Ministria e Kulturës po vazhdon serinë e diskutimeve të hapura mbi kulturën, përmes bashkëbisedimit në mes të Ministrit Hajrulla Çeku dhe komuniteteve artistike.
“Këto takime kanë për qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta dhe fuqizimin e rolit të komuniteteve në zhvillimin e politikave”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, vazhdon të jetë pjesë e të gjitha diskutimeve për fushën e kulturës.
Pas fushës së teatrit, diskutimi i gjashtë do të fokusohet në fushën e librit dhe mbahet më 14 janar ora 16:00 në Kino Armatë. /KultPlus.com
Galeria e Ministrisë së Kulturës, ka prezantuar programin e vitit 2022, shkruan KultPlus.
Përmes një video të publikuar në “Facebook”, GMK ka bërë prezantimin e programit për vitin 2022, duke uruar një vit të mbarë dhe të qetë për të gjithë në prag të festave të fundvitit.
Në atë video shihen emrat Enkelejd Zonja, Vigan Nimani, Nysrek Salihamixhiqi, Nurhan Qehaja, Violeta Xhaferi, Luan Bajraktari, të cilët do të jenë të ndarë për muajt janar, maj, korrik, shtator dhe nëntor.
Galeria e Ministrisë së Kulturës funksionon si një “zyre” e drejtpërdrejt e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të Departamentit të Kulturës. Për programin e saj është përgjegjës “Këshilli Vlerësues dhe Përzgjedhës” i përbërë nga tre anëtarë të jashtëm.
GMK ka filluar punën në shtator të vitit 2000, si Galeri e Departamentit të Kulturës dhe me rastin e shpalljes së Këshillit të Ministrave ajo është emërtuar “Galeri e Ministrisë së Kulturës”.
Që nga fillimi i saj e deri më sot, janë organizuar mbi 200 ekspozita individuale e kolektive të autorëve vendor dhe ndërkombëtar.
Ministria e Kulturës kishte hapur konkursin për programin artistik më 5 tetor. /KultPlus.com
Sot është mbajtur takimi i radhës i Komisionit Shtetëror për Rini, një mekanizëm ndër-institucional i Qeverisë së Kosovës për vendimarrje për rininë.
Përfaqësuesit e ministrive pjesmarrëse diskutuan për prezantimin e arritjeve dhe sfidave në sektorin e rinisë, për inicimin e procesit të hartimit të Strategjisë Nacionale për Rini, për progresin e procesit për zhvillimin e skemës së garantimit të të rinjve dhe u diskutua për detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të Grupit Këshilldhënës dhe Koordinues.
Në këtë takim morën pjesë Daulina Osmani, zëvendësministre në MKRS, Agon Batusha, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Grupit jo-formal të Deputetëve të Rinj të Kuvendit, Edona Maloku-Bërdyna, zëvendësministre në MASHTI, Resul Makreshi, zëvendësministër në MFPT, Liza Gashi, zëvendësministre në MPJD, Arsim Berisha, zëvendësministër në MSH, përfaqësuesit nga OSBE, strukturat dhe mekanizmat rinorë, dhe nga shoqëria civile.
Zëvendësministrja Daulina Osmani prezantoi arritjet dhe sfidat që e presin MKRS-në në raport me sektorin e rinisë.
Ajo tha se në kuadër të investimeve kapitale, është kryer rinovimi i Qendrës Rinore në Kamenicë dhe tri qendra janë në proces, në Gjakovë, Deçan dhe Ferizaj. Gjithashtu tregoi se MKRS-ja ka investuar 170 mijë euro në qendrën në Pjetërshan të Gjakovës dhe projekti pritet të përfundojë në fund të janarit 2022.
Në lidhje me dokumentet strategjike, zëvendësministrja tregoi se gjatë vitit 2022 do të hartohet koncept dokumenti për rininë që do t’i paraprijë ligjit për rininë dhe strategjisë kombëtare për rini.
Ndërsa përmendi po ashtu edhe përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, si programin Balkan Youth Lab, bashkëpunimin në RYCO dhe veçoi implementimin e ‘Dialogut Kombëtar për Rini 2021’ i cili ka qenë një proces në të cilin janë përfshirë të rinjtë e nivelit qendror dhe lokal në vendimmarrje dhe raporti final do të publikohet në fund të këtij muaji.
