Ministri Gashi nënshkruan rregulloren për Skenën e Vogël dhe ansamblet rezidente të teatrove

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar dy akte nënligjore të cilat rregullojnë fushën e teatrove dhe ansambleve rezidente. Konkretisht, ministri ka nënshkruar Rregulloren për Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Rregulloren për themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.

Me Rregulloren për Skenën e Vogël të TKK-së, përcaktohet funksionimi, përmbajtja programore, angazhimet, kategoritë, kushtet, kriteret, procedurat dhe përgjegjësitë e veprimit në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Rregullorja parasheh që Skena e Vogël do t’i shërbej TKK-së si një laborator për kultivimin e shprehjeve inovative dhe eksperimentale teatrore. Ajo do të mbështetë dhe nxitë idetë e reja, format kërkimore, teatrin multimedial, shfaqjet interaktive dhe përmbajtje të ngjashme të gjuhës teatrore, si një strehë e të gjithë atyre që teatrin e shohin ndryshe. Sipas rregullores repertorin për Skenën e Vogël të TKK-së e propozon Udhëheqësi artistik duke u bazuar në specifikat estetike të Skenës së Vogël i cili hartohet kryesisht nga tekstet avangarde të dramaturgjisë botërore dhe asaj kombëtare, e që aprovohet nga Drejtori i Përgjithshëm i TKK duke iu paraqitur Këshillit Drejtues të TKK-së për miratim.

Rregullorja përcakton që përzgjedhja e regjisorëve për projektet e SV-TKK-së, bëhet me Konkurs publik. Çdo vit kalendarik, pas aprovimit të repertorit të Skenës së Vogël, TKK shpall konkurs për regjisor. Regjisori konkurron me projekt skenik /vizion dhe ide/ për njërin nga projektet e Skenës së Vogël. I njëjti regjisor nuk ka të drejtë të konkurroj për dy projekte në të njëjtin vit. Projektet e përzgjedhura nën emrin e regjisorit të caktuar, i takon atij që të përzgjedh ekipin kreativ të projektit, të aktorëve nga radhët e aktorëve të jashtëm, ku sipas rregullores regjisorit i rezervohet e drejta që të organizojë audicion për aktorët, apo të sjell listën e gatshme të ekipit të përzgjedhur, ndërkaq Aktorët e Trupës Rezidente të TKK-së, si dhe stafi tekniko-kreativ, të cilët përzgjidhen për të qenë pjesë e projekteve në Skenën e Vogël, nuk kanë të drejtë të refuzojnë punën e caktuar.

Rregullorja në fjalë përcakton edhe aspektin buxhetor të Skenës së Vogël, e cila duhet të ketë buxhet të ndarë nga Projekti vjetori financiar i TKK-së e që nuk mund të jetë më i madh se 30% nga buxheti i Skenës së Madhe.

SV-TKK realizon të paktën katër (4) premiera gjatë një viti kalendarik sipas kritereve që rregullorja përcakton dhe në SV-TTK mund të realizohen numër i palimituar reprizash gjatë një viti kalendarik. Projektet e SV-TKK-së mund të ngelin në repertor edhe më shumë se një vit kalendarik, varësisht nga interesi estetik i TKK-së apo nga numri i publikut.

Ndërsa Rregullorja për themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve përcakton mënyrën, kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e aktorëve të ansamblit rezident të aktorëve, kategorizimin dhe kohëzgjatjen e angazhimit të tyre në ansamblin e Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.

Sipas rregullores së nënshkruar nga Ministri Gashi, Teatri Kombëtar ka ansamblin rezident të aktorëve, të përbërë prej së paku 30 (tridhjetë) aktorëve të të gjitha moshave, ndërsa Teatrot e qyteteve kanë ansamblin rezident të aktorëve, të përbërë prej 10 (dhjetë) deri në 20 (njëzetë) aktorë.

Rregullorja parasheh edhe ndarjen e aktorëve nëpër kategori sikurse janë doajenët (më shumë se 20 vjet përvojë pune, me së paku 30 role kryesore), aktorët e kategorisë së parë (së paku 15 role kryesore), aktorët e kategorisë së dytë (së paku 10 role kryesore) dhe trupa rezidente. Vlerësimi për kategorizimin e aktorëve sipas rregullores bëhet çdo dy vjet nga komisioni i emëruar nga Këshilli Drejtues, ku parashihet edhe zbritja e aktorëve nga kategoria përkatëse, përjashtuar doajenët që nuk i nënshtrohen kritereve të zbritjes.

Me rastin e nënshkrimit, ministri Gashi, vlerësoi se MKRS-ja për përmbush dhe plotëson infrastrukturën ligjore e cila rregullon dhe përmirëson teatrot dhe ansamblet rezidente të tyre.

“Ka qenë përkushtim dhe fokus i yni që nga dita që kemi marrë drejtimin e ministrisë që të kemi një kujdes të veçantë për fushën e teatrove në Republikën e Kosovës si dhe për aktorët të cilët me punën e tyre përçojnë emocione tek publiku duke bartur vlera artistike”, ka thënë ministri Gashi, duke shprehur mirënjohjen për drejtuesit dhe bartësit e teatrove si dhe për aktorët për punën që realizojnë. / KultPlus.com

Gashi: “Sofra” shtrohet për mërgimtarë në shenjë mirënjohje

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporiti, Kujtim Gashi, mori pjesë në  aktivitetin “Sofra e Gurbetqarëve” të organizuar nga Ansambli “Emin Duraku” aktivitet ky i cili, mbështete financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Gjatë kësaj ngjarje kulturore ministri Gashi tha se  bashku me shumë mërgimtarë morëm pjesë në organizimin e kësaj mbrëmje të mrekullueshme kulturore “Sofra Gurbetqare”.

