Shënohet në Kosovë Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Audio-Vizuale

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Trashëgimisë Audio-Vizuale, ditë që shënohet çdo 27 tetor, e cila është përzgjedhur UNESCO më 2005, sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës kjo datë u shënua me aktivitetin që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe rëndësia e ruajtjes së dokumenteve audio-vizuale si filmat, zërat, video incizimet si dhe programet radio televizive.

Në aktivitet morën pjesë Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ish-ministri e kompozitori Valton Beqiri, regjisori Kushtrim Koliqi, dhe drejtues të institucioneve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Në fjalën e rastit që ministrja Dumoshi pati në këtë aktivitet ajo foli për rëndësinë e ruajtjes së materialeve audio-vizuale dhe se është një prioritet i institucioneve që ta bëjnë një gjë të këtillë.

“Trashëgimia audio-vizuele është pjesë integrale e identitetit të një vendi dhe si e tillë konsideroj që duhet të jetë prioritet si për institucionet ashtu edhe për mediat dhe për organizatat që merren me çështjet e trashëgimisë. Arkivat audio-vizuale janë një thesar i kujtesës kolektive dhe një burim i çmuar i dijes dhe si të tilla reflektojnë diversitetin kulturor, social e linguistik të shoqërive tona”, tha ministrja Dumoshi.

Ministrja tha se MKRS-ja ka marrë vendim dhe jemi në proces të digjitalizimit të institucioneve në dokumentim të trashëgimisë kulturore. “Në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të fillojmë një projekt të madh të kulturës e të trashëgimisë gojore, ku do të mblidhen dhe botohen rrëfimet e dëshmitarëve të luftës”, përmendi ndër të tjera ministrja.

“Është shumë e rëndësishme që trashëgiminë tonë audio-vizuale të periudhës para gjatë dhe pas luftës në Kosovë ta ruajmë përmes shumë mekanizmave dhe të mos e lëmë në harresë meqë do të na shërbejë ta njohim më mirë historinë dhe rrjedhat nëpër të cilat ka kaluar Kosova këto vite”, ka porositur ministrja Dumoshi.

Ndërsa kompozitori Beqiri përmendi se në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat tjera kanë nisur procesin e digjitalizimit të materialit audio që gjendet nëpër arkivat e ndryshme.

Kurse regjisori Koliqi, nga organizata “Integra”, foli për projektin, që me përkrahje të MKRS-së, kanë nisur realizimin e audio-dramave për rrëfimet e grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës./ KultPlus.com

Artistët nisin fushatën ‘Teatrot të hapen tani’, Mehmeti: Jemi mësu në parlament me pasë teatër, ata vetë i sjellin këto vendime e nuk i zbatojnë

Xhemile Hysenaj dhe Suada Qorraj

Pesëmbëdhjetë marsi i këtij viti shënoi mbylljen e gjithçkaje, e gjithë bota tashmë po qëndronte brenda një guaske. Por, qëndrimi brenda kësaj guaske nuk zgjati shumë, ngase botës i duhej normalizimi. E kështu filloi hapja e ngadalshme e pothuajse secilës derë që dha punë, argëtim e dituri, por e mbetur nën hije, me derën e mbyllur tash e shtatë muaj, janë aktivitetet kulturore. Në muret e sallat e teatrove e të kinemave mungon publiku, duartrokitjet e ngazëllimi i përhershëm që zakonisht përçohej në hapësira e këtyre ambienteve kulturore shkruan KultPlus.

Institucionet kulturore premtuan se teatrot do të hapen në fillim të qershorit, mirëpo, siç tashmë nuk konsiderohet çudi shkelja e premtimeve nga institucionet tona edhe ky premtim dështoi të mbahej. Kjo gjë bëri që para disa ditëve, komuniteti i artistëve të nisë një peticion për hapjen e teatrove, por që nuk duket të ketë pasur efektin e merituar tek krerët e institucioneve përkatëse, kështu, artistët filluan me hapin tjetër, që ishte një protestë virtuale e që me shumë gjase nuk do të mbarojë me kaq.

Poashtu, me 29 korrik të këtij viti është marrur vendimi për ndalimin e të gjitha aktiviteve kulturore, vendim ky që tash e sa kohë nuk është duke u përfillur. Deri tash janë mbajtur promovime, ditë të trashëgimisë, ekspozita e shumë të tjera aktivitete që prezent kanë pasur shumë njerëz, duke rënë në kundërshtim me masat AntiCovid.

Bëhet fjalë për fushatën ‘Teatrot të hapen tani’, nismëtar i së cilës ishte regjisori dhe Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi. KultPlus kontaktoi me Zymberin i cili u shpreh i mllefosur dhe i shqetësuar në lidhje me moshapjen e teatrove, duke e konsideruar si të pakuptimtë dhe dëshpërues faktin që akoma qëndrojnë të mbyllur. Sipas tij, teatrot do të mund të kontrollonin shumë lehtë numrin e spektatorëve përmes shitjes së biletave dhe distancës në mes të ulësëve. ‘Gjendja, mbyllja dhe kufizimi nëpër të cilën kemi kaluar si shoqëri gjatë pandemisë, mendoj që ka nevojë shumë për një infuzion artistik e bashkë me këtë edhe skena kulturore ka nevojë për të kaluar këtë gjendje pothuajse të një kollapsi kulturor. Gjendja, mbyllja dhe kufizimi nëpër të cilën kemi kaluar si shoqëri gjatë pandemisë, mendoj që ka nevojë shumë për një infuzion artistik e bashkë me këtë edhe skena kulturore ka nevojë për të kaluar këtë gjendje pothuajse të një kollapsi kulturor’, potencon Zymberi për KultPlus.

Ndër të tjera, Zymberi shprehet se komuniteti artistik është i gatshëm të bashkëpunoj edhe me organet gjegjëse për të krijuar një manual apo udhëzim se si do të mund të funksionojnë teatrot tona në rast të hapjes së tyre, duke pasur parasysh situatëën pandemike.

