Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku mbrëmë ka ndjekur nga afër paraqitjen e sopranos Elbenita Kajtazi dhe tenorit Saimir Pirgu, në Teatrin e Operës së Vjenës, shkruan KultPlus.
Me këtë rast, Ministri Çeku ka thënë se sopranoja Kajtazi me rolin e Mimit të “La Boheme” pati një paraqitje të shkëlqyer, përkrah një shqiptari tjetër të dëshmuar gjithashtu, tenorit Pirgu.
“Mbrëmë Elbenita Kajtazi u ngjit në njërën ndër skenat kryesore të operës në botë. Sopranoja jonë e talentuar, përveç që bëri historinë si shqiptarja e parë nga Kosova në Teatrin e Operës së Vjenës, pati paraqitje të shkëlqyer në rolin e Mimit të “La Boheme” nga Giacomo Puccini. Luajti krah tenorit të madh shqiptar, Saimir Pirgu, një emër tashmë i dëshmuar i skenës botërore operistike.
Elbenitën dhe Saimirin i ndoqëm me plot admirim bashkë me deputeten Tinka Kurti, mezo-sopranon Flaka Goranci, këngëtaren dhe kompozitoren Vjollca Robelli Mripa dhe të ngarkuarin me punë në ambasadën tonë në Vjenë Albinot Bimbashi”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka pritur në takim dirigjentin e Korit Siparantum, Memli Kelmendin pas fitores së medaljes së artë në Grand Prix of Nations, në Suedi, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku përmes një postimi në facebook, ka thënë se ‘Kori Siparantum’ po i sjell vendit suksese të mëdha.
Në këtë takim, është bërë e ditur se u diskutua edhe për aktivitetet e korit, sfidat dhe planet për pjesën e mbetur të vitit.
“Me dashurinë për muzikën, punën dhe përkushtimin e tyre kanë arritur majat më të larta në muzikën korale botërore. Kori Siparantum po i sjell vendit suksese të mëdha.
Ministri Çeku e priti sot në takim dirigjentin dhe udhëheqësin e korit Memli Kelmendi, të cilin e përgëzoi për suksesin e fundit, medaljen e artë në Grand Prix of Nations, në Suedi.
Bashkë diskutuan për aktivitetet e korit, sfidat, punët aktuale dhe planet për pjesën e mbetur të vitit.
Ministria e Kulturës është mbështetësi kryesor i Korit Siparantum”, thuhet në postim./KultPlus.com
Ministri për Kulturë, Rini dhe Sort, Hajrulla Çeku, ka thënë se është tejet i gëzuar që pas një pune të gjatë dhe sfiduese, sot ka nënshkruar licencën e parë për një federatë të sportit, sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave.
Sipas tij, ky është një nga angazhimet qendrore të Ministrisë së Sportit në përmbushje të njërit nga zotimet kryesore, fuqizimit të standardeve të qeverisjes së mirë në organizatat sportive të Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, kryetarit të Federatës së Pingpongut të Kosovës, Jeton Beqiri sot zyrtarisht ia dorëzova vendimin dhe licencën për ushtrimin e veprimtarisë, me afat vlefshmërie deri në fund të vitit 2024. Përgëzime për FPPK-në, dhe shumë suksese në masivizimin dhe ngritjen e cilësisë në sportin e pingpongut në Kosovë”.
“Nga Komisioni për licencim u njoftova që një numër i federatave tashmë kanë dorëzuar aplikacionet për licencim, ndërsa së shpejti pritet që të dorëzohen edhe disa aplikacione të tjera. Jemi të përkushtuar për të çuar përpara synimin tonë strategjik për më shumë integritet në sistemin tonë sportiv. Dita e sotme është datë e shënuar për sportin kosovar”./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku priti në takim Yuliia Hnat, Alex Fisher, Kateryna Iakovlenko dhe Kateryna Botanova, përfaqësues nga fusha e kulturës dhe artit nga Ukraina.
Bashkë diskutuan për zhvillimet aktuale në vendin tonë sa i përket kulturës, ngritjen artistike pas luftës dhe si mund të ndihmojë përvoja e Kosovës Ukrainën. Gjithashtu ndër të tjera u fol për ndikimin dhe organizimin e bienales Manifesta në Prishtinë, bienale kjo që pritet të mbahet në Ukrainë në vitin 2028 dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Ministri Çeku shprehu keqardhje për situatën e rëndë në Ukrainë, po ashtu mbështetjen dhe solidaritetin e vendit tonë me këtë shtet.
Delegacioni nga Ukraina po qëndronin në Kosovë në kuadër të Konferencës së Asociacionit Ndërkombëtar të Bienaleve që u mbajt në Prishtinë si pjesë e Manifesta 14./KultPlus.com
Ministri Çeku ka pritur në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy shteteve tona, aktivitetet e shumta të realizuara nga Ambasada e Francës në Kosovë dhe vazhdimin e bashkëpunimit.
