Mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë është shfaqur dokumentari i i alpinistes së parë shqiptare që ka ngjitur Everestin, Uta Ibrahimi, “Ajo’Mal”.
Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, thuhet se ky dokumentar promovon jo vetëm bukuritë e maleve tona, por edhe rëndësinë e alpinizmit për transformim e sukses.
““Ajo’Mal” është një ftesë për të eksploruar, për të mbrojtur natyrën tonë dhe për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të bjeshkëve tona si destinacione, frymëzim dhe trashëgimi kulturore. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm kryeministri Albin Kurti, Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, si dhe përfaqësues të akredituar ndërkombëtar në Kosovë e qytetarë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në këtë ngjarje, kryeministri Kurti vlerësoi dokumentarin, ndërsa shprehu falënderime për Utën, e cila me çdo ngjitje dhe projekt sjell krenari për Kosovën dhe promovon fuqinë e grave dhe vajzave në arritjen e majave personale dhe profesionale./KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se Opera e Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës do të sjellin koncertin e radhës të mërkuren, me datë 6 nëntor.
Në njoftim thuhet se programi përfshin vepra nga periudha barok deri tek ajo më romantike.
“Nën drejtimin e Frédéric Laroque, koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operës së Parisit dhe me pjesëmarrjen e fagotistit të njohur Laurent Lefèvre, në program do të interpretohen vepra nga Vivaldi, Mozart, Rossini dhe Bizet”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Koncerdi do të fillojë në ora 19:30 dhe do të mbahet në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë
U mbajt pardje dëgjesa e dytë publike nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e organizuar në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit.
Këto janë financuar nga projekti IPA “BE për Zhvillimin Ekonomik drejtuar nga turizmi, zhvillimi ekonomik dhe vendor, me fokus mbi Trashëgiminë Kulturore”, i cili zbatohet nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), Tiranë, nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky plan synon rritjen dhe ruajtjen, përdorimin dhe atraksionin e aseteve të trashëgimisë kulturore në qytetet antike të Bylysit dhe Klosit.
Në këtë dëgjesë të dytë, u diskutua mbi objektivat e menaxhimit dhe aktivitetet kryesore të propozuara, të tillë si: Ruajtja dhe Restaurimi i trashëgimisë kulturore; Përmirësimi i aksesueshmërisë, infrastrukturës civile dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë së pasurisë dhe trashëgimisë kulturore; Aktivitete të zhvillimit ekonomik lokal; Zbatimi i administrimit të vlerave të trashëgimive kulturore, etj./tema/KultPlus.com
Sot është nënshkruar marrëveshja mes MKRS-së dhe Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), e cila do t’u mundësoj të rinjve tanë që të pajisen me Kartën Rinore Evropiane. Kjo i bën ata të barabartë me 8 milion të rinj evropian të cilët tashmë posedojnë Kartën Rinore Evropiane, dhe përmbush kësisoj edhe një hap drejt integrimit evropian të vendit tonë.
Të rinjtë nën moshën 29 vjeçare do të mund të pajisen me kartën e cila do të jep qasje në mbi 60 mijë zbritje dhe përfitime tjera në shërbime të ndryshme si: transport, akomodim, kulturë, sport, arsim, produkte të ndryshme kudo në Evropë dhe në Kosovë.
Nënshkrimi i marrëveshjes u realizua sot, në kuadër të vizitës studimore dy-ditore të delegacionit të lartë të EYCA-s, në përbërje të Manel Sánchez – drejtor dhe Corina Pirvulescu, Pablo Guillerna, Julien Tate-Smith dhe Marilda Kotsoni. Nenshkrimi u bë nga u.d sekretari i MKRS, Xheladin Krasniqi dhe drejtori i EYCA, Manel Sánchez.
Delegacioni i EYCA-s po ashtu u prit në takim nga ministri Hajrulla Çeku, i cili u shpreh i lumtur për anëtarësimin e Kosovës në EYCA dhe vizitën e tyre në Kosovë ndërsa shprehu mbështetjen e plotë të MKRS në zbatim të këtij projekti.