Aktorë të shumtë iu bashkuan kësaj iniciative, ndërkaq KultPlus kontaktoi disa prej tyre. Të gjithë artistët shprehën mllef e revoltë në lidhje me moshapjen e teatrove, duke e konsideruar të pakuptimtë një gjë të tillë, pasiqë edhe brenda këtyre hapësriave ekziston mundësia e zhvillimeve kulturore duke respektuar masat AntiCovid. Ata poashtu u shprehën shumë të gatshëm për një portestë të mundshme në rast se edhe kjo fushatë has në vesh të shurdhër.

Astrit Kabashi konsideron se qeveria duhet të shqyrtojë edhe njëherë ato vendime. ‘Pa kulturë ky vend vdes’, deklaron ai.
‘Ne besojmë që institucionet kulturore do të hapen, sepse përveç për komunitetin artistik që është e nevojshme dhe për qytetarët, më së shumti do t’i bënte mirë qeverisë në Kosovës. Pak kulturë nuk do t’u bënte keq këtyre të fundit. Ne nuk po kërkojmë të rrezikojmë shëndetin e askujt, ne po mendojmë vetëm për shëndetin mendor dhe shpirtëror të qytetarëve të Kosovës’, deklaroi tutje Kabashi për KultPlus.

Dramaturgu Jeton Neziraj, është shprehur fushata ‘Teatrot të hapen tani’ do të përfshijë një seri aksionesh dhe nuk to të kufizohet vetëm në rrjete sociale, pra, sipas tij, nuk përjashtohen as format tjera të protestës
‘Do t’i bashkohem gjithësecilës iniciative, kërkese për hapjen e teatrove, natyrisht, argumentet pro hapjes së teatrove janë bindëse dhe ato më nuk mund të kontestohen, sidomos për faktin që janë lejuar të funksionojnë qendrat tregtare, gym-et, kafeteritë e kështu me radhë. Madje, vet qeveritarët këtyre ditëve i kemi parë tek kanë organizuar apo kanë marrë pjesë në evente të ndryshme publike. Një i tillë u organizua ditë më parë nga komuna e Prishtinës’, ka deklaruar tutje Neziraj për KultPlus.

Ndërkaq, në anën tjetër, Sindikata e Teatrove të Kosovës tash e sa kohë është në përpjekje për të bindur qeverinë që të lejojë hapjen e teatrove, mirëpo deri tash nuk është hasur në ndonjë përgjigje pozitive

Kushtrim Qerimi tregoi për KultPlus se e konsideron teatrin tejet të rëndësishëm, sipas tij teatri kontrollohet vetëm në vende totalitare për shkak të ndikimit të tij të madh tek masa njerëzore. ‘Për më thjeshtë do të citoja Nolin, ”Një vepër e luajtur mjeshtërisht nga aktorët në teatër, vlen më tepër se njëqind herë leximi i saj’. Andaj, roli edukativ i teatrit në shoqëri është shumë herë vendimtar. Komuniteti teatror është diskriminuar nga masat edhe ashtu naive AntiCovid, andaj që të mos vie deri te shpërfillja e këtyre masave edhe ashtu të parespektuar në radhë të parë nga vetë ata që i kanë vendosur, uroj që teatri sa më parë të filloj punë. ‘, shprehet Qerimi.

Sherif Bega, ishte ndër aktorët e shumtë që iu bashkuan kësaj nisme. Ai potencoi për KultPlus se është i gatshëm për një protestë në të ardhmen e afët, nëse nuk ndërmerret asgjë mbi hapjen e teatrove. ‘Teatri është shumë i rëndësishëm në shoqëri, e sidomos në këtë periudhë pandemike ku për pothaujse 8 muaj teatri e kinemaja kanë qenë të mbyllura, qytetarët janë të lodhur, prandaj hapja e teatrove është e domosdoshme”, potencon tutje Bega për KultPlus.

Ndërkaq, Florent Mehmeti për KultPlus shprehi dëshpërimin e madh në lidhje me këtë çështje dhe me vendimet e paarsyeshme të qeverisë, pasiqë sipas tij, këta të fundit vetë i kanë sjellë këto vendime dhe janë pikërisht ata që nuk po i zbatojnë ato.

‘E konsideroj teatrin si pjesë të pandashme të jetës Teatri flet shumë edhe për nivelin e emancipimit të një shoqërie, është një fjali e njohur që thotë se nëse don me njoftë nivelin kulturor të një vendi duhet me e pa se si i kanë të rregulluar teatrin dhe varrezat. Teatri është pjesë e pandashme e botës qysh prej kohës së antikiteti’, u shpreh ai.

Mehmeti, ndër të tjera potencoi se jemi shumë vonë në kushtim të rëndësisë së teatrit, ai konsideron se autoritetet përkatëse përtojnë të merren më çështjen e teatrit.

‘Jemi mësu në parlament me pasë teatër, kushdo që paguhet prej taksave të qytetarëve është duke bërë teatër, është për të ardhur keq që qeveria e lejon këtë gjë. Instancat qeveritare, qoftë ato lokale qofë të nivelit qëndror po organizojnë aktivitete kulturore në baza ditore, me shumë njerëz e me salla të mbyllura, e çka është tjetër kjo pos teatrit?!’, deklaron për KultPlus Mehmeti.

Teatri është ndër hapësirat më të rëndësishme kulturore të një vendi. Fakti që këto hapësira akoam qëndrojnë të mbyllura, flet shumë për krerët e institucioneve përkatëse. ‘Teatrot të hapen tani’ nuk mbaron me kaq. Kjo fushatë nuk ka për t’u ndalur derisa të merret një vendim i përshtatshëm mbi hapjen e tyre. / KultPlus.com

Samka Ferri me letër të hapur për Dumoshin: Thuani STOP këtij degradimi dhe merreni timonin vet në dorë

Letër e hapur nga Samka Ferri, drejtuar Ministres znj Vlora Dumoshi

E nderuara ministre Dumoshi, s’apo mora një informatë se komisioni i emëruar për përzgjedhjën e çmimeve vjetore Për Teater, në përbërje:

1. Marigona Bekteshi – regjisore e teatrit.

2. Sahadete Beqiri – dramaturge

3. Agim Selimi – regjisor

4. Jeton Ahmetaj – regjisor

5. Fatos Berisha – regjisor.

Qenka përcaktuar dhe paska marrë vendim për fituesit e sivjetëm.
Kur pashë listën e komisionit dhe listën e fituesve, me dëshpërim të thellë thash me vetë: ” Edhe sivjet si për vjet”.