“ ‘Sofra’ shtrohet për mërgimtarë në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën dhe kontributin e tyre që kanë dhënë dhe po japin për Republikën e Kosovës në përgjithësi e posaçërisht për zhvillimin e jetës kulturore dhe ruajtjen e traditave shqiptare në mërgatë”, tha ministri Gashi.

“Në kuadër të aktivitetit të organizuar në nderim të Mërgatës, shpërndava edhe mirënjohje për individë që kanë kontribuuar për zhvillimin e kulturës së Kosovës në vendet e Mërgatës ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, duke e ruajtur kësisoj traditën, gjuhën e kulturën tonë”, tha ministri Gashi.

Tutje Gashi tha se “si shprehjes respekti dhe falënderimi për kontributin e bashkatdhetarëve tanë, Ministria po mbështetë edhe përçimin e vlerave të mirëfillta kulturore duke e pasuruar jetën kulturore. Ne MKRS po angazhohemi  vazhdimisht që organizimet e mirëfillta kulturore të kenë hapësirën dhe përkrahjen e nevojshme ashtu që bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës të kenë se çfarë të shohin e dëgjojnë dhe si ministër ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për këtë”. / KultPlus.com

Gashi kryeson mbledhjen e RYCO-s

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në mbledhjen e 9-të të Bordit Drejtues të RYCO-s. Në këtë takim morën pjesë të gjitha vendet anëtare si Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.

Gjatë këtij takimi u trajtuan një numër i madh i projekteve dhe programeve rinore, të cilat pritet të implementohen gjatë vitit 2019, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, projekte këto të cilat kanë për qëllim përmbushjen e misionit të RYCO-s, sa i përket bashkëpunim rinor rajonal.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se “takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë edhe për të rinjtë e vendeve anëtare në përgjithësi, dhe të rinjve kosovarë në veçanti, duke marrë për bazë se shumica e vendimeve për projektet rinore por edhe për strukturën e re të RYCO-s po merren në kohën kur Kosova po udhëheq me këtë organizatë rajonale rinore, e cila ka dalë nga procesi i Berlinit”.

Mbledhja e sotme është jashtëzakonisht e veçantë për procesin e vendimmarrjes sidomos pas sfidave që kemi kaluar që nga marsi i këtij viti. “Nuk ka qenë periudhë e lehtë dhe sigurisht ka kërkuar angazhim intensiv dhe kompromis për të tejkaluar ngërçin e krijuar. Ka qenë shumë sfiduese posaçërisht për mua si kryesues i Bordit të RYCO-s për vitin 2019, por njëkohësisht përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, që të gjej një zgjidhje e cila do të mundësonte vendimmarrje të plotë në RYCO. Andaj edhe dita e sotme është provë që Qeveria e Kosovës është realisht e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e RYCO-s dhe bashkëpunimin rajonal në përgjithësi”, u shpreh ministri Gashi.

Tutje Gashi tha se procesi i vendimmarrjes për strukturën organizative të re është determinues për të ardhmen e RYCO-s, andaj edhe kam insistuar që përpara çdo vendimi rreth kësaj pike të ketë një takim fizik ku ne do të diskutonim bashkë të gjitha pyetjet, shqetësimet tona në raport me të.

“Si ministër i Rinisë, por edhe si kryesues i RYCO-s do të bëj përpjekje të vazhdueshme që të rinjtë e Ballkanit Perëndimor të ndihen të barabartë dhe të rëndësishëm në projektet rinore, të cilat do të financohen nga RYCO dhe donatorët e saj”, tha Gashi. / KultPlus.com

Ministri Gashi: Masakra në lagjen e trimave është edhe një dëshmi dhe arsye se Tribunali për Krimet serbe në Kosovë është i domosdoshëm

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në nderim të 27 martirëve të Lagjes së Trimave (Tusus), ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh pranë Lapidarit të martireve dhe varrezave të  martirëve në këtë lagje.

Në pafuqi të përballjes me ushtarët e UÇK-së forcat serbe në këtë lagje treguan barbarinë e tyre duke i vrarë 27 civilë të pafajshëm dhe i dogjën  245 shtëpi. 

Lagja e Trimave (Tususi) ishte çerdhe e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Prizrenin. Kjo lagje gjatë luftës u shndërrua në bazën e ushtarëve të Lirisë.

Heronjtë Xhevat Berisha, Salajdin Berisha e shumë të tjerë së bashku me Xhemshit Krasniqin i cili padrejtësisht po mbahet në burg, u vunë në ballë të luftës për Lirinë e Kosovës.

Në pafuqi të përballjes me ushtarët e Lirisë ushtarë, policinë e paramilitarë serbë vranë civilët.

Ministri Gashi u shpreh me këtë rast se masakra në Lagjen e Trimave është edhe një dëshmi dhe arsye se Tribunali për Krimet serbe në Kosovë është i domosdoshëm.

“Deri më sot asnjë nga kriminelët që e shkaktuan këtë masakër nuk janë përgjegjur për krimin kundër civilëve të pafajshëm. Asnjë krim i kriminelëve serb nuk do të kalojë pa u ndëshkuar, prandaj Kosova e ka detyrë dhe obligim themelimin e këtij Tribunali. Kosova duhet ta themeloj Tribunalin për krimet serbe që dhe autorët e kësaj masakre ta marrin dënimin e merituar”, tha ministri Gashi. / KultPlus.com

Ministri Gashi nënshkruan Rregulloren për Këshillin Drejtues të Muzeut

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar Rregulloren për punën e Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës (MKK).

Rregullorja e nënshkruar nga ana e ministrit Gashi do të përcaktojë mënyrën e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë, procedurat e punës, thirrjen dhe mbajtjen e mbledhjes, mënyrën e vendimmarrjes dhe votimit si dhe çështjet e tjera përkatëse të rëndësishme për punën e Këshillit Drejtues të MKK-së, ndërsa dispozitat e kësaj rregulloreje do të zbatohen nga Këshilli Drejtues, Drejtori i MKK-së, njësitë organizative dhe departamentet përkatëse të MKRS-së.