Edhe përfaqësuesit e ministrive tjera prezantuan të arriturat dhe sfidat që institucionet respektive kanë ose pritet të realizojnë. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës po vazhdon serinë e diskutimeve të hapura mbi kulturën, përmes bashkëbisedimit në mes të Ministrit Hajrulla Çeku dhe komuniteteve artistike.
Këto takime kanë për qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta dhe fuqizimin e rolit të komuniteteve në zhvillimin e politikave.
Diskutimi i pestë do të fokusohet në fushën e teatrove dhe mbahet më 23 dhjetor, ora 17:00, në Kino Armata, Prishtinë.
Para pak ditësh është mbajtur edhe seria e katër e diskutimeve, ku ansamblet folklorike kërkuan kushte më të mira të punës. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku po vazhdon serinë e diskutimeve të hapura me komunitetin artistik e kulturor, ku mbrëmë është mbajtur takimi i katërt, shkruan KultPlus.
Në serinë e katërt ishte radha e komunitetit dhe ansambleve folklorike që të diskutojnë së bashku edhe me shoqëritë kulturore artisitke mbi artin e kulturën.
Fillimisht, ministri paraqiti vizionin që është në programin për kulturën që ndërlidhet me pjesën e ansambleve folklorike dhe shoqërive kulturore artistike, ku do të ketë mbështetje dhe konsolidim të vazhdueshëm të institucioneve që kultivojnë traditën folklorike në vendin tonë, mbështetja e institucioneve dhe organizatave që merren me folklor është edhe prej orientimeve strategjike, mbështetje mbi edukimin dhe dokumentimin e trashëgimisë shpirtërore folklorike i cili është një detyrim i përhershëm i ministrisë.
Adresimi i çështjeve si rregullimi i statusit të artistit të pavarur në kuadër të ligjit për kulturën, ku përfshihen edhe performuesit, valltarët, instrumentistët, mbështetja e qëndrueshme dhe rritja e buxhetit për Ansamblin Shota, konsolidimi dhe përkrahja për ansamblet që funksionojnë në Kosovë, prezantimi i kulturës tonë në skenën ndërkombëtare si interes strategjik që të kemi një prezencë më të madhe ndërkombëtare, infrastruktura kulturore, me theks ajo edukative mbi traditën tonë folklorike, janë ndër angazhimet e ministrisë në raport me përmirësimin e sektorit.
Edukimi për kulturë, në bashkëpunim me MASHTI-n është një për synimeve dhe me drejtuesit e Ansamblit Shota veç janë diskutuar dhe hartuar disa programe që të rinjtë të edukohen për folklorin dhe kulturën tonë në mënyrë që të bëhet ndërlidhja sa më e mirë mes shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm me krijuesit, performuesit dhe prodhuesve të aktivitetit kulturor.
Tema të tjera të cilat u diskutuan kishin të bënin me rregullimin e insfrastrukturës ligjore dhe fizike për të përmbushur edhe statustin e ansambleve dhe hapësirinë ku ato funksionojnë.
Kushtet më të mira për punë dhe vendi për t’u kryer aktivitet e tyre ishin disa prej kërkesave kryesore që u paraqitën në këtë diskutim të hapur që është mbajtur në ambientet e Kino Armatës. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur edhe një herë tjetër konkursin për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Rishpallja e konkursit për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar është publikuar të premtën nga MKRS-ja, derisa është bërë e ditur se ai konkurs do të jetë i hapur nga data 8 janar deri më 22 janar të vitit 2022.
Personat që aplikojnë për këtë konkurs duhet që të kenë së paku shtatë vite përvojë pune profesionale dhe gjithashtu katër prej tyre në ndonjë pozitë udhëheqëse apo drejtuese.
Problemet në TKK kanë vazhduar ndër vite, derisa drejtori i kaluar Agim Sopi fillimisht ishte shkarkuar jashtëligjshëm, për t’u rikthyer përsëri në pozitën e tij.
Më pas, më 18 janar të vitit 2020, Sopit i kishte skaduar përfundimisht kontrata e tij.