Krerët e Shoqatës e vlerësuan mikpritjen dhe falënderuan ekipin e MKRS-së për punën e jashtëzakonshme e cila rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni i EYCA-së, organizuan sesione informimi dhe prezantimi për përfaqësuesit e ministrisë, në të cilat u diskutuan modalitetet e implementimit dhe pjesëmarrjes së të rinjve në mundësitë që ofron Karta Evropiane Rinore. /KultPlus.com
Në katedralen e Shën Palit në Tiranë u shfaq drama “Gjaku i martirëve të kombit”. Produksioni i kësaj drame është realizuar me mbështjetjen e Ministrisë së Kulturës, TKOB, Teatrit “Kujtim Spahivogli” si dhe nën kujdesin e Imzot Arjan Dodaj, Kryeipeshkëv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë – Durrës.
Drama “Gjaku i martirëve të kombit”, bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Zana Tako, prek temën e martirizimit të kombit shqiptar, sidomos të klerit katolik, i cili i dha këtij kombi 38 martirë gjatë periudhës së errët të diktaturës.
Drama shfaqet pikërisht në periudhën e Kreshmëve, në Katedralen e Shën Palit, aty ku Krishti kryebari, bekon popullin dhe mësuesit shpirtërorë, duke iu kujtuar amanetin e dashurisë dhe së vërtetës, si rrugë që vetë Krishti e ka shënjuar me gjakun e tij.
Në dramë interpretoi një kastë aktorësh të shquar, si Bujar Asqeriu, në rolin e protagonistit Padër Lazër, si edhe në rolet e malësorëve, aktorët e mirënjohur: Gëzim Rudi, Marjana Kondi, Erjon Hinaj, Alba Shtëmbari, Lindar Kaja, etj.
Ngjarjet e dramës zhvillohen në hetuesinë dhe burgun e qytetit të Shkodrës, djepin e qëndresës dhe të plagëve të popullit martir gjatë periudhës së diktaturës. Në skutat e errëta të hetuesisë dhe burgut, që përbëjnë skenat e ngjarjes, gjendet Padre Lazëri, malësori Gjin, e malësorë të tjerë si Kola, apo gruaja e Kolës.
Regjisor i dramës është Bajram Torba, muzika dhe efektet muzikore janë përgatitur nga kompozitori Artur Dhamo.
Sipas disa statistikave të Autoritetit të Dosjeve, numërohen rreth 360 klerikë të feve katolike, ortodokse, myslimane dhe asaj bektashiane, që janë pushkatuar e përndjekur nga regjimi komunist./atsh/KultPlus.com
Së fundmi filmi “Prishtina 2002” është prezantuar në festivalin prestigjioz Clermont-Ferrand në Francë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, MKRS bën të ditur se ky është një tjetër suskes i rëndësishëm i radhës për kinematografinë dhe filmin e shkurtër të Kosovës.
Postimi i plotë:
“Filmi “Prishtinë 2002” prezantohet në Clermont-Ferrand në Francë
Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002” me regjisore Trëndelinë Halili dhe producent Ermal Gërdovci, shfaqi premierën në festivalin e filmit të shkurtër Clermont-Ferrand në Francë, njërin prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të filmit të shkurtër në botë i kategorisë A, dhe i dyti në Francë pas festivalit të Kanës sa i përket audiencës.
Një sukses i rëndësishëm i radhës për kinematografinë dhe filmin tonë të shkurtë. Njëkohësisht edhe dëshmi për nivelin dhe kulturën e arritur nga kineastët tanë në tregimin e copëzave të jetës përmes mediumit të kinemasë.
“Prishtinë 2002” u shfaq në ekranet franceze në kuadër të edicionit të 45-të të festivalit, i cili ka nisur më 27 janar dhe do të vazhdojë deri më 4 shkurt 2023.
Realizimi i filmit është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, dhe prodhuar nga shtëpia e filmit Kandërr”, thuhet në postimin e MKRS-së. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se është inauguruar fillimi i restaurimit të ndërtesës ku do të funksionojë Qendra Kulturore Hebraike në Kosovë, shkruan KultPlus.
Filluan punimet restauruese në ndërtesën e Qendrës Kulturore Hebraike, projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës.
Në Prizren për të inauguruar këto punime sot ishin Ministri Hajrulla Çeku, ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv, ambasadori gjerman, Joern Rohde, shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Michael Davenport, zëvendësambasadorja e SHBA, Alyson Grunder, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.