Ministri Çeku i uroi mirëseardhje në Kosovë po ashtu e njoftoi me zhvillimet aktuale, proceset me rëndësi që po zhvillohen në fushën e kulturës, sportit, rinisë dhe trashëgimisë kulturore ndërsa ambasadori Guérot duke e falenderuar për pritjen shprehu gatishmërinë e tij për të punuar së bashku./ KultPlus.com
Ministri Hajrulla Çeku u prit nga ministri bullgar i rinisë dhe sportit, Radostin Vasilev bashkë me ekipin e tij. Të dy ministrat folën për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe nevojën për të thelluar bashkëpunimin përmes programeve rinore dhe sportive.
Gjatë takimit shumë miqësor mes dy ministrave që mbulojnë rininë dhe sportin u diskutuan disa mundësi konkrete të bashkëpunimit ndër-shtetëror. Ministri Çeku e ftoi homologun e tij për vizitë zyrtare gjatë vitit në Kosovë, ndërsa palët u dakorduan për hartimin dhe zyrtarizimin e dokumentit të bashkëpunimit muajve në vijim.
Në këtë takim, ministri Çeku ishte i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Sofje, Delfin Pllana dhe shefja e kabinetit në MKRS, Klodeta Krasniqi./ KultPlus.com
Pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, hapësira ku është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë është caktuar si vend ku do të ndërtohet Teatri i Operas dhe Baletit, përcjell KultPlus.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili thotë se shumë shpejt do të shpallet konkursi ndërkombëtar i projektimit.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të tij:
Vazhdojmë me vendosmëri, edhe një hap i rëndësishëm drejt ndërtesës së Teatrit të Operas dhe Baletit
Tashmë e kemi edhe lokacionin, shumë shpejt do të shpallim konkursin ndërkombëtar të projektimit. Ashtu siç jemi zotuar nga fillimi, Teatri i Operas dhe Baletit do të bëhet. Institucionet dhe artistët tanë të operas, baletit dhe filharmonisë do ta kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e shumë të merituar.
Hapësira e destinuar për këtë ndërtesë është parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pas miratimit të propozim vendimit në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës për votën e tyre dhe kryetarin e komunës Përparim Rama për bashkëpunimin në këtë rast.
Qeveria e Kosovës do të bëj më të mirën për t’i zbatuar të gjitha fazat pasuese me efikasitet dhe cilësi, deri në momentin e inaugurimit të hapësirës më të madhe kulturore në shtetin tonë./ KultPlus.com
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku së bashku me zëvendësministrin Sejnur Veshall ishin në Prizren ku vizituan ekspozitën për fëmijë dhe të rinj të komuniteti rom.
Në këtë ekspozitë u prezantuan veprat e piktorit 11 vjeçar Shpend Misini, gjithashtu u shpalosën vlerat e pasura të trashëgimisë rome, traditat dhe kultura e aftësitë artistike të fëmijëve të këtij komuniteti.
Gjithashtu ministri përcolli shfaqjen teatrale “Historitë e Grave” të organizuar nga Teatri i parë i komunitetit rom në Kosovë “Nexhip Menekshe”, ku trajtohej pozita e gruas Rome në shoqëri./ KultPlus.com
Diskutimi i radhës mes ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik u mbajt në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Një takim shumë konstruktiv dhe me plot ide për zhvillimin e mëtutjeshëm të fushës së kulturës.
Ministri Çeku në fjalën e tij tha që reforma pritet të ndahet në institucionet publike të kulturës, ku do të përcaktohen mënyra e funksionimit të tyre, struktura organizative, infrastruktura, dhe në anën tjetër, reforma që do të rregullojë edhe skenën e pavarur kulturore, artistin e pavarur, organizatat e kulturës.
Ndër temat që u diskutuan ishin mosharmonizimi ligjor, çështjet dhe problematikat financiare dhe buxhetore me të cilat përballen shoqatat dhe individët që merren me kulturë, problemet që paraqet Ligji mbi financat publike, mirëmbajtja e objekteve publike të kulturës, pajisja me staf shtesë i drejtorive komunale për kulturë, trajtimi meritor i festivaleve, kufizimet që sjellin rregullativat ekzistuese ligjore, krijimi i një fondi të pavarur në kulturë dhe marrja përsipër e një bordi profesional që ta shpërndajë këtë fond, mënyra e financimit të institucioneve lokale të kulturës, festivalet tradicionale etj.
Gjithashtu u fol për investimin proporcional në kulturë, një përqindje ta financojë niveli qendror dhe përqindjen tjetër niveli lokal, më shumë manifestime kulturore me karakter ndërkombëtar, për Muzeun e Kujtesës, fuqizimin e trupave teatrore, mbështetjen e projekteve që i japin kulturës zhvillim bashkëkohor, artin televiziv, subvencionimi i përmbajtjes programore dhe shumë tema të tjera./ KultPlus.com
Hajrullah Çeku ka listuar të arriturat kryesore gjatë vitit të parë të qeverisjes së tij në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
Ai e konsideron një vit aspak të lehtë, por me shumë punë e përkushtim.