Regjisori Naser Shatrolli ishte zgjedhur si drejtor i përkohshëm në nëntorin e vitit të kaluar, derisa më pas ishte konkluduar se zgjedhja e tij si drejtor ishte në shpërputhje me ligjin.
Përkundër kësaj dhe ankesave të vazhdueshme, zyrtari i Ministrisë së Kulturës, vazhdon të jetë në krye të TKK-së. /KultPlus.com
Grupi i pavarur i artisëve fitues përmes një letre drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar mbi anulimin e konkurist për blerjen e veprave të artit, shkruan KultPlus.
MKRS të enjtën e kaluar bëri të ditur anulimin e procedurës për blerjen e veprave të artistëve vendor, me ç ‘rast ka pasur reagime të shumta.
Kjo është letra e plotë e Grupit të pavarur të artistëve fitues, që kërkojnë revokimin e menjëhershëm të anulimit të blerjes:
“Anulimi i “procedurës” së thirrjes për blerjen e veprave të artit, pas publikimt të listës së ujdisë, aty ku figurojnë çmimet e dakorduara, nuk është anulim i procedurës, por anulim i blerjes. Ky mund të jetë tentim për të qenë fer, edhe pse çuditërisht vetë-mposhtës, por aspak angazhim për mbështetje e fuqizim, siç ironikisht thuhet në dokumentin zyrtar.
Kush është artist meritor e kush duhet të punojë edhe pak, e ka vendosur vetë juria e caktuar nga ministri Hajrulla Çeku. Nëse minstri nuk din ta përzgjedhë jurinë, kjo nuk do të thotë që juria nuk din t’i vlerësojë veprat që u caktoi çmime për ta pasuruar koleksionin e Kosovës. I cili rrjedhimisht është koleksion publik dhe paratë janë publike.
Vendimi për anulim në emër të pakënaqësisë është i padrejtë sepse e vendosë raportin me publikun para mbështetjes së publikut.Sa i përket argumentit kundër blerjes në emër të termit të rimëkëmbjes ekonomike, duhet theksuar menjëherë që rimëkëmbja ekonomike nuk është sociale, por siç edhe e thotë vetë termi, ekonomike. Një nga shumë pyetjet që duhet shtruar është, pse ky vendim kaq pasiv-agresiv krye në veti? Pastaj, pse ky anashkalim i papritur dhe përçmues i 68 artistëve të përzgjedhur për pasurimin e koleksionit që në njëfarë mënyre e përbën historinë e artit kosovar për brezat e ardhshëm? Dhe në fund, a nuk e dëshmon ky vendim i marrë dhe anti-ekonomik, që ministri Hajrulla Çeku nuk është duke e bërë atë që ai po pretendon dhe që nuk është duke e menduar atë që po e thotë.
Të indinjuar nga ky veprim i papërgjegjshëm dhe abuziv, kërkojmë revokimin e menjëhershëm të anulimit të blerjes, bashkë me pranim të përgjegjësisë dhe premtim që kjo nuk do të ndodhë përsëri. Përndryshe, nuk do të na mbetet tjetër opsion përveç kërkimit të largimit të menjëhershëm të ministrit, bashkë me thirrjen për veprimin e drejtë që ai do të duhet ta bëjë”, thuhet në letrën e hapur të grupit të artistëve drejtuar Qeverisë dhe MKRS-së.
Për blerjen dhe anulimin e kësaj marrëveshje kishte pasur edhe një protestë nga komuniteti artistik para disa ditësh. /KultPlus.com
Arben Zharku ka njoftuar se para disa muajve është larguar nga pozita e drejtorit në Qendrën Kinematografike të Kosovës, shkruan KultPlus.
Gjatë shkrimit të tij në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Zharku ka bërë të ditur se mandati i tij duhej të përfundonte në mars të vitit 2022, mirëpo Ministria e Kulturës ka bërë shkelje ligjore duke shkëputur kontratën.
“Normalisht mandati im do të duhej të përfundonte në mars të vitit 2022, mirëpo Ministria e Kulturës me arbitraritet dhe shkelje ligjore e shkëputi kontraten, dhe për këtë qështje veq se kam ndjekur hapat ligjor”, thuhet mes tjerash.