Këtë dëshpërim nuk e kam pse si doajene e teatrit dhe kostumografisë edhe sivjet kam qenë e nominuar nga disa institucione teatrore për çmimin për vepër jetësore, por se vlera dhe merita ashtu sikur viteve të kaluara, nuk është përcaktues as i emërimit të komisionit profesional, as i përzgjedhjes së fituesve të këtyre çmimeve.

Kur pashë listën e anëtarëve të komisionit, pashë artiste të reja në profesion, të cilat ende nuk janë dëshmu në fushat e tyre përkatëse, e në anën tjetër të njejtave ju ipet një përgjegjësi kaq e madhe dhe delikate për të vlerësuar artistë më kredibilitet, madje edhe doajen të teatrit!

Zgjedhja në këtë komision e artistëve me biografi profesionale të tillë, lë dyshim të bazuar se autoriteteve kompetente, nuk po ju intereson edhe aq që këto çmime ti marrin njerzit e merituar, sepse nga një komision i pamerituar nuk mund të rezultoj një përzgjedhje e merituar e laureateve.

Pyetja që shtroj tani është kjo: Sa ia vlenë të pranohet nominimi nga institucionet teatrore, për të konkuruar në këtë konkurs me laureat të paracaktuar? Këtë pyetje se pari po ia bëjë vetës dhe mandej të njejtën, po ia drejtoj komunitetit artistik dhe juve si ministre…

Këtë pyetje po ia bëjë ndërgjegjes sonë kolektive, që të zgjohet nga letargjia për ti bërë ballë egos tonë të babëzitur…

E nderuara ministre, asnjë herë më parë nuk kam reaguar edhe kur kam verejtur lëshime të tilla në të kaluarën, por kësaj radhe vendosa të ngritem mbi heshtjen time, duke ju drejtuar një ministre femer që një kohë të gjatë ka qenë në krye të institucioneve të ndryshme kulturore.

Të drejtohem ty ministre Dumoshi, sepse ju duhet ta ndaleni këtë trend të paktën për shkak të asaj çka përfaqësoni edhe si person edhe si familje.

Thyeni edhe ju heshtjen dhe merrni kurajon të thuani STOP…Ndaleni tatpjetën ministre, jo për mua, jo për koleget e mij doajen, por për të ardhmën që po vjen.

Thuani STOP ministre këtij degradimi dhe merreni timonin vet në dorë, duke e drejtuar andej nga është drejtësia, besueshmëria dhe vlera.

Merreni kurajon dhe shkarkojeni këtë komision, zgjedheni një komision kredibil dhe zgjedheni laureatët meritorë…

Bëjeni këtë ministre, se e ardhmja nuk do të na e falë… / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti në takim pjesëmarrësit e kampit të përbashkët rinor Kosovë – Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, në kuadër të Muajit të Rinisë, i cili është mbushur me aktivitete të ndryshme që ishin me interes për fushën e rinisë, ka pritur sot në takim një grup të rinjsh nga Kosova e Shqipëria, pjesëmarrës të sesionit të dytë të kampit rinor i cili ka nisur në Kosovë, pas atij që është mbajtur në Shqipëri në korrik të këtij viti.

Të rinjtë do të kenë mundësinë të ndajnë eksperienca dhe të aftësohen në këto tema:

1. Mbrojtja e mjedisit jetësor në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës.

2. Rrjetëzimi dhe partneriteti për vitin 2020.

3. Mbështetja e të rinjve në aspektin psiko-social gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Ministrja u shpreh e lumtur që po pret të rinjtë në takim dhe theksoi që konsideron që shkëmbimi i eksperiencave dhe ndarja e njohurive mes dy vendeve tona është tepër e rëndësishme aq më tepër kur të dy vendet gëzojnë potencial të jashtëzakonshëm rinor.

Të rinjtë pjesëmarrës u shprehën entuziastë e të lumtur për takimin dhe e vlerësuan kampin si një hapsirë ku përveç njohurive të reja po përfitojnë njohje të reja e eksperienca të paharrueshme.

I gjithë kampi është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Rinisë e Shqipërisë./ KultPlus.com

Emërohet këshilli i ri i QKK-së

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim drejtorin e QKK-së Arben Zhurku dhe anëtaret e rinj të Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka këtë përbërje: Arbnesha Grabovci, Jeton Zogjani, Luan Daka, Linda Shala dhe Burim Reçica, përfaqësues i MKRS-së.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi i njoftoi anëtaret e rinj të këshillit drejtues për gjendjen aktuale të kinematografisë si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon aktualisht QKK.

“Dua ta falënderoi paraprakisht ish-këshillin drejtues të QKK-së për punën dhe angazhimin e deri tanishëm. Ju pret një sfidë e madhe e cila kërkon mund dhe angazhim dhe kjo patjetër që do arrihet me profesionalizëm dhe përkushtim”,  u shpreh ministrja Dumoshi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të përkrahë në vazhdimësi QKK-në si nga ana profesionale dhe nga ajo financiare.

MKRS do të jetë çdo here mbështetja me e madhe e industrisë së filmit pasi që filmat tanë po tregohen të suksesshëm në kinematografi evropiane duke sjellë çmime të njëpasnjëshme”, tha ministrja Dumoshi.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe për ligjin e ri të QKK-së i cili së shpejti do të kalojë në Qeveri për aprovim.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku i uroi anëtarët e rinj dhe i njoftoi për punën dhe sfidat nëpër te cilat do të kalojnë. Gjithashtu ai e falënderoi Ministren Dumoshi për punën dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për institucionin që ai përfaqëson./KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti në takim anëtarët e grupit punues për shndërrim në muze të ish-burgut të Prishtinës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit priti sot në takim konstituiv anëtarët e grupit punues për shndërrim në muze të ish-burgut të Prishtinës.

