Ministria e Sportit ofron përkrahje për sportistët me aftësi të kufizuara

Komiteti Paralimpik i Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin e punës për vitin paraprak 2021, në të cilin është diskutuar për funksionimin dhe konsolidimin e brendshëm të këtij institucioni si dhe për mbështetjen e sportistëve me aftësi të kufizuara në vendin tonë.

Nga pjesëmarrësit në këtë Kuvend u theksua nevoja që të bëhet më shumë në zhvillimin e infrastrukturës sportive për sportistët me aftësi të kufizuara në kuadër të Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, kryetari i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, dhe kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki.

Ministri Çeku në fjalën e tij ka theksuar se sporti është një nga dimensionet më të rëndësishme për të siguruar që personat me aftësi të kufizuar të jenë pjesë integrale e jetës sonë shoqërore, ekonomike, politike dhe kulturore, duke premtuar përkrahjen e MKRS-së në këtë drejtim.

Qeveria e Kosovës, vitin 2022 e ka shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara për të treguar kujdesin e veçantë dhe të shtuar për këtë kategori të shoqërisë./ KultPlus.com

Vazhdon drama për Djokovic, pa vaksinë nuk lejohet as në ‘French Open’

Novak Djokovic mund t’i ndalohet pjesëmarrja në truneun “Frrench Open”, pasi ligji i ri i Francës për vaksina, do t’u kërkojë të gjithë njerëzve të kenë një certifikatë vaksinimi për të hyrë në vende publike si restorante, kafene, kinema dhe trena në distanca të gjata, përcjell KultPlus.

Numri një i botës në tenis, Djokovic, i cili nuk është vaksinuar kundër COVID-19, u deportua nga Australia të dielën përpara turneut të parë Grand Slam të vitit, pasi humbi një çështje gjyqësore rreth qëndrimit atje.

Ministrja e Sportit, Roxana Maracineanu ka thënë që sapo ligji i ri të miratohet, të pavaksinuarit nuk do mund të marrin pjesë në “French Open”.

“Rregulli është i thjeshtë. Leja e vaksinës do të vendoset, sapo të shpallet ligji, në institucionet që tashmë i nënshtroheshin lejes shëndetësore,” tha ministria.

“Kjo do të vlejë për të gjithë ata që janë spektator apo sportist profesionist”, shtoi ajo.

Serbi Djokovic ka refuzuar të vaksinohet dhe është kritikuar për pjesëmarrjen në ngjarje publike muajin e kaluar pasi rezultoi pozitiv me koronavirus. /KultPlus.com