Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Komiteti Teknik ka marrë vendim që të ndalojë prodhimin e kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Rizvanolli ka bërë të ditur se gjitha këto masa emergjente kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim.
Ngritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar shumë që Kosova të perjetojë një krizë dhe kësisoj të rikthejë reduktimet në vend. /KultPlus.com
