e tij (përkthimi Valentina Notaro, redaktuar nga Besa Muci).
“Flama” do të thotë “fatkeqësi”, por edhe “mallkim” tregon për “Corriere” autori fitues edhe i çmimit europian të 2021 për letërsinë.
“Libri lindi ditët e para të pandemisë, sepse në fillim nuk e kuptova atë izolim drastik. Flet për një qytet, i cili ishte Tirana një shekull më parë, i izoluar nga një lloj murtaje. Por nuk e shpjegova natyrën e sëmundjes, doja të jepja idenë se në çdo epidemi ka edhe mëkatet e një komuniteti. Dhe në këtë atmosferë të zezë, kudo kufoma, ndodhin krime të pakuptimta: ka të vdekur, sëmundje, pse të vrasësh? Krijova një Sodomë të vogël të Shqipërisë për të dhënë idenë se nuk mund të jetosh gjithmonë në të keqe. Romani është plot magji, fabula, është i pasur me mite ballkanike dhe shqiptare. Tingëllon realist, por humbet në këto paragjykime dhe besime pagane. E shkrova për shoqërinë bashkëkohore shqiptare, doja të shpjegoja se shumë mëkate të sotme, si krimi, i kanë rrënjët te të parët tanë” tregon autori.
Dhe nga ato rrënjë del edhe subjekti i romanit të Mimoza Hysës (Tiranë, 1967), përkthyese dhe shkrimtare e cila në festival prezantoi romanin e saj “Bijat e gjeneralit” (përkthim në italisht nga Durim dhe Esi Taci, Besa Muci).
Hysa, e cila ka përkthyer në gjuhën shqipe autorë italianë si Dino Buzzati, Eugenio Montale, Claudius Magris, ka shkruar historinë e dy vajzave binjake të një ushtaraku të lartë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. “Është një roman për brezin tim, i cili u rrit në gjysmën e parë të jetës nën regjimin diktatorial dhe më pas në periudhën e tranzicionit. Një ndarje që ka vënë në pikëpyetje mënyrën tonë për të parë botën. E tregoj historinë nga këndvështrimi i përndjekësve dhe jo i viktimave, në përpjekje për të kuptuar motivet dhe përgjegjësitë e tyre, politike e morale dhe këndvështrimin e masës që i mbështeti. Sepse për të kuptuar të tashmen tonë duhet të merremi me të shkuarën. E shkrova këtë libër për të rinjtë që nuk duan të dëgjojnë më për historitë e regjimit, por ata duhet të kuptojnë se ato situata mund të lindin gjithmonë, kudo, si Rusia dhe Ukraina sot, sepse është e rrezikshme të mos bësh kurrë pyetje, ka dyshim se kursen arsyetimin e duhur. Pra, ne shkojmë të banalizojmë të keqen, si korrupsioni në vendin tonë sot: të gjithë e bëjnë, pse të mos e bëj edhe unë? Ky është mentaliteti që gjeneron sisteme dhe regjime të këtij lloji.
Marrë nga Corriere della Sera. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Me të marrë një libër të përkthyer nga Mimoza Hysa nuk mund ta lëshosh nga duart gjer në faqet e fundit. Gjuha e pastër shqipe që përdorë dhe leksiku i pasur, e bëjnë atë padyshim njërën nga përkthyeset më të mira shqiptare, e cila është fituese e disa çmimeve të rëndësishme në fushën e përkthimeve letrare.
Ajo
përveçse përkthyese, është studiuese dhe shkrimtare e afirmuar. Mimoza ka lindur
në Tiranë ku dhe ka mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi italiane me tezën
mbi poezinë e Montales.
Po
bëhen 28 vjet gjatë së cilave ajo ka sjellë në shqip shumë vepra të njohura nga
autorë të shquar evropianë e botërorë.
Në këtë intervistë për KultPlus, Mimoza shpalos shumë gjëra me interes për lexuesit, që nga përpjekjet e para për të përkthyer, sukseset, kontakti me Tabucch-in, modelet që ka ndjekur, autorët e preferuar, e deri tek planet e ardhme të saj…
KultPlus: Si filloi karriera juaj në
fushën e përkthimeve letrare?
Përkthimi ka nisur paralelisht me mësimin e gjuhës
së huaj, pra jo në rendin e duhur, pas përvetësimit të mirë të gjuhës së huaj.
Jetonim në një kohë kur kishte pak përkthime nga gjuhët e huaja dhe jo shkrimtarët
që do të dëshironim të lexonim, kështu që kishim ngut për të kapur kohën dhe
përkthimi ishte mënyra për t’u bërë të ditur miqve dhe shokëve autorë dhe libra
që vështirë të kapërcenin filtrin e censurës. Natyrisht nuk ishin përkthime për
botim dhe kjo e lehtësonte nevojën për përsosmëri, ishte etja për të lexuar
çfarë na ishte ndaluar.
KultPlus: E
mbani mend se cili ka qenë teksti i parë që e keni përkthyer?