Në vijim gjeni postimin e plotë të ministrit Çeku:
Një vit aspak i lehtë, por me shumë punë e përkushtim. Qeverisje me duar të pastra dhe vizion të qartë në art e sport. Një përmbledhje e të arriturave kryesore gjatë vitit të parë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
🔹 Është themeluar Opera e Kosovës, nga sivjet me program të rregullt
🔹 Kemi ndarë mbi një milion Euro për blerjen e veprave të artit përgjate tre viteve
🔹 Është hartuar koncepti fillestar për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor
🔹 Kemi nisur reformën ligjore dhe institucionale në kulture
🔹 Kemi dyfishuar buxhetin për filmin, të cilin po e shpallim fushë të interesit të veçantë publik
🔹 Është miratuar Ligji për arkivat shtetërore, një hap drejt modernizimit të sistemit arkivor
🔹 Mbeshtetja për artistët dhe organizatat kulturore në 2021 ka qenë 2.3 herë më e lartë se në 2020
🔹 Bashkepunim bilateral në kulturë me Shqiperinë, Maqedoninë, Francën, Turqinë, Hungarinë, Katarin, Austrinë
🔹 Është nënshkruar marrëveshja me Komisionin Evropian për programin “Europa Kreative”
🔹 Mbështetja për sportin (pa investime kapitale) në 2021 mbi 5.6 milion Euro (40 përqind më shumë se dy vitet paraprake)
🔹 Kemi nisur hartimin e Strategjisë Shtëterore për Zhvillimin e Sportit
🔹 Kemi përfunduar e përuruar Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë dhe disa palestra të tjera sportive
🔹 Majlinda Kelmendi i ka dhënë fund karrierës si sportiste, ndërsa ne e kemi shpallur Qytetare me merita të veçanta
🔹 Kemi hartuar udhëzimin administrativ për (ri)licensimin e federatave sportive
🔹 Kemi mbështetur programet për masivizimin e sportit (sporti shkollor, sporti universitar, shkolla e skijimit)
🔹 Kemi dyfishuar fondin për ndërhyrje emergjente, nga 200 monumente në rrezik, rreth një e katërta janë shpëtuar
🔹 Është aktivizuar sistemi i mbrojtjes së përhershme të aseteve të trashëgimisë, 54 monumente në proces të shqyrtimit
🔹 Mbështetja financiare për projektet e trashëgimisë kulturore gjatë vitit 2021 ka qenë 3.5 herë më e lartë se në 2020
🔹 Janë miratuar disa akte nën-ligjore në trashëgimi (gërmimet arkeologjike, trashëgimia e luajtshme, licensimi i operatorëve, përcatimi i perimetrit, inventarizimi)
🔹 Kanë nisur ndërhyrjet emergjente në kullat e rrezikuara në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
🔹 Kemi themeluar Komisionin Shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat serbe gjatë luftës në 1998-1999
🔹 Kemi themeluar Këshillin Shtetëror për Rininë duke inicuar edhe hartimin e politikës shtetërore për rininë
🔹 Kemi angazhuar 100 studentë të Universitetit të Prishtinës në programin e praktikës me pagesë./ KultPlus.com
Në kuadër të diskutimeve të hapura për kulturë mes Ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik, u mbajt takimi i radhës, ai me komunitetin i industrisë kreative.
Në një diskutim konstruktiv pjesëmarrësit folën për sfidat, propozimet, përfshirjen e kësaj fushe në procesin e reformës kulturore.
Ministri Çeku në fjalën e tij hyrëse është shprehur që fillimisht industria kreative duhet të hyjë në gjuhën e politikave kulturore dhe më pas të zhvillohet edhe më shumë ky sektor, në mënyrë që kultura dhe arti të përkthehet edhe në përfitim ekonomik për vendin.
Ndër temat tjera dhe idetë që u propozuan në këtë bashkëbisedim ishin zhvillimi i një koncepti për artet vizuale, ideja e themelimit të një entiteti të pavarur profesional i cili do të menaxhojë fondin publik për përkrahjen e skenës së pavarur kulturore, ku do të zhvilloheshin edhe mekanizmat monitorues, zhvillimi i kapaciteteve njerëzore në këtë sektor.
Gjithashtu u fol për industrinë e filmit të animuar, për mungesën e kuadrove dhe subvencionimin në këtë industri, realizimin e kampanjave promovuese për artin dhe kulturën, rregullimin i çështjes së pagesave ndërkombëtare, të drejtat e autorit e të tjera./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka prezantuar punën vjetore dhe planet për vitin e ardhshëm të kësaj ministrie, përcjell KultPlus.
Çeku nisi konferencën duke përmendur intervenimet e MKRS-së në ruajtën e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
“Në fillim janë identifiku mbi 200 monumente që janë në rrezik, 12 ndërhyrje kanë përfundu tashmë 18 janë në proces dhe 16 pritet të fillojnë së shpejti. Për vitin 2022 kemi planifiku mbi 50 ndërhyrje të tjera emergjente në monumente, me synimin që në vitin 2023 të mos e kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit. Ndërsa paralelisht në gjithë vendin po vazhdojmë me projektet e restaurimit të monumenteve. Ndër ato që po restaurohen janë: Muzeu Etnologjik në Prishtinë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e parë në Prizren, Hani i Haraçisë në Gjakovë, Kulla e Sheremetit në Pejë, Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, disa monumente brenda qendrës historike të Prizrenit, përfshirë hamamin e Gazi Mehmet Pashës.”- tha ministri Çeku.