Ndër të tjera rregullorja parasheh që së paku njëherë në vit llogaridhënia e MKK-së të mbikëqyret nga auditori i pavarur, dhe për këtë KD i MKK-së duhet t’i drejtohet me kërkesë MKRS-së. Vet KD i MKK-së, sipas rregullores, përcakton politikat e Muzeut, po kështu, monitoron dhe vlerëson punën e Drejtorit të MKK-së, të shkarkojë dhe të zgjedhë atë. Sipas rregullores, KD përbëhet nga pesë anëtarë me një mandat katër vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje dhe anëtarët duhet të jenë persona të dëshmuar nga fusha përkatëse profesionale. Për punën e tij, KD, duhet t’i raportojë së paku një herë në tre muaj ministrit.

Ministri Gashi tha se përpilimi i rregullores që parasheh punën dhe funksionimin e Këshillit Drejtues të MKK-së, nga këshilli i ri është cilësuar si një nevojë imediate për të përmirësuar funksionalizimin e këshillit si dhe për të ngritur efiqiencën dhe llogaridhënien në këtë institucion. Deri më tani, roli i Këshillit Drejtues të MKK-së, nuk ka qenë i specifikuara detajisht, prandaj, kjo rregullore mundëson një transparencë më të mirë në kryerjen e punëve të Këshillit Drejtues të MKK-së.

“Zbatimi në përpikëri i kësaj rregulloreje pritet të ngritë efiqiencën, efektivitetin dhe llogaridhënien në të gjitha instancat menaxhuese të MKK-së. Kjo pritet të rezultojë edhe në statisfaksion më të mirë të anëtarëve të Këshillit Drejtues, menaxhmentit të MKK-së, posaçërisht në aspektin e aktiviteteve të përditshme dhe administrative në MKK”, ka theksuar Ministri Gashi pas nënshkrimit të Rregullores në fjalë. / KultPlus.com

Ministri Gashi uron që Kosova të mos kthehet pa çmim nga Berlinale

Në zyrat e reja të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të hapura në Prizren, ministri Kujtim Gshi ka pritur sot në takim regjisorin e filmit “Në mes” Samir Karahoda dhe producentin Eroll Bilibani, film ky i cili do të jetë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘Berlinale’.

“Është një arritje dhe sukses i jashtëzakonshëm i Kosovës që të marrë pjesë me një projekt filmik në një festival prestigjioz siç është ‘Berlinale’ dhe si MKRS jemi shumë të lumtur që kemi përkrahur këtë film i cili do të na përfaqësojë si Kosovë dhe uroj që mos të kthehemi pa ndonjë çmim nga Gjermania.”, është shprehur Gashi.

MKRS-ja ka rritur 100% buxhetin për Qendrën Kinematografike të Kosovës i cili është institucioni kryesor në vendin tonë i cili përkrah prodhimin e filmit në Kosovë.

Me pjesëmarrjen e filmave që janë krijim dhe prodhim i Kosovës nëpër festivalet më prestigjioze në botë, fakton se artistët nga Kosova kanë potencial dhe tashmë është ndërtuar një traditë cilësore në fushën e filmit tek ne. /KultPlus.com

Ministri Gashi: Viti 2019 do të jetë vit i stabilitetit dhe funksionalitetit të teatrove të qyteteve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka takuar sot grupin punues për hartimin e Ligjit për teatrot, me të cilët ka diskutuar për rrjedhën e procesit, përmbajtjen që do të ketë ligji dhe si do të ndikojë ai në përmirësimin e funksionimit të teatrove nëpër qytetet e Kosovës dhe në avancimin e jetës kulturore në përgjithësi.

Ministri Gashi ka ofruar mbështetje të plotë për grupin punues në hartimin e ligjit. Ministri u shpreh se pret nga grupi një punë intensive për përgatitjen e një ligji i cili do të funksionalizojë teatrot e qyteteve. “Komunave t’i mundësohet ndarja e mjeteve të nevojshme për teatrot e tyre si dhe të angazhohen aktorët e qyteteve në këto teatro”, tha ministri.

“Me këtë ligj fuqizohen teatrot nëpër qytetet e Republikës së Kosovës si dhe do të ketë një angazhim më të madh të aktorëve të qyteteve përkatëse nëpër këto institucione të kulturës”, vlerësoi ministri.

Ministri konsideroi se viti 2019 do të jetë viti i kthesës së madhe për teatro, institucione të cilat nuk kanë pasur trajtim dhe mbështetje me dinjitet nga komunat e Kosovës.

Ndërkaq, grupi punues u shprehën se do të hartojnë një ligj i cili do të jetë një politikë e zbatueshme dhe që do të ndikojë në rritjen e aktiviteteve kulturore dhe ngritjen e vlerave të mirëfillta. /KultPlus.com

Themelimi i Shkollës së Baletit e nevojshme për të siguruar të ardhmen e baletit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i ka shkruar letër Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqri Bytyqi, që të themelojë Shkollën Kombëtare të Baletit në Republikën e Kosovës.

Kërkesa për themelimin e kësaj shkolle ka ardhur si iniciativë duke e parë si interes kombëtar si dhe për faktin se nuk ka një shkollë të këtillë apo institucion arsimor ku bëhet shkollimi dhe përgatitja e kuadrit për trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Kosova, për momentin ka një trupë të vogël të Baletit në kuadër të Baletit Kombëtar të Kosovës, edhe pse shumë profesionale dhe që ka dëshmuar vetën në shumë shfaqje në Kosovë dhe në shumë qendra të Evropës me performanca artistike dhe profesionale, si dhe në shumë bashkëpunime ndërkombëtare”, është shprehur ministri Gashi në letrën e tij drejtuar ministrit Bytyqi, është e nevojshme të themelohet një institucion arsimor që përgatit kuadro që në një plan afatgjatë të sigurojnë të ardhmen e qëndrueshme dhe cilësore të baletit në vendin tonë.