Qendra Kulturore Hebraike do të vendoset në ndërtesën e ish Hotel Shumadija, aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.
Projekti i revitalizimit është hartuar nga Komuniteti Hebraik në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. Paralelisht me ndërhyrjet revitalizuese, jemi në koordinim me Komunitetin Hebraik në Kosovë dhe shtetin e Izraelit, për të ndërmarrë hapat për zhvillimin e projektit të hulumtimit për ndërtimin e narrativës së ekspozitës mbi historinë e Komunitetit Hebraik në Kosovë, ekspozitë kjo e cila do të prezantohet në hapësirat e kësaj Qendre. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë bashkojnë forcat për të fuqizuar të rinjtë përmes mjeteve digjitale
Në një ceremoni të mbajtur sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, i dorëzoi ministrit të Rinisë Hajrulla Çeku, Platformën Rinore të Kosovës, një mjet dixhital inovativ që u mundëson të rinjve të kenë qasje në mundësitë e arsimimit, punësimit dhe angazhimit qytetar.
Kjo platformë e cila është e para e këtij lloji në Kosovë është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet OSBE, MKRS-së dhe OJQ-së “LENS”.
“Kosovoyouth.com, është platformë me informacione dhe shpallje mbi mundësitë e fundit për arsimim, punësim dhe angazhim qytetar për të rinjtë e Republikës së Kosovës. Kjo platformë është e paraparë në programin e Qeverisë dhe planin operacional të Ministrisë, dhe falë punës profesionale të OSBE-së dhe NGO Lensit është aktive qe një vit. Lansimi i saj u bë si pjesë e Muajit të Rinisë të organizuar nga Ministria vitin e kaluar, dhe pas një viti menaxhim, testim dhe avancim nga ana e OSBE-së dhe NGO Lensit, Ministria e Rinisë është e gatshme që ta pranojë platformën, t’i rris kapacitetet për menaxhimin e saj dhe ta inkuadrojë në punën ditore të Departamentit të Rinisë” tha ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, duke falenderuar po ashtu OSBE-në dhe Ngo Lens për punën e deri tanishme.
Ndërsa ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë tha që kjo platformë do të ju lehtësoj qasjen në punë dhe arsim të rinjve të vendit.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se interneti dhe teknologjia kanë ndryshuar shumë mënyrën se si punëkërkuesit kërkojnë mundësi punësimi dhe se si punëdhënësit i identifikojnë punonjësit; ata tani i drejtohen platformave online me një ndalesë për të gjetur mundësi angazhimi. Platforma Kosovare Rinore lehtëson qasjen në mundësitë relevante arsimore dhe të lidhura me punën, duke e bërë atë një mjet të përsosur për rritjen individuale dhe profesionale të të rinjve” shtoi ai.
Platforma është në dispozicion në të gjitha gjuhët zyrtare dhe mund të jetë e qasshme këtu: https://kosovoyouth.com//KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2022 renditë ndër prioritetet programore fuqizimin e rolit të skenës së pavarur kulturore në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike, rritjen e cilësisë së krijimtarisë artistike, identifikimin dhe mbështetjen e talentëve të rinj, aktivizimin e të rinjve në vendimmarrje dhe aktivitete të fushës së artit dhe trashëgimisë kulturore, rrjetëzimin dhe promovimin e produktit vendor kulturor si produkt konkurrues në tregun ndërkombëtar të industrisë kreative.
Tashmë është hapur thirrja e radhës për mbështetje për OJQ dhe Individë e cila është e ndarë në dy kategori:
Projektet dhe ngjarjet në fushat e artit dhe trashëgimisë kulturore dhe
Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj
Bashkangjitur gjeni linkun e thirrjes që përmban të gjitha detajet e aplikimit: KËTU/KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë që ai drejton, Universitetit të Prishtinës, Ambsadës së Francës në Kosovës dhe Shkollës së Lartë Normale, Universiteti i Parisit, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka thënë se lokaliteti arkeologjik, Ulpiana, do të përfitojë mbështetje profesionale për kërkime arkeologjike.
Postimi i plotë:
“Sot nënshkruam vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Shkollës së Lartë Normale, Universiteti i Parisit.