Ndërkaq për vitin 2022, ministri Çeku potencoi se kanë planifikuar buxhet prej 5.4 milionë euro për Trashëgimi Kulturore, prej të cilave një milion për ndërhyrje emergjente.
Aktualisht në proces të hartimit të kësaj ministrie janë tri plane të menaxhimit, lokaliteti arkeologjik ‘Ulpiana’, hamami i Prishtinës dhe Çarshia e Pejës.
Ministri Çeku poashtu thekson se gjatë vitit 2021 mbështetja totale financiare për organizatat dhe individët në fushën e trashëgimisë kulturore është 913.000 euro, ku krahasuar me vitin e kaluar është rritur për 3.5 fish.
Gjatë vitit 2021 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka realizuar një sërë bashkëpunimesh në fushën e trashëgimisë kulturore.
“Me ministrinë e planifikimit hapësinor dhe organizatën Trashëgimia Kulturore pa kufi tashmë po e zhvillojmë sistemin e integruar për menaxhimn e aseteve të trashëgimisë. Me ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, kemi arritur marrëveshje për mbështetje profesionale për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare ndërsa me BE-në i kemi dhënë dinamikë projekteve si ‘Ulpiana’, Marin Barleti, Kino ‘Lumbardhi’ dhe ‘Janjeva’.” – theksoi ministri Çeku.
Ministri Çeku poashtu tha se shumë shpejt do të bëhen ndërhyrjet e para në ndërtesat e kompleksit memorial “Adem Jashari”, derisa shtoi se vitin e ardhshëm do të shpallet konkursi ndërkombëtar për masterplanin për këtë kompleks.
Një tjetër sukses të punës 9 mujore të kësaj ministrie, Çeku e konsideron edhe krijimin e komisionit shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore nga forcat serbe gjatë luftës 1998/1999 dhe nismën për kërkimin e kthimit të artefakteve arkeologjike edhe etnografike nga muzetë e Beogradit.
Tek kultura, ai thekson së është themeluar grupi koordinues për caktimin e koncept dokumentit për kulturën.
“Gjatë muajve të fundit kemi bërë analizat e nevojshme, kemi mbledhur informacion dhe jemi duke biseduar dhe bashkëbiseduar me komunitetin artistik, dy janë synimet tona kryesore, institucionet publike të kulturës dhe skena e pavarur kulturore.” -tha Çeku duke shtuar se janë duke punuar intenzivisht në menaxhimin financiar efikas të institucioneve publike të kulturës, planet vjetore të prokurimit, aktivizimin e Petty Cash dhe angazhimin i zyrtarëve shtesë financiarë.
Ministri Çeku thotë se gjatë vitit 2022 do të bëhet renovim më i madh i ndërtesës që akomodon Teatrin Kombëtar dhe Baletin. Po ashtu ai shton se është siguruar hapësirë shtesë te Pallati i Rinisë për filharmoninë, operën, baletin, teatrin dhe QKK-në.
Ndërkaq, krahas ligjit unik për kulturën, Çeku thotë se me interes të veçantë janë duke e trajtuar edhe ligjin për kinematografinë i cili është shtyrë për vitin e ardhëshëm.
“Përmes këtij ligji, synojmë të shpallim filmin, sektor me interes të veçantë publik dhe të nxisim investimet e huaja në industrinë e filmit.”- shtoi ai.
Ministri Çeku nuk la pa përmendur edhe veprimet dhe planet për vitin e ardhshëm në fushën e sportit.
“Deri tani, në investime kapitale kanë përfunduar Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, palestra sportive në Skenderaj, stadiumi i Zhurit, i 2 Korrikut dhe Ramiz Sadiku. Aktualisht janë 37 projekte të investimeve kapitale në sport që janë në vazhdim e sipër ndërsa në buxhetin e vitit 2022 planifikojmë t’i përfundojmë të paktën 15 prej tyre. Kemi siguruar mbështetje gjithnjë në rritje për sportin. Rreth 455 mijë euro është shuma shtesë që kemi siguruar vetëm javën e kaluar për federatat e sportit. Brenda programit të ringjalljes, sporti dhe sportistët kanë përfituar 2.28 milionë euro… Mbështetja e përgjithshme për KOK-un, federatat, klubet dhe sportistët gjatë vitit 2021 është 6.35 milionë euro.” – thotë Çeku duke theksuar se kjo mbështetje financiare paraqet një rritje prej 57 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Ministri Çeku foli edhe për ndërtimin e stadiumit në qytetin e Gjilanit, për të cilin ai thotë se po bashkëpunon me kryetarin e kësaj komune.
“Sot e kemi marrë edhe një lajm inkurajues nga kryetari i Komunës së Gjilanit i cili e ka intensifikuar komunikimin me operatorin që po i kryen punimet në stadiumin e futbollit në Gjilan, një problematikë e trashëguar për të cilën ne kemi përgjegjësi të madhe për ta përfunduar sa më shpejt që është e mundur.” – tha ministri Hajrulla Çeku.
