Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, është paraqitur në konferencë ku ka diskutuar disa çështje, përfshirë edhe atë për të shamisë nëpër shkolla, shkruan KultPlus.
Nagavci në një konferencë për media tha se kjo fushatë e nisur së fundi nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme.
“Sa i përket çështjes së Udhëzimit administrativ, është fol shumë kohët e fundit për Udhëzimin administrativ për shaminë, dua të bëj të qartë se nuk ka ndonjë Udhëzim administrativ për shaminë, nuk ka pas asnjëherë me sa unë e di. E gjithë kjo fushatë që është ngritur kohën e të fundit, nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme”, tha Nagavci.
Ajo tutje thotë se udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe ata nuk mund të ndryshojnë një nen specifik.
‘Udhëzimi Administrativ të cilit i kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Është vërtetë që ky Udhëzim Administrativ ka disa çështje ligjore, sepse preambula të cilës i referohet d.m.th nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MAShTI-t. Por, e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai Udhëzim të mbetet në fuqi, ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik”, u shpreh ajo duke shtuar se Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohin se si do ta rregullojnë tutje vetëm në aspektin formal ligjor.
“E drejta për shkollim është e garantuar dhe askujt nuk i mohohet të marrin pjesë në shkollat tona”, tha ndër të tjera ministrja, Nagavci. /KultPlus.com