Lokaliteti arkeologjik Ulpiana do të përfitojë mbështetje profesionale për kërkime arkeologjike, duke thelluar edhe shkëmbimin profesional me shtetin francez. Me marrëveshjen e sotme hapet rrugë për zbatimin e programit të mbështetjes financiare IPA II të Bashkimit Evropian, ku në periudhën tre vjeçare do të investohen një milion euro.
Vazhdojmë me përkushtim dhe jemi drejt finalizimit të Planit të Menaxhimit për Lokalitetin arkeologjik Ulpiana si dokument strategjik për krijimin e kushteve të qëndrueshme për mbrojtjen dhe promovimin e këtij aseti të trashëgimisë kulturore.
Jemi duke aktivizuar të gjitha kapacitetet shtetërore për të siguruar mbështetje profesionale dhe financiare që do të mundësojnë mbrojtjen dhe promovimin e këtij lokaliteti me rëndësi të jashtëzakonshme universale”, thuhet në postim. /KultPlus.com
Të punosh vepra arti është gjë shumë e vështirë, e të kesh një kohë të limituar për ta bërë një gjë të tillë, shpesh herë është edhe e pamundur. Megjithatë, ekspozita e sivjetme e Kosovës “The Monumentality of the Everyday” nga artisti Jakup Ferri në Bienalen e Artit 2022, u paraqit me shumë sukses dhe madje u mirëprit shumë mirë nga gjithë vizitorët aty, duke u përshkruar si diçka që frymëzon lumturi, optimizëm dhe shpresë, shkruan KultPlus.
Mënyra e vetme dhe vendi i vetëm për të marrë një kopje falas të librit “The Monumentality of the Everyday” ishte pikërisht sot në Kino Armata, kur edhe ekipi i Kosovës në Pavijonin e Venedikut u mbledhën bashkë për të ndarë mes tjerash përvojën e tyre në këtë Bienale.
Ekspozita e kuruar nga Inke Arns është një instalim i veprave të Jakup Ferrit, si piktura, qëndisje dhe qilima, të cilat i gjeni të prezantuara në librin e ekspozitës të dizajnuar nga Diellza Veliqi dhe Lira Gjikolli.
E para për të marrë fjalën ishte komisionerja e pavijonit, Alisa Gojani, e cila hapi edhe këtë ngjarje dhe pati disa falënderime për ekipin që e bënë të mundur realizimin me shumë sukses të kësaj ekspozite.
“Ne besojmë se kjo është një mënyrë shumë e mirë për të paraqitur punën tonë dhe atë se çfarë kemi bërë në Bienale. Ne kemi këtu zyrtarë nga Ministria e Kulturës, zyrtarë nga Qeveria dhe gjithashtu edhe artdashës të tjerë të pranishëm, të cilët i falënderojmë shumë”, thotë ajo mes tjerash.
Liburn Jupolli – Këshilltari politik i Ministrit të Kulturës, u shpreh shumë krenar për të arriturat e Kosovës në kulturë këtë vit dhe jo vetëm.
“Kemi nderin që si Kosovë, si Ministri e Kulturës të prezentohemi këtë vit në Bienalen e Artit 2022 nga një artist shumë i veçantë siç është Jakup Ferri. Puna e tij e paraqet një pjesë shumë interesante dhe të veçantë nga pjesa e pas-luftës. Sot do të shohim këtë punë të ndërthurur në një libër, një ekip shumë, shumë punues që kanë bërë të mundur edhe realizimin e kësaj ekspozite. Dua të falënderoj gjithë njerëzit që prezantuan Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ministria e Kulturës qëndron mbrapa shumë aktiviteteve të ndryshme artistike e kulturore, siç është edhe “Manifesta 14″, e ky event le të jetë një monumentum tjetër i një viti kulturor këtu”, thotë ai.
Gojani edhe një herë tjetër, e ftoj me shumë kënaqësi kuratoren Anke Arns, për të ndarë përvoja të ndryshme rreth asaj se çfarë është biseduar, punuar e kaluar nëpër punimin e kësaj ekspozite.
Arns, rikujtoi fillimisht momentin kur edhe ka kontaktuar me Ferrin, ajo fillimisht hezitoi 3 sekonda kur ky i fundit i kërkoi që të jetë kurator i saj.