“Duke marr parasysh që zhvillimi i kulturës dhe veprimtarisë së Baletit në Kosovë kërkon përgatitje profesionale, është shumë e nevojshme dhe në të njëjtën kohë e rëndësishme për vendin tonë të themelohet “Shkolla Kombëtare e Baletit” sipas standardeve ndërkombëtare, e cila do të do të përgatiste kuadro të reja për Baletin Kombëtar të Kosovës dhe për veprimtarinë e baletit në vendin tonë”, ka theksuar ministri Gashi.

“Në lidhje me strukturën dhe veprimtarinë e përgjithshme të shkollës mund të themelojmë një grup të përbashkët, i cili grup punues do të përgatiste në detale organogramin e shkollës si dhe veprimtarinë e saj, si model mund ta marrim shkollën Kombëtare të Baletit në Shqipëri”, ka shpjeguar ministri, me shpresën që kërkesa e tij të përkrahet nga ministri Bytyqi.

Ministri Kujtim Gashi ka vlerësuar se kjo shkollë do t’i sigurojë vendit tonë breza të ri të balerinëve të cilët do të jenë të përgatitur dhe shkolluar nga kuadro profesionale dhe që do t’i ndihmojë Baletit Kombëtar të Kosovës dhe veprimtarisë së baletit në përgjithësi. /KultPlus.com

Ministri i Kulturës u bën thirrje organeve të sigurisë ta ndalojnë Cecën të hyjë në Kosovë

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i kontaktuar nga Gazeta Express nëse Ceca ka marrë leje nga dikasteri që e udhëheq, për të mbajtur nesër koncert në veri të Mitrovicës, ka thënë se një gjë të tillë nuk është bërë nga këngëtarja dhe sipas tij, hyrja duhet t’i ndalohet.

Javë më parë Express ka raportuar se asnjë sportist nga Serbia nuk ka mundur të hyjë në Kosovë pa marrë leje nga federatat sportive të Kosovës. Ndërsa, fatin si të sportistëve mund ta ketë edhe këngëtarja e njohur serbe Ceca. Kujtim Gashi po bën thirrje te organet e sigurisë që ta ndalojnë hyrjen e saj.

“Ministria u bën thirrje doganave dhe policisë që të mos lejojnë hyrjen e këngëtarëve për të mbajtur koncerte të kësaj natyre”, tha Gashi.

Sidoqoftë, vetë Ceca ka deklaruar se ndihet e lumtur për koncertin e nesërm në veri. Koncerti pritet të jetë pjesë e protestave kundër taksës 100 për qind dhe në përkrahje të serbëve në Kosovë.

Ministri Gashi priti ministrin e Malit të Zi, Mehmed Zenka

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritete të Republikës së Malit të Zi, Mehmed Zenka, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunim mes dy ministrive.

Ministri Zenka e ka falënderuar ministrin Gashi për pritjen dhe ka njoftuar ministrin për aktivitetet dhe punën që ministria që e udhëheq ai në Mal të Zi. Zenka u shpreh se ministria përkrah minoritetet në Mal të Zi përmes projekteve të shumta, me theks të kulturës e rinisë.

Ai tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me ministrin Gashi për të realizuar projekte të përbashkëta që janë të interesit të dyanshëm në mënyrë që të rritet shkëmbimi i përvojave të mira dhe i profesionistëve të fushave të ndryshme.

Ndërkaq, nga ana e tij, ministri Gashi, u shpreh se MKRS-ja është e gatshme që të bashkëpunojë dhe mbështesë projektet konkrete që janë me interes edhe për politikat e ministrisë tonë, por edhe që janë në favor qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe atyre të Republikës së Malit të Zi, pa përjashtim./ KultPlus.com

Ministri Gashi prezantoi të arriturat e MKRS-së para komisionit parlamentar

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot ka raportuar pranë Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, për periudhën Janar-Tetor 2018.

Ministri Gashi tha se Ministria përmes mekanizmave institucional e ligjor ka vazhduar me përmbushjen e objektivave të përcaktuara në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit duke krijuar mjedis mbështetës institucional për zhvillimin bashkëkohor të këtyre fushave, duke e promovuar identitetin kulturor, sportiv dhe rininë e Kosovës brenda dhe jashtë vendit. Përveç tjerash ai tha se: “Në fushën e kulturës janë realizuar premiera të shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Baletit Kombëtar, janë mbajtur koncerte artistike të Filarmonisë, të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”, ekspozita të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe të Galerisë së Ministrisë së Kulturës”. Ai po ashtu theksoi se “është rritur buxheti për Qendrën Kinematografike të Kosovës për mbështetjen e projekteve filmike nga 800 mijë euro në vitin 2017 në 1.4 milionë në vitin 2018, është përmirësuar infrastruktura ligjore në fushën e kulturës e më konkretisht aprovuar Rregullorja për Pagat dhe Gradat e Krijueseve, Performuesve dhe Punonjësve të Trashëgimisë Kulturore, me të cilën janë rritur pagat e këtyre kategorive 50%, është miratuar Rregullorja për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponzorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit me të cilën është zbatuar Ligji për sponzorizime në këto fusha, duke përmendur edhe pjesëmarrjen e suksesshme të Kosovës në festivale të ndryshme ndërkombëtare”.

“Një e arritur e veçantë dhe historike në sektorin kulturor dhe atë kreativ është nënshkrimi i Marrëveshjes mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për qasje në kuadër të programit evropian Evropa Kreative. Si dhe është aprovuar ligji për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Nexhmije Pagarusha ka marrë statusin për merita të veçanta në fushën e muzikës dhe i është ndarë shuma prej 500 euro në baza mujore”, theksoi ministri Gashi.

