Ekipi i përfaqësueses së Kosovës gjithashtu përfaqësues të Federatës së Karatesë në Kosovë të mërkurën u pritën në takim nga ministri i MKRS, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja, Daulina Osmani.
Duke i uruar për suksesin që kanë treguar në një garë me kaq shumë konkurrencë ku ishin pjesëmarrës, ministri Çeku i siguroi ata që mbështetja institucionale nuk do të ju mungoj ndërsa i përgëzoj për punën që po e bëjnë me kaq shumë përkushtim.
Karateistët kosovar pjesëmarrës në Kampionatin Ballkanit të karatesë që u mbajt në Poreq, Kroaci, arritën të marrin 4 medalje. Një medalje të argjendtë e mori Elhami Shabanin dhe tri të bronzta, Fortesa Orana, Herolind Nishevci, si dhe në ekipore, konkurrenca e meshkujve./KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkurs për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facbook, MKRS njofton se aplikimi fillon nga data 13.11.2021 deri më 27.11.2021.
Postimi i plotë i MKRS-së:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall konkurs për:
Titulli i punës: Drejtor i Përgjithshëm
Institucioni: Teatri Kombëtar i Kosovës
Data e njoftimit në ëebfaqen unike të procedurave të konkurimit https:/ /konkursi.rks-gov.net është prej datës 14.10.2021 deri më 12.11.2021, ndërsa data e aplikimit është nga data 13.11.2021 deri më 27.11.2021./KultPlus.com
Sot, si pasojë e infektimit me koronavirus ka vdekur fotografi kosovar, Meddy Huduti.
Për ikjen e hershme të fotografit Huduti ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku i cili e ka përshkruar atë si një artist të talentuar dhe ikonë të gjeneratës së re, por edhe personalitet modest dhe njeri shpirtbardhë.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Në moshë shumë të re, në kulmin e energjisë krijuese. Fotograf që ka dokumentuar parreshtur jetën kulturore në Kosovë. Artist i talentuar dhe ikonë e gjeneratës së re, por edhe personalitet modest, njeri shpirtbardhë.
Ngushëllime familjes dhe miqve, gjithë komunitetit artistik. Ahmed (Meddy) Huduti do të rrojë përherë në fotografitë që na i bëri, ndër më të mirat që kemi./KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po vazhdon përgatitjet për koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës, përcjell KultPlus.
Përmes një njoftimi në Facebook, MKRS njofton se proces në vazhdim do të përmbyllet deri më 05.10.2021 ku përmes audicionit profesional dhe plotësisht anonim do të vlerësohen 127 kandidatë për profilet e orkestrës dhe korit.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotëtë MKRS-së:
Sot nga mëngjesi, kanë filluar audicionet për koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës.
Ky proces në vazhdim do të përmbyllet deri më 05.10.2021 ku përmes audicionit profesional dhe plotësisht anonim do të vlerësohen 127 kandidatë për profilet e orkestrës dhe korit.
Procesi zhvillohet në Sh.F.M. “Prenk Jakova” në Prishtinë duke respektuar masat anti Covid-19.
Ekipit profesional dhe gjeneratës së re të skenës muzikore në Kosovë ju urojmë punë të mbarë dhe sukses./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka pritur në takim gjudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin, Driton Kuka, transmeton KultPlus.
Përmes një njoftimi në Facebook, ministri Çeku ka njoftuar se atyre u kanë ndarë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Nder i veçantë që sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të pres vajzat e arta të Kosovës, xhudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin Driton Kuka. Së bashku më zëvendësministren, Daulina Osmani atyre u ndamë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takim me ta. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë që sportin e xhudos ta shtyjmë përpara, ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë./KultPlus.com
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë, me ç’rast Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka prezantuar platformën ‘Kosovoyouth.com’, përcjellë KultPlus.
Kjo platormë ofron mundësi për punë, punë praktike, trajnime, bursa dhe grante, të gjitha në një vend.
Projekti implementohet nga NGO Lens dhe mbështetet nga Misioni i OSCE-së në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së fundmi ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike u ndanë pesë milionë euro për kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport, në mënyrë që këto fusha të fuqizohen akoma më shumë, përcjellë KultPlus.
“Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale”, ka shkruar MKRS-ja.
Tutje, ata bënë të ditur se në kuadër të mbështetjes për kulturën, me vendim të veçantë qeveritar është krijuar edhe mundësia për blerjen e veprave artistike të artistëve vendorë.