Grupi punues me vendim të ministres ka këtë përbërje: Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses; Ndërkaq në rolin e anëtarëve: Profesor Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë; Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së; Xhavit Loshaj, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë; Hydajet Hyseni, Kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politik të Kosovës; Meriman Braha, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës; Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Dr. Hagji Ademi, Instituti i Historisë dhe Ajshe Kamberi, MPB.

Në takim Ministrja u shpreh e lumtur që në mandatin e saj si ministre ish-burgu i Prishtinës filloi procedurat e shndërrimit në muze.

Burgu i Prishtinës ishte vendi ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht, prandaj shndërrimi i tij në muze është i domosdoshëm për kujtesën tonë kolektive dhe për njohjen e kontributit të shumë njerëzve në Kosovë – tha Ministrja Dumoshi.

Ndërtesa në të ardhmen do të menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.

Gjatë takimit anëtarët e grupit punues thanë se do të angazhohen maksimalisht gjithmonë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, si dhe aspektin shoqëror dhe historik të saj.

Trashëgimia kulturore e shpirtërore dhe ruajtja e kujtesës kolektive janë prioritet kyç i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Neziraj paralajmëron takimin e MKRS-së për teatrot dhe kinematë

Përderisa teatrot janë të mbyllura, Qendra Multimedia dje nisi peticionin për hapjen e tyre. Ndërkaq, drejtuesi i kësaj Qendre, Jeton Neziraj ka paralajmëruar takimin gjatë ditës së sotme të Ministrisë së Kulturës për këtë çështje, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një njftomi të bërë në Facebbok ai tregoi se ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi  do të ketë sot në orën 17:00 takim me akterët relevant për të vendosur lidhur më këtë çështje./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/jeton.neziraj.5/posts/10158808705592002

Yll Rugova emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Yll Rugovën zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Në njoftimin e qeverisë, thuhet se Yll Rugova, u lind më 1984 në Prishtinë, ai ka mbaruar studimet bazike dhe ato të masterit për Dizajn Grafik në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës.

“Ka qenë Drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në fillim të legjislaturës së fundit. Themelues i hapësirës ekspozuese për artet pamore “Motrat” në Prishtinë, ndërkohë që ka ushtruar veprimtarinë profesionale kreative edhe përmes grupit të dizajnit “Tembelat”. Shquhet si aktivist i shoqërisë civile, i angazhuar në protesta dhe aktivitetet tjera politike”, thuhet ndër të tjera në njoftim./ KultPlus.com

MKRS shpalos agjendën për aktivitetet kulturore që mbahen për nder të 12-vjetorit të pavarësisë

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë nga 12-vjetori i pavarësisë së Kosovës, ku për nder të këtij përvjetori Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka organizuar disa aktivitete kulturore, shkruan KultPlus.

Më poshtë mund të shihni agjenden e plotë të aktiviteteve kulturore që përfshijnë muzeun, teatrin, letërsinë e filmin.

17.02.2020- Ekspozita “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar” në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 11:00

17.02.2020- Ndarja e Çmimeve të Letërsisë për vitin 2019, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ora 13:00

17.02.2020– Shfaqja “Ngjyrat e vallëzimit”, Baleti Kombëtar i Kosovës, në Teatrin Kombëtar, ora 17:00

18.02.2020- Shfaqja “Bryma e vdekjes”, në Teatrin Kombëtar, ora 20:00

17-19.02.2020- Java e filmit shqiptar në Prishtinë, në Kino ABC, ora 19:00

17.02.2020- Koncert festiv nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”, në Teatrin Kombëtar, ora 20:00

17.02.2020- Ekspopzita arkeologjike “Kosova dhe Adriatiku”, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ora 12:00. / KultPlus.com

Asociacioni i Teatrove Publike të Kosovës i kërkon Ministrisë së Kulturës të kryejë obligimet financiare

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës shpreh shqetësimin e tij rreth mos kryerjes së obligimeve / alokimeve të mjeteve financiare nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës ndaj teatrove publike të qyteteve, përkundër faktit të përfundimit të këtyre projekteve nga teatrot, projekte këto të fituara nga Konkursi për Projektet Kulturore – Artistike në mars të vitit 2019, përcjellë KultPlus.

Që nga ky fillimi i 2019, teatrot publike të qyteteve nuk kanë marrë akoma mjetet financiare nga ky konkurs dhe kjo ka shkaktuar vazhdimisht dhe po shkakton akoma telashe, vështirësi dhe obligime në menaxhimin e tyre financiar.

Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve bën thirrje dhe kërkon nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sa më parë të shqyrtojë kërkesën e tyre rreth alokimit të këtyre mjeteve në mënyrë që edhe teatrot ti kryejnë obligimet ndaj artistëve të angazhuar në këto projekte.

Kryetari i Asociacionit të Teatrove Publike në Kosovës, Edi Kastrati e shpreh shqetësimin e tij në emër të Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës: Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë, Teatri i Qytetit – Gjilan, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren, Teatri “Adriana Abdullahu” – Ferizaj, Teatri “Istref Begolli” – Pejë dhe Teatri “Muharrem Qena” – Mitrovicë. / KultPlus.com

Ministria e Kulturës organizon festival kushtuar letërsisë së re shqipe

Shkrimtarët e rinj bëhen bashkë në një festival, ku letërsia e re shqipe do të jetë në fokus të “New Literature Festival” i cili nisi për herë të parë hapi siparin nga dita e sotme e deri më 30 tetor në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar.

Personazhe të jetës letrare pas viteve ’90-të, dhe emra të njohur të letërsisë shqipe do të jenë bashkë në një komunikim që kërkon të nxjerrë në pah prirjet e sotme të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Ditën e martë u zhvillua edhe takimi i parë me pjesëmarrjen e një numri të madh nxënësish nga gjimnazet e Tiranës, si “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali” etj.