Mbaj mend tekstin që kam marrë më seriozisht për të
përkthyer, dhe që nis me vargun: “Silvia, a të kujtohet…”. Ka qenë poezia “Silvias”
e Leopardit, një poet filozof i trishtimit që më shkonte për shtat (“për
mendje” do të thosha më mirë) në kohën e adoleshencës sime. Poezinë e përktheva
në vitin e dytë të shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja dhe shkova t’ia tregoja
historianit dhe përkthyesit Injac Zamputti, biri i së cilit ishte mësuesi im i
gjuhës italiane. Profesori i nderuar më përgëzoi për dëshirën dhe vullnetin dhe
diskutoi me mua për rreth një orë për variantet e përkthimit. Ishte leksioni i
parë i mirëfilltë për përkthimin që më bëri të kuptoj sa rrugë të gjatë kisha
për të bërë.
KultPlus: Është më i vështirë përkthimi
i një vëllimi poetik apo i një romani?
Çdo përkthim për të qenë një përkthim i mirë është i vështirë, por përkthimi i poezisë shkon në skajin e pamundësisë. Debati sesa humbet poezia në përkthim ka qenë dhe mbetet i hapur. Është i njohur një eksperiment i Eugenio Montale-s, i cili edhe pse kishte qenë vetë përkthyes i soneteve të Shekspirit, të poezisë së Blake-t, Yeats-it, Eliot-it e me radhë, dyshonte në mundësinë e përkthimit të arrirë të poezisë së tij. Për këtë arsye, pak vite para se të vdiste, më 1978, i kërkoi studiueses Maria Korti të realizonte një eksperiment interesant: përkthimin zinxhir të poezisë “Stanca të reja” nga vëllimi “Rastet” në dhjetë gjuhë, sipas parimit të lojës “Telefoni i prishur”. Vetëm përkthyesi i parë i gjuhës arabe ishte në dijeni të autorit, ndërsa përkthyesit e tjerë punuan në mungesë të çdo reference dhe konteksti ndihmues. Rezultatet e eksperimentit u botuan vetëm më 1999, në mungesë të autorit. Ajo që vërtet kishte humbur në përkthimin “symbyllazi” ishte pikërisht thelbi i poezisë së tij. Duke ia njohur poezisë së tij grackat tinëzare, sfumaturat stilistike të holla, përkimet e largëta përhumbëse, Montale i kishte parashikuar keqkuptimet që mund të sillte përkthimi “lakuriq”, pa njohjen paraprake të poezisë dhe autorit, dhe pa një proces përgatitor në kulturën pritëse. Po edhe kur të gjitha këto kushte paraprake plotësohen përsëri është e vështirë të përkthehet muzikaliteti i poezisë dhe figuracioni letrar. Shkalla e vështirësisë ndryshon edhe nga stili i poetit. Meqë përmenda dy nga poetët e mi të parapëlqyer: Leopardi e Montale nga letërsia italiane, do të thosha se humbet më shumë poezia e Montales në përkthim sesa ajo e Leopardit. Po humbje ka, gjithsesi.
KultPlus: Çfarë e bën një përkthyes që të cilësohet i mirë?
Përkthyesit
nuk janë në garë për titullin e më të mirit, se nuk mund të ketë një ndarje të
tillë. Po natyrisht mund të dallohet një përkthim i mirë nga një përkthim jo i
mirë. Një përkthyes të mirë e bën kultura e përgjithshme që ka, kureshtja për
të mësuar sa më shumë, leximet e shumëllojshme, vullneti dhe ngulmimi për të
bërë më të mirën, e padyshim talenti.
KultPlus: Mendoni se gjuhës shqipe
ende i mungon përkthimi i shumë prej veprave të mëdha botërore?
Do të thosha se është bërë një punë e madhe në këto
tridhjetë vite në Shqipëri për të fituar kohën e humbur në përkthimin e
kryeveprave të shekullit të kaluar e sidomos në përkthimin e letërsisë
bashkëkohore. Tashmë një pjesë e mirë e kryeveprave botërore janë përkthyer. Megjithatë
është e pamundur të jemi në një hap me gjuhët “e mëdha”, në kuptimin e numrit të banorëve që e flasin
atë gjuhë. Ka ende shumë vepra të autorëve nobelistë, apo të emrave të njohur
të letërsisë botërore të pa përkthyera. Po kështu kemi mangësi në përkthime nga
gjuhë që njihen pak si gjuhët e vendeve aziatike, të Evropës veriore apo të
Afrikës. Është e natyrshme për një vend të vogël, me një gjuhë të rrallë, e për
më tepër që ka kaluar një periudhë të gjatë veçimi me përkthime me pikatore.
KultPlus: Keni
pasur ndonjë përkthyes që e keni ndjekur si model?