Në konferencën e thirrur për media ministri i Kulturës ka prezantuar punën nëntë mujore të kësaj ministrie./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se shifra totale e programit të Ringjalljes Ekonomike të kësaj ministrie është 5.25 milionë euro me përfitues direkt dhe dhjetëra mijëra përfitues fundorë përmes projekteve artistike, sportive e rinore, shkruan KultPlus.
Më poshtë KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të tij:
Programi i Ringjalljes Ekonomike i Ministrisë së Kulturës me 5.25 milionë Euro, 999 përfitues direkt dhe dhjetëra mijëra përfitues fundorë përmes projekteve artistike, sportive e rinore.
Një angazhim i madh për të nxitur krijimtarinë artistike dhe aktivitetin sportiv, në rend të parë për të çliruruar dhe zhvilluar potencialet e të rejave dhe të rinjve të vendit tonë./KultPlus.com
Sot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka raportuar para Komisonit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë, punën tetë mujore të MKRS-së, përcjell KultPlus.
Këtë raportim, Çeku e ka bërë me ftesë të kryetarit të këtij komisioni, Ardian Gola.
Postimi i plotë i ministrit Çeku:
Sot, para Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë, me ftesë të Kryetarit të këtij komisioni, Ardian Gola, raportova për punën tetë mujore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Më poshtë raporti përmbledhës i punëve tona në katër departamentet kryesore të ministrisë.
🔵 TRASHËGIMIA KULTURORE
🔹️Shpëtimi i trashëgimisë në rrezik
Nga vlerësimi në terren janë identifikuar 200 monumente në gjendje të rëndë. Kemi dyfishuar fondin për ndërhyrje. Deri tash kanë përfunduar dy asete, 19 janë në realizim dhe për 18 asete po zhvillohen procedurat e prokurimit, ndërsa ndërhyrjet fillojnë ditëve në vijim. Gjatë vitit 2022, vazhdojmë me mbi 50 ndërhyrje, synimi ynë është që në vitin 2023 të mos kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit.
🔹️Mbrojtja e përhershme
Pas shumë vitesh është riaktivizuar sistemi i mbrojtjes së përhershme të aseteve të trashëgimisë. Kuvendi e ka votuar Bordin e ri të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Gjatë këtij muaji dorëzojmë 30 dosje të nominimit në KKTK për mbrojtje të përhershme. Ky proces dinamik do të vazhdojë gjatë tërë vitit 2022. Gjithashtu, kemi shtuar 17 asete në listën e mbrojtjes së përkohshme, ndër ta Teatri Dodona, Kino Rinia, Shkolla Gjon Sereçi, Burgu i Gurrakocit, Koleksioni privat i krijimtarisë së të ndjerit Shaqir Hoti.
🔹️Restaurimi dhe menaxhimi
Ndërhyrjet restauruese janë duke u realizuar ose janë në fazë të nisjes së puneve në 6 monumente: Muzeu Etnologjik Emingjiku në Prishtinë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e Parë në Prizren, Hani i Haraqisë në Gjakovë, Kulla e Sheremetit në Peje, Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, pastaj në disa monumente brenda Qendrës Historike të Prizrenit, përfshi Hamamin e Gazi Mehmet Pashës. Restaurimi i monumenteve do të jete proces i përhershëm, në vazhdimësi të ndërhyrjeve emergjente. Për vitin 2022 kemi planifikuar buxhet prej 8.4 milonë EUR, nga të cilat 1 milionë EUR për ndërhyrje emergjente. Do të sigurohemi që restaurimet të përcillen me plane menaxhimi dhe funksionalizim të monumenteve. Aktualisht janë në proces të hartimit tri plane të menaxhimit: Lokaliteti Arkeologjik Ulpiana, Hamami i Prishtinës dhe Çarshia e Pejës.
🔹️Korniza regullative
Kemi punuar intensivisht në përmirësimin e kornizës rregullative në fushën e trashëgimisë kulturore. Ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ për Kërkime Arkeologjike. Në proces të diskutimit publik janë: Udhëzimi Administrativ për licencat dhe Udhëzimi Administrativ për Trashëgiminë e luajtshme. Në proces të hartimit janë Rregullorja për perimetra dhe zona mbrojtës të aseteve dhe Udhëzimi administrativ për inventarizim të trashëgimisë kulturore. Përmes këtij legjislacioni sekondar do të përcaktojmë perimentrin dhe zonat e mbrojtjes dhe integrojmë trashëgiminë në planet hapësinore, do të sigurohemi që ndërhyrjet në monumente kryhen nga operatore profesional, do të sigurojmë kriteret profesionale për kërkime arkeologjike, dhe mbrojtje të trashëgimisë së luajtshme, si dhe sigurohet një proces i integruar i inventarizimit, vlerësimit dhe mbrojtjes së përkohshme / përhershme, në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet kompetente. Gjatë vitit 2022 do të vazhdojme me hartimin e këtyre akteve nën-ligjore: Udhëzimi Administrativ për Hartimin e Projekteve Konservuese, dhe Udhëzimin Administrativ për Trashëgimi Shpirtërore.