“Unë kam kontaktuar në dhjetor me Jakup Ferrin dhe më pas jemi pajtuar që të shkojmë bashkë. E kemi përgatitur konceptin dhe kemi hyrë në garë. Ajo se çfarë e bën më interesant këtë rrugëtim është koha e limituar që kemi parë. Gjithçka që ju po shihni këtu, është ndërtuar nga janari në prill, pra, një periudhë e shkurtër kohore”, thotë ajo.
Kuratorja e Pavijonit të Kosovës vazhdon të tregojë edhe histori të tjera, derisa një prej më të veçantave është kur ka takuar një të huaj dhe ka pyetur për vendin.
“Në hapësirën e ndarë për ne, kishim vizitorë të shumtë, e një prej tyre më pyeti se cili shtet është ky? Unë nuk hezitova t’i tregoj që është Kosova dhe ai u habit kur e mësoi një gjë të tillë. E njihte Kosovën si shtet, por nuk ishte mësuar që të shihte gjëra me kaq shumë ngjyrë dhe kaq shumë shpresë në to”.
Siç njofton ajo, shumë njerëz erdhën për të parë nga afër pavijonin e Kosovës dhe ekspozitën e Jakup Ferrit, pasi u ndjen shumë rehat në të.
Arns e përshkroi si një rrugëtim fantastik prezantimin e Kosovës në Bienalen e Artit 2022, duke ftuar të pranishmit që të marrin nga një libër, kopja e vetme që jepet.
Koordinatori i Pavijonit të Kosovës, Engjëll Berisha, ka thënë për KultPlus që një prej pikave kryesore të një Pavijonit është gjithmonë edhe katallogu që bëhet.
“Ka dalë një katallog tepër i bukur dhe kemi dashtë që t’i shpërndajmë edhe këtu librat, pasi kemi pasur dëshirë që shumë njerëz të marrin nga një kopje. Është një periudhë shumë e shkurtër që realizohet puna dhe përzgjedhja e ekipit zakonisht bëhet nga vetë artisti”, njofton Berisha.
Ai gjithashtu ndanë edhe përvoja nga turistët që kanë vizituar Pavijonin e Kosovës aty.
“E kemi pa shumë të veçantë pjesën ku një numër i madh i njerëzve vijnë me u relaksu, me u shtri pak e kështu me radhë. Si diçka që ndodhë rrallë, njerëzit që kanë ardhur aty, e kanë komentuar ekspozitën si shumë pozitive dhe që po i bën të ndjehen më mirë”, shprehet Berisha.
Ndërkaq, shumë prej të pranishmëve u mblodhën në radhë për të marrë librin “The Monumentality of the Everyday”, i cili përpos dizajnit të bukur që pati, brenda kishte edhe vepra të artistit Jakup Ferri. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë së fundmi se renovimi i palestrës së sportit “Sezai Surroi” në Prizren dëshmon përkushtimin e ministrisë që ai drejton, në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, shkruan KultPlus.
MKRS ka bërë ndërhyrje dhe renovime të ndryshme nëpër palestra e gjëra të tjera për këtë vit, e tani e kishte radhën “Sezai Surroi”.
Postimi i plotë i Çekut:
“Renovimi i palestrës së sportit “Sezai Surroi” në Prizren, dëshmia e radhës e përkushtimit të MKRS për përmirësimin e infrastrukturës sportive në shtetin tonë.
Me këtë investim të Ministrisë së Sportit, palestra e sportit në Prizren ofron kushte shumë më të mira të aktivitetit sportiv si për klubet e sportistët, ashtu edhe për të rinjtë tanë. Gjithashtu, fal ndërhyrjeve renovuese, palestra “Sezai Surroi” tashmë i plotëson edhe standardet për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare të sportit, siç është rasti me FIBA Kampionatin Europian të Basketbollit U16, Divizioni C.
Vazhdojmë pa u ndalur, në gjithë vendin tonë, të investojmë për zhvillimin e infrastrukturës sportive. Bashkë do t’i tejkalojmë edhe sfidat e mëdha në një numër të konsiderueshëm të projekteve infrastrukturore që për vite me radhë janë shoqëruar me shkelje të rënda procedurale dhe cilësi e dinamikë të ultë të punimeve“, thuhet në postimin e tij.
