Ministrja Nagavci ndau çmimin “Shkencëtar i vitit” për Ibadete Bytyçin dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për Fjolla Kaçanikun

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci sot ka ndarë dy çmimet si: “Shkencëtar i vitit” për Ibadete Bytyçin dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për Fjolla Kaçanikun, përcjell KultPlus.

“Këto dy studiuese të dëshmuara me punën e tyre shkencore do të motivojnë shumë studiues e hulumtues të tjerë. Për më tepër, ato janë një dëshmi se gratë në Kosovë, ndër të tjera, janë edhe shkencëtare të zonjat”, ka shkruar ajo.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Kënaqësi e veçantë që sot ndava çmimin “Shkencëtar i vitit” për znj. Ibadete Bytyçi dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për znj. Fjolla Kaçaniku.

Me një biografi të pasur shkencore, këto dy studiuese, janë rekomanduar për këto çmime për vitin 2021 nga Këshilli Shkencor i MAShTI.

• Ibadete Bytyçi është Doktore e shkencave mjekësore/kardiolog. Është anëtare e shumë shoqatave kardiologjike ndërkombëtare, ka 8 mirënjohje në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për arritje profesionale shkencore, 4 libra, në kuadër të tyre janë 3 udhërrëfyes vendor dhe një ndërkombëtar, po ashtu ka 44 punime shkencore dhe 17 punime si autore e parë. Në konferneca shkencore ndërkombëtare është paraqitur me gjithesej 72 abstrakte, prej tyre 42 si autore e parë.

• Fjolla Kaçaniku është Doktore në fushën e shkencave të edukimit. Puna e saj shkencore është prezantuar përmes punimeve të paraqitura në databaza të cilat janë të indeksuara në Scoppus në kuartalin e dytë Q2 dhe Q3, të njohura ndërkombëtarisht si platforma shumë cilësore ku është bërë prezantimi i punës shkencore.

Këto dy studiuese të dëshmuara me punën e tyre shkencore do të motivojnë shumë studiues e hulumtues të tjerë. Për më tepër, ato janë një dëshmi se gratë në Kosovë, ndër të tjera, janë edhe shkencëtare të zonjat.

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të hapë rrugë për studiuesit duke i avancuar politikat për zhvillimin e shkencës dhe në këtë mënyrë Kosova të jetë një kontribuese e rëndësishme e shkencës në botë!
Urime e suksese! / KultPlus.com

Ministrja Nagavci kërkon respektimin e masave antiCOVID: Ndërprerja e mësimit s’duhet të përsëritet

Task Forca për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në MASHTI, sot ka dalë me disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë akterët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor, sipas udhëzimeve të IKSHPK dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend.

Përfaqësuesit e IKSHPK-së, gjatë takimit, kanë ritheksuar nevojën e vaksinimit dhe respektimit rigoroz të masave parandaluese kundër pandemisë, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe të sigurohet mbarëvajtja e mësimit.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se ndërprerja e mësimit nuk duhet të përsëritet dhe se në këtë drejtim duhet të respektohen masat mbrojtëse.

KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Respektimi i masave dhe kujdesi i shtuar sigurojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Që nga shfaqja e COVID-19, fëmijët kanë përjetuar një fëmijëri dramatikisht të ndryshme që do ta mbajnë mend gjatë gjithë jetës së tyre. Kanë humbur orët mësimore, janë përballur me stres e presion të jashtëzakonshëm, ndarjen nga shokët, shoqet e mësuesit/et, dhe janë ballafaquar me mungesën e rutinës ditore. Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe Kosova po vazhdon një vit tjetër shkollor në kushte të COVID-19. Ndërprerja e mësimit s’duhet të përsëritet.

Task Forca për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në MASHTI, sot ka mbajtur takimin e rradhës dhe ka dhënë disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë akterët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor (prindërit, nxënësit, mësimdhënësit, drejtoritë e shkollave, DKA-të, etj.), sipas udhëzimeve të IKSHPK dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend.

Përfaqësuesit e IKSHPK-së, gjatë takimit, kanë ritheksuar nevojën e vaksinimit dhe respektimit rigoroz të masave parandaluese kundër pandemisë, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe të sigurohet mbarëvajtja e mësimit.