🔹️Mbështetja financiare
Mbështetja totale financiare për organizatat dhe individët në fushën e trashëgimisë kulturore për vitin 2021 është 913,893.000 EUR. Krahasuar me vitin 2020 mbështetja është rritur 3.5 fish, ndërsa në krahasim me 2019 është rritur dhjetë fish.
🔹️Bashkëpunimet
Kemi nisur një numër bashkëpunimesh për të konsoliduar sistemin e mbrojtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore. Me MMPHi dhe organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij po e zhvillojmë sistemin e integruar për menaxhim të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Me Shqipërinë sapo kemi nënshkuar marrëveshjen për mbështetje profesionale për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. I kemi dhënë dinamikë të re projekteve kapitale të IPA me Bashkimin Europian, përfshi Ulpianën, Marin Barletin, Kino Lumbardhin, Janjevën. Jemi në proces të marrëveshjes për bashkëpunim në muzeologji me Ministrinë e Kulturës të Austrisë.
🔹️Komiteti për “Adem Jasharin”
Është themeluar Komiteti Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Për herë të parë është realizuar studimi profesional i vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit, janë hartuar projektet e ndërhyrjeve emergjente dhe së shpejti pritet të fillojnë punimet. Është themeluar Komisioni i Ekspertëve si trupë pofesionale e Komitetit, ndërsa gjatë pjesës së parë të vitit të ardhshëm, në bazë te rekomandimeve të Komisionit të Ekspertëve do të marrim vendim për hapat drejt master planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
🔹️Komisioni për shkatërrimin e trashëgimisë
Është themeluar Komisioni shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat Serbe, gjatë luftës 1998-1999. Kjo është nismë e ndërmarrë për herë të parë nga institucionet e shtetit, ndërsa mbi bazen e te gjeturave do të përgatitet edhe kërkesa për dëmshpërblim. Ky komision ka në përbërje ekspertë e akademik, vendor dhe ndërkombëtar nga fusha e trashëgimisë kulturore. Puna e këtij komisioni planifikohet të përfundojë gjatë vitit 2022.
🔹️Artefaktet
Për herë të parë është marrë nisma për kërkimin e kthimit të artefakteve arkeologjike dhe etnologjike nga Muzetë në Beograd. Nisma e marrë nga Muzeu Kombëtar i Kosovës është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Pas letrës së Muzeut Kombëtar të Kosovës drejtuar muzeve përkatës në Beograd, cështjen e kemi ngritur edhe në nivel të ICOM, Komisionit Ndërkombëtar të Muzeve. Jemi në koordinim me delegacionet e Shqipërisë dhe Austrise brenda ICOM për të rritur presionin mbi muzetë e Beogradit.
🔹️Manastiri i Deçanit dhe UNESCO
Kemi kundështuar në të gjitha format përfshirjen e Manastirit të Deçanit në Listën e organizatës Europa Nostra për monumentet më të rrezikuara të Europës. Europa Nostra ka premtuar që do të vije në Kosovë për një vlerësim të gjendjes, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur deri sot. Paralelisht kemi kërkuar nga ICOMOS International një vlerësim profesional për Manastirin e Deçanit qe quhet “Heritage Impact Assessment”. Ky vlerësim do të na ndihmoje të vazhdojmë insistimin tonë në raport me UNESCO që të largoj katër monumentet e Kosoves nga Lista e Trashëgimisë Botërore në rrezik. Jemi duke u koordinuar me shtetet mike të Kosovës në mënyrë që në mbledhjen e radhës të Komitetit Botëror të Trashëgimisë në kuadër të UNESCO, të shqyrtohet kërkesa jonë për vlerësimin e gjendjes së këtyre katër monumenteve dhe largimin e tyre nga kategoria në rrezik. Paralelisht jemi duke e hartuar planin zbatues për procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
🟠 KULTURA
🔸️Ligji unik për kulturën
Është themeluar grupi koordinues për hartimin e Koncept dokumentit për kulturën. Besojmë që kjo do të përbëjë bazën për ligjin unik të kulturës dhe strategjinë kombëtarë për kulturë. Në vizionin tonë, korniza rregulluese e kulturës ka nevojë të rimendohet nga fillimi. Gjatë muajve të fundit kemi bërë analizat e nevojshme, kemi mbledhur informacion dhe po zhvillojmë diskutime me komunitetet artistike. Dy janë grupet kryesore të synuara, institucionet publike të kulturës dhe skena e pavarur kulturore.
🔸️Institucionet publike të kulturës
Jemi duke punuar intensivisht për menaxhim financiar efikas dhe autonom të institucioneve publike te kulturës. Planet vjetore të prokurimit, aktivizimi i petty cash, angazhimi i zyrtarëve shtesë financiarë janë disa nga veprimet e ndërmarra deri në këtë moment. Janë kryer disa ndërhyrje në infrastrukturën fizike të këtyre institucioneve. Pas ndërhyrjeve të domosdoshme në Teatër dhe Balet sivjet, gjatë vitit 2022 do të shkojmë në renovim të plotë të ndërtesës që akomodon Teatrin Kombëtar dhe Baletin Kombëtar. Kemi siguruar hapësirë shtesë të Pallati i Rinisë për Filharmoninë, Operën, Baletin, Teatrin, QKK. Janë shpallur pozitat drejtuese të institucioneve publike të kulturës. Synojmë që gjatë pjesës së parë të vitit 2022 në krye të këtyre institucioneve të kemi një gjeneratë të re drejtuesish.