Me datën 13 korrik, në Ditën Ndërkombëtare të Rock n’Roll, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon koncert ku do të performojnë Florent Abrashi, Mitrovica Rock School dhe Nuclear Doom, shkruan KultPlus.
Koncerti do të mbahet në hapësirën e parkingut të vogël të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Prishtinë, nga ora 19:00.
Ndër themeluesit e rrymës ishte dhe legjendari Elvis Presli (Presley), i cili u bë idhull i adoleshentëve dhe të rinjve.Stili i veshjes, manierat dhe lëvizjet e tij u bënë model imitimi.
Në fillim të viteve 1960, doli një stil i ri rokenrolli , pop-rock-u.
Dekada e fundit është konsideruar epoka e artë në zhvillimin e kulturës së rok-ut. /KultPlus.com
Në kuadër të programit për 70 vjetorin e themelimit të Kino Lumbardhit u promovua libri “Lumbardhi: një histori episodike” dhe filloi programi i filmit LXX në Kino Bahçe.
Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri, Sejnur Veshall dhe këshilltarët Nora Arapi Krasniqi dhe Onur Canhas.
Ministri Çeku në fjalën e tij bëri të ditur rëndësinë shoqërore dhe historike të kinemasë Lumbardhi si aset në mbrojtje të shtetit, i cili trajtohet me prioritet nga ana e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të programit të restaurimeve dhe të reformimit ligjor të institucioneve të kulturës dhe kinematografisë, ndërsa theksoi përkushtimin institucional që kjo kinema të vazhdoj të ruaj vlerat e saj dhe funksionin në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë.
Fjalën e morën edhe drejtoresha e Qendrës Filmike të Sarajevës, Ines Tanović, si dhe kuratorët e programit të filmit.
Ngjarja vazhdoi me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” nga Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, libër ky që flet për takimin dhe ndërveprimin mes Kino Lumbardhit dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri.
Në Kino Bahçe programi do të vazhdojë deri në muajin shtator, me mbi 40 shfaqje filmike të prezantuara në orare dhe formate të ndryshme, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrje për mbështetje financiare studimore në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit për vitin 2022.
Në kuadër të kësaj ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit renditë për vitin 2022 ndër prioritetet programore ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e kuadrove në fushat të kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
”Theks të veçantë kemi edukimin artistik të të rinjve, mbështetjen e hulumtimeve, kërkimeve dhe prezentimeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe edukimin profesional në fushën e menaxhimit dhe mjekësisë sportive”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Të drejtë aplikimi në thirrjen publike për mbështetje financiare studimore kanë individët që dëshmojnë se programi studimor është i profilizuar në fushat specifike të kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Për aplikim dhe detaje të tjera klikoni këtu. /KultPlus.com
Performanca e vallëzimit e titulluar “‘K’tu jemi!” së shpejti vjen si protestë e koreografëve kundër shkeljes së dinjitetit profesional, përcjell KultPlus.
“K’tu jemi!”, do të organizohet më 29 prill pikërisht në Ditën Botërore të Vallëzimit, duke filluar nga ora 10:00.
Performanca-protestë do të mbahet në sheshin Zahir Pajaziti, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
KultPlus më poshtë ua sjell postimin e plotë të koreografit Robert Nuha:
Kjo performancë-protestë organizohet nga koreografë e kërcimtarë profesionistë që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës, me qëllimin e vetëm që zëri i tyre të dëgjohet qartë dhe të mos injorohet si deri më tash nga institucioni i MKRS-së.
Me këtë rast ne kërkojmë vlerësimin e shkollimit tonë në Koreografi, angazhimin dhe konsulencën me ekspertizën e kësaj pjese të rëndësishme të shoqërisë!
Fyerjet publike, të cilat tentojnë të zh’bëjnë shkollimin tonë, janë të papranueshme. Është ky edukim universitar që bën të mundur kontributin tonë në shkollimin e brezave të ardhshëm në Kosovë.
