Margariti: Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, kushte të denja për të bërë art

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar është një premtim madhor, i mbajtur ndaj artistëve, por edhe publikut që meritojnë kushte të denja njëlloj si në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe hapësira bashkëkohore për të bërë art.

“Është një skemë që duhet të pulsojë, jo vetëm nga kujtimet e veprave shqiptare, por edhe nga prania e artistëve e regjisorëve të huaj që do të vijnë”, tha Margariti, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku po diskutohet në parim projektbuxheti për vitin 2022.

Ministrja Margariti tha se janë 30 objekte të dëmtuara nga tërmeti që jo vetëm po ringrihen, por edhe rijetëzohen. Sipas saj, kjo edhe falë mbështetjes prej 40 milionë eurosh të EU4Culture.

“Kultura vjen me buxhetin më të madh që kjo ministri ka patur ndonjëherë dhe me numrin më të madh të projekteve. Buxheti është mishërimi i një vizioni për të vazhduar me rikthimin e dinjitetit të jetës artistike e kulturore, duke u përqendruar te rimëkëmbja e infrastrukturës dhe duke sjellë mundësi të reja ndaj kulturës dhe të të bërit art”, tha Margariti.

Sipas saj, buxheti 2022 është mbi 4.1 miliardë lekë.

“Buxheti 2022 për Kulturën është rritur në një masë të paprecedent prej 46.6 % krahasuar me një vit më parë”, tha Margariti.

Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, Margariti tha se janë akorduar në buxhet 715 milionë lekë, me një rritje 34.2 %. Ministrja theksoi se, në mbështetje të artit dhe kulturës janë vendosur mbi 3 miliardë lekë në këtë buxhet, një rritje prej 52.6 %.

Ajo informoi se ka nisur puna për krijimin e Qendrës Kulturore për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave.

“Për të gjithë ata gjumëprishur e fjalë shumë për fatin e godinës së Teatrit të Kukullave, ju them me krenari se si pjesë e programit EU4Culture do t’i nënshtrohet restaurimit të plotë dhe do të shndërrohet në një qendër multikulturore. Në vitin 2022 do të vazhdohet me rijetëzimin e Piramidës, një bashkëfinancim me bashkinë e Tiranës me një fond prej 1.2 miliardë lekë, ku mbështetja buxhetore për 2022 është 452 milionë lekë. Programi art e zeje do të hyjë në të gjitha shkollat. Ne, me të njëjtën ambicie si atë të TKOB, do të riparojmë Galerinë e Arteve që do të kthehet në një muze dinjitoz, Muzeun e Arteve të Bukura”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh se do të zbulohet edhe Mozaiku i Tiranës, një hapësirë mes disa rrugicash ku arkeologët u rikthyen pas më shumë se 40 vitesh dhe rishkruan edhe një herë historinë e gjenezës së këtij qyteti. / KultPlus.com

Margariti: Krijimi i fondacionit “Muzeu Hebraik Shqiptar”, hap historik

Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nënshkruan sot marrëveshjen për krijimin e fondacionit të menaxhimit të “Muzeut Hebraik Shqiptar” në Vlorë.

Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishin ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kreu i bordit të AADF, Michael Granoff.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi krijimin e këtij fondacioni një hap historik në mendësinë e re të menaxhimit të muzeve.

“Është një hap i rëndësishëm për të arritur diçka që nuk është bërë më parë në Shqipëri. Nëse ka diçka që Fondacioni është i angazhuar, që edhe ministria duhet të jetë e angazhuar, është që të arrijnë gjëra që nuk janë bërë më parë dhe të ruajmë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë”, tha Margariti.

Fondacioni i menaxhimit të “Muzeut Hebraik Shqiptar” në Vlorë është një institucion që synon tërheqjen e financimeve për ruajtjen e historisë shqiptare gjatë viteve të errëta të Holokaustit.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka mbështetur edhe ngritjen Muzeut Kombëtar të Hebrenjve në Vlorë, me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor të shekullit të 21, që do të tregojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shpresë. / KultPlus.com

Kthimi në identitet i urës së Vokopolës në Berat

Ura e Vokopolës, monument kulture i kategorisë së parë në Berat, është kthyer në identitet pas punimeve restauruese.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ‘Berat’ bën të ditur se “punimet u përqendruan në heqjen e betonit mbi kalldrëm, restaurimin e kalldrëmit me gurë lumi, konsolidimi i  muraturës së harkut të madh, pastrimi nga bimësia, etj.”.

Projekti për restaurimin e urës së Vokopolës u hartua dhe u financua nga DRTK Berat dhe Ministria e Kulturës.

Kjo urë, e cila lidh fshatin Vokopolë me atë të Tërpanit, përbëhet nga harku kryesor dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.

Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët. Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim, i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padeshifrueshëm.

Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës. / KultPlus.com

Kalaja historike e Krujës merr pamje magjepsëse pas ndriçimit (FOTO)

Vazhdës së monumenteve të trashëgimisë kulturore të ndriçuara nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë iu është shtuar edhe Kalaja e Krujës, shkruan KultPlus.

E njohur për historinë e saj me heroin legjendar, Gjergj Kastriotin, Kalaja ka marrë një pamje tjetër.

“Falë projektit të ndriçimit ajo tashmë ka rifituar madhështinë që i takon”, ka shkruar ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Kruja është një ndër qytetet tjera që po përfshihen në procesin e ndriçimit të monumenteve. / KultPlus.com

Margariti për Durrësin: Trashëgimia kulturore do të jetë një magnet ekonomik dhe turistik

Ministrja për Kulturë e Shqipërisë, Elva Margariti ka treguar për zhvillimet e fundit në qytetin e Durrësit, shkruan KultPlus.

Ajo ka vizituar qytetin shqiptar bashkë medrejtorët ekzekutivë të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.

Me këtë rast, ministrja Margariti ka thënë se diçka e mirë për Durrësin po vie.

“Vizituam zonën që do të shndërrohet në më tërheqësen për qytetin, ku trashëgimia kulturore do të jetë një magnet i vërtetë ekonomik dhe turistik”, ka shkruar Elva Margariti.

Ky investim do të vie në kuadër të projektit TID Durrës. / KultPlus.com

Shqipëri-Spanjë, nisin bashkëpunimet për trashëgimi kulturore dhe teknologji

Ministria e Kulturës në Shqipëri ka mbajtur një takim me Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Elva Margariti është takuar me Marcos Alonso Alonso, të cilën ranë në konkludimin se e ardhmja e këtyre dy vendeve qëndron në Bashkimin Europian.

“Trashëgimia kulturore, digjitalizimi dhe komunikimi përmes gjuhës teknologjike janë disa nga fushat, ku interest tona puqen dhe do të na drejtojnë në projekte të përbashkëta”, ka shkruar Margariti në facebook.

Tutje ministrja ka theksuar se janë dakorduar që e ardhmja duhet të nis nga të rinjtë, në mënyrë që të ndjehen europianë. / KultPlus.com

Specialistët e monumenteve me ekspeditë për gjendjen e konservimit të pikturave murale në Kostar dhe Delvinë

Mirëmbajtja e monumenteve të kulturës vijon të jetë në qendër të vëmendjes së specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha sot se “së bashku me specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kultore Vlorë , Sektori Sarandë, u zhvillua një ekspeditë për gjendjen e konservimit të pikturës murale në Kishën e Manastirit të Shën Mërisë në Kostar dhe në Kishën e Manastirit të Shën Triadhës në Kardhikaq, Delvinë”.

“Qëllimi i kësaj ekspedite është verifikimi dhe hartimi i projekteve të ndërhyrjes konservuese e restauruese në pikturën murale të këtyre dy objekteve “monument kulture”, si dy objekte me mjaft vlera dhe interes në këtë zonë”, – tha Margariti.

Kisha Shën Meria e Kostarit ngrihet në anën lindore të qytetit antik të Finiqit dhe ndodhet brenda një shpelle të natyrshme në malin Kostari. Pjesa veriperëndimore u ndërtua për herë të parë në 1332 dhe, më vonë, në vitet 1690-1770 u unifikua me pjesën tjetër.

Duke u gdhendur në shkëmb, manastiri mbart një vlerë të madhe dhe të rrallë historike; Kjo ndodh sepse ndër të tjera, gjatë okupimit osman, funksiononte si një shkollë sekrete, mësuesi i saj i fundit ishte Pilo Papa.

Kisha e Shën Triadhës nga tiparet tipologjike duhet ti përkas fundit të shek. XVI- fillimi i shek. XVII, ndërsa mbishkrimi që gjendet mbi portën hyrës tregon se ajo është pikturuar në vitin 1827. /atsh/ KultPlus.com

Ministria e Kulturës në Shqipëri: Nga tërmeti janë shkaktuar dëme të rënda në monumente

Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë lajmëron se tërmeti i 26 Nëntorit ka shkaktuar dëme të rënda në monumentet e kulturës së zonës, sidomos në Kalanë e Prezës dhe të Krujës.

Hyrja në këto Kala është rreptësisht e ndaluar në radhë të parë për të garantuar jetën tuaj dhe për të mos dëmtuar më shumë monumentet.

Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë shtojnë gjithashtu se ato nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ndërtimi.info /KultPlus.com