Kam adhuruar profesorin tim të lëndës së përkthimit,
Shpëtim Çuçkën, për gjuhën e pasur, sintaksën e përkryer dhe zgjidhjet “pa
firo” në përkthimet e tij. Me kalimin e kohës kupton se modelet as nuk kopjohen
e as nuk tejkalohen: thjesht ti ke një rrugë tënden për të ndjekur që nuk
ngjason me rrugën e askujt tjetër.
KultPlus: Mund ta përmendni ndonjë
vepër nga ato që i keni sjellë në shqip, që e konsideroni si më të veçantë?
Kam pasur fatin t’i përzgjedh vetë veprat që kam përkthyer gjë që do të thotë se më kanë pëlqyer dhe i kam vlerësuar të rëndësishme për lexuesin shqiptar. Po do të veçoja tregimet e magjishme të Buzzati-t për fantazinë dhe gjetjet befasuese, romanet e Tabucchi-t për stilin dhe mesazhet e thella, rrëfimet e mahnitshme e të pazakonta të Baricco-s apo poezitë e ngërthyera me ide dhe vizione të Montales. Kam adhuruar mënyrën sesi Mazzantini krijon strukturën e rrëfimit dhe sesi ruan befasinë për lexuesin, apo sesi Mazzucco ndërton figurat e personazheve femra, krejt të pazakonta e të pangjashme me personazhet femra të krijuara nga shkrimtarët meshkuj. Jam argëtuar pa masë duke përkthyer romanet e Domenico Strarnone-s dhe më ka mbetur në mendje mënyra sesi përdorë regjistrin bisedimor në rrëfim për të shprehur ide të mëdha me gjuhë të thjeshtë e të shkathët. Kam udhëtuar duke zbuluar vende e njerëz, duke kuptuar më mirë veten dhe tjetrin përmes përkthimit të Claudio Magris-it. Çdo përkthim ka qenë një shkollë e kënaqësi më vete.
KultPlus: Keni në plan ndonjë
krijim tuajin?
Sapo
kam botuar romanin “Bijat e gjeneralit”, një histori e unit të dyzuar, mes së
mirës dhe së keqes, mes liberales dhe konservatores, mes rrugës së shtruar nga
të tjerët dhe asaj të shtyrë prej zemrës, mes zilisë dhe urrejtjes, mes
kërkimit të ethshëm për dashuri dhe atij për lavdi. Është historia e
gjithsecilit pavarësisht kohës dhe vendit, e luftës për të pranuar veten me të
gjitha veset dhe virtytet. Janë dy faqe të së njëjtës medalje, dy identitete të
ndryshme që shkrihen në një njeri. Ndërkohë kam në dorë dhe një vëllim me
tregime. Tregimi është gjinia ime e parapëlqyer se i përngjan rrufesë në qiell
të pastër: një krismë tensioni që në pak faqe mund të pikturojë një botë të tërë,
të japë ide të mëdha apo dhe thjesht një kënaqësi estetike të rrallë që të
godet e të mbetet në mendje. Punoj paralelisht me përkthime dhe shkrime.
KultPlus: Cilët janë autorët
(shqiptarë dhe të huaj) tuaj të preferuar?
Janë shumë klasikë që më kanë formuar, janë shumë emra që kanë lënë gjurmë në periudha të ndryshme të rritjes sime. Parapëlqimet ndryshojnë me moshën, kohën dhe formimin, por disa prej tyre i lexoj gjithnjë e i mbaj me vete si romanet e shkrimtarëve kaq të ndryshëm me njëri-tjetrin si: Kafka, Coetzee, Jelinek, Houellebecq, Cortazar,Magris, apo poezitë e Pavese-s, Amichai-t, Ricos. Kohët e fundit po lexoj me shumë kureshtje tregimet e një autoreje të re argjentinase: Samanta Schweblin, si dhe veprat e nobelistes së fundit polake Olga Tokarczuk. Ka kaq shumë letërsi të mirë sa të duhet vetëm kohë në dispozicion për ta shijuar.
KultPlus: Si shikohet nga prizmi
juaj letërsia e sotme shqipe?
Vështirë të jepet një përgjigje e
shkurtër për një temë kaq të gjerë që kërkon trajtesë të thellë, por, me pak
fjalë, mund të them se ka prurje për t’u vlerësuar në letërsinë e sotme shqipe,
ka autorë që meritojnë vëmendje. Gjuha është pengesë për përhapjen e letërsisë
shqipe jashtë vendit, jo thjesht për t’u njohur nga lexuesi i huaj, por për të
pasur më shumë lexues, meqenëse jemi vend i vogël dhe, për rrjedhojë, numri i
lexuesve është i pakët. Në mendimin tim, arritja kryesore e letërsisë së sotme
shqipe është fakti që, si rrallë herë gjatë historisë së saj, letërsia shqipe
ndodhet në të njëjtën fazë zhvillimi me letërsinë botërore dhe komunikon
denjësisht me të. Është me rëndësi të theksohet se letërsia shqipe tashmë nuk
lëvrohet vetëm brenda kufijve, por ka emra të rëndësishëm edhe në vende të
ndryshme të botës, gjë që i kanë falur më shumë frymëmarrje dhe diapazon.