Baleti, Kërcimi dhe Koreografia egzistojnë në Kosovë qe pas lufte. Detyrë e Ministrisë dhe e ministrit është mbështetja dhe përkrahja e jo të fyhet e degradohet për ditë pa marrë përgjegjësi askush! / KultPlus.com
Alpinistja më e suksesshme në histori të Kosovës, Uta Ibrahimi, është gati për ngjitjen e saj të radhës në majën “Makalu”, maja e pestë më e lartë në botë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Ibrahimi ka shkruar se në këtë rrugëtim do ta ketë përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Postimi i saj i plotë:
“Para disa dite pata kenaqesine me e taku zv. Ministren e Sportit, znj. Daulina Osmani. Biseduam per shume mundesi te bashkepunimeve ne te ardhmen, e gjithashtu e falemderova per perkrahjen e Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit per ngjitjen e radhes ne Makalu, si vazhdimesi e ekspeditave të ngjitjes në 14 Majat e Botes. Maja Makalu eshte maja e pesta në botë, ndersa per mua do te jete e shtata ne radhen e 8000 metershave. Shpresoj shume qe edhe kesaj here do ta valvoj flamurin e Kosoves ne maje te Botes, e te kthehem mire e te vazhdojme bashk drejt rrugetimin te ngjiteve te tjera ne 8000″.
Përpos takimit me MKRS-në, Ibrahimi këtë vit është takuar edhe me kryetarin e Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqin. /KultPlus.com
Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë nënshkruar memorandumet me Komitetin Olimpik të Kosovës, Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe me 36 federata sportive.
Shuma e përgjithshme e mbështetjes për Komitetin Olimpik, federatat e sportit dhe Komitetin Paralimpik vetëm përmes memorandumeve vjetore është mbi 3.7 milionë Euro.
Komiteti Olimpik i Kosovës është përkrahur me shumën prej 680 mijë euro, Komiteti Paralimpik me shumën prej 100 mijë euro.
Ndërsa shuma e memorandumeve për federata është përcaktuar në bazë të koeficientit të KOK-ut nga kategorizimi i federatave dhe vlerësimit të kategorisë nga MKRS-ja. Koeficienti i pikës për federatat e kategorisë A është rritur në 2200 Euro, ndërsa për kategorinë B do të jetë 1500 Euro.
Federatat e kategorisë C janë vlerësuar me koeficient të pikës prej 1200 Euro, ndërsa për kategorinë D është rritur në 1000 Euro.
Të gjitha kategoritë kanë pasur rritje të shumës në krahasim me vitet paraprake. Përveç mbështetjes së federatave do të ketë edhe mbështetje të sportistëve, trajnerëve dhe shpresave olimpike në bazë të kategorizimit të KOK-ut. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Filarmonia e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës sot kanë përkujtuar kompozitorin e njohur shqiptar, Rexho Mulliqi, në 40-vjetorin e vdekjes së tij, përcjell KultPlus.
Në këtë ceremoni ku u kujtua jeta dhe vepra e Mulliqit u përmendën edhe bashkëpunimet e tij me shumë artistë të njohur.
Ceremonia e moderuar nga Dardan Selimaj dhe Rreze Kryeziu, u pasurua edhe me interpretimin e dy veprave të autorit Mulliqi e që janë ‘Me lule’ dhe ‘Baresha’.
Muzikologja Rreze Kryeziu para të pranishmëve ndajti disa nga momentet kyqe të jetës dhe veprimtarisë së Rexho Mulliqit.
“Pjesë përbërëse e gjeneratës së parë të kompozitorëve shqiptarë është pikërisht kompozitori Rexho Mullaj. Së bashku me kompozitorin Lorenc Antoni, jetuan dhe kompozuan në kohën e ish-Jugosllavisë, kur Kosova kishte fituar autonominë brenda Jugosllavisë. Megjithatë, kishte edhë momente brenda kësaj periudhe kur artet filluan kultivimin e tyre si dhe u ngritën institucionet universitare e performuese profesionale të ndryshme” – thotë Kryeziu duke shtuar se Mulliqi njihet si pionier i muzikës artistike në Kosovë jo vetëm për faktin se kanë krijuar bazat modern te një krijimtari muzikore por edhe për bartjen e përvojave nga puna me amatorë në këtë fushë, përcjell KultPlus.