39 vjeçari gjithashtu ka falënderuar të gjithë bashkëpunuesit e tij dhe i ka vlerësuar si të jashtëzakonshme 10 vitet e fundit të QKK-së. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur që të anulojë procesin e blerës së veprave të artit nga shteti, shkruan KultPlus.
Pakënaqësitë e komunitetit artistik ndikuan që të anulohet edhe vendimi i paraparë për përzgjedhjen e veprave të artit për blerje nga shteti.
“Angazhimi ynë për të mbështetur dhe fuqizuar skenën e pavarur kulturore të Kosovës nuk do të ndalet. Mbesim të përkushtuar të zhvillojmë procese gjithëpërfshirëse në shërbim të komunitetit artistik”, thuhet mes tjerash në njoftimin e ministrisë.
Gjatë ditës së enjte, para ndërtesës së MKRS-së, një grup i artistëve kanë protestuar me moton “Stop diskriminimin”. /KultPlus.com
Zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani sot ishte pjesë e Takimit Rajonal Ministror pёr Rininё dhe Arsimin që u mbajt në Tiranë, organizuar nga Zyra e Bashkëpunimit Rajonal për të Rinjtë, Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri dhe Bora Muzhaqi, Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.
Aty morën pjesë përfaqësues nga gjashtë shtete të Evropës Juglindore ndërsa është diskutuar për vizionin dhe angazhimin e pёrbashkёt pёr edukimin dhe rininё në Ballkanin Perёndimor.
Zëvendësministrja Osmani prezantoi para kolegëve të rajonit punën dhe objektivat e Qeverisë së Kosovës në fushën e rinisë.
Komisioni Shtetëror për Rini, amandamentimi i Ligjit për Rini, hartimi dhe implementimi i strategjisë kombëtare për rini në nivel nacional si dhe ridefinimi i MKRS-së si autoritet koordinues dhe monitorues për rini në Qeverinë e Kosovës, ishin ndër pikat që u përmendën në kuadër të Planit Strategjik dhe Operacional të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Zëvendësministrja Osmani ndër të tjera në takim tha që duhet të mbështetet misioni për t’u dhënë të rinjve mundësi për lëvizje të lirë, për të parë më shumë Evropën Juglindore “Përkundër iniciativave dhe përpjekjeve të deritanishme është koha t’i lëmë të rinjtë e rajonit të drejtojnë procesin, të jenë të lirë të vendosin vet për iniciativat dhe formën e bashkëpunimit. Përgjigjja e pytjes së takimit është: qasja nga poshtë-lartë dhe jo nga lartë-poshtë”.
Në këtë takim gjithashtu ishte pjesmarrëse Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila theksoi se njё forum i tillё gjithёpёrfshirёs, me pёrfaqёsues tё insititucioneve tё arsimit e rinisё nga gjithё rajoni, e me njё balancё tё shkёlqyeshme gjinore, simbolizon mё sё miri vlerat qё Ballkani Perёndimor ka pёr tё ofruar pёr Evropёn e pёr botёn.
Në fund të takimit pjesmarrësit u dakorduan të shtojnë iniciativat dhe përpjektet e përbashkëta në funksion të përmirësimit të pozitës së të rinjëve në shoqëri./KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ka ndarë 56 mijë e 815 për sportistët që pritet të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.
“Me qëllim të përgatitjes dhe pjesëmarrjes së sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, Komiteti Olimpik i Kosovës, do të përkrahet edhe me një vlerë financiare prej 56 mijë e 815 euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku dhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi.
“Për këtë u nënshkrua sot aneks memorandumi i bashkëpunimit mes MKRS-së dhe KOK-ut.Po ashtu, kjo marrëveshje do të shërbejë për përpilimin e Planit Strategjik të Komitetit Olimpik të Kosovës 2021-24”.
“Mbështetje financiare për KOK-un është prej kategorisë së subvencioneve dhe vjen si përkrahje për organizimin dhe avancimin e sportit në Kosovë dhe pjesëmarrjen e përfaqësimin sa më të mirë të sportistëve tanë në garat ndërkombëtare”.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Ardian Telaku, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e aktiviteteve të Federatës së Sportit Shkollor, për organizimin e garave shkollore për vitin 2021/2022.