KultPlus: Po një
përkthyes i ri ç’duhet të ketë parasysh kur t’i hyjë kësaj pune?
Së pari të jetë i durueshëm dhe më vullnet se një
përkthyes i mirë bëhet pas një pune të gjatë dhe ngulmuese. Shumë lexime çfarëdo,
por edhe udhëtime fizike apo virtuale për të njohur botën. Përpos njohjes së
thellë të gjuhës së huaj, duhet të ketë aftësinë e lëvrimit të përsosur të
gjuhës shqipe. Pasion për punën dhe dashuri për librat në përgjithësi dhe
letërsinë në veçanti. Përkthyes të mirë të bën kultura e gjerë e sidomos
kureshtja dhe dëshirë për të mësuar gjithë jetën.
KultPlus: Si
lindi ideja që t’i sillni për publikun shqiptar veprat e Antonio Tabucchi-t?
Si përkthyese nga gjuha italiane kam qenë gjithnjë e vëmendshme për të zbuluar dhe sjellë në shqip autorë italianë të pa përkthyer më parë. Tabucchi-n për çudi e zbulova në një mënyrë të tërthortë: po lexoja një vepër të Pessoa-s të përkthyer nga Tabucchi në gjuhën italiane. Më pas lexova për përkujdesjen e një shkrimtari si Tabucchi për të bërë të njohur veprën e Pessoa-s në Itali. Kështu u njoha dhe me Tabucchi-n si autor. “Dëshmon Pereira” është vepra e parë që i kam lexuar dhe vendosa të bindja botuesit për t’i blerë të drejtat dhe për ta sjellë në shqip. Gjatë procesit të përkthimit u vura në kontakt me autorin: e kam bërë me të gjithë autorët e gjallë që kam përkthyer. Intervista që i mora Tabucchi-t ka qenë e vetmja e këtij autori në gjuhën shqipe, ku ai vlerësonte punën e përkthyesit. Për Tabucchi-n “Të përkthesh do të thotë të kuptosh thellësisht një autor dhe të jesh bashkëpunëtor me të. Por mbi të gjitha, përkthimi, u shpreh ai, është një transportues i mrekullueshëm: pa përkthimin shkrimtari do të mbetej i burgosur në vendin e tij, qoftë ky i madh apo i vogël. Edhe një vend i madh kur të mban të burgosur është vend i vogël, sepse burgjet janë të vogla edhe kur janë të mëdha.”
KultPlus: E
shihni si arritje të madhe tuajën përkthimin e romanit “Dëshmon Pereira”?
Është
padyshim një nga romanet më të mira që kam përkthyer dhe për më tepër një nga
romanet më të dobishëm për lexuesin shqiptar. Romani ngre një pyetje të
rëndësishme: cili është roli i intelektualëve në një shoqëri totalitare? A duhet
intelektualët të angazhohen në politikëbërje, në problemet madhore të një
vendi? Apo duhet të japin kontributin duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë në
fushën e tyre? Pyetja është mëdyshje e madhe që shoqëron çdo mendimtar të
suksesshëm në vendin e tij, sidomos në periudha të errëta kur cenohet liria e
individit. Më ndjek shpesh pyetja që Pereira, gazetar dhe njeri i letrave në
roman, i bën vetes kur njihet me Monteiro Rosin dhe të dashurën e tij, dy të
rinj të angazhuar në luftë kundër regjimit totalitar të Salazar-it në Portugali:
Po sikur këta të rinj të kenë të drejtë dhe unë ta kem gabim? Do të thotë që
kam çuar dëm një jetë.
KultPlus: Sa ju
merr kohë procesi i përkthimit dhe a e shihni atë, përkthimin, si rikrijim?
Koha varet nga vështirësia e librit që do të përkthej.
Për përkthimin e vëllimit poetik “Rastet” të Montale-s me 182 faqe m’u deshën
plot tri vjet, ndërkohë që kisha mbi dhjetë vjet që mundohesha ta njihja dhe
kuptoja poezinë e tij. Kur mësova se përkthyesit në anglisht të po së njëjtës
vepër i ishin dashur tetë vjet u ndjeva e lehtësuar, ndërkohë që për përkthimin
e romanit “Lidhëse” të Domenico Starnone-s me po të njëjtin numër faqesh më
janë dashur më pak se dy muaj.
Ndërsa për mënyrën sesi e shikoj përkthimin do të
përmendja shprehjen që përdori Claudio Magris kur erdhi në Tiranë për të
promovuar përkthimin e veprës “Udhëtim pa mbarim”: “Viaggio infinito” është
shkruar prej meje, ndërsa “Udhëtim pa mbarim” është shkruar nga unë dhe Mimoza
Hysa. Përkthyesi është jo thjesht lexuesi, kritiku më i mirë i një vepre që
përkthen, por edhe shkruesi i asaj vepre në gjuhën e tij. Sado i mirë dhe i
talentuar të jetë autori i veprës, është meritë e përkthyesit nëse ajo vepër
lexohet po me të njëjtën endje në gjuhën tjetër.