Po ashtu, është konsideruar se kjo do të jetë hera e parë që MKRS do të hapë thirrje publike për subvencionimin e aktiviteteve në fushën e sportit.
KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:
Pesë milionë Euro shtesë për kulturën, trashëgiminë kulturore, rininë dhe sportin. Sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike u ndanë pesë milionë Euro për kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport. Përmes kësaj mbështetje shtesë synojmë fuqizimin e këtyre fushave pas vështirësive që shkaktoi pandemia. 2.5 milionë Euro do të ndahen për kulturë dhe trashëgimi kulturore. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale. Në kuadër të mbështetjes për kulturën, me vendim të veçantë qeveritar është krijuar edhe mundësia për blerjen e veprave artistike të artistëve vendorë. Për mbështetjen e organizatave që janë aktive në sektorin e rinisë do të ndahen 500 mijë Euro. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte që promovojnë fuqizimin ekonomik të të rinjve, përfshirjen në tregun e punës, ndërmarrësinë, rrjetëzimin dhe pjesëmarrjen aktive. Ndërsa dy milionë Euro nga kjo masë e mbështetjes do të ndahen për zhvillimin e sportit. Kjo do të jetë hera e parë që MKRS do të hapë thirrje publike për subvencionimin e aktiviteteve në fushën e sportit. Skema e mbështetjes për sportin synon të përkrahë organizata dhe individë që promovojnë konceptin e ‘sportit për të gjithë’, sportistët, klubet sportive dhe federatat. Thirrjet publike do të hapen së shpejti, ndërsa ne do t’ju mbajmë rregullisht të informuar për të gjitha detajet për të përfituar nga kjo skemë e mbështetjes. / KultPlus.com
Sapo ka filluar edicioni i 20-të i DokuFest, me c’rast Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dalur me një reagim, përcjellë KultPlus.
“Të zgjedhur nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantoj 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës të cilët do të konkurrojnë në 8 kategori garuese, duke shfaqur disa nga dokumentarët më të mirë si dhe një koleksion të shkëlqyeshëm të filmave të shkurtë dhe atyre eksperimentale, të prodhuar kohëve të fundit”, ka thënë MKRS-ja.
KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:
Filloi edicioni i 20-të i “DokuFest” Qytetit të Prizrenit këto ditë do ti shtohet edhe më tepër gjallëria dhe atmosfera e mirë. Mbrëmë filloi Dokufest, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ish-Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, Kryetari i qytetit të Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, Ministri i Shëndetësisë z. Arben Vitia, Ministri i Mbrojtjes z. Armend Mehaj, zëvdendësministri i MKRS z. Sejnur Veshall dhe shumë zyrtarë të tjerë. “DokuFest” nisi me transmetimin e filmit dokumentar “Witches of the Orient” në Kinemanë Lumbardhi. Të zgjedhur nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantoj 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës të cilët do të konkurrojnë në 8 kategori garuese, duke shfaqur disa nga dokumentarët më të mirë si dhe një koleksion të shkëlqyeshëm të filmave të shkurtë dhe atyre eksperimentale, të prodhuar kohëve të fundit. Pothuajse të gjithë filmat që do të shfaqen në festival do të kenë premierat e tyre Kosovare, duke e bërë atë platformën më të madhe të shfaqjes së filmave në vend. Këtë vit filmat do të shfaqen në tetë kinema.Gjashtë prej tyre do të jenë në ambient të hapur, ndërsa dy të tjera në ambient të mbyllur. DokuFest do të zgjasë deri më 14 Gusht. / KultPlus.com
Ka përfunduar prezantimi i ekpit të Kosovës në Loërat Olimpike ‘Tokio 2020’. Në këtë ngjarje, Kosova u përfaqësua nga 11 sportisë dhe 6 norma olimpike.
Në këto Lojëra, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ia siguruan Kosovës dy medalje të arta, ndërkaq Loriana Kuka mori medaljen e bronztë, transmeton KultPlus.
I fundit që përfundoi garën nga ekipi i Kosovës ishte Egzon Shala. Mundësi me normë olimpike u radhit në vendin e 8 -të në Lojërat Olimpike.
Pas përfundimit të garës së ekipit të Kosovës në ‘Tokio 2020’ ka reaguar edhe ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke e cilësuar si të sukseshëm prezantimin e ekipit të Kosovës në Lojërat Olimpike.
Postimi i plotë i MKRS-së:
Prezantimi i suksesshëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Tokio 2020
Kosova në Lojërat Olimpike 2020 –të u përfaqësua nga 11sportistë dhe 6 norma olimpike nga 2 sa kishim në Rio 2016 –të. U trefishua pjesëmarrja e sportistëve me norma olimpike dhe nuk mund të ishim më krenar se kaq.
