Deputeti që iu vërsul Vjosa Osmanit, premton se do t’ia mbyll gojën edhe Mimoza Kusarit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, i njohur si deputeti që iu vërsul kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit, gjatë një seance të mbajtur në Kuvend javë më parë, ka thënë për deputeten Mimoza Kusari-Lila, se do t’ia mbyllim gojën edhe kësaj.

Kjo për shkak se Mimoza Kusari-Lila, kritikoi kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, duke thënë se ky i fundit doli në terren duke qenë i dyshuar se është i infektuar me koronavirus.

Ndërkohë, kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, reagoi përmes një shkrimi në Facebook, duke e quajtur “xhelate” deputeten Kusari-Lila.

 Në një reagim në Facebook ku shahej deputetja Kusari Lila për kritikat që ia bëri Hotit, Ukaj ka shkruar “Ajt se edhe ksaj ja mbyllim gojën”.

Kusari në Kuvend: Ditën kur u varrosën dy minatorë, u ndezën fishekzjarrë

Deputetja e Alternativës, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se dje u hodhën fishekzjarre në kryeqytet, në ditën kur u varrosën dy minatorë kosovarë.

Dy ditë më parë, dy xehetarë kanë humbur jetën nga shembja e një pjese të minierës së Artanës.

Deputetja Kusari i ka thënë Qeverisë së re, që u krijua dje, se u hodhën fishekzjarre në ditën e njëjtë kur këta dy minatorë u varrosën.

 “Ditën kur u varrosën dy minatorë, ju ndezët gjithë ato fishekzjarre”, ka thënë Kusari.

Ajo për ndezjen e fishekzjarrëve ka shkruar edhe të mërkurën mbrëma, duke i lidhur ato me Qeverinë e re, të cilën deputetja e quajti “Qeveri e Hashim Thacit, e udhëhequr nga Avdullah Hoti”. /Express/ KultPlus.com