Ministri Çeku: Sportin duhet ta bëjmë kulturë, fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të jetojnë me sport

Sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë gjithsej 335 mijë euro për mundësimin e qindra nxënësve në pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri, përcjell KultPlus.

Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku ka publikuar një postim në rrjetet soicale duke thënë se të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport.

Sot zotuam mbështetjen e radhës për sportin shkollor në Kosovë. Bashkë me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, zëvendës Ministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, Rektorin e Universitetin të Prishtinës, Naser Sahiti, Dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor, Adrian Telaku nënshkruam marrëveshjen në vlerë 335 mijë Euro që u mundëson qindra nxënësve pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri.

Së fundmi kemi zotuar mjete në vlerë prej 100 mijë eurove për Federatën e Sportit Shkollor për organizimin e garave sportive në shkollat fillore të Kosovës. Gjithashtu, me 100 mijë Euro po mbështesim Federatën e Sporteve Universitare për organizimin e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll gjatë vitit 2022.

Të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport. Qeveria jonë po punon intensivisht dhe po vepron konkretisht për të arritur këtë synim. Duke e masovizuar sportin shkollor e universitar, ne zbulojmë talentë, parandalojmë devijime, mbrojmë shëndetin. Gjatë mandatit tonë, krahas rritjes së mbështetjes për sportin shkollor dhe universitar, po punojmë edhe në përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshi hapësirat sportive të shkollave. Bashkëpunimi i ngushtë mes Ministrisë së Sportit dhe Ministrisë së Arsimit, bashkë edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës, federatat sportive dhe komunat është parakusht i suksesit.

Sportin duhet ta bëjmë kulturë, fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të jetojnë me sport“, thuhet në statusin e tij. / KultPlus.com

Çeku në ditën e vullnetarizmit ndanë mirënjohje për disa vullnetarë

Më 5 dhjetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, e derisa në Kosovë kjo ditë është shënuar me disa aktivitete, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një njoftimi në “Facebook” ka shkruar se dita e sotme ka qenë me shumë pozitivitet.

“Sot së bashku me UNICEF, UNVolunteers dhe shumë të rinj shënuam Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Puna vullnetare sjell shumë dobi për çdo shoqëri dhe komunitet, por edhe për personat që angazhohen”, shkroi Çeku.

Tutje, ministri gjithashtu shtoi se rëndësia e qytetarisë aktive dhe vullentarizmi kanë qenë shumë të pranishëm gjatë periudhës kur vendi po përballej me shumë sfida nga pandemia COVID-19.

“Prandaj ne si Ministri e Rinisë po bëjmë më të mirën të krijojmë një mjedis mbështetës për ta, me politikat dhe programet tona për vullnetarizmin dhe njohen e punës vullnetare. Në aktivitetin e sotëm u ndamë mirënjohje vullnetarëve Sara Sadiku, Erona Osmani, Arida Spahija, Hana Ahmeti dhe Gazzali Makasqi, të cilët i përgëzoj për angazhimin e tyre”, shkroi ai.

Për ta bërë bërë më të lehtë njohjen mes vullnetarëve dhe organizatave, Kosova me UNICEF kemi krijuar platformën e parë të takimit mes këtyre dy palëve kosovovolunteers.org, platformë kjo e cila tashmë po funksionon shumë mirë. /KultPlus.com

May be an image of 3 people, indoor and text that says 'KOS OVO VOLUNTEERS'
May be an image of ‎1 person, standing and ‎text that says '‎****** Republika Kosoves Republika Kosova-Republic Kosovo -Vlada- Government Ministria Kultures, Sportit Ministarstvo Kulture, Omladine: Sporta Ministry Culture, Youth Sport Reput Republik Departamenti Rinise Departman Mladih Department of Youth Ministri Ministan Minish ලම්م‎'‎‎

Nënshkruhen shtatë marrëveshje në kulturë e trashëgimi mes Kosovës dhe Shqipërisë

Ngjarja e përvitshme tradicionale – mbledhja e Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë – u mbajt sot në Elbasan, kur edhe u mbledhën krerët e të dyja shteteve, shkruan KultPlus.

Sesionin e mbledhjes së përbashkët e hapën me fjalët e tyre kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama duke ua lënë vendin anëtarëve të kabineteve që të parashtrojnë marrëveshjet që do të nënshkruhen nga ministritë përkatëse.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shpalosi marrëveshjet që do të nënshkruajë ministria dhe institucionet qendrore të kulturës.

Kalendari i Përbashkët Kulturor Vjetor, Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e Trashëgimisë kulturore dhe muzeve; Protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia; janë marrëveshjet që do të nënshkruhen në fushën e kulturës e të trashëgimisë; si dhe Marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.

Ministrat Hajrulla Çeku dhe Elva Margariti nënshkruan Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë.

Kalendari, ndër të tjera, parasheh edhe Menaxhimin Kulturor dhe shkëmbimin e artistëve në fushat e ndryshme kulturore dhe atë të trashëgimisë.

Në fushën e bibliotekave parashihet Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë, konferenca shkencore për shënimin e 40–vjetorit të ndarjes nga jeta të Branko Merxhanit, 400–vjetorit të vdekjes së Pjetër Budit, 50-vjetorit të vdekjes së Krist Malokit.

Në fushën e filmit parashihet pjesëmarrje e përbashkët në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, në Festivalin e Kanës me shtand të përbashkët të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kinematografike Kombëtare, si dhe bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit.

Në bashkëpunimin mes teatrove, ansambleve dhe baleteve, parashihet realizimi i shfaqjeve “Carmina Burana”, në Tiranë, realizimi i shfaqjes “Monger” në Prishtinë, pastaj shfaqja e përbashkët “Gjerdani i Artë” midis Ansamblit Popullor dhe Ansamblit “Shota” në nderim të artisteve Nexhmije Pagarusha dhe Fitnete Rexha. Po ashtu, parashihen aktivitete në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” si dhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në Tiranë. Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë qershorit të vitit të ardhshëm do të paraqitet me shfaqje në Tiranë.

Sipas këtij kalendari, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku Muzeu Kombëtar do të realizojë dy ekspozita në Muzeun Kombëtar të Kosovës, do të botohet një katalog i përbashkët i dy muzeve “Arkeologjia e Shqipërisë dhe e Kosovës” si dhe do të realizohet punëtoria “Muzeu i komunitetit – Programet Edukative në Muzeun Historik Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës”. Po ashtu, do të realizohen vizitat dhe ekspozitat e përbashkëta në Berat si dhe koncerti me muzikë tradicionale popullore me artistë nga Vlora dhe Prizreni.

Ndërkaq, në Butrint, në dhjetor të vitit 2022 kur pritet të regjistrohet në listën e UNESCO-s, do të ketë aktivitete, konferenca e ekspozita të përbashkëta.

Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjilanit do të realizojnë ekspozita në Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër e Korçë. Edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës do të ketë 4 aktivitete në Muzeun Kombëtar në Tiranë, me organizimin e ekspozitave dhe programeve edukative.

Bashkëpunim parashihet edhe për programin e Evropës Kreative dhe për të Drejtat e Autorit.

Përpos kalendarit të përbashkët kulturor, ministrat Hajrulla Çeku e Elva Margariti kanë nënshkruar Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, e cila parasheh zhvillimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ndërsa ditën e nesërme pritet të nënshkruhen Protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; si dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia.

Bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë përmes një kalendari të përbashkët ka filluar në vitin 2014 kur është nënshkruar për herë të parë një program i tillë. /KultPlus.com