“Ai është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, tek i cili inspirimi nga folklori vërehet të jetë prezent në veprat e tij, por gjithmonë I trajtuar në suazat e hapësirave të tjera krijuese evropiane. Nga moduset e veprimtarisë së përbashkët në relacionin folklor-kompozitor, relacioni I tij është me karakter dhe shfaqet me përfshirjen e idiomës folklorike në gjuhën e tij.” – vazhdon ajo.
Më pas, solistja Urta Haziri dhe kompozitori Valton Beqiri sollën një interpretim të pashoq të këngës ‘Një lule’.
Ndonëse në këtë ceremoni mungoi profesor Rafet Rudi, u lexua fjala e tij për kompozitorin Rexho Mulliqi, të cilin ai e cilëson si nismëtar të muzikës artistike te ne.
“Ndonëse Rexhoja në kohën kur i bënte hapat e parë në krijimtari, nuk ka mundur plotësisht të jetë në korrent me aktualitetet muzikore në botë, për shkak të jetës së varfër muzikore që ekzistonte atëherë këtu, megjithatë, ai kishte njohje më tepër të veprimtarisë së kompozitorëve ‘stilistikisht të përmbajtur’, sesa të atyre ‘radikalistëve’ të tipit të treshit vjenez. Kurse, ishte krejtësisht larg muzikës së postvebrnistëve të kohës, të cilët ai i konsideronte ‘kundërshtarë ideologjikë’.” – thuhet në fjalimin e tij të lexuar nga Dardan Selimaj.
Në këtë fjalim u përmend edhe jeta muzikore në Kosovë pasi Rexho Mulliqi u kthye nga Beogradi, ku studioi në degën e kompozimit.
“Pasi u kthye, Rexhoja gjeti një nivel shumë të ulët të jetës muzikore këtu te ne, sidomos në lëmin e muzikës artistike, mungonin ansamblet muzikore, orkestrat, instrumentistët, mungonte jeta e gjallë muzikore që do të nxisnin kureshtjen e tij për kombozimin e veprave ambizioze”- thuhet në vazhdim në këtë fjalim.
Ndonëse, Rexho Mulliqi nuk shkroi shumë vepra, Rafet Rudi vlerëson se rëndësia e tyre është e shumëfishtë.
“Rexhoja krijoi vepra të rëndësisë së tillë, që për këtu te ne ato shënojnë fillet në disa gjini. Përmes veprës së tij, kontribuoi dukshëm në formimin e një stadi të caktuar të identitetit të muzikës artistike te ne. Muzika e tij, e cila mbështetej gjithmonë në folklorin e kësaj treve, bëri një hap të madh përpara në krijimin e një muzikë autoktone.”- përfundon fjalimi i kompozitorit Rudi.
Si përfundim, kompozitori Valton Beiqiri dhe violinisti Arsim Gashi interpretuan këngën ‘Baresha’, e që konsiderohet një prej kryeveprave të kompozitorit Mulliqi./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar, përcjell KultPlus.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
NJOFTIM
Procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar. Këshilli Drejtues i TKK ka përfunduar vlerësimin e kandidatëve pas intervistimit (me shkrim dhe me gojë).
Ministria e Kulturës do t’i ndjekë afatet ligjore për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm, përfshirë afatin e ankesave, në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të TKK./ KultPlus.com
Si pjesë e bashkëpunimit mes Ministrive të Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri, nga data 27 Janar në Galerinë e Ministrinë së Kulturës në Prishtinë hapet ekspozita “After Party” ku punën e tyre e prezentojnë artistët Enkelejd Zonja dhe Vigan Nimani, ndërsa kurator është Zef Paci.
Në këtë ekspozitë, që është përzgjedhë të shpaloset interesi në marrëdhënie me momentin historik të së kaluarës, dy artistët sjellin temat e kohës, kujtesës e perceptimit.
Kjo vënie bashkë e aspekteve dhe qëndrimeve të dy artistëve shqiptarë të rritur ndërmjet dy kulturash të Ballkanit kundrejt realiteteve social-historike të së kaluarës bëhet jo vetëm për të thënë in medio stat virtus.
Të dy ndajnë me njëri-tjetrin por edhe me ne, qëndrimet mbi qënien njerëzore, arkitekturën, ideimin dhe gjurmën e saj, pra, maketin dhe qytetin e njimendtë, monumentin.
“After party” do të qëndrojë e hapur deri më 27 Prill 2022. /KultPlus.com