Sportisti i fundit që përfundoi garën nga ekipi ynë është Egzon Shala. Mundësi me normë olimpike u radhit në vendin e 8 -të në Lojërat Olimpike.
Ndërsa Kampioni i Evropës në xhudo, Akil Gjakova arriti në çerekfinale në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Ai shënoi tri fitore që e renditin në vendin e shtatë në Lojërat Olimpike.
Xhudistja Loriana Kuka, medaliste e bronztë e Botës dhe Evropës, garoi në kategorinë -78 kg me rusen Alrksandra Babinsteva. Kjo ishte hera e parë që ajo mori pjesë në Lojërat Olimpike.
E arta Majlinda Kelmendi garoi me hungarezen Reka Pupp. Në fitore e humbje, ajo mbetet krenaria e shtetit tonë. Puna, përkushtimi dhe guximi që ka treguar do të jenë gjithmonë inspirim për gjenerata të tëra.
Xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova kanë dalë më të mirat në botë në kategoritë e tyre në këtë sport duke siguruar dy medalje të arta.
Drilon Ibrahimi në garën e shenjëtarisë u rendit në vendin e 46 -të dhe njëherësh ka arritur të shënojë rekord shtetëror me pjesëmarrjen në LO Tokio 2020.
Notarja jonë, Eda Zeqiri, e cila është garuesja më e re e ekipit Olimpik të Kosovës ka garuar në disiplinën 400 metra stil i lirë
Eda në përfundim të garës me kreativitetin e saj promovoi vendin duke drejtuar gishtin tek flamuri i Kosovës.
Ndërsa notari Olt Kondirolli ka garuar në disiplinën 100 metra stil i lirë. Në konkurencë shumë të madhe, Olti shënoi rezultatin e tij më të mirë ndonjëherë duke arritur 643 pikë.
Kampionja e Kosovës, boksierja Donjeta Sadiku garoi në kategorinë 57-60 kg. Ajo dha maksimumin ndërsa u ndesh me britanezen Dubois Caroline, Kampione Botërore dhe olimpike për të rinjë. Donjeta është në moshë të re, dhe ëndrrën e saj për të fituar medalje Olimpike do ta ndjek në lojërat e ardhshme Olimpike.
Atleti ynë, Musa Hajdari, mbajtësi i shumë rekordeve të vendit dhe Olimpsit i Kosovës në Rio 2016, ishte pjesë e garës në disiplinën e 800 metrave duke arritur rezultatin 01:48.96.
Të gjithë këta sportistë u bënë shembull për vendin dhe inspirim për ata që duan të ndjekin rrugën e tyre.
Ne i falenderojmë të gjithë për reprezentimin dinjitoz./KultPlus.com
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar Muajin e Rinisë qe do të shënohet me një sërë aktivitetesh.
Njoftimin për nisjen e Muajit të Rinisë, e ka bërë ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, i cili shton se gjatë këtij organimzimi do të adresohen çështje të rëndësishme për të rejat dhe të rinjtë përfshirë punësimin, migrimin, integrimin dhe shëndetin.
Postimi i plotë:
Me gjithë sfidat që kanë, të rinjtë e Kosovës kanë talentin të shkëlqejnë krahë moshatarëve nga shtetet e zhvilluara. Me nisjen e Muajit të Rinisë, ne nderojmë angazhimin dhe potencialin e këtij brezi.
Në bashkëpunim me partnerë të Ministrisë, gjatë gushtit do të zbatojmë 13 programe që adresojnë çështjet më të rëndësishme për të rejat dhe të rinjtë, përfshirë punësimin, migrimin, integrimin dhe shëndetin.
Kemi bërë hapa konkretë drejt një politike të re kombëtare për rininë. Synojmë koordinim më të mirë shtetëror për zhvillimin e rinisë dhe kanalizim të potencialit rinor për zhvillimin e vendit.
I uroj të rejat dhe të rinjtë e Kosovës për Muajin e Rinisë, paçin të sotme dhe të ardhme të ndritur në shtetin e tyre./KultPlus.com
Duke pasur parasysh mirëqenien dhe fuqizimin e të rinjve, “Muaji i Rinisë”, titullohet aktiviteti më i ri që do të organizojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nderë te Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, përcjellë KultPlus.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se programi i këtij aktiviteti do të promovojë dhe adresojë çështjet thelbësore për të rinj si aftësimin profesional dhe punësimin e të rinjve, shëndetin mendor dhe riprodhues, aktivizimin rinor në nivel lokal dhe qendror, rekreacionin dhe aktivitetet e kohës së lirë, vullnetarizmin, integrimin dhe mbrojtjen e të rinjve të margjinalizuar.