Festivali nisi sot me një panel diskutimi me botues, studiues të letërsisë, autorë të rinj mbi sfidat e letërsisë bashkëkohore shqipe. Botuesja Arlinda Dudaj, studiuesit dhe shkrimtarët Agim Baçi, Ardian Vehbiu, Blendi Fevziu, Visar Zhiti, Loer Kume, Brahan Sukaj, Enkelejd Lamaj, Tobias Xhaxhiu etj., diskutuan rreth letërsisë bashkëkohore, çfarë përfshihet në të, çfarë ndikimi ka, sa lexohet sot, letërsinë si kujtesë, e të tjera tema që shqetësojnë krijuesit e rinj. /atsh / KultPlus.com


Nënshkruhet Rregullorja mbi Punën e Këshillit Drejtues të Institutit Arkeologjik të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Z. Kujtim Gashi, ka nënshkruar Rregulloren mbi Punën e Këshillit Drejtues të Institutit Arkeologjik të Kosovës, shkruan KultPlus.com

Plot 16 vite pas themelimit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Këshilli Drejtues i këtij institucioni i emëruar nga Ministri Gashi në Mars të vitit 2019, ka përgatitur Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues të IAK-ut.

 “Jam i lumtur që ky Këshill i emëruar në mars të këtij viti, ka bërë një punë të jashtëzakonshme në përgatitjen e Rregullores së Punës së Këshillit Drejtues të IAK-ut”. tha ministri Gashi. 

 “Instituti Arkeologjik i Kosovës që nga themelimi i tij, ka pasur mungesë së infrastrukturës ligjore. Rregullorja është hapi i parë drejt kompletimit të infrastrukturës ligjore të këtij institucioni shumë të rëndësishëm të Trashëgimisë Kulturore të vendit tonë. 

U informova nga Këshilli Drejtues, që janë në përfundim edhe të Statutit të IAK-ut, kurse unë si ministër i inkurajova anëtarët e Këshillit që të vazhdojnë punën shumë të mirë që po e bëjnë”, theksoi ministri Gashi. 

Më tej ministri Kujtim Gashi shtoi se “Do të jem gjithmonë në përkrahje të profesionistëve, të cilët punojnë me përkushtim në ngritje të nivelit institucional, në bazë të ligjeve të shtetit tonë”. 

Duhet theksuar që Instituti Arkeologjik i Kosovës deri më tani nuk ka pasur Rregullore të Këshillit Drejtues dhe as Statut të IAK-ut. Është hera e parë kur një ministër i MKRS-së i kushton vëmendje dhe përkrahje të pa kursyer një trupe profesionistësh, siç është Këshilli Drejtues i IAK-ut që të punojnë dhe të përgatitin dokumente të domosdoshme për funksionimin ligjor dhe të drejtë të Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Këto vepra do të financohen nga Ministria e Kulturës

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën e librave që do të marrin financim nga kjo ministri, shkruan KultPlus.

Këtë vit Ministria ka ndarë 76,700 euro nga buxheti për botimin e librave të ndryshëm, letrarë dhe jo letrarë dhe nga dhjetëra shtëpi botuese.

Shumica e librave që do të botohen kanë marrë prej mbështetje prej 500 deri në 2000 euro.

Në bazë të konkursit të shpelluar nga Ministria me kulturës me 29 janar të këtej viti, këta janë librat që do të marrin financim nga Ministria/KultPlus.com

Këtë vit Ministria ka ndarë 76,700 euro nga buxheti për botimin e librave të ndryshëm, letrarë dhe jo letrarë dhe nga dhjetëra shtëpi botuese.

Kosova merr pjesë në Panairin e Librit në Leipzig

Sot, Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur në takim Drejtorin e Panairit të Librit në Leipzig, Oliver Zile, përcjell KultPlus.

Ministri Gashi e falënderoj Zile për mundësin e dhënë që vendi ynë të marrë pjesë në panairin e librit në Leipzig me autorët dhe stendën e posaçme.

Po ashtu, Ministrit Gashi gjatë këtij takimi me Zile kanë diskutuar edhe për hapat përfundimtar drejt anëtarësimit zyrtar të Kosovës në TRDUKI, duke kërkuar mbështetje nga zyrtarët e panairit të Leipzigut të cilët kanë një peshë dhe rëndësi të veçantë në këtë proces të rëndësishëm dhe tepër të nevojshëm për vendin tonë.

Drejtori Zile ka përgëzuar Ministrin Gashi për punën dhe përkushtimin që ka pasur në krijimin e kushteve për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Panairin e Leipzigut, duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të pranisë së Kosovës në këtë Panair dhe duke theksuar që ai dhe ekipi i tij drejtues edhe në të ardhmen do të bëjnë çdo gjë për të ndihmuar praninë e vlerave kulturore të Kosovës në këtë Panair.

Ministri Gashi tha se “pjesëmarrja e Kosovës sivjet në panairin e Leipzigut nuk është e rastësishme, andaj vendi ynë do ta shndërrojë në traditë pjesëmarrjen në këtë Panair të rëndësishëm të Librit, i cili është ndër panairet më të vjetra në botë e  ku sidomos autorët luajnë një rol të rëndësishëm me prezantimet e tyre”.

Republika e Kosovës për herë të parë sivjet është  prezantuar me stendë në Panairin e Librit në Leipzig. Panairi në Leipzig njihet edhe si Panairi i Autorëve dhe Evropës Lindore dhe Juglindore është edhe pse me përmasa më i vogël sesa në Frankfurt është në fokus të jetës kulturore gjermane dhe evropiane çdo pranverë. Me rreth 200.000 vizitorë dhe 3000 botues nga Gjermania dhe vende të ndryshme të botës, sivjet Kosova ka qenë risia e këtij Panairi.

Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës sivjet ka përkrahur Bibliotekën Kombëtare të Kosovës e cila në stendën e saj ka prezantuar botimet më të reja nga Republika e Kosovës. /KultPlus.com

Në Shqipëri kanë filluar diskutimet për statusin e artistit, Ministria e Kulturës në fazën e hartimit të ligjit

Ministria e Kulturës është në fazën e hartimit të gjithë kornizës së plotë për statusin e artistëve.