KultPlus: Cilat
janë planet tuaja, a do të ketë lexuesi shqiptar së shpejti në duar ndonjë vepër
të përkthyer nga ju?
Për planet dihet
shprehja që nëse Zoti do të na dëgjonte, do të qeshte me ne. Po ndërkohë mund
të them se unë kam gjithnjë disa punë paralelisht: po përkthej një roman të
Melania Mazzucco-s dhe kam një tjetër roman të Claudio Magris-it në radhën e
punës. Pastaj sapo më jepet paksa rasti të arratisem larg njerëzve e të vjedh
pak kohë për vete, shkruaj…uroj shumë që ky vit të jetë i begatë në “kohë për
vete”: të më japë mundësinë të përfundoj një vëllim me tregime të nisur prej
kohësh. /KultPlus.com
Mimoza Hysa ka shpërndarë me ndjekësit e saj në Facebook një foto, përmes të cilës ajo tregon së kjo foto dhune e përshkallëzuar është tipike për shoqërinë tonë dhe ilustron më së mirë një tregim të sajin të hershëm pikërisht me këtë temë: “Luftë në Iran a Irak..” ku dhuna përshkallëzohet nga bota e madhe, nga televizioni te familja, edhe aty nga më i forti te më i dobëti…
Luftë në iran a irak…
Në shtëpinë tonë rrihen të gjithë. Si rrihen? Si t’u vijë. Darkave për shembull, kur t’i je i qetë se nuk është çuar lart ndonjë piskamë therëse, tamam kur babi ndjek lajmet e botës, pa e pasur mendjen në pjesën e ndenjur të familjes, mami zë e lan enët. Por enët për fat të keq kërcasin, gotat sidomos, dhe gërvishtja, gërricja, kërkëllitja vazhdon derisa veshët e tim ati acarohen,(dhe s’kanë faj) dhe grushti i tij tund tavolinën: Boll me ato enë! Unë po dëgjoj. Po mami është e ftohtë si guri dhe nuk e çan kokën se pjesa tjetër e familjes po nxë çka duhet të nxërë njeriu dhe përgjigjet: kurse unë po laj. Tani ka plasur sherri. Në sytë e veshur me mllef të tim ati ku zemërimi kërcen nga orbitat dhe gjuhet thikë mbi shpinën e përkulur të mamasë mbi lavaman që nuk pushon,… krau… krau duke larë ato të mallkuara enë. Unë, ime motër që gërmon nën tavolinë kemi ngrirë duke ia qepur sytë shpinës indiferente. Dhe do të doja atë çast ta gërvishtja me thonj dhe t’i thosha ta mbyllte sqepin e t’i pushonte ato duar që të zbuteshin sytë e babait. Të thashë t’i lesh enët se unë po dëgjoj lajme! Zëri merr një tingull metalik dhe kërcënues si tehu i mprehtë kur pret bukën: Grap. – Uh, na hëngre me këto lajme. – E teproi. E dija që do ta tepronte. Po nuk e kuptoj pse ka aq shumë guxim. Tani babai është çuar nga divani. Dhe lajmet e televizorit buçasin e rrjedhin pa e vrarë mendjen për ne. Në fakt unë i dëgjoj shumë mirë: edhe ushtarët e iranit, edhe ata amerikane; i dëgjoj, shumë mirë i dëgjoj, dua të ngrihem edhe unë atë çast e t’i them: baba, dëgjohen, shiko se t’i them unë se çfarë nuk dëgjon, t’i them të gjitha, pa harruar as vajzën e varur…as djaloshin e fluturuar nga kati i dhjetë….vetëm mos u ngri…t’i them. Po nuk ma mban as të ngre sytë. Po shoh motrën që e ka vënë kukullën në gjumë, se ka lajme, natyrisht. Kukulla nuk qan kur ka lajme. As këndon. A do të marrësh vesh ti, apo ta fluturoj tavllën në kokë? Zëri ka plasur dhe është hakërruar sa të duket sikur ushtarët e televizorit kanë hyrë në shtëpi me mitralozë. Mami denjon vetëm të kthehet si me indiferencë: Jo, more, pa provoje. – O zot, kjo nuk ka mend fare. Çfarë të provojë, luftën? Luftën e madhe, këtu, tek ne!!! Ka dalë motra nga poshtë tavolinës dhe ka qëndruar në mes të dyve. Sytë zgurdullaqë dhe nga breçkat e vogla e nëpër shalë i rrjedh… oh, dhe kjo u desh…tani do të nxehet kjo tjetra… lufta… plasi lufta… ku duhet të futem unë… Mami bëra çiçin… Ja, e shikon çfarë bëre? Tmerrove vajzën si lugat. Kujt i thua lugat ti moj qelbësirë? Ta tregoj mirë unë ty lugatin. Ka marrë turr. Me tavllën në dorë. Hiri na bie neve. Ka marrë turr. Dhe unë ku duhet të futem. Duhet të çohem… ta ndal…Unë?!!Kam frikë. Janë fëmijët pa ta tregoja unë…Për fat, na panë. Na panë, për fat. Po ndodh dhe që nuk na shohin. Dhe mami merr ndonjë