Aktivitetet e këtij muaji do të organizohen në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë nga data 2 gusht deri më datë 27 gusht.
Kjo ngjarje do të organizohet në bashkëpunim vendorë dhe ndërkombëtarë nga data 2 gusht deri më 27 gusht. / KultPlus.com
Dje Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën finale ku mes projekteve të financuara, sërish nuk është “Balkan Bordello”, bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Andaj, Qendra Multimedia ka reaguar duke theksuar se refuzon të ketë të bëj me një ministri kulture si kjo, e cila ia shpërfillë me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20 vjeçare në fushën e teatrit e letërsisë, përcjellë KultPlus.
Kjo është bërë e ditur nga Jeton Neziraj me anë të një postimi në Facebook i cili ka shpërndarë letrën e hapur ndaj Ministrisë së Kulturës.
KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:
Letër e hapur Ministrisë së Kulturës
5 mijë euro! Jo faleminderit, po ua kthejmë mbrapsht me neveri!
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ditë më parë bëri publike listën preliminare të projekteve të mbështetura kulturore për vitin 2021. Qendrës Multimedia, kjo ministri ia kishte ndarë vetëm 5,000 euro për edicionin e e 11 të polip – Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë që mbahet në Prishtinë, ndërkohë që projekti ynë i rëndësishëm teatror “Balkan Bordello” nuk ishte në atë listë. Duhet ta nënvizojmë: ky është bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Pra, edhe një herë: i vetmi bashkëprodhim ndërkombëtar në fushën e teatrit. Bashkëprodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe La MaMa-s nga Nju Jorku, që është njëri prej teatrove më të njohur në botë.
E shfrytëzuam hapësirën ligjore dhe u ankuam në adresë të MKRS-së, duke shpresuar që gabimin do ta korrigjojnë. Madje duke qenë të vetëdijshëm se ata mund të kapeshin për ‘kritereve ligjore e administrative’, ne në letrën tonë, u dhamë shembuj se ata në listën e publikuar preliminare të projekteve të mbështetura, nuk kishin qenë strikt në përfilljen e këtyre kritereve ‘ligjore e administrative’.
Gjithsesi, dje MKRS paska publikuar listën finale. Mes projekteve të financuara, sërish nuk është “Balkan Bordello”. Kjo na mbushë me mllef e neveri. Por në të njëjtën kohë, na mbushë mend dhe na kthjellë, se në Ministrinë e Kulturës në Kosovë nuk ka ndodhur kurrfarë ndryshimi. Ajo Ministri vazhdon të prodhojë politika kulturore krahinore e lokaliste, politika të akraballëkut (që ndonjëherë peshojnë deri edhe 15,000 euro) dhe se kriteret e deri-djeshme për njohje politike – si parakusht për qasje në fondet publike, vazhdojnë të jenë kritere edhe të sotme.
Qendra Multimedia refuzon të bëhet pjesë e një procesi të komprometuar të ndarjes së fondeve publike. Dhe refuzon të ketë të bëj me një ministri kulture si kjo, e cila ia shpërfillë me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20 vjeçare në fushën e teatrit e letërsisë.
Si rrjedhojë, 5,000 të cilat MKRS ia ka ndarë Qendrës Multimedia, po i kthejmë mbrapsht – MKRS mund t’ia japë Manifestës së cilës, në kurriz të skenës kulturore ia ka ndarë 700,000 euro, pra me këtë ‘donacion’ tonin, le t’i bëhen 705,000. / KultPlus.com
Me qëllim të zhvillimit, avancimit dhe promovimit të krijimtarisë të artit pamor, dhe në pajtim me Rregulloren NR. 14/2016 për Dhënien Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpall konkurs për çmimet që i ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e Artit Pamor.
Ftohen të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të arriturat në fushën e Artit Pamor, që u jepen krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre artistike kanë lënë gjurmë të thella në fushën e Artit Pamor.
Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”.
Ky Çmim u ndahet personaliteteve të shquara në fushën e artit pamor për të arriturat profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e artit pamor. Çmimi mund të jepet edhe pas vdekjes së autorit.