Kështu u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë një interviste dhënë disa minuta më parë. Ajo i konsideroi të drejta kërkesat e artistëve.

“E kam diskutuar edhe me ta. Para pak javësh kemi bërë një takim me sindikatën e artistëve. Ata faktikisht janë të fokusuar më shumë në pjesën e pensionit, pensioni i posaçëm, pensioni i artistit është një nevojë reale sepse një artist, le të themi një balerin nuk mund të dalë në pension në moshën që dalin të gjithë personat e tjerë që kryejnë profesione të tjera dhe kjo është e drejtë. Ka ende për t’u riparë edhe pikat e tjera se deri ku statusi artistit ti jepte një vlerë të shtuar dhe të mos fokusoheshim vetëm tek pensioni. Kemi ngritur një grup të posaçëm për të hartuar më së mirë, për të dalë përpara edhe me statistika pasi për të nxjerrë në pah një projektligj duhet të ngremë një paketë të mirë informuese, jemi duke punuar për këtë por sidoqoftë, që ato kërkesat e para kur shikohen vetëm në aspektin ekonomik me duket sikur nuk janë të shëndosha. Pra, do të donim që në momentin që do donim një nismë të tillë të dilnim me një projektligj që të ishte sa më e kompletuar. Kështu që jemi në fazën e hartimit të gjithë kornizës së plotë”, – deklaroi Margariti.

Gashi: Rruga “Marin Barleti” në Prizren do të revitalizohet me investim mbi 2 milionë euro

Ministria e Kulturës ka thënë se projekti “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” është një projekt ambicioz dhe tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, pasi që ngërthen në vete trajtimin e 14 ndërtesave të banimit të cilat fatkeqësisht nuk janë në gjendjen e dëshirueshme.

Ministri Kujtim Gashi tha se edhe përkundër faktit që zbatimi i këtij projekti paraqet një ngarkesë buxhetore për MKRS-në, ai do të zbatohet në përpikëri, në respektim të standardeve të larta profesionale dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Hartimi i projekti në fjalë “Revitalizimi dhe Integrimi Socio-Ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti në Prizren” ka filluar që nga viti 2017 dhe është trajtuar ne mesin e disa prioriteteve tjera qe ka pasur ministria. Procesi i hartimit të projektit është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata EC Ma Ndryshe. I njëjti është financuar nga MKRS-ja, në vlerë prej 50 mijë eurosh si dhe është mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe komuna e Prizrenit.

Ministri Gashi ka thënë se ky projekt hap rrugët për investime mbi 2 milionë euro në këtë lagje të rëndësisë së veçantë për qytetin e Prizrenit. Me këtë rast ministri falënderoi institucionet për përkushtim dhe angazhimin maksimal si dhe të gjitha palët e involvuara, përfshire këtu dhe pronarët e ndërtesave të lagjes të cilët siç tha ministri treguan gatishmëri për t’u bërë palë në këtë proces tejet të ndërlikuar por shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tyre por edhe të qytetit të Prizrenit.

“Rruga ‘Marin Barleti’ zë pjesën kyçe të Qendrës Historike të Prizrenit, ndaj dhe revitalizimi urban dhe shoqëror i tij do të ndikon në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal në të gjithë Qendrën Historike të Prizrenit”, ka thënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Nesër ndahen çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore

Ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore do të mbahet nesër në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashit.

Laureatët do të marrin çmimet për kontributet e tyre në fushën e trashëgimisë, konkretisht do të ndahen çmimi për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë “Dea Daranicae”, çmimi për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi”, çmimi për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu” dhe çmimi për vepër shkencore “Zef Mirdita”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve mbahet nesër në ora 11:00. / KultPlus.com

Kosova shënjon vendet e trashëgimisë dhe ato turistike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka nënshkruar sot Udhëzimi Administrativ (MKRS) nr. 01/2019 për specifikat e shënjimit të trashëgimisë kulturore dhe vendeve turistike, akt nënligjor ky i cili ka për qëllim të përcaktojë llojet, kuptimin, formën, ngjyrën, dizajnin, madhësinë dhe fontin e shkronjave, dimensionet, materialin dhe karakteristikat teknike të shenjëzimit si dhe udhëzimet për standardet për vendosjen dhe instalimin e shenjave të trashëgimisë kulturore dhe atyre turistike në të gjitha kategoritë e rrugëve në Republikën e Kosovës.

Këto shenja njoftuese/informuese, në bazë të udhëzimit, do të zbatohen në tërë territorin e Kosovës dhe janë të dedikuara për informim, gjegjësisht për të drejtuar shfrytëzuesin deri te potencialet/destinacionet e trashëgimisë kulturore dhe turistike. Shenjat sipas këtij udhëzimi janë: Shenja “shënim kulturo- historike”; Shenja “atraksion natyror”; Shenja “objekt për strehim”; Shenja “objekt hotelier”; Shenja “objekt publik”; Shenja “atraksione turistike”; Shenja “rrugë turistike”; Shenja “Mirë se vini” dhe “Lamtumirë”; Shenja “tabela turistike informuese, për komunikacion, turizëm dhe informacione të tjera turistike”. Format e këtyre shenjave do të jenë katrore, katërkëndëshe dhe në formë shigjete dhe kanë ngjyra të kafta, të kaltra, gjelbërta dhe të bardha.

Gjithashtu, shenjat i kanë kodet e tyre të cilat ndahen në: E 1.x – simboli i trashëgimisë kulturore; E 2.x – simboli për shërbime; E 3.x – simboli për rekreacion. Ndërsa numrat do të shënohen prej 01 deri 99 për secilën kategori të sinjalizimit. Shenjat përmbajnë simbole të paraqitura në formë të piktogramit dhe tekste të shkruara sipas nevojës. Ndërkaq, dimensionet e shenjave sipas llojit të tabelave fillojnë nga min. 20 x 20 cm deri në max. 6 m².

Me këtë rast, ministri Gashi vlerësoi se nëpërmjet këtij udhëzimi administrativ qartësohen shenjat orientuese për vendet e trashëgimisë kulturore dhe ato turistike.