Në fushën e trashëgimisë ministri Gashi përmendi themelimin e Inspektorat të Trashëgimisë Kulturore dhe miratimin e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje te Përkohshme.

“Është në hartim e sipër Projektligji për Trashëgimi Kulturore, është përfunduar Udhëzimi për Shenjezimin e Trashëgimisë Kulturore dhe 4 Plane te Menaxhimit për asetet e mbrojtura. Në kuadrin e kërkimeve dhe hulumtive arkeologjike janë realizuar dhe janë në zbatim këto projekte: Parku arkeologjik “ Ulpiana “, Kalaja e Prizrenit, Kështjella e Harilaqit, Kalaja e Novobërdës, Kalaja e Dardanes, Kalaja e Keqekolles, Lokaliteti arkeologjik i Dersnikut dhe Kalaja e Marecit”, tha ministri Gashi. Ai po ashtu raportoi se: “Është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit me organizatën e “Integra” për monografinë e Nexhmie Pagarushës. Në kuadër të promovimit janë hapur ekspozita të ndryshme dhe janë ndarë çmime ne fushën e Trashëgimisë Kulturore”.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e rinisë ka vazhduar me avancimin e kornizës ligjore, është në përfundim e sipër strategjia për Rinisë 2018-2023, si dhe Ligji për Rininë. Në kuadër të mbështetjes së organizatave rinore janë mbështetur 134 projekte të organizatave rinore”, u shpreh ministri Gashi. Ai po ashtu tha se e arritur e veçantë në fushën e rinisë është krijimi i Fondit Rinor sikurse dhe mbështetja financiare për ndërtimin e Qendrës së edukimit jo-formal për rini me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës dhe janë ndërtuar objektet e qendrave rinore në Pejë dhe Vushtrri.

Ndërkaq për sa i përket fushë së sportit, ministri Gashi tha se janë ndërmarrë hapa për rregullimin e fushave te rëndësishme ligjore ne sport dhe janë nxjerrje aktet nënligjore sipas planit te paraparë, sikurse miratimi i Rregullorës për Kategorizimin e Sportistëve dhe të Trajnerëve, Rregullores për Kategorizimin e Sporteve, Rregullores për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponzorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Rregullores për organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative si dhe është duke u punuar në Ligjin e ri dhe Strategjinë e Sportit

“Gjithashtu e arritur e veçantë është edhe themelimi Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative”, theksoi Gashi.

Përveç tjerash, ai tha se: “Është mbështetur financiarisht Komiteti Olimpik i Kosovës, Federatat Sportive, si dhe organizatat tjera sportive”.

Ministri Kujtim Gashi raportoi edhe për fushën e të drejtave të autorit, duke thënë se: “Është bërë trajnimi i grupeve të ndryshme të interesit, përfshirë gjyqtarët, prokurorët, policët, ndërmjetësit për të drejtën e autori dhe avokatët. Ka vazhduar koordinimi i veprimeve kundër Piraterisë që kanë rezultuar me sekuestrimin e 1670 kopjeve të materialeve pirate, për herë të parë në Kosovë janë nënshkruar tarifat për shfrytëzimin e muzikës nga ana e transmetuesve radio-televiziv, nga të cilat tarifa autorët dhe krijuesit do të sigurojnë të kompensohen dhe sigurojnë të ardhura”.

Në fund ministri Gashi tha se sfidat që mbeten për të ardhmen janë “Bllokimi i llogarive rrjedhëse të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, mungesa e nënkodeve për institucionet vartëse dhe buxheti i vogël i MKRS-së. /KultPlus.com

MKRS-ja miraton dy rregullore në mbrojtje të krijuesve

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 73-të të saj ka miratuar Rregulloren për të Drejtat e Kompensimit të Veçantë dhe Reprografik.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,Kujtim Gashi gjatë prezantimit të rregullores deklaroi se miratimi i saj është një vendim historik për autorët.

“Me këtë rregullore krijohet edhe një sistem për mbrojtjen e të drejtave të autorit,” tha ministri Gashi në mbledhjen e qeverisë.Ministri Gashi para kabinetit qeveritar prezantoi edhe projektrregulloren për ndryshim plotësimin e rregullores për ndërmjetësimin në Fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta në MKRS, shkruan ekonomiaonline.

“Miratimi i kësaj rregullore është një nga masat që duhet plotësuar për tu integruar në BE,” tha Gashi./Kultplus.com

Kujtim Gashi: Pjesëmarrja e Kosovës në programin Evropa Kreative ka rëndësi të veçantë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në takimin e radhës të Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi. Ai, para Komisionit Parlamentar, u shpreh se pjesëmarrja e Kosovës në programin Evropa Kreative është me rëndësi të veçantë për mbështetje të sektorit kulturor .

Në këtë takim, ministri Gashi propozoi aprovimin e Projektligjit nr. 06/L-102 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative.

Marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative është nënshkruar më 05 qershor 2018 me Komisionerin Evropian për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Rini, Tibor Navracsis. Ministri njoftoi se e njëjta është proceduar për aprovim në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe është aprovuar në mbledhjen e datës 31 Korrik 2018.

Ministri Gashi foli për përmbajtjen dhe rëndësinë e aprovimit të këtij projektligji. Ai tha se pjesëmarrja e Kosovës në kuadër të këtij programi është me rëndësi të veçantë, pasi që mbështetja për sektorin kulturor dhe audiovizual nga programi është në përputhje dhe me politikat prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës e në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Programi Evropa Kreative kontribuon ndër të tjera dhe në ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor, në nxitjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përshtatjen e sektorëve kulturorë dhe kreativ me epokën digjitale si dhe në krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës”, tha po ashtu ministri Gashi.