Laureat të Çmimit mund të jenë të gjithë krijuesit e fushë së artit pamor. Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës. Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor u jepet krijuesve të dalluar për të arriturat gjatë vitit paraprak. Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor – jepet për këto gjini: për pikturë; për skulpturë; për grafikë; për qeramikë; për vizatim; për dizajn grafik; për fotografi artistike; për video art dhe art konceptual; për performancë;
Me vlerësimin e Jurisë Profesionale, Çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor mund t`u jepet dy krijuesve.
Në raste të veçanta, kur vlerësohet se veprat nuk plotësojnë kriteret artistike – profesionale, Juria Profesionale nuk jep Çmim vjetor për kategori përkatëse.
Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.
Konkurrimi për Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor mund të bëhen përmes propozimeve nga: Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës; Galeria Kombëtare e Kosovës; Fakultet e arteve të universiteteve publike dhe private të Republikës së Kosovës; Asociacionet (shoqatat) [profesionale të artit pamor.
Vlerësimin për ndarjen e çmimeve e bënë Juria Profesionale e përbërë nga 3 anëtarë.
Propozimi që bëhet nga institucionet e lartpërmendura duhet të përmbajnë: Arsyetimin me shkrim, CV-in e të nominuarit si dhe materialet tjera përcjellëse për të nominuarin, nëse janë relevante për çmimin përkatës.
Institucionet nominuese duhet të sjellin foton e veprës në tri (3) kopje dhe jo domosdoshmërish CD-në me incizim, ose ndonjë material tjetër vizual dokumentues.
Propozimi duhet të firmoset nga titullari i institucionit/asociacionit/shoqatës që ka të drejtën e propozimit.
Propozimi me shkrim duhet të dërgohet jo më larg se 30 ditë nga dita e shpalljes së Konkursit në mediet e shkruara, në Arkivin e MKRS-së, për Departamentin e Kulturës, në Zyrën nr. 022 (Adresa: MKRS, 10.000 Prishtinë, Rruga “Nëna Terezë” nr. 35). / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) e Republikës së Kosovës ka anuluar të gjitha thirrjet publike të vitit 2021 për mbështetje financiare të fushëveprimtarisë të kësaj ministrie. Thirrjet publike të anuluara nga ministri Hajrulla Çeku janë hapur gjatë kohës kur MKRS-ja drejtohej nga Vlora Dumoshi.
Në vendimin e saj, Ministria nuk ka specifikuar nëse janë anuluar edhe listat preliminare të përfituesve të thirrjeve të hapura nga ministria në tre muajt e parë këtij viti.
“Bazuar në vendimin me nr. 311/2021 të datës 12.04.2021 me numër të protokollit 1100/2021, Anulohen thirrjet publike për mbështetje financiare nga fushëveprimtaria e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftim.
Në arsyetimin e MKRS-së për anulimin e thirrjeve thuhet se ministria është duke punuar për rishikimin e politikave dhe të planifikimit për mbështetje financiare të programeve që janë brenda fushëveprimtarisë së MKRS-së, në përputhje me programin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Siç është e njohur tashmë, planifikimi i mbështetjes financiare, përveçse duhet të jetë në kornizat e buxhetit vjetor të reflektuar në Ligjin Vjetor të Buxhetit të Republikës së Kosovës, ai duhet të jetë në linjë me prioritetet dhe objektivat strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet aty.
Po sipas ministrisë, anulimi i thirrjeve vjen edhe si hap për t’iu përshtatur rrethanave të krijuara nga pandemia. “Ky anulim vjen edhe si hap i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për t’iu përshtatur rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, dhe si vullnet për t’u solidarizuar me njëri-tjetrin por edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me organet e tjera që janë bërë pjesë e betejës për zbutjen e efekteve që janë shkaktuar si pasojë e pandemisë dhe emergjencës shëndetësore”, thuhet në njoftimin për anulimin e thirrjeve.
MKRS-ja, vazhdon më tej njoftimi, do të angazhohet që sa më shpejt të përfundojë rishikimin dhe harmonizimin e planeve për mbështetje financiare me dokumentet e politikave të ministrisë dhe qeverisë duke garantuar zbatimin e një kornize të kritereve që sigurojnë fillimisht integritet të procesit, transparencë, vlerësim të bazuar në merita, mosdiskriminim e, mbi të gjitha, siç thuhet aty, që adresojnë objektivat strategjike të rritjes së pjesëmarrjes dhe avancimit të pozitës së fushave të përgjegjësisë administrative të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Disa ditë pas anulimit të konkursit për Drejtor artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkurs për pozitën e udhëheqësit artistik, shkruan KultPlus.
