Kryeministri Kurti: Kontributi i intelektualit Minir Dushi është i pamatshëm

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u mbajtën homazhe me rastin e ndarjes nga jeta të akademikut, njëherësh anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Minir Dushit.

Sipas njoftimit nga ekzekutivi, në këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe u shprehu ngushëllimet e tij të thella familjarëve të akademikut Dushi.

Si një nga anëtarët e parë që nga themelimi i ASHAK-ut, kryeministri Kurti e cilësoi akademikun Dushi, si një ndër figurat kryesore që ka dhënë kontribut të pamatshëm për vendin tonë, e veçanërisht në aspektin akademik dhe pedagogjik.

“Kontributi akademik dhe pedagogjik, shoqëror dhe kombëtar i profesorit dhe intelektualit Minir Dushi është i pamatshëm për ne dhe do të shtrihet gjatë edhe në këtë shekull. Mua, personalisht, librat e tij, e sidomos ai mbi Trepçën dhe Hajdar Dushin, i mbaj në zemër të bibliotekës”, ka shkruar kryeministri Kurti në librin e zisë për akademik Minir Dushin.

Vdes akademik Minir Dushi

Sot ka vdekur inxhinieri i parë shqiptar dhe akademiku Minir Dushi.

Lajmin për vdekjen e akademik Dushit e ka bërë Komuna e Mitrovicës përmes një telegram ngushëllimi, ku edhe është cilësuar një figurë e shquar në fushën e mineraleve.

Në këtë telegram ngushëllimi u tha se Dushi ishte themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicës dhe drejtor në Trepçë.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Minir Dushi, inxhinierit të parë shqiptar dhe një figure të shquar në fushën e mineraleve. Dushi ishte një personalitet i njohur dhe i nderuar, themelues i shkollës së lartë teknike në Mitrovicë, drejtor në Trepçë dhe inxhinieri i parë shqiptar, i cili la një trashëgimi të vyer në zhvillimin e industrisë dhe shkencës”, thuhet në njoftim.

Komuna e Mitrovicës nesër do të mbajë homazhe në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.

“Në këto momente të dhimbshme, ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar dhe frymëzues për brezat që do të vijnë. Komuna e Mitrovicës, nesër do të mbajë homazhe në Qendrën e Kulturës ‘Rexhep Mitrovica’, nga ora 12:00 deri 14:00, për nder të jetës dhe veprës së tij. Pusho në paqe, akademik Minir Dushi”, ka shkruar Komuna e Mitrovicës./ KultPlus.com