“Ky akt nënligjor mundëson dhe qartëson që Republika e Kosovës të shënjohet me simbole orientuese të trashëgimisë kulturore dhe për vendet turistike e që ua lehtëson turistëve vendor e ndërkombëtar që gjejnë më lehtë destinacionin që u intereson. Me këtë akt, ne kemi përmbushur edhe një standard për trashëgimi dhe turizëm dhe kjo bën që ne të afrohemi edhe një hap me standardet evropiane e ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ministri.

Ai po ashtu u zotua që këtë vit do të hartohen e miratohen edhe akte tjera që përmirësojnë dhe konkretizojnë fushat përkatëse ashtu që qytetarët e Kosovës si dhe turistët e huaj ta kenë më të lehtë realizimin e nevojave dhe qëllimeve të tyre në vendin tonë konform rregullave e dispozitave ligjore të Republikës së Kosovës./KultPlus.com

Ministria e Kulturës këtë javë nis bartjen në Prizren

 Dita e premte e kësaj jave është afati i radhës i caktuar nga lidershipi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për jetësimin e fazës së parë të bartjes së këtij dikasteri në ndërtesën që vite më parë shfrytëzohej nga rektorati i universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Tashmë kjo ndërtesë është rinovuar dhe adaptuar për nevojat e MKRS-së, përkatësisht kabinetin e ministrit dhe zyrtarëve të Departamentit të Kulturës dhe të Trashëgimisë Kulturore. Madje të martën në rrjetet sociale janë publikuar pamjet e zyrave të MKRS-së në Prizren.

“Ambiente të gatshme për bartjen e një pjese të MKRS-së në qytetin historik. Hapja zyrtare do të realizohet shumë shpejt. Është çështje ditësh kur në Prizren MKRS-ja do të fillojë punën e saj”, shkruan në postimin e kësaj ministrie.

Disa orë më pas, ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, ka deklaruar për gazetën se bartja në Prizren do të realizohet ditën e premte.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, më 15 mars të vitit të kaluar kishte miratuar propozimin për dhënien në shfrytëzim të dy ndërtesave në pronësi komunale me qëllim të bartjes së MKRS-së në qytetin e vjetër, shkruan Koha Ditore.

Ministri Gashi: Fuqizimi i rinisë, fokusi ynë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në kabinetin e tij përfaqësues të organizatës World Vision në Kosovë. Në këtë takim mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe organizatës World Vision u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi.

Qëllimi i këtij memorandumi është angazhimi i ndërsjellët i MKRS-së dhe WVK-së në zbatimin e strategjive kombëtare që kanë në fokus te rinjtë. Organizata World Vision në Kosovë angazhohet që sipas drejtimeve strategjike të saj, të zbatojë Programin e Rinisë dhe Programin e Fuqizimit Ekonomik të Rinisë, të cilat janë në përputhje me objektivat e strategjive kombëtare.

Po ashtu sipas këtij memorandumi, World Vision bashkëpunon me partnerët kombëtarë e lokal dhe institucionet shtetërore për zbatimin e programeve të saj në lidhje me mirëqenien dhe zhvillimin e të rinjve në këto komuna të Kosovës: Prizren, Rahovec dhe Suharekë, Gjakovë dhe Malishevë, Lipjan dhe Graçanicë, Mitrovicë, Vushtrri dhe Ferizaj.

Ministri, Kujtim Gashi, u shpreh shumë i kënaqur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Ai tha se kjo marrëveshje përkufizon qëllimin dhe vullnetin e dyanshëm për të bashkëpunuar dhe sqaroi: “Ky bashkëpunim do të zgjas për një periudhë pesë vjeçare dhe do konsistojë në zbatimin e disa projekteve në fushën e Fuqizimit të të Rinjve, Zhvillimit Ekonomik”.

Ai po ashtu theksoi se “projektet që do të realizohen në mënyrë specifike mbështesin fuqizimin e të rinjve të moshave 18-24 vjeç nëpërmjet trajnimeve dhe aktiviteteve që synojnë përmirësimin e aftësive për jetën, krijimi i një mjedisi mbështetës për të rinjtë me anë të rritjes së ndërgjegjësimit të komuniteteve për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive dhe domethënëse së të rinjve në jetën sociale dhe ekonomike të një komuniteti, e po ashtu edhe pajisjen e të rinjve me njohuri, aftësi dhe përvoja përmes edukimit jo formal, që do të zgjerohen edhe në zonat rurale për të gjetur dhe mbajtur punësimin ose të fillojnë biznesin e tyre”.

Ndërkaq, Vjollca Racaj, nga organizata World Vision në Kosovë, fillimisht falënderoi ministrin Gashi për pritjen e tij dhe për nënshkrimin e këtij memorandumi duke e cilësuar si shumë të rëndësishme dhe kontribuuese në avancimin e të rinjve. Ai/ajo tha: “Kjo marrëveshje mes Ministrisë dhe organizatës tonë, sot u nënshkrua në frymën e besimit, respektit dhe të përgjegjësisë së ndërsjelltë dhe hap mundësinë e realizimit të shumë projekteve për të rinjë përmes të cilave do të ndikohet ndërgjegjësimi dhe ngritja e kapaciteteve të të rinjve. Po ashtu, përmes projekteve që priten të realizohen në pesë vitet e ardhshme në kuadër të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar sot, synohet që të rinjtë të përgatiten me aftësi teknike që rrisin mundësitë e tyre në tregun e punës, nëpërmjet fitimit të aftësive teknike në një profesion të rëndësishme për kontekstin ekonomik lokal”./ KutlPlus.com

Artistët së bashku me Ministrinë e Kulturës organizojnë koktej në ‘Emerald’

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot do të marr pjesë në koktejin e rastit të organizuar nga krijuesit, performuesit dhe punonjësit e trashëgimisë së kulturore në bashkëpunim me MKRS-në.

Në koktej, përveç një programi artistik, do të ndahen mirënjohje për kontributin e dhënë për punonjës të cilët kanë dalë në pension në kohën e fundit.