Anulimi i konkursit të parë ishte bërë për shkak të përdorimit të emërtimit të gabuar ‘Drejtor Artistik’, pasi që një term i tillë nuk njihet nga ligji për teatrot dhe statusi i TKK-së.
Mirëpo i njëjti gabim është bërë dhe në konkursin e ri të hapur nga MKRS-ja, kjo pasi që në pjesën e dytë të këtij konkursi figuron emërtimi ‘Drejtor artistik’ në vend të atij ‘Udhëheqës artistik’.
“Mandati Drejtorit Artistik është katër vjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat. Drejtori Artistik i TKK-së, zgjidhet me konkurs publik, të cilin e shpallë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit”, thuhet në njoftim.
Data e aplikimit të kandidatëve sipas njoftimit do të jenë nga 5 deri më 19 prill 2021./ KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur thirrjen publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore – artistike për OJQ dhe Individ për vitin 2021, shkruan KultPlus.
Në thirrjen e bërë nga ministria tregohet se mund të aplikojnë organizatat e regjistruara si OJQ, si dhe individ.
Tutje në thirrjen publike tregohet se OJQ-të dhe individët mund të aplikojnë me projektet apo programet e tyre që synojnë promovimin e kulturës në fushat: kinematografi, teatër, muzikë, arte vizuele, industri kreative, diversitet kulturor, diplomaci kulturore, aktivitete letrare dhe bibliotekari.
Shuma që ofrohet në kuadër të mbështetjes së projekteve është maksimum deri në 5,000.00 Euro. Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 30 ditë kalendarike nga data e publikimit të thirrjes dhe përfundon me datën 4 Mars 2021, në ora 16:00.
Në vegzën e mëposhtme mund të gjeni detajet e tjera rreth kësaj thirrjeje.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrjen publike përbotimin e revistave, përkrahje financiare për botimin dhe blerjen e librave, shkruan KultPlus.
“Mund të përkrahen revistat që kultivojnë vlera letrare, artistike e kulturore”, thuhet në shpalljen e Ministrisë.
Në anën tjetër, për përkrahjen financiare të botimit të librave përmendet se veprat duhet të jenë krijimtari letrare e Kosovës, përkthime të veprave kulmore të letërsisë së huaj ose kompletet e veprave të zgjedhura të autorëve të spikatur.
Për sa i përket blerjes së librave, ato duhet të jenë vepra letrare, kulturore, artistike kombëtare, përkthime të cilat paraqesin arritje të përgjithshme artistike, vepra të botuara në dy vitet e fundit nga botues të regjistruar në Republikën e Kosovës.
Konkursi për këto tre shpallje publike do të qëndroj i hapur deri më 3 mars 2021.
Shpalljen mund ta gjeni këtu: https://www.mkrs-ks.org/?page=1%2C114&fbclid=IwAR0L7Y2qv6pL3RmSeM8EmxAaU0nt___4zmv_8tD81hql7NSqoKh93h_33T8 / KultPlus.com
Në Gjilan ka nisur zyrtarisht edicioni jubilar i 30-të i manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit 2021”.
Manifestimin e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se pikërisht tri dekada më parë nisi rrugëtimin “Flaka e Janarit”, ndërsa nga ky vit ky manifestim hyn në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe vendoset në kalendarin kombëtar të aktiviteteve.
Ai ka thënë se heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë, se si kryengritet për të drejta e për liri.
“Të vazhdojmë bashkë, pa dallime, për një qëllim, për një atdhe, për një komb e një flamur, sepse edhe hapin e fundit na duhet ta bëjmë bashkë dhe atë hap nuk duhet ndalë për ta çuar vendin përpara”, ka thënë Haziri.
Ndërsa, Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve që sollën lirinë, duke shtuar se ky manifestim mbledh artistë nga të gjitha trevat shqiptare, është manifestim i vlerave, andaj duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë.
Për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, të cilit i është kushtuar manifestimi i sivjetmë, ka folur atdhetari Bejtullah Tahiri, i cili ka thënë se ndër vite kjo datë e ka gjetur në Zagreb, Shqipëri e Zvicër, por gjithnjë është shënuar në mënyrë dinjitoze. Që nga vrasja tinëzare e heronjve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla shpirtërisht gjenden në zemrat e çdo shqiptari.