shuplakë turinjve. Në fakt e do. Unë e kam inat që kundërshton. Dhe e di mirë që babi do të nxehet. Po nuk tërhiqet. Flet. Si ftohtë gjoja, po flet. Si t’i pëlqejë asaj. Si motra. Edhe ajo dreq asaj i ngjan. Unë i them mos m’i merr fletoret se m’i bën me njolla. Ajo të sajën. Dhe pastaj rrihet. Sigurisht. Si mund t’ia bëj ndryshe kur këmbëngul. Ajo qurravitet dhe qan pa pushim. Këtu e marr edhe më shumë inat. I qahet mami. Dhe mami pastaj më sulet si bishë. Çfarë babi, babi të vret me zë, si thikë. Dhe shtëpia ngrin. Kurse mami të rreh tamam. Unë sillem qark tavolinës, po ajo është e fortë. Me një trup të ngjeshur dhe me një dorë të madhe. Unë jam më i pafati në shtëpi. Sepse dora e mamit është shumë e rëndë. Dhe të qëllon pa të parë fare. Sikur shkund qilima. Jam gati t’i kthehem dhe t’i bie fytyrës. Asaj fytyre të shprishur që shtrembëron buzët kur qëllon: hë, hë, hë në shpinën time. Po nuk guxoj. Do të më rrihte babi me rripin e pantallonave pastaj. Sepse të rriturit nuk i kupton dot. Atëherë kur s’e pret bëhen bashkë dhe të zhdëpin. Ti gjithmonë ke faj. Ndaj e duroj dhe e shikoj me sy ujku. Ajo nxehet më keq: Mos më shiko mua me ato sy, se të kam bërë kokën. Rropatemi për ju. Hajde m’u zhduk. – Ashtu dua të zhdukem. Po s’kam ku. Dhe mbulohem me jorgan në shtratin tim derisa të më merret fryma. Dhe qaj. Do t’ia marr shpirtin sime motre nesër, kur të mos jetë askush në shtëpi. Betohem. Të nesërmen më ka kaluar inati. E megjithatë ne për botën jemi familje shumë e mirë. Mami është zonjë e rëndë, kurse im atë i zgjuar. Kur pinë kafe të dy përflasin komshinjtë që “ia dredhin” (thotë mami) njëri-tjetrit. Sidomos për teta Ketin dhe xhaxhi Bertin. Puthen nëpër shkallë (thotë mami) për të na treguar gjoja se duhen. Unë nuk i them gjë, por mbrëmjeve shkoj kinse të luaj me Besin, djalin e tyre. Jemi moshatarë. Në fakt, shkoj vetëm për një çast, një çast të vetëm, kur kthehet xhaxhi Berti nga puna. Dal në korridor ta shikoj kur hyn dhe i puth flokët teta Ketit. Kurse Besi i hidhet në qafë. Unë nuk e kam bërë kurrë. Dhe askush s’më ka puthur flokët. Përvidhem në shtëpinë time të pamëkat dhe uroj të marr një grua “kurvë” (siç thotë mami), që ta puth në flokë dhe të më puthë. Shyqyr që mendimet nuk shikohen se mami do të më kërcente me dru. Pastaj do ta rrihte babi, e pastaj do të qante motra e mua do të më ndizej truri e do ta përflakja turiçkat… e mami… e babi… zinxhir…. Është ora e lajmeve… dhe mami… prapë… po pse o Zot, prapë… lan enët… unë futem në atë dreq lufte që s’mbaron në iran a irak dhe qëlloj…. bam… bam… bam… sa pa kërcitur gotat sa pa gërvishur pjatat e sa pa gërthitur babai… u marr kallashin ushtarëve në iran a irak… dhe zbrazem me breshëri… mbi mamin… mbi babin… mbi veten… e gjithë botën… /KultPlus.com
Një krim makabër e ka vënë në provë shoqërinë tonë, që prej ditësh mundohet t’i japë kuptim këtij akti ekstrem. Por, si gjithnjë, përsëritim gabimet e përhershme, duke i bishtnuar fajit e duke e kërkuar atë përtej vetes. Gjetja më e thjeshtë është ta kthejmë kriminelin në të sëmurë. Kjo mënyrë kategorizimi na çliron nga përgjegjësitë dhe na e bën të arsyeshme një ngjarje përtej çdo arsyeje. Nuk është i pari rast dhe nuk do të jetë i fundit: kjo jo sepse “kështu ndodh në gjithë botën”, që është sërish një shprehje parashutë, e cila na nxjerr nga situata, duke harruar se shifrat e krimeve për frymë janë dëshmuese të një shoqërie që nuk po mëson të piqet dhe të nxjerrë mësim nga historia e saj. Ka të tjerë tregues kjo ngjarje, që dëshmojnë për thelbin që përpiqemi ta shmangim: si ka mundësi që një gjysh, që e ka rritur atë fëmijë, të shfaqet natyrshëm para kamerave dhe të mos arrijë të kuptojë përgjegjësinë e thellë të familjes në këtë krim? Si ka mundësi, që banorët përqark flasin për një familje të nderuar dhe një djalë që papritur i çuditi me gjestin e tij?