Ai vlerësoi se ky program do të kontribuojë në promovimin e aktiviteteve në sektorin kulturor përmes projekteve të bashkëpunimit. Si rezultat, pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve

Gjithashtu, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, theksoi se pjesëmarrja në kuadër të programit në fjalë do të kontribuojë njëkohësisht në forcimin e kapaciteteve në sektorin kulturor dhe krijues duke promovuar lëvizjen e veprave dhe platformave kulturore dhe duke përmirësuar aksesin në veprat kulturore dhe në forcimin e inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës. Gjithashtu do të ketë gjithashtu një ndikim të veçantë në bashkëpunimin që ka për qëllim rritjen e inovacionit, mobilitetin ndër-vendor dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.

Ministri foli edhe rreth angazhimit të Ministrisë në themelimin e deskut Evropa Kreative Kosovë-Zyra Kulturë që ka si mandat ofrimin e informatave dhe promovimin e programit, asistimin e sektorëve kulturorë dhe kreativ.
Ndërkaq për sa i përket kostos vjetore financiare që Kosova duhet t’i paguajë Buxhetit të Përgjithshëm të Bashkimit Evropian për të marrë pjesë në Nën-programin e Kulturës dhe në Fushat Ndër-sektoriale, ministri njoftoi se do të jetë 35,000 euro. Sipas tij këtë shumë financiare Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka paraparë në buxhetin e saj dhe e njëjta do ti procedohet BE-së sipas Marrëveshjes./ KultPlus.com

Ministri Gashi uron artistët, u rritet paga për 50%

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi sot ka uruar të gjithë krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe punonjësit profesional të trashëgimisë kulturore të cilët nga tani e tutje do të ju rritet paga në vlerë prej 50 %. Ai përmes postimit ka thënë se është miratuar plotësim-ndryshimi i rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.


Më poshtë ju sjellim postimin e plotë të ministrit Gashi.

URIME TË GJITHË KRIJUESVE, PERFORMUESVE DHE PUNONJËSVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE!

Dua të uroj dhe informoj të gjithë krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe punonjësit profesional të trashëgimisë kulturore se pas propozimit tim në mbledhjen e Qeverisë, u miratua plotësim-ndryshimi i rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore.

Përmes këtij akti do të rritet paga në vlerë prej 50% për këto kategori dhe do të përmbyllet procesi i punës së përbashkët i të gjithë akterëve që jemi përfshirë, MKRS-ja dhe palët tjera që preken nga kjo rritje.

Dua të falënderoj të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë pasur mirëkuptimin e durimin që të arrihet deri tek ky sukses i yni i përbashkët.

Po ashtu, i bëj thirrje të gjithë grevistëve ta ndërpresin grevën dhe t’i kthehen punës dhe angazhimit të tyre nëpër institucionet përkatëse.

Ka qenë premtim i imi si ministër se kjo rregullore do të finalizohet në të mirë të kategorive në fjalë dhe ky premtim u realizua.

Gashi: Mbështetja e shtetit gjerman jetike për Kosovën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim Kestrin Zielosko-Labonte, zyrtare e lartë në Ministrinë për Kulturë dhe Sport të Republikës së Baden-Württembergut të Gjermanisë, njëherësh edhe koordinatore e projekteve për fushën e arsimit Gjermani-Kosovë e zëvendëspresidentit evropian, Reiner Welan.

Ministri Gashi falënderoi zyrtaren dhe përmes saj, qeverinë gjermane, për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria dhe populli gjerman kanë dhënë dhe po japin për shtetin e Kosovës në të gjitha fazat shtetndërtuese.

Ndër të tjera ministri Gashi e njoftoi zyrtaren gjermane për punët dhe angazhimet e tij në fushën e zhvillimit të kulturës, si dhe hapat që janë ndërmarrë nga ana e MKRS-së, për realizimin e shumë projekteve kapitale, me theks të veçantë për ndërtimin e ndërtesës së Operës dhe Baletit si një nevojë e kamotshme e komunitetit artistik në Republikën e Kosovës.

Ministri Gashi shprehu gatishmërinë e tij që të intensifikohen marrëdhëniet me dikastere të veçanta brenda Bundestagut Gjerman në rrafshin kulturor dhe në fushën e trashëgimisë kulturore.

Zyrtarja gjermane falënderoi ministrin Gashi për pritjen, duke vlerësuar lartë të arriturat që ka shënuar Republika e Kosovës në fushën e kulturës, veçanërisht në arritjen e nënshkrimit të marrëveshjes në programin “Evropa Kreative”.

Ajo u shpreh se bashkëpunimi bilateral do të intensifikohet./KultPlus.com

Reagon Gashi: Me heqjen e flamurit, Spanja tentoi ta dëmtojë suksesin e sportistëve kosovarë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, e ka quajtur veprim jo të mirë dhe ndërhyrje politike të Spanjës, heqjen e flamurit të Kosovës nga faqja zyrtare e Lojërave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahen në shtetin spanjoll.

Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”, ndërsa Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi në një prononcim për Ekonomia Online, ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë veprim, i cili sipas tij, ka ardhur si pasojë e presionit të shtetit të Spanjës.

“Është një veprim jo i mirë i shtetit spanjoll sepse sporti nuk njeh kufi e as politikë. Nëse ka pasur kërkesë nga Qeveria, kjo tregon që në Spanjë ka ndërhyrje politike në aktivitete sportive dhe është për keqardhje. Me gjasë ditën e fundit ka pasur një presion politik atje nga shteti i Spanjës për të hequr flamurin nga ekranet”, është shprehu ai.

Mirëpo sipas tij ajo që është me rëndësi është fakti se Kosova ka marrë pjesë si shtet, me të gjitha simbolet e veta.