“Kadri Zeka u brumos me ide patriotike që nga rinia, ai bashkëpunoi me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe si studentë pati veprimtari në lëvizjen për çlirim, derisa në mërgim pos që publikoi në revista të ndryshme, ai se bashkë me vëllezërit Gërvalla bëri përpjekjet për bashkim të lëvizjes së shkapërderdhur në mërgim si dhe për pavarësimin e klubeve shqiptare në mërgim”, tha Tahiri, duke shtuar se pas demonstratave të vitit 1981, ai organizoi demonstrata në Evropë, internacionalizoi çështjen e Kosovës në botë. Ai dha shembullin më të mirë për bashkim.
“Vrasje e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë tek populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri.
Në emër të familjes së Kadri Zekës, ka folur Izmi Zeka, që tha se u bënë 39 vjet kur ranë Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, 37 vjet kur ranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe kur vite e vite kur ranë shumë heronj duke dëshmuar se Gjilani dhe Anamorava ishte qendër e veprimtarisë patriotike në Anamoravë.
“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë vetën tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Zeka.
Në manifestimin jubilar, janë nderuar familja e heroit Kadri Zeka për kontributin për lirinë e shqiptarëve, dy nga themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku, post-mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik u nderua Beqir Musliu si dhe Filarmonia e Kosovës. /express/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Shqipëri, Elva Margariti ka publikuar një projekt që pritet të ndodh përgjatë vitit 2021, shkruan KultPlus.
Margariti në facebook ka shkruar se do të arrihet ndriçimi i 15 kalave në Shqipëri.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Elva Margaritit:
Falë projektit të rikualifikimit të monumenteve të kulturës do të ndriçohen 15 kala në të gjithë Shqipërinë, duke u kthyer krenarinë e harruar. / KultPlus.com
Krahas ndërtesave të Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës në të cilat janë vendosur flamujt kombëtar, edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë një pamje tjetër, shkruan KultPlus.
Dera hyrëse, pemët, shkallët që janë afër kësaj Ministrie tanimë janë mbështejllur me flamurin kuq e zi në pragë të 28 Nëntorit. Kombinimi i dy krenares së bukur me flamurin e Kosovës në këtë institucion ka dëshmuar edhe një herë vëllazërinë mes kombit shqiptar.
Këtë ndërrim të pamjes e ka shpërndarë ministrja për Kulturë, Vlora Dumoshi në profilin e saj në facebook.
KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Dumoshit:
Dita më domethënëse kushtuar lirisë së popullit tonë, sot këndojmë për të gjithë patriotët që mbrojtën Atdheun shqiptar.
Në festën tonë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndriçon nga dy flamujt vëllazëror 🇦🇱🇽🇰.
Në Muzeun Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Franceze përgjatë ditës së sotme u organizua ekspozita “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923’’ dhe u promovua libri “Shqipëria në reportazhet e Robert Vaucher” nga Dorian Koçi, shkruan KultPlus.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Elva Margariti, zyrtarë nga Ambasada Franceze në Tiranë si dhe të interesuar të tjerë.
Ministria e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se muaji nëntor nuk mund të kuptohet pa këto lloj aktivitetesh sidomos në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar.
Ekspozita “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923’’ shfaqi zëvendësimin e vështirë të perandorive të vjetra nga shtetet e reja kombe, shoqëruar me ndryshime të rëndësishme kufijsh, sidomos nëpërmjet konflikteve të ndryshme, revolucioneve dhe kundër-revolucioneve gjatë periudhës së rindërtimit të Evropës Lindore dhe të Lindjes së Afërt
Në anën tjetër, përmbledhja “Shqipëria në reportazhet e gazetarit Robert Vaucher” ishte botim i shtëpisë botuese “Papirus”, me financimin e Ministrisë Franceze të Europës dhe të Punëve të Jashtme dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Ky libër i Koçit, u vlerësua nga Alda Bardhyli se hap gjerësisht rrugën për një histori sociale të ballafaqimit të kulturave dhe mentaliteteve shtetformuese gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri. / KultPlus.com
Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi ka vizituar stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’, meqë rast ka shprehur përkrahjen e saj ndaj lojëtarëve të Kosovës për lojën kundër Moldavisë, shkruan KultPlus.
Të veshur me fanela të cilat janë një kombinim mes Dardanëve dhe llogos së fushatës si përkrahje ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale, Dumoshi ka shpërndarë fotografi bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti dhe ish-presidenten Atifete Jahjaga.
‘’Forca djelmoshave që sonte sfidohen në lojën kundër Moldavisë. Bashkë me Kryeministrin Hoti dhe ish-Presidenten Jahjaga sapo vizituam stadiumin “Fadil Vokrri” ku do të mbahet ndeshja e i cili sot është veshur nga “Dardanët” në mbështetje të fushatës senzibilizuese ‘Bëhu zëri im’ në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë’’, ka shkruar ministrja Dumoshi.