Federata e Sportit Shkollor që drejtohet nga kryetari Ardian Telaku, është mbështetur nga MKRS-ja me 100 mijë euro për promovimin e sportit dhe organizimin e aktiviteteve në shkolla.
Në përkrahje të Federatës së Sportit Shkollor ka qenë edhe ministrja e MAShT-it, Nagavci, që ka shprehur gatishmërinë për t’i përkrahur nxënësit në aktivitete të ndryshme sportive.
“Bashkë në mbështetje të sportit shkollor. E lumtur që sot së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku dhe me kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Adrian Telaku nënshkruam Memorandum Bashkëpunimi i cili ka për qëllim promovimin e sportit tek nxënësit”.
“Shuma prej 100 mijë eurosh e cila është ndarë nga Ministria e Kulturës do të jetë në funksion të realizimit të aktiviteteve nga ana e Federatës së Sportit Shkollor dhe për organizimin e garave për vitin shkollor 2021/2022”.
Komuna e San Paolo Albanese, në provincën e Potenza, ka marrë një vlerësim të rëndësishëm nga Ministria e Kulturës në Itali për projektin “Muzeu i Kulturës Arbëreshe”.
Në edicionin e VII të “Premio Nazionale del Paesaggio del Consiglio d’Europa” (Çmimi Kombëtar të peizazhit të Këshillit të Evropës), mbajtur marsin e kaluar, projekti i komunës së San Paolo Albanese, la gjurmët e tij për sa i përket shtjellimit dhe përmbajtjes midis 96 projekteve të paraqitura nga e gjithë Italia.
Komisioni ministror, i cili vlerësoi projektin u shpreh se përpjekjet për të ruajtur identitetin duhen vlerësuar: “Përpjekjet për të ruajtur identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë pasqyrohen në menaxhimin e territorit dhe hapësirave publike, duke e bërë ekomuzumin një pajisje me vlerë të lartë socio-kulturore dhe një referencë që të tregoi jetën e përditshme të qytetarëve ”.
Certifikata, e nënshkruar nga Ministri Dario Franceschini, iu dorëzua Komunës së San Paolo Albanese ditët e fundit, pasi nuk ishte e mundur të organizohej dorëzimi i çmimit si pjesë e ceremonisë së zakonshme të dhënies në ambientet e Ministrisë për shkak të pandemisë dhe protokolleve ende në fuqi.
Një çmim që sjell kënaqësi, por edhe shumë përgjegjësi, një angazhim për të vazhduar dhe për tú përmirësuar: “Kënaqësia është e lartë pasi është rezultat i një përkushtimi të madh ndër vite – nënvizon Mose ‘Antonio Troiano, kryetari i San Poalo Albanese – jo vetëm nga ana ime, sidomos nga administratorët që më paraprinë nga vitet e themelimit të Muzeut të Kulturës Arbëreshe e deri më sot”. Shumë aktivitete socio-kulturore të kryera në dekadat e kaluara kanë kontribuar në marrjen e këtij rezultati të shkëlqyeshëm. “Sigurisht që angazhimi nuk përfundon, tradita do të vazhdojë të ruajë këtë veçori, jo vetëm sepse është pjesë e kulturës dhe traditave tona, por sepse duhet të jetë një vlerë etnodemoantropologjike për brezat e ardhshëm”.
Muzeu u krijua, në përputhje me Statutin e Komunës për mbështetjen e kulturës: Këshilli Bashkiak i San Paolo Albanese me rezolutën nr. 84 të datës 13.04.1984 vuri në funksion ripërdorimin e ndërtesave të vjetra të pabanuara në qendrën historike të qytetit, në të cilën janë vendosur mikro-mjedise me mbetjet materiale të kulturës lokale; mjetet, materialet, produktet dhe mënyrat e transformimit të objekteve ndër vit. Një muze që dokumenton kulturën e një populli i cili u strehua në këto vende në fillim të shekullit XVI, pas pushtimit osman në Shqipëri dhe Greqi. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com