Kjo ngjarje do të mbahet në Hotel Emerald, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

U nënshkrua memorandum për aktivitete që aftësojnë të rinjtë e Kosovës

Sot u nënshkrua memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Institutit për Bashkëpunim Ndërkombëtarë të Bashkësisë së Shkollave të Larta Popullore Gjermane (DVV International).

Memorandumi, që në emër të MKRS-së nënshkroi Kujtim Gashi, ndërkaq për DVV International nënshkroi Ramadan Alija, Drejtor Ekzekutiv i zyrës së DVV-së në Kosovë, parasheh rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve. Konkretisht, fuqizimi i rinisë, përgatitja e të rinjve për treg pune, nxitja e pjesëmarrjes së të rinjve në të mësuar përmes edukimit jo-formal, mbështetja e vizitave studimore dhe shkëmbimi i përvojave, fuqizimi i rrjeteve dhe qendrave rinore në Republikën e Kosovës janë ndër objektivat dhe aktivitetet që pritet të realizohen përmes këtij dokumenti që do të vlejë deri në fund të vitit 2021.

Me rastin e nënshkrimit ministri Gashi theksoi se përmes këtij dokumenti po hapim rrugën për intensifikimin e aktiviteteve për të rinjtë në Kosovë duke marrë edhe nga përvoja gjermane.

Ndërkaq, përfaqësuesi i DVV International, Ramadan Alija tha se dokumenti që kanë nënshkruar ka zyrtarizuar një bashkëpunim në dobi të të rinjve. /KultPlus.com

Ministria e Kulturës paguan peletin për shtëpinë e Ukë e Mendim Rugovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka blerë lëndë djegëse-pelet në vlerë prej 9 mijë e 500 euro për rezidencën e familjes Rugova.

Kjo është konstatuar si pagesë e parregullt në raportin e auditimit të realizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për vitin 2017.

Sipas raportit të auditimit, duke u bazuar në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, MKRS mund të mbulojë vetëm shpenzimet e restaurimit dhe ato të konservimit për objektet e trashëgimisë kulturore në pronësi private.

“MKRS kishte nënshkruar kontratë në vlerë 9,560€ për “Furnizim me lëndë djegëse-pelet për Rezidencën Ibrahim Rugova”. Malli dhe fatura janë pranuar në vlerë totale, mirëpo në mungesë të mjeteve ishin paguar vetëm 1,510 euro”, thuhet në raportin e auditimit për MKRS-në.

Auditori ka rekomanduar që ministri duhet të siguroj se nuk do të ketë kompensime shtesë për shërbimet që janë pjesë e detyrave të obligueshme të postit që mbajnë punonjësit e ministrisë. Gjithashtu rekomandohet që ministri duhet të sigurohet që të gjitha pagesat kryhen sipas ligjeve përkatëse.

“Kompensimi shtesë për shërbimet që janë pjesë e detyrave të obligueshme të postit që mbajnë punonjësit e ministrisë dhe mbulimi i shpenzimeve në mungesë të bazës ligjore rezulton me pagesa të parregullta për ministrinë”, potencohet në raport te rreziku i pagesave të parregullta.

Raportin e auditimit të MKRS-së ku janë të potencuara edhe pagesat e parregullta mund t’i lexoni KËTU./ Kallxo.com

Maqedonia dhe Kosova dakordohen për kalendar të përbashkët kulturor

Gili Hoxhaj

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi sot ka pritur në vizitë zyrtare Ministrin e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademin,i cili ka një muaj që ka marr timonin për ta udhëhequr Ministrinë e Kulturës në Maqedoni, shkruan KultPlus.

Pas këtij takimi të dy ministritë u dakorduan për zgjerimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë dhe asaj të Kosovës, ndër të tjera duke veçuar se janë dakorduar që në muajin shtator të nënshkruajnë kalendarin e përbashkët mes këtyre dy vendeve, duke thënë që këtë hap do të dërgojnë edhe më tej në krijimin e një kalendari trepalësh mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Ministri Gashi tha se ndihet i nderuar që të jetë nikoqir i vizitës së parë jashtë vendit nga ministri Ademi. Ai tutje u shpreh se qëllimi i kësaj ftesë ndaj ministrit Ademi ka qenë pikërisht thellimi i bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë atje.

“Qëllimi i ftesës është thellimi i bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e kulturës dhe sot gjatë takimit u dakorduam që Ministria e Kulturës së Kosovës dhe ajo e Maqedonisë ta kenë një marrëveshje të re, të përbashkët, për aktivitetet kulturore edhe në Kosovë edhe në Maqedoni, duke e pasur gjithmonë parasysh që një numër i madh i shqiptarëve jetojnë në Maqedoni dhe Maqedonia ka një mërgatë të madhe shqiptare, jemi dakorduar që t’i autorizojmë institucionet tona të kulturës në mënyrë që të kemi aktivitete dhe data të përbashkëta”, tha ministri Gashi, duke shtuar se shqiptarët edhe andej edhe këndej kanë një kulturë të përbashkët dhe jemi të interesuar si dy kolegë, homologë, ministra të kulturës që aktivitetet e kulturës të jenë aktivitete përbashkëta.

Ministri i Kulturës i Maqedonisë, Asaf Ademi tha se është nder i veçantë qe vizitën e parë zyrtare jashtë vendit e realizoi në Kosovë. Ai tha se bashkëpunimi i mirë që ka ekzistuar në mes Kosovës e Maqedonisë do të zhvillohet dhe më tepër.

“Kosova me Maqedoninë, në veçanti me shqiptarët e Maqedonisë na lidhin shumë, na lidhin aspekte kombëtare, familjare, gjithashtu emocionet janë të përbashkëta gjithnjë kur flasim për temat që i përkasin sferës së kulturës. Është nder për mua që gjatë takimit me Ministrinë patëm mendime të përbashkëta lidhur me atë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë mjaft të mira dhe kanë mundësi akoma të zhvillohen, veçmas në sferën e kulturës”, u shpreh ministri Ademi.

Pas këtij takimi, të dy ministrat vazhduan me vizitë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”. / KultPlus.com