Tutje ajo ka theksuar se zëri i heroinave të Kosovës sot kumbon për fitoren e madhe.
Ulëset e stadiumit ‘’Fadil Vokrri’’ sot morrën një pamje tjetër, duke u veshur me llogot e lules Anemone, kuptimi i së cilës është shpresë për të mbijetuarit e dhunës seksuale./ KultPlus.com
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Rome dhe në kuadër të kësaj dite Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendësministrat Halil Matoshi e Qazim Rrahmani, ka pritur një prej përfaqësuesve dhe aktivistin e komuniteti rom në Kosovë, Ridvan Gashi.
Aktivisti Gashi e falënderoi ministren për takimin dhe ta se në këtë ditë të shënuar për komunitetin rom ky takim i dërgon një mesazh botës që edhe Kosova po e shënon këtë ditë.
Ai tha se e falënderon MKRS-në për mbështetjen. “Është njëra prej ministrive që më së shumti e përkrah komunitetin rom, përmes projekteve të shumta” tha Gashi, i cili e informoi ministren Dumoshi edhe për aktivitetet e shumta me të cilët ky komunitet po e shënon këtë ditë.
Ndërkaq, Ministrja Dumoshi tha se synimi i saj është që të ketë gjithpërfshirje të përkrahjes për komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe ato veçse po përfitojnë nga përkrahja e MKRS-së.
Ministrja tha se bashkëpunimi me aktivistë romë si edhe me nivelin politik në Kuvend e në Qeveri është në dobi të komunitetit rom në rend të parë si dhe për shtetin e Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për themelimin e një çmimi i cili do të mund t’u ndahet personaliteteve që kanë kontribuuar në komunitetin rom, si fjala vjen, Kujtim Paçaku, apo Nexhip Menekshe. Ky propozim mbetet të shqyrtohet në të ardhmen.
U diskutua edhe për çështje të edukimit të komunitetit rom në gjuhën e tyre dhe se aty ku MKRS-ja mund të jep kontributin e saj, ai nuk do të mungojë ka thënë ministrja Dumoshi./ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, për të diskutuar planifikimin dhe programet e punës për vitin 2021.
Ministrja Dumoshi në takim, drejtuesve ua kumtoi lajmin se nga viti ardhshëm institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore do të kenë kodet e veta buxhetore, veprim ky i rëndësishëm drejt pavarësimit financiar të institucioneve.
“Më lejoni t’ju informoj se kam zhvilluar takim me drejtuesit e Ministrisë së Financave dhe Transfereve që institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore të pajisjen me kode buxhetore”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
“Krahas kësaj dhe në përputhje me aktet ligjore në fuqi, do të angazhohemi që të hartohen statutet e institucioneve, si dhe rregullimin e përhershëm të marrëdhënies së punës për performuesit dhe profesionistët e fushave specifike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore”, njoftoi ministrja.
Këto janë disa nga punët që i kemi shtyrë përpara sqaroi tutje ministrja, kurse falënderoi drejtuesit e institucioneve që me kohë kanë dorëzuar planifikimet e tyre për vitin 2021, në përputhje me kërkesat e reja.
Në këtë kuadër ministrja u zotua se do të ndërmarrë veprime në shpalljen e procedurës për rekrutim për pozitat udhëheqëse, për institucionet e kulturës të cilat aktualisht janë me ushtrues detyre.
Gjithashtu, ministrja i falënderoi drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore për angazhimet e tyre edhe në rrethana të pandemisë.
Ministrja foli edhe për Euroimazhin, ku përmendi që bashkë me QKK-në janë duke shtyrë përpara procesin dhe theksoi se do të ketë edhe aktivitete tjera deri në fund të vitit me institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore.
Nga ana tjetër, drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore mirëpritën lajmin për kodet buxhetore dhe se kjo do t’ua lehtësojë punën dhe efikasitetin. Ata thanë se kjo është një prej gjërave më të mira që do të mund t’u ndodhte institucioneve që drejtojnë, pasi që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e performancës së institucioneve.
Ata e falënderuan ministren Dumoshi për këtë angazhim dhe thanë se krahas kësaj nisme do të angazhohen dhe bashkëpunojnë ngushtë me MKRS-në drejt avancimit të fushave të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, si dhe duke ngritur përgjegjësinë dhe llogaridhënien./ KultPlus.com