Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se përmasat e dy tërmeteve të 6 shkurtit në Turqi nuk mund të shpjegohen me fjalë.
Kryediplomatja gjermane, bashkë me me ministren e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, vizituan provincën turke Kahramanmaras për të parë nga afër situatën në terren.
Dy ministret gjermane vizituan një lokacion, ku janë ngritur tenda, si dhe një qendër mjekësore të krijuar nga vullnetarët gjermanë në Pazarçik, epiqendra e njërit prej tërmeteve.
“Përmasat e kësaj fatkeqësie të tërmetit nuk mund të shprehen me fjalë edhe nëse ndodheni këtu”, tha Baerbock.
”Berlini zyrtar ka dhënë një ndihmë shtesë prej 50 milionë eurosh, duke e çuar kontributin total të vendit në 108 milionë euro, për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve. Pakoja e ndihmës përfshin gjithashtu tenda, furnizime mjekësore, ushqime, batanije dhe gjeneratorë”, tha ajo.
Kryediplomatja gjermane tha se qeveria po lehtëson gjithashtu procesin e dhënies së vizave për ata që kanë familjarë në Gjermani, duke theksuar se është vënë në dispozicion një autobus i cili mbledh aplikime për viza, në mënyrë që të pranohen dhe të përpunohen aplikimet për viza në nivel lokal./ atsh / KultPlus.com