🔸️Skena e pavarur kulturore
Kemi rritur mbështetjen financiare për skenën e pavarur. Mbështetja totale për organizata kulturore dhe artistë sivjet është rreth 3.8 milionë Euro, një rritje prej rreth 60 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Për herë të parë në Kosovë ka nisur programi i blerjes së veprave të artit nga shteti. Dy komisione të përbërë nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë bërë vlerësimin dhe përzgjedhjen e veprave. Përfitues janë 68 artistë, vlera totale e veprave të blera është 247 mijë Euro. Ky program do të jetë i përvitshëm. Kemi ndërruar praktikën e përzgjedhjes së artistit që e perfaqëson Kosovën në Bienalen e Venedikut. Për herë të parë përzgjedhja është bërë përmes një procesi të hapur dhe konkurrues. Fituesi është përzgjedhur përmes një komisioni profesional nga komuniteti artistik vendor dhe ndërkombëtar. Republikën tonë në Bienalen e Artit në Venedik në vitin 2022 do ta përfaqësojë artisti Jakup Ferri. Përmes Pakos së Ringjalljes ekonomike, kemi mbështetur bibliotekat dhe teatrot komunale. Gjithsej janë mbështetur 29 biblioteka komunale dhe 9 teatro të qytetit. Manifesta këtë vit është mbështetur me 700,000 euro, sic ka qenë e planifikuar me memorandumin e bashkëpunimit.
🔸️Korniza rregullative
Krahas ligjit unik për kulturën, me interes të madh jemi duke e trajtuar edhe ligjin e ri për kinematografinë. Përmes këtij ligji synojmë të shpallim filmin sektor të interesit të veçantë publik dhe të nxisim investime të huaja në industrinë e filmit. Një numër i madh i akteve nënligjore janë punuar: rregullorja për marrëdhënien e punës në Operë, Statuti i Operës, ndryshimi i statutit të Galerisë, plotësimi i rregullores për pagesat shtesë në Balet, dhe ndryshimi i rregullores për ansamblin rezident të Teatrit Kombëtar.
🔸️Opera dhe bashkëpunimi ndërkombëtar
Kemi themeluar Institucionin e Operës së Kosovës. Janë emëruar trupat drejtues, është mbajtur koncerti inaugurues, kemi siguruar hapësirat e punës dhe janë hartuar dokumentet e brendshme. Po punohet në programin artistik të vitit 2022, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Teatrin e Operës së Shqipërisë dhe gjatë vitit të ardhshëm nis procedura për ndërtesën, pra Teatrin e Operës. Për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar kulturor kemi bërë hapa konkretë për marrëveshje bilaterale. Marrëveshja për bashkëprodhim kinematografik me Republikën e Francës pritet të nënshkruhet vitin e ardhshëm. Një tjetër marrëveshje që është në proedurë miratimi është ajo me Republikën e Italisë. Ndërsa ditëve në vijim do të nënshkruajmë dokumentin për Europën Kreative.
🔸️Bashkëpunimi kulturor me Shqipërinë
Me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë kemi nënshkruar Kalendarin e Përbashkët Kulturor dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e Trashëgimisë kulturore dhe muzeve. Gjithashtu, në fushën e bashkëpunimit kulturor kemi nënshkruar pesë marrëveshje mes institucioneve tona artistike, bibliotekave, muzeve, parqeve arkeologjike, arkivave shtetërore.
⚫ SPORTI
◾Investimet kapitale
Sfida kryesore në sport është kaosi në projektet e investimeve kapitale. Mungesa e projekteve, mungesa e kontratave, Memorandumet e pazbatuar me komunat, operatorë të papërgjegjshëm, probleme me pronësinë e tokave, rritja e cmimit të materialit ndërtimor dhe mbi të gjitha mungesë totale e planifikimit strategjik për orientimin e investimeve ne infrastrukturë sportive. Me gjithë këto sfida, po bëjmë më të mirën për të dinamizuar procesin. Deri tani kanë përfunduar Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, Palestra sportive në Skëndëraj, stadiumi i Zhurit (pjesa që i takon Ministrisë), Stadiumi 2 Korriku dhe Ramiz Sadiku. Aktualisht kemi 37 projekte aktive të inestimeve kapitale në sport, me buxhetin e vitit 2022 synojmë përmbylljen e të paktën 15 prej tyre.
◾Mbështetja financiare për sportin
Mbështetja për sportin elitar është rritur në krahasim me vitet paraprake. Rreth 3.5 milionë Euro është mbështetja për federatat sportive, nëdrsa totali i mbështetjes për sport pa investimet kapitale është mbi 5.6 milionë Euro. Krahasuar me dy vitet paraprake rritja është rreth 40%. Shtylla e dytë e programit tonë për sportin është sporti për të gjithë. Rëndësi të veçantë po i japim sportit shkollor dhe universitar. Kemi nisur disa programe të bashkëpunimit me ministritë e arsimit e shëndëtësisë, Universitetin e Prishtinës, federatat dhe komunat. Kampionati Botëror Universitar në Hendboll, organizimi i ligave sportive në shkollat fillore, programi i skijimit për nxënës janë disa nga programet që tashmë janë duke u realizuar.