Përgjigja e shkurtër do të ishte: sepse një shoqëri e sëmurë nuk e dallon dot të sëmurin që ka para syve, sepse ai përsërit po të njëjtat veprime si të gjithë, bën të njëjtën jetë si të gjithë dhe reagon pak a shumë si të gjithë. Prandaj, jeta e tij nuk na çudit, sepse ai është njëri nga ne, një kriminel potencial i rritur në një shoqëri me probleme të rënda, që kthehet në “kriminel” vetëm kur bën aktin final, zbraz armën. Por, a arrihet deri të zbrazja e armës?
Ritvan Zykaj
Nëse do të donim të njihnim shkaqet e kësaj ngjarjeje, mund të provonim një pyetësor, në dukje të pafajshëm, për vrasësit mendjeftohtë. T’i pyesnim në dy nivele: si e ndërtojnë jetën e përditshme dhe si kujdesen për jetën shpirtërore. Pra, konkretisht, çfarë bëjnë sa hapin sytë? Me siguri shumica prej tyre do të thonë se shkojnë të pinë kafenë me kaçurrel a një gotë raki në klubin e fshatit. Në qofshin më të pasur e me prindër më zullumqarë, e pinë në bllok të shoqëruar me një pije më të shtrenjtë se rakia e rrushit. Po t’i pyesim se si e nxjerrin bukën e gojës, një pjesë e mirë do t’ia vënë fajin qeverisë, edhe pse vetë nuk e kanë marrë mundimin ta kalojnë klasën e katërt e të mësojnë të punojnë bahçen para shtëpisë, ose, nëse i kanë paratë me shumicë, do t’ju shesin mend se si bëhet paraja mal duke shitur motrën, komshien, gruan apo duke shitur drogë. Po t’i pyesim se çfarë muzike dëgjojnë, do të rreshtonin zhurmë Noizi, Stresi apo Kallashi. Po t’i pyesim se çfarë emisionesh shikojnë, do të përmendin të gjitha batutat e gallataxhinjve të ekraneve, që kanë ditur të përqeshin veten, pa ditur të stigmatizojnë e të turpërojnë veset e qelbura të kësaj shoqërie. Po t’i pyesim nëse kanë lexuar ndonjë rresht, do ta kuptojmë se kanë qenë potencial i gatshëm krimi i përgatitur nga vetë shoqëria jonë, që pasi i prodhon, i zbraz jashtë si jashtëqitje, duke dashur të pastrohet.
Thirrja e hapjes dhe mbushjes së çmendinave nuk na shpëton: ne vetë kemi kontribuar për të ngritur një Çmendinë gjigante. Kur Franco Basaglia, psikiatri italian, ia doli më 1978-ën të fitonte luftën për të miratuar ligjin e mbylljes së çmendinave, kishte në mendje ndërmarrjen e një hapi revolucionar të trajtimit të çmendurisë si një sëmundje që shërohet përmes komunikimit dhe jo përmes izolimit. Po kjo nënkuptonte një angazhim të madh shoqëror, jo një lënie në gjendje të lirë, duke e kthyer në barut mendjet e sëmura. Për Basaglia-n, mbyllja e çmendinave ishte vetëm hapi i parë që shënjonte fillimin e një këndvështrimi të ri ndaj shëndetit mendor, si një çështje të cilën shoqëria nuk mund ta shmangë me eliminimin dhe mbylljen, por duhet ta përballë me një angazhim total. Por, edhe pse revolucionar si hap, në një shoqëri si e jona mbetet utopi, sepse kërkon nga shoqëria pikërisht atë që i mungon: ndërgjegjësimin për detyrën.