Që fëmijët të vazhdojnë të mësojnë, ne të gjithë duhet të respektojmë dhe zbatojmë masat mbrojtëse për COVID-19. Ky brez nuk mund të përballojë më ndërprerje në arsimin e tyre, prandaj ne duhet t’i mbajmë shkollat ​​hapur. Nga kjo varet e tashmja e fëmijëve tanë, e ardhmja e brezit të ri”, ka shkruar Nagavci në Facebook. / KultPlus.com

Ministrja Nagavci përmes konferencës prezanton të arriturat e këtij viti

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci ka mbajtur sot konferencën e fundit me gazetarë për këtë vit, në të cilën ka prezantuar punën, sfidat dhe të arriturat që e kanë përcjellë Ministrinë që nga koha kur mori detyrën më 23 mars 2021 e deri më sot.

Ministrja Nagavci fillimisht ka falenderuar gazetarët të cilët e kanë përcjellë sektorin e arsimit, duke u bërë kështu partnerë shumë të rëndësishëm në të gjitha proceset e zhvilluara në arsim.

Ajo theksoi se, janë bërë përpjekje maksimale për të qenë transparent duke u përgjigjur në çështjet për të cilat gazetarët janë interesuar, por edhe duke mbajtur konferenca të rregullta çdo të dytën të premte, ku secili prej tyre ka pasur mundësinë të informohet për të gjitha proceset në sektorin e arsimit.

Duke bërë prezantimin e aktiviteteve të realizuara këtë vit, ministrja Nagavci ka folur për vështirësitë që ka sjellë pandemia COVID-19 në realizimin e procesit mësimor, krijimin e hapësirave të reja shkollore dhe renovimin e atyre ekzistuese, edukimin e fëmijëve nga gupe të margjinalizuara, fuqizimin e Arsimit dhe Aftësimi Profesional, ndarjen e bursave për të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastruktrurës ligjore dhe arsimin e lartë publik falas, duke përmbushur kështu një nga zotimet e Qeverisë.

Nagavci theksoi se, Ministria mbetet e përkushtuar në realizimin e planeve, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në arsim në të gjitha aspektet, ndërsa i ftoi gazetarët që edhe në vitin e ardhshëm të përcjellin punën në këtë dikaster ashtu siç e kanë përcjellë këtë vit.Ministrja po ashtu falënderoi partnerët zhvillimor për mbështetjen e ofruar në realizmin e politikave në arsim që synojnë gjithëpërfshirje dhe cilësi.

Rreth të arriturave dhe projekteve që ka realizuar Nagavci, është shkruar më shumë në postimin e saj të plotë në “Facebook”. /KultPlus.com

Nesër fillon mësimi, ministrja Nagavci jep informacione për përgatitjet

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook ka thënë se janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor nesër.

Ajo ka thënë se mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat.

Shkrimi i saj i plotë:

Nesër fillon viti i ri shkollor.

Kam vizituar gjatë gjithë kësaj kohe shumë shkolla dhe  kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtues shkollash, mësues e prindër. Ndonse situata me pandeminë na ka sjell në një gjendje të vështirë e me shumë sfida, janë bërë pregatitjet e duhura për të filluar vitin e ri shkollor.

Mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat.

Përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues. Prandaj është e domosdoshme të respektohen masat mbrojtëse të rekomanduara nga profesionistët shëndetësor. Kjo është mënyra më e mirë për të vënë nën kontroll pandeminë, duke i kontribuar mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe ruajtjes së shëndetit publik.

Mësuesit e drejtuesit e shkollave kanë shumë punë e përgjegjësi, por jam e bindur se angazhimi dhe kujdesi i tyre nuk do të mungojë. Vaksinimi, respektimi i masave si dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet dhe me prindërit do të na mundësojë  një vit të suksesshëm shkollor.

Më shumë të dhëna të rëndësishme në faqen më poshtë./KultPlus.com

Drejtorët e Arsimit takohen sot me ministren Nagavci, diskutohet për vitin e ri shkollor

Drejtorët komunalë të Arsimit do të takohen sot me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Takimi pritet të mbahet në orën 11:00.

Në takim pritet të diskutohet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kujtojmë që Ministria e Arsimit kishte vendosur që të shtyjë fillimin e vitit të ri shkollor deri më 13 shtator për shkak të situatës së krijuar me pandeminë.

Andaj mësimdhënësve u është kërkuar që të vaksinohen para se të fillojë viti i ri shkollor në mënyrë që të mbrojnë veten dhe nxënësit./KultPlus.com