◾Korniza rregullative
Akti më i rëndësishëm rregullativ që tashmë ka përfunduar është Udhëzimi Administrativ për licensimin e federatave sportive. Në fillim të vitit që vjen të gjitha federatat do të kalojnë përmes procesit të rilicensimit. Pjesë e agjendës legjislative janë ndryshimi i ligjit për sportin, ndryshimi i ligjit për sponsorizime, hartimi i strategjisë kombëtare të sportit dhe disa udhëzime të tjera administrative.
◾Programet e reja
Për herë të parë kemi ndarë fond të veçantë për shërimin dhe rikuperimin e lëndimeve sportive. Ky fond zhvillohet në kuadër të politikës së Mjeksisë Sportive dhe përvec sportistëve janë përfshirë edhe balerinët dhe valltarët. Ka filluar zhvillimi i konceptit “Kosova Judo Nation”, një lloj brandimi ndërkombëtar i shtetit tonë përmes sportit të xhudos. Gjithashtu kemi nisur zhvillimin e databazës së integruar sportive. Së fundmi, me vendim të Qeverisë së Kosovës kemi shpalluar Majlinda Kelmendin “Qytetare me Merita të Veçanta”.
⚪ RINIA
◽Investimet kapitale
Kemi dinamizuar procesin e ndërtimit të qendrave rinore. Në Komunën e Kamenicës është përmbyllur projekti i renovimit dhe funksionalizimit të Qendrës Rinore. Katër projekte tjera janë në proces: Qendra Rinore në Pjetërshan të Gjakovës, në Deçan, Ferizaj dhe komunën e Podujevës. Gjatë vitit të ardhshëm planifikohet përmbyllja e projekteve që janë në proces, dhe inicimi i një projekti të ri, Qendra rinore për komunën e Prizrenit.
◽Korniza rregullative
Është themeluar Komisioni Shtetëror për Rini i cili përbëhet nga ministritë e linjes dhe ka për detyrë monitorimin dhe udhëheqjen e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Rini. Në ministritë anëtare, nga një zëvendësministër është emëruar si zëvendësminister për rini, përgjegjës për monitorimin dhe planfikimin e politikave sektoriale që ndikojnë të rinjtë. Hartimi i koncept dokumentit për Ligjin për Rini do të fillojë në vitin 2022. Do të angazhohen dy ekspertë të huaj në bashkëpunim me partnerët strategjik të Ministrisë në sektorin rinor të cilët bashkarisht me një grup punues do të bëjnë vlerësimin e sektorit rinor dhe amandamentimeve të nevojshme në ligj.
◽Programet e reja dhe bashkëpunimi
Në kuadër të programit Ëestern Balkans Youth Lab të RCC, Ministria ka siguruar asistencë teknike dhe ka angazhuar një organizate vendore për përgatitjen e një hulumtimi dhe raporti të detajuar për të rinjtë NEET në Kosovë. Gjithiashtu, Ministria vazhdon të mbështes dhe mbaj rol aktiv në RYCO si organizatë me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit mes të rinjve në rajon. Është bërë lansimi i ueb faqes kosovoyouth.com në bashkëpunim me OSBE. Kjo platformë ofron mundësi informimi për të rinjtë, për mundësi punësimi, pjesëmarrje në ngjarje publike dhe avancim të njohurive dhe aftësive për të rinjtë.
◽Mbështetja financiare
Këtë vit kemi administruar gjashtë thirrje për sektorin rinor për mbeshtetje direkte për projektet e të rinjve. Nga këto thirrje janë mbështetur projekte në vlerën totale mbi 1.8 milionë Euro./KultPlus.com
Sot, si pasojë e infektimit me koronavirus ka vdekur fotografi kosovar, Meddy Huduti.
Për ikjen e hershme të fotografit Huduti ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku i cili e ka përshkruar atë si një artist të talentuar dhe ikonë të gjeneratës së re, por edhe personalitet modest dhe njeri shpirtbardhë.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Në moshë shumë të re, në kulmin e energjisë krijuese. Fotograf që ka dokumentuar parreshtur jetën kulturore në Kosovë. Artist i talentuar dhe ikonë e gjeneratës së re, por edhe personalitet modest, njeri shpirtbardhë.
Ngushëllime familjes dhe miqve, gjithë komunitetit artistik. Ahmed (Meddy) Huduti do të rrojë përherë në fotografitë që na i bëri, ndër më të mirat që kemi./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka pritur në takim gjudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin, Driton Kuka, transmeton KultPlus.
Përmes një njoftimi në Facebook, ministri Çeku ka njoftuar se atyre u kanë ndarë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Nder i veçantë që sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të pres vajzat e arta të Kosovës, xhudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin Driton Kuka. Së bashku më zëvendësministren, Daulina Osmani atyre u ndamë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takim me ta. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë që sportin e xhudos ta shtyjmë përpara, ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë./KultPlus.com