E vetmja fushatë ndërgjegjësuese që pati efekt në shoqërinë amerikane ka qenë ajo kundër duhanit, gjë që bëri që duhanpirësit të shihen ende sot e kësaj dite në atë vend jo vetëm si dëmtues të vetvetes, por edhe si ndotës të ambientit e për më tepër të stigmatizohen për vesin e tyre. A nuk duhet ta kishte bërë me kohë një gjë të tillë edhe shoqëria jonë me pijanecët, kur rezulton se pas shumicës së krimeve në familje fshihet alkooli? A nuk duhet ta kishte etiketuar pijanecin si një figurë dështake, që prodhon dhunë, krim dhe degjenerim? A nuk do të kishte qenë e udhës që shoqëria dhe shteti të kishin marrë masa serioze për një dukuri të tillë, kaq karakteristike për Shqipërinë? Si ka mundësi, që kudo të shitet alkooli kaq lirshëm për adoleshentët, të porositet pa problem nëpër lokale, pa u kërkuar kartë identiteti, të mbyllen sytë kur gjimnazistët dehen paq netëve nëpër klube nate? Si ka mundësi, që një shoqëri që ka mbushur rrugët e botës me prostituta, nuk stigmatizon kofshët e gjoksin jashtë të gjimnazisteve në ambientet e shkollës dhe vend e pa vend në ekranet televizive? Çdo qeveri ka për detyrë të studiojë veçantitë e vendit dhe shoqërisë së saj, duke marrë masa konkrete në përgjigje të plagëve konkrete. Nëse lojërat e fatit apo klubet e lotove janë një çerdhe dembelizmi dhe lulëzimi vesesh, atëherë është detyra e shtetit të ndërhyjë me dorë të fuqishme. Por, natyrisht, kjo është si të heqësh pjesën e kalbur e jo të shërosh burimin e kalbëzimit.
Ajo çka përbën burimin është gjithnjë e më e vështirë për t’u evidentuar e gjithnjë më e pamundur të eliminohet. Edhe pse ne tashmë nga një shoqëri e kontrolluar me darë të hekurt, kemi kaluar në lirinë pa kufi e të keqinterpretuar, pa kaluar fazën kryesore, atë të ndërgjegjësimit dhe të civilizimit. Kemi keqkuptuar konceptimin e kufirit në emër të “emancipimit”, fjala e përditshmërisë në fjalorin e rinisë së sotme, ku çdo gjë është e lejueshme. Kjo lëvizje është kuptuar kundër çdo institucioni dhe pengese që vë kufi: familja si burg, shkolla kazermë ushtrie, puna tjetërsim dhe ligji si dhunë nga e cila duhet të çlirohemi. Por, si ta kuptojnë të rinjtë kufirin mes lirisë seksuale dhe abuzimit seksual e prostitucionit, mes përmirësimit të imazhit nga të meta të lindura dhe transformimit tërësor të paraqitjes, deri në tjetërsim dhe sëmundje; kufirin mes njohjes dhe mbajtjes nën kontroll të gjendjes emocionale dhe abuzimit me droga gjithfarë për të arritur gjithnjë kulmin e energjisë dhe të lumturisë; kufirin mes të qenit i dobishëm dhe të qenit i njohur, pa dalluar në është për të mirë apo për të keq; kufirin mes lirisë për të plotësuar dëshirat e tua dhe përgjegjshmërinë për të mos cenuar të drejtat e tjetrit?
Do të besoja se kemi filluar të kuptojmë, nëse do të kisha dëgjuar gjyshin e vrasësit që të merrte përgjegjësitë e të thoshte vetëm dy fjalë në ekran: kam dështuar me familjen time; të shikoja dy prindër që të kërkonin ndjesë për papërgjegjshmërinë në rritjen e një krimineli, ose, së paku, nëse flasim për një të sëmurë mendor, të kishin kërkuar ndihmë. Është e vërtetë që kapacitet mendore janë të ndryshme, por një familje, edhe pse nuk është e thënë të kultivojë mendimtarë dhe filozofë, e ka për detyrë të rritë qytetarë që respektojnë ligjin dhe detyrimet shoqërore. E kjo arrihet kur fëmijët rriten me dashurinë për të bukurën e për të mirën.
Nëse krimineli i drejtohet në rrjetet sociale kryeministrit të vendit, kjo nuk përbën asnjë çudi, përderisa e kemi ngritur vetë një platformë të tillë komunikimi, ku siç thotë Umberto Eco, ia japim fjalën në kuvend edhe të paditurit, edhe të pakultivuarit, edhe budallait, që dikur ia qepnin gojën edhe te klubi i fshatit. Jemi vetë ne ndërtuesit e një sistemi të tillë, pasojat e të cilit po vuajmë. Atë armë vrasësit ia fali politika e degjeneruar e gjithë këtyre viteve të tranzicionit, ia mbushi padija e bërë mullar, që prodhojnë institucionet tona shkollore dhe ia zbrazi keqedukimi, apo më mirë mosedukimi, indiferenca familjare. Ai djalë është pasqyra që na nxjerr zbuluar, që ne nuk mund ta thyejmë dhe ta zhdukim as duke e kategorizuar si të sëmurë, as duke e varur e as duke e kalbur në burg. Ai është pasoja e jetesës që kemi ndërtuar, e cila nuk pasqyron vetëm atë që Niçja paralajmëroi një shekull më parë, rrënimin e vlerave njerëzore, por edhe të një indiference absolute. Nëse përpiqemi që këto tri instanca të një shoqërie, si familja, shkolla, shteti, të mos i vëmë para përgjegjësisë e ta kategorizojmë edhe kësaj here thjesht si një vrasje të radhës së një të çmenduri, atëherë le të presim në heshtje edhe vdekjen tonë./KultPlus.com