Ekonomia Online njofton se në fillim flamuri i Kosovës ka qenë prezent në faqen ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, por ai është larguar një ditë pasi xhudistet kosovare Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin fituar medaljet e arta.

Me këtë veprim sipas Gashit, Spanja ka dashur që të prishë rezultatet e arritura nga sportistët kosovarë, të cilët atë e kanë impresionuar me paraqitjet e tyre.

“Përndryshe, jam jashtëzakonisht i impresionuar me atë se si sportistët dhe shteti ynë është paraqitur në Spanjë me të gjitha simbolet dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ata kanë dashur ta prishin gjithë atë aktivitet të madh dhe gjithë ato rezultate që kanë sjellë sportistët tanë” tha ai.

Ministri i Kulturës ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra. Ai ka theksuar se Kosova është trajtuar si shtet dhe është paraqitur me të gjitha simbolet e saj, derisa kur janë fituar medaljet është intonuar edhe himni shtetëror. Sipas tij, Komiteti dhe sportistët janë trajtuar jashtëzakonisht mirë.

“Por, ajo ndodh, është një incident i vogël që ka mundur të ndodhë me heqjen e flamurit nga ekranet ditën e fundit, është një gjest jo i mirë dhe një ndërhyrje politike e shtetit të Spanjës në zhvillimin e sportit”, tha ai.

Meqë Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, ministri ka deklaruar se nuk kanë komunikim zyrtar me autoritetet atje për të kuptuar arsyen e heqjes së flamurit, raporton EO.
Por, ai ka shtuar se KOK-u ka kontaktuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë të Spanjës, dhe sipas tij së shpejti pritet të vijnë informacione rreth këtij veprimi./KultPlus.com

Gashi: Epoka e Gjergj Kastriotit ishte dhe është histori e mbijetesës, e luftërave për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve

Me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakulteti i Edukimit dhe Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kanë organizuar manifestimin “Ditët e Skënderbeut”.

Në këtë manifestim të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili fillimisht foli rreth historisë dhe studimit të ngjarjeve duke theksuar se “kthimin për studim të ngjarjeve, historive të cilat me shekuj janë prapa nesh, e bëjmë jo për simbolikë por për ta njohur të kaluar”.

“Historia e jonë kombëtare, në djepin e të cilës u lindë krenaria, pavarësia e kombit, në veçanti i njeh katër data fatbardha: vitin 1444 kur Gjergj Kastrioti mblodhi në Lezhë Kuvendin e prijësve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, vitin 1878, katërqind vjet pas , kur në Prizrenin historik, Abdyl Frashëri tuboi krerët e mbarë Shqipërisë, vitin 1912 kur lindi shteti shqiptar, Shqipëria dhe vitin 2008, kur u shpall shteti i pavarur i Republikës së Kosovës”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu shtoi se “historia jonë edhe nga Epoka e Gjergj Kastriotit ishte dhe është histori e mbijetesës, e luftërave për ruajtjen e identitetit kombëtar, për ruajtjen e territoreve të hapësirës jetike shqiptare, për faktorizimin e elementit shqiptar. Gjithsesi, edhe për faktin se, për ne shqiptarët, historia e qytetërimeve nuk ishte aq e mëshirshme, aq miqësore, ne u detyruam që, rrugën e mbijetesë sonë ta hapim edhe me fuqinë e shpatës dhe të plumbit. Jo se ashtu deshëm, por, ngase sunduesit, veçmas ata sllavë në vend të paqes e të mirë fqinjësisë, na imponuan luftëra. Kështu rrodhi historia e jonë kombëtare, sikur lumi i madh i epokave që rrjedh pa u ndalur, pra, nga Epoka skenderbegiane, deri te Epoka e UÇK-së së lavdishme me kryekomandantin Adem Jasharin”.

Në fund të fjalës së tij ministri Kujtim Gashi foli për rrugët e integrimeve euro-atlantike.

“Ne, pasardhësit e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Nënë Terezës, Adem Jasharit, jemi përballë thirrjeve të qytetërimeve të reja. Sërish, me emblemën skenderbegiane, po trokasim në portat e Evropës së Bashkuar, në djepin e kulturës, aty ku janë gjurmët, rrënjët tona, qytetërimi dhe historia shqiptare”, përfundoi ministri Gashi.

Ndërkaq rektori Dema, tha “kemi tentuar që frymën kastriotiane ta rijetojmë duke vendosur interesin e përgjithshëm para interesit personal, ashtu siç ka bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe kur Universiteti i Prishtinës është mirë atëherë edhe Kosova është mirë”./ KultPlus.com

Probleme me ujëra në institucionet kulturore, ministri Gashi në inspektim

Alberina Haxhijaj

Ministri i Kulturës Kujtim Gashi sot ka vizituar Teatrin Kombëtar dhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Nga këto institucione ai është prononcuar se ministria do të realizojë projektet të cilat do të hyjnë në buxhetin e ministrisë duke bërë kështu që këto institucione të mos përballen me problemet të cilat i kanë sivjet edhe vitin e ardhshëm, shkruan KultPlus.

Teatri Kombëtar i Kosovës ditë më parë ka pasur probleme me kanalizimin ku nga bllokimi i kanalizimit afër teatrit, ujërat e zeza janë kthyer brenda hapësirave të vet këtij institucioni. Në anën tjetër problem me ujin ka edhe Biblioteka Kombëtare. Hapësirat e Bibliotekës e sidomos katet nën tokë mbushen me ujë kur ka reshje shiu. Po ashtu lagështia e cila krijohet në këto hapësira paraqet rrezik edhe për dëmtim të ekzemplarëve që gjenden aty.

Ministri i Kulturës me të arritur në Bibliotekën Kombëtare është shoqëruar nga drejtori i Bibliotekës Fazli Gajraku në katin minus 2, ku gjatë shirave hynë uji dhe ekzemplarët por edhe hapësira atje pësojnë dëmtime. Drejtori i Bibliotekës Fazli Gajraku sqaroi procedurat të cilat i ndërmarrin për largimin ujit dhe sqaroi për dëmtimet të cilat i pësojnë koleksionet e çmueshme të cilat ruhen në ato hapësira.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi pas takimit me bordin drejtues u shpreh se intervenimi në sanimin e problemeve të tilla si kanalizimi në Teatrin Kombëtar dhe vërshimet e ujit në Bibliotekën Kombëtare do të jenë prioritet i kabinetit të tij.

“Kjo vizitë është në vazhdën e vizitave për shkak të problemeve të ujit. Ne biseduam me menaxhmentin për intervenimet që do ti bëjmë gjatë vitit 2018. Ky objekt nuk ka as kanalizim dhe as sistem për mbrojtje nga lagështia. Ne po punojmë në rishikimin e buxhetit dhe jemi duke shikuar për të investuar në ruajtjen e të gjithë atyre ekzemplarëve”, tha ai duke shtuar se kjo ministri ka trashëguar probleme të mëdha të cilave po përpiqen të ju gjejnë zgjidhje.

“Nga ajo që pamë shihet që është intervenim i kushtueshëm dhe kemi të bëjmë me dy kate nën tokë, do të bëjmë një projekt të përbashkët, në qershor do të bëjmë planin konkret dhe dimri i ardhshëm do ta gjejë të rregulluar. Këto janë probleme nga mos intervenimi i ministrave të kaluar. Do të fokusohemi në intervenime urgjente siç është teatri dhe biblioteka. Po ashtu do të shikojmë sa mjete kemi në dispozicion dhe projekte të cilat nuk janë primare do të anashkalohen në mënyrë që të kemi mjete të mjaftueshme”, tha ai.

Fazli Gajraku drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha se është nevojë urgjentë rregullimi i hapësirave në mënyrë që të mos dëmtohen ekzemplarët.

“Mendoj që ky është lajmi më i mire që i jepet kulturës, pra intervenimin në Bibliotekë. Biblioteka i ka dy projekte që duhet të realizoj. Projekti i parë ka të bëjë me rregullimin e ngrohjes, problemit te kanalizimit dhe çështje tjera teknike. Ndërkaq Projekti i dytë është projekti i rinovimit të bibliotekës”, tha ai duke theksuar rendësin e paçmueshme që kanë ekzemplarët e bibliotekës për Kosovën dhe duke theksuar se pikërisht për këtë shkak, më shumë investime duhet që të bëhen në Bibliotekë./ KultPlus.com

Gjysmë shekulli jetë e institucionit kryesor të trashëgimisë në Prizren

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren (ish Instituti për Mbrojtje të Monumenteve) shënoi mbrëmë gjysmë shekulli jete që nga themelimi i këtij institucioni të trashëgimisë, përcjell KultPlus.

Në një ceremoni të organizuar në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në Prizren u shënua ky jubilar, ku u promovuan edhe katër botime të QRTK-së: “Zejet dhe Artizanatet e Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autores Shpresë Siqeca, “Gurët Mbivarrorë në Kompleksin e Teqesë Sinani në Prizren” të Media Fishekqiut, “Katalog me Eksponate nga Rajoni i Prizrenit” dhe “Katalog Araste Vice-Versa”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, me këtë rast u shpreh se është një kënaqësi e dyfishtë që po merr pjesë në shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në Prizren, apo siç është emërtuar në fillet e themelimit tij si Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren.

“E para për faktin se po e shënoni 50 vjetorin e themelimit të këtij institucioni të veçantë, ku për plotë pesë dekada jeni angazhuar në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë tonë të çmuar kulturore. E dyta, se nga ky ambient rikonfirmoj faktin se qyteti Prizrenit përveç se është bërë qendër universitare, nga viti ardhshëm do jetë edhe qendra apo selia e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit”, tha ministri Gashi.

Ministri foli për rëndësinë dhe kontributin që ka dhënë QRTK-ja në Prizren e cila ka bërë të mundur që vlerat e shumta e të pakontestueshme të kulturës materiale të krijuara pa ndërprerë, në këtë areal gjeografik të ruhen e të promovohen.

“Pasuria arkeologjike e rajonit të Prizrenit, asetet e shumta të trashëgimisë kulturore, dhe asaj shpirtërore, janë një thesar i çmuar, për të cilin ashtu siç mundi t’i ruajë toka me shekuj, duhet të mbetet obligim i yni që institucionalisht të përkujdesemi për to”, u shpreh ministri, duke e shprehur edhe mirënjohjen për stafin e vyeshëm dhe profesional të QRTK-së por edhe për të gjithë ata, që për dekada, me përkushtim dhanë kontribut të madh në këtë fushë.

“Njërin ndër personalitetet të cilin nuk mund të mos e përkujtojmë sot, është i ndjeri Muhamed Shukriu i cili tërë jetën ia kushtoi trashëgimisë kulturore. Andaj në përputhje me mandatin tim si Ministër me kënaqësi do i ndaj mirënjohjen për ‘Post Mortem’ për kontributin e dhënë në fushën e trashëgimisë kulturore këtij personalitetit të çmuar të vendit tonë”, theksoi për fund ministri Kujtim Gashi, duke i ndarë këtë çmim familjarëve të Shukriut.

Ministri u zotua se do të punojë për një përkrahje edhe më të madhe, për t’u mundësuar institucioneve të trashëgimisë kulturore ta avancojnë këtë fushë.

Kurse Jusuf Xhibo, u.d. drejtori i QRTK-Prizren, foli për historikun e QRTK-së, që nga themelimi në vitin 1967 e deri në sot, për sukseset dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar ky